Lajmet

​BE me vendim zyrtar: Nuk ka integrime për Serbinë pa normalizim me Kosovën

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

Published

on

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian (BE) e ka miratuar sot vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vet, Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

Në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), të cilat edhe kishin propozuar këto ndryshime, e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për ta miratuar ato, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

“Të dyja palët kishin pranuar obligimet e tyre përkatëse se Marrëveshja për normalizimin [e marrëdhënieve] do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre të integrimeve evropiane. Zbatimi i Aneksit të arritur në mars të vitit 2023 reflekton këtë obligim të të dyja palëve”, tha Stano.

Stano konfirmoi se edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”.

“Agjenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizim për Kosovën do të përditësohet po ashtu. Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është kyçe për rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, shtoi ai.

Pajtimin për këto ndryshime e kishin arritur ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së javën e kaluar.

Ky ndryshim ishte kërkuar për të përfshirë edhe obligimin për zbatimin e marrëveshjes nga dialogu i Serbisë me Kosovën si kusht në kuadër të kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit qysh kur ishte arritur marrëveshja para një viti.

Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Beogradit në BE, por tani në mënyrë specifike përmendet kushti i zbatimit të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja insiston se marrëveshja dhe aneksi, pavarësisht se nuk janë nënshkruar nga palët, janë obligime ligjore për të dyja vendet.

Serbia përmes zyrtarëve të saj disa herë ka thënë se ajo nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare./REL/

Lajmet

Gol emocionues i Dembele, dedikim për Jota pas humbjes tragjike

Published

on

By

Ousmane Dembele shënoi një gol të rëndësishëm në fitoren 2:0 të Paris Saint-Germainit ndaj Bayern Munchenit, duke ndihmuar ekipin e tij të kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube.

Pas golit, Dembele bëri një festim të veçantë, duke nderuar kujtimin e ish-futbollistit të Liverpoolit, Diogo Jota, i cili së fundmi humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.

Kjo fitore përforcon pozicionin e PSG-së në turneun ndërkombëtar, duke u afruar drejt finaleve.

Continue Reading

Lajmet

Dështoi edhe tentimi i 42-të, Kuvendi ende pa kryeparlamentar

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të zgjedhin kryetarin e parlamentit edhe në tentimin e 42-të. Në këtë votim, vetëm 39 deputetë votuan pro krijimit të një komisioni që do të shqyrtojë mundësinë e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca u mbyll dhe pritet të vazhdojë pas dy ditësh.

Ndryshe nga herët e kaluara, votimi u zhvillua në një seancë që u mbajt në mbrëmje, pasi ajo e planifikuar për paraditen e së shtunës u shty për shkak të një alarmi të rremë për bombë në ndërtesën e Kuvendit.

Gjatë seancës, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu fjalimet e deputeteve Ganimete Musliu nga PDK-ja dhe Jehona Lushaku nga LDK-ja, të cilat kërkonin rikthim të votimit në formë të hapur.

Që nga 15 prilli, deputetët janë mbledhur çdo dy ditë për të konstituar Kuvendin, por pa sukses. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi fillimisht Albulena Haxhiun për kryetare, por ajo nuk mori shumicën e votave. Më pas, VV-ja kërkoi ndryshim të mënyrës së votimit duke kaluar në votim të fshehtë.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese urdhëroi që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve. Megjithatë, interpretimi i këtij vendimi ka qenë i ndryshëm mes LVV-së dhe partive tjera. VV-ja argumenton se Kushtetuesja lejon ndryshimin e mënyrës së votimit, ndërsa partitë tjera kundërshtojnë këtë qëndrim.

Pas këtyre zhvillimeve, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike i kanë drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarime të mëtejshme.

Continue Reading

Lajmet

Gashi: Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur

Published

on

By

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ripotencoi qëndrimin se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur dhe se çdo ndryshim në procedurat kuvendare duhet të kalojë përmes mocionit procedural.

“Ndryshimi i çdo procedure kuvendare bëhet me mocion procedural. Mocioni procedural duhet të propozohet në seancë dhe të votohet së pari shmangia e rregullores me dy të tretat e deputetëve dhe pastaj ndryshimi i procedurës. Është e paarsyeshme të ndodhë diçka e tillë. Duhet të vazhdohet sipas vendimit që është marrë dhe mënyrës se si është votuar gjithmonë. Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votën e hapur,” tha Gashi.

Ai u shpreh gjithashtu i qetë lidhur me situatën e sigurisë në Kuvend, pas paralajmërimit për një mjet shpërthyes.

“Policia dhe institucionet e sigurisë po e kryejnë punën e vetë. Ne të tjerët duhet t’i kryejmë punët tona,” deklaroi deputeti i LDK-së.

Seanca konstituive, e cila ishte paraparë të mbahej në orën 11:00, u shty për në orën 20:00 për shkak të paralajmërimit për një bombë brenda ndërtesës së Kuvendit. Pas kësaj, Policia e Kosovës kërkoi nga deputetët që ta lirojnë ndërtesën.

Continue Reading

Lajmet

Çitaku: Edhe më të rrezikshme se kërcënimi me bombë janë prirjet totalitare të LVV-së

Published

on

By

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, komentoi kërcënimin e sotëm me bombë në Kuvendin e Kosovës, i cili fatmirësisht doli të jetë i rrejshëm. Megjithatë, ajo theksoi se prirjet totalitare të Lëvizjes Vetëvendosje përbëjnë rrezik më të madh për vendin.

“Po aq sa janë të rrezikshme dhe të trishtueshme sulmet që po i bëhen Kuvendit nga jashtë, qoftë me kërcënime të rrejshme, në aq e mos më shumë janë të rrezikshme prirjet totalitare që i kemi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme, tashmë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për të përmbysur rendin kushtetues,” tha Çitaku teksa hynte në sallën e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive.

Continue Reading

Të kërkuara