Aktualitet

Serbia “njeh” pasaportën e Kosovës në aeroporte

Published

on

Pasaporta e Serbisë në territorin e Kosovës dhe anasjelltas, përveçse në aeroporte, nuk është e vlefshme si dokument udhëtimi, sepse këto dy vende nuk e njohin njëra-tjetrën.

Zyrtarë të lartë të Kosovës thonë se njohja e ndërsjellë me Serbinë do të arrihet përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve.

Por, Serbia, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, beson se nuk ka nevojë për njohje nga Kosova, pasi Kosova, sipas saj, është pjesë e territorit të Serbisë.

Kur mund ta përdorin pasaportën qytetarët e Kosovës dhe Serbisë?

Në fillim të këtij viti, Marija Radulloviq ka fluturuar pa ndonjë problem nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë me pasaportë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Kragujevc të Serbisë.

Megjithatë, qytetarët e Serbisë nuk kanë mundur të kalojnë me pasaporta në vendkalimet kufitare tokësore gjatë dy vjetëve të fundit. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe Dushan Marinkoviq, pronar i agjencisë së transportit të udhëtarëve KIMCO, që operon çdo ditë në relacionin Graçanicë-Beograd.

“Nuk ka shanse të kalosh me pasaportë serbe”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitin 2011, që pikat kufitare tokësore të mund të kalohen vetëm me një kartë identiteti.

Në vitin 2019, Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se rastet kur qytetarët serbë lejohen të kalojnë me pasaportë, nuk do të tolerohen më.

Në krye të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011, kur është nënshkruar Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes, kanë qenë Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq.

Më 23 korrik, Tahiri nuk ka qenë në dispozicion për komente, por, më herët, ajo ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja për lirinë e lëvizjes parasheh njohjen reciproke të dokumenteve shtetërore dhe se lëvizja midis Kosovës dhe Serbisë bëhet me një kartë identiteti.

Tahiri po ashtu ka thënë se në rast se qytetarët e Kosovës fluturojnë me aeroplan në vendet e treta përmes Serbisë, përdoret edhe pasaporta e Kosovës.

Sa u përket qytetarëve të Serbisë, nëse e shfrytëzojnë aeroportin në Prishtinë, ata mund ta përdorin pasaportën si dokument, ka shpjeguar Tahiri.

Megjithatë, të udhëtosh nga aeroporti i Prishtinës me një pasaportë të lëshuar nga Drejtoria e koordinimit e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në Beograd, nuk është e mundur, sepse autoritetet e Kosovës e konsiderojnë atë të paligjshme. Në këtë administratë, pasaporta nxjerrin ata që, sipas sistemit serb, kanë vendbanim në një nga qytetet e Kosovës.

Borko Stefanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se për pasaportat nuk është diskutuar kurrë dhe se çështja nuk është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes.

“Kjo është bërë me qëllim. Ne nuk kemi dashur të flasim për pasaportat si dokumente udhëtimi, sepse kemi konsideruar se përdorimi i pasaportave dhe vënia e vulës së Kosovës në to është gjëja në të cilën këmbëngul Prishtina. Dhe, ky është një element i sovranitetit”, thotë Stefanoviq.

Pse nuk njihen pasaportat?

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, thotë se Ministria e Brendshme e Kosovës ka vendosur të mos lejojë që qytetarët me pasaporta serbe të kalojnë kufirin tokësor, sepse Serbia nuk e njeh pasaportën e Kosovës.

Sipas saj, përkundër Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, qytetarët e Kosovës dhe Serbisë ende hasin në pengesa kur udhëtojnë.

“Serbia nuk lejon që qytetarët, të cilët vijnë nga vendet e treta [të cilët kanë vetëm vulë të Kosovës në pasaportën e tyre], të kalojnë kufirin me Serbinë pa ndonjë vulë nga një pikë tjetër kufitare”, thotë Krasniqi.

Ajo shton se gjëra të tilla ndodhin, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën dhe anasjelltas.

“Lëvizja e qytetarëve është lehtësuar, por problemi nuk është zgjidhur dhe është shumë komplekse dhe problematike për shtetasit e vendeve të treta t’i kalojnë kufijtë”, thotë Krasniqi.

Stefanoviq thotë se është “qesharake” që Kosova këmbëngul në njohjen reciproke me Serbinë, sepse, sipas tij, kjo nuk do t’ua lehtësojë jetën njerëzve.

“Fakti që Prishtina nuk i njeh pasaportat serbe, neve na përshtatet, sepse është rënë dakord që [kufijtë] të kalohen vetëm me letërnjoftime. Kjo është një lojë transparente me veprime të ulëta. E gjitha është lojë, ata duan që të vihemi në të njëjtën pozitë dhe ‘do ta zgjidhim këtë kur ta njohim njëri-tjetrin’”, thotë Stefanoviq.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka filluar në vitin 2011 në nivelin teknik, ndërsa në vitin 2012 ka kaluar në një nivel më të lartë – atë politik.

Rreth 30 marrëveshje janë arritur deri më tani, por shumë prej tyre nuk zbatohen në terren./REL

lajme

Diplomacia në epokën e inteligjencës artificiale: Rektori Hajrizi folës në Akademinë Diplomatike për Diplomatë të Rinj

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte folës në edicionin e 12-të të Akademisë Diplomatike për Diplomatë të Rinj, ku në fokus ishte potenciali transformues i inteligjencës artificiale në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe praktikën diplomatike.

Gjatë diskutimit, Rektori Hajrizi trajtoi mundësitë dhe sfidat që sjellin teknologjitë e reja për diplomacinë bashkëkohore, duke vënë në pah ndikimin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e praktikave diplomatike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Diskutimi theksoi rëndësinë e inovacionit, përshtatshmërisë dhe qasjeve të përgjegjshme ndaj teknologjive të reja, në një kohë kur inteligjenca artificiale po krijon perspektiva të reja për të ardhmen e diplomacisë.

Pjesëmarrja në këtë akademi pasqyroi rëndësinë e ndërveprimit ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe diplomacisë, si dhe të dialogut mbi mënyrat se si inovacioni mund të kontribuojë në zhvillimin e praktikave diplomatike në të ardhmen.

Continue Reading

Lajmet

UBT kontribuon në vizionin e Kosovës 2050 për qytete të mençura, planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të institucionit, mori pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050”, që po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e arkitektëve, urbanistëve dhe ekspertëve nga Kosova dhe bota.

I organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e GIZ-it, simpoziumi përbën një platformë të rëndësishme për diskutimin e së ardhmes së planifikimit hapësinor në Kosovë, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e qyteteve e vendbanimeve më funksionale, më të gjelbra dhe më të qëndrueshme.

Me mbi 20 vjet përvojë në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin, UBT ka ndërtuar kapacitete të rëndësishme akademike dhe profesionale në arkitekturë, planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke e vënë dijen dhe ekspertizën në shërbim të zhvillimit të Kosovës. Në këtë kuadër, UBT ka themeluar Institutin për Planifikim, pjesë përbërëse të institucionit, i cili angazhohet në hulumtim shkencor, inovacion dhe zhvillim në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban, me synimin që njohuritë akademike dhe zgjidhjet inovative të shndërrohen në kontribut konkret për qytetet, komunat dhe institucionet e vendit.

Një rol të veçantë në këtë drejtim e ka Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, një nga qendrat kryesore të arsimit dhe ekspertizës profesionale në këtë fushë në Kosovë. Përmes programeve akademike, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, UBT kontribuon në përgatitjen e profesionistëve dhe zhvillimin e praktikave bashkëkohore të planifikimit urban. Programi i tij në planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, i pari i këtij lloji në Kosovë sipas të dhënave institucionale, përfaqëson një nga përpjekjet e rëndësishme për avancimin e kësaj fushe në vend.

Në nivel ndërkombëtar, UBT është anëtare institucionale e Association of European Schools of Planning (AESOP), International Society of City and Regional Planners (ISOCARP) dhe European Association for Architectural Education (EAAE), duke marrë pjesë aktive në rrjetet akademike dhe profesionale të këtyre organizatave. Përmes këtij angazhimi, si dhe prezantimit të modelit dhe përvojave të tij në konferenca, simpoziume dhe forume ndërkombëtare, UBT kontribuon në shkëmbimin e dijes, zhvillimin e ideve inovative dhe ndërlidhjen e ekspertizës vendore me praktikat ndërkombëtare në arkitekturë dhe planifikim urban.

Kjo ekspertizë plotësohet nga fushat e mjedisit dhe infrastrukturës së qëndrueshme, ndërtimit, bujqësisë, energjisë dhe teknologjisë, duke krijuar një bazë të gjerë ndërdisiplinore për përgatitjen e kuadrove të së ardhmes, zhvillimin e hulumtimeve dhe hartimin e zgjidhjeve inovative për banimin, infrastrukturën dhe mjediset urbane. Përmes bashkëpunimit me institucione publike, komuna, universitete dhe partnerë profesionalë në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar, UBT synon të mbështesë një qasje më sistemore, të integruar dhe të bazuar në ekspertizë për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit. Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës.

Në përputhje me vizionin strategjik UBT 5S, institucioni vazhdon të promovojë një model zhvillimi ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia lidhen me nevojat reale të shoqërisë.

Pjesëmarrja në Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050” riafirmon përkushtimin e UBT-së për të qenë partner aktiv i institucioneve të Kosovës, duke kontribuar me ekspertizë profesionale, hulumtime dhe ide inovative në planifikimin e së ardhmes së vendit.

Për UBT-në, qytetet e së ardhmes duhet të ndërtohen mbi parimet e planifikimit të mirëfilltë, qëndrueshmërisë mjedisore, zgjerimit të hapësirave të gjelbra, infrastrukturës cilësore dhe inovacionit, me synimin që Kosova të zhvillojë vendbanime më të mençura, më gjithëpërfshirëse dhe më të mira për të jetuar, sot, dhe për gjeneratat e ardhshme.

Continue Reading

lajme

First Kosova fiton dy çmime ndërkombëtare për rrjetet sociale dhe video-tregimin në FIRST Global Challenge 2026

Published

on

By

Ekipi First Kosova është vlerësuar me dy çmime në kuadër të FIRST Global Challenge 2026 në Korenë e Jugut, duke u dalluar për angazhimin në rrjetet sociale dhe për video-tregimin (video storytelling) gjatë garës ndërkombëtare të robotikës.

Përveç suksesit në garën e robotikës, ku Kosova u rendit e katërta në botë në kuadër të aleancës me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën, ekipi është vlerësuar edhe për mënyrën se si e dokumentoi dhe komunikoi përvojën e tij në këtë ngjarje globale.

Çmimet për rrjetet sociale dhe video-tregimin vlerësojnë rëndësinë e komunikimit kreativ në prezantimin e punës së ekipeve, përvojave të tyre dhe ideve që qëndrojnë prapa zgjidhjeve teknologjike. Përmes përmbajtjeve digjitale, ekipi First Kosova ka përcjellë momente nga gara, përkushtimin e të rinjve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke e bërë rrugëtimin e tij të dukshëm për publikun.

Në një garë që bashkon të rinj nga 191 shtete, komunikimi digjital është një mënyrë e rëndësishme për të treguar se inovacioni nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i robotëve, por përfshin edhe aftësinë për të rrëfyer ide, përvoja dhe histori që frymëzojnë të tjerët.

Continue Reading

Lajmet

Rama: Protestat nuk përfaqësojnë studentët, pas tyre fshihet një agjendë tjetër

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur akuzat ndaj opozitës, duke deklaruar se protestat e shoqëruara me akte dhune nuk përfaqësojnë studentët dhe aspiratat e tyre. Të premten në mëngjes, Rama ka qëndruar pranë një kioske të djegur dhe të dëmtuar gjatë protestave të një dite më parë.

Ai ka theksuar se, sipas tij, protestat nuk lidhen drejtpërdrejt me problemet apo kërkesat legjitime të qytetarëve, por janë pjesë e një agjende tjetër, për të cilën ka fajësuar opozitën.

Kreu i qeverisë u ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe qëndresë përballë dhunës, ndërsa ka pranuar se qytetarët përballen me probleme konkrete, të cilat, sipas tij, do të trajtohen nga institucionet.

“Si mund të jenë studentët? Si mund të jetë investimi i prindërve tek fëmijët e tyre kjo gërmadhë? Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore”, ka deklaruar Rama në një video të publikuar në Facebook.

Ai ka pretenduar se protestat po shfrytëzohen nga aktorë që synojnë destabilizimin e vendit dhe pengimin e përparimit të Shqipërisë.

Rama e ka cilësuar gjithashtu si jo të rastësishme kohën e protestave, duke e lidhur atë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, pas mbylljes së një kapitulli në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“E gjithë kjo që po ndodh nuk është rastësi”, ka theksuar ai.

Në deklaratën e tij, kryeministri ka shprehur shqetësimin për përfshirjen e të miturve në protestë, duke i akuzuar organizatorët se po i nxisin ata të përdorin maska, të dëmtojnë infrastrukturën publike dhe të përplasen me Policinë. Ai ka pretenduar gjithashtu se, përveç opozitës, pas protestave qëndrojnë edhe aktorë të huaj që, sipas tij, nuk e duan Shqipërinë të qetë dhe në rrugën drejt integrimit evropian.

Ndërkohë, protestat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, si dhe me djegie e dëmtime të pronës publike dhe private. Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmave dhe rikthimin e rendit.

Ndërkaq, 16 personat e arrestuar pas protestës së 13 tetorit pritet të dalin para Gjykatës së Tiranës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara