Aktualitet

​Hoti: Marrëveshja me DFC hap një dritare të madhe për sektorin privat

Published

on

Marrëveshja për nxitje të investimeve me Korporatën e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) është mundësia më e mirë që ka pasur Kosova për zhvillim ekonomik që nga viti 1999. Marrëveshje kjo që për projekte iniciale arrinë shumën prej 1 miliard euro, me maturitet 25 vjet.

Kështu ka deklaruar të hënën kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve, ku ka thënë se “vetëm qielli është kufizim për sektorin privat”, pasi sipas tij, krejt çka nevojitet është që të ketë kuptim biznesor projekti.

Financimi direkt në formë të kredive, që mund të marrin edhe qeveria edhe bizneset financiare, investimi në ekuitet të kompanive, garantimi i investimeve, sigurimi i investimit duke mbuluar humbjet që lidhen edhe me rrezikun politik, risigurimi i projektit, financimi i studimeve të ndryshme të fizibilitetit janë disa nga instrumentet që jep DFC për bizneset.

Për këtë, Hoti tha se është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Besoj që është një mundësi e jashtëzakonshme për të financuar zhvillimin ekonomik të Kosovës në vitet që vijnë, sektorët nuk janë të kufizuar pa përjashtim[…]Për sektorin privat vetëm qielli është kufizim, çka t’iu bie ndërmend, përveçse duhet të ketë kuptim biznesor projekti. Shuma totale për këto projekte iniciale shkon në 1 miliard dollarë, me maturitet 25 vjet. Dhe, unë besoj që kjo është mundësia më e mirë që e ka pasur Kosova nga viti 99-të e këtej, për të hapur një dritare të zhvillimit ekonomik. Sigurisht që ka disa kritere për të marrë parasysh këto projekte nga DFC. E para është që projekti duhet të ndikojë në rritjen ekonomike”, bëri të ditur Hoti.

Hoti para bizneseve tha se kjo marrëveshje është e dyta për nga rëndësia për ekonominë e Kosovës. Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij janë munduar dhe angazhuar që t’i qëndrojnë pranë sektorit privat, duke bërë të mundshme që qarkullimi i bizneseve gjatë janarit të këtij viti të jetë më i madh sesa në janarin e vitit 2020, kur nuk ka pasur pandemi.

Kandidati i LDK-së për kryeministër bëri të ditur edhe projektet e sektorit publik që do të realizohen me marrëveshjen për nxitje të investimeve në Kosovë me DFC-në.

“Pas shpalljes së pavarësisë, besoj marrëveshja më e madhe që e ka nënshkruar Kosova është e vitit 2015 MSA, e cila sjellë financim të rregullt për sektorin publik, dhe kjo është marrëveshja tjetër më e rëndësishme që tash hap një perspektivë të jashtëzakonshme për sektorin publik dhe privat. Sa i përket sektorit publik, i kemi të qarta projektet që do të financohen, që është hekurudha Durrës – Prishtinë, që është gazsjellësi që vjen deri në Prishtinë, studimi i fizibilitetit dhe financimi i projektit në Liqenin e Ujmanit, që është segmenti i autostradës nga Duhla në Lipjan, dhe projekte tjera gjithandej nëpër Kosovë”, tha ai.

Hoti bëri të ditur se për të marrë këtë mbështetje nga DFC janë disa kritere që duhet përmbushur, e që janë ndikimi i projektit në rritjen ekonomike, inovacioni dhe gjithpërfshirja. Ai shprehu mirënjohje për bizneset për angazhimin që kanë pasur gjatë periudhës me pandeminë COVID-19, për të cilat tha se kanë arritur të mbahen në këmbë duke ruajtur punësimin dhe duke kontribuar në tejkalimin e krizës ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi.

Kronikë e zezë

Rrahje pas një mosmarrëveshjeje në Leposaviq, një person dërgohet në spital

Published

on

By

Një incident që ka rezultuar me lëndime trupore është regjistruar në komunën e Leposaviqit. sipas raportit zyrtar 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, pas një konflikti verbal mes dy personave.

“Viktima burrë kosovar ka pranuar tretman mjekësor në spitalin e Mitrovicës Veri, pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar”, sipas raportit të policisë.

Menjëherë pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë shoqëruar personat e përfshirë për intervistim.

Pas ekzaminimit të rrethanave dhe konsultimit me organet e drejtësisë, rasti ka kaluar në fazë hetimore të rregullt.

Sipas policisë, “palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”. Rasti po trajtohet nga autoritetet kompetente si “Lëndim i lehtë trupor”.

Continue Reading

Lajmet

Tiranë: 15 të arrestuar pas protestës, hodhën molotov ndaj policisë

Published

on

By

Ditën e djeshme të 22 marsit rreth orës 18:00, gjatë protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, ata kanë hedhur në drejtim të tyre dhe ndaj disa institucioneve lëndë djegëse (molotovë). Si pasojë, 6 punonjës Policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit dhe morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, janë shkaktuar dëmtime në godinat përkatëse, janë djegur disa kosha mbeturinash, si dhe është djegur 1 automjet policie.

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 24 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim u arrestuan shtetasit O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç.
-nisi procedimi penal për shtetasit: K. M, E. H, L. M dhe për 5 shtetas të mitur.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje. /Euronews/

 

 

Continue Reading

Kronikë e zezë

Tri raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar tri raste të ndara të dhunës në familje në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Skenderaj, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarve dhe konfiskimin e armëve.

Sipas raportit policor, rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë rreth orës 03:00, ku “është arrestuar një i dyshuar burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht viktimën grua kosovare”, me ç’rast i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Fushë Kosovë, ku një mosmarrëveshje ka agravuar në kanosje dhe sulm fizik.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ka sulmuar viktimën grua, e cila “ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”. Ky rast është cilësuar si “Dhunë në familje & kanosje”, duke reflektuar rrezikshmërinë e lartë të kanosjeve brenda ambienteve familjare.

Ndërkaq, në Skenderaj, policia ka ndërhyrë pas raportimeve për dhunë të vazhdueshme psikike.

“I dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare”.

Gjatë hetimit të këtij rasti, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa parandaluese duke konfiskuar dy armë zjarri dhe 12 fishekë, për të cilat i dyshuari posedonte leje.

Për dallim nga dy rastet e para, me vendim të prokurorit, ky rast në Skenderaj “vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”.

 

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet i dyshuari për aksidentin me fatalitet në Piranë, vdes këmbësori

Published

on

By

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë komunikacioni që ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Prizren-Gjakovë, saktësisht në fshatin Piranë.

Sipas raportit zyrtar 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:20, ku u përfshi një automjet dhe një këmbësor.

Policia ka konfirmuar se lidhur me rastin “është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti duke drejtuar automjetin dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar”.

Përkundër ndërhyrjes, goditja ka rezultuar fatale për këmbësorin, “të cilit i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor”.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kompetent për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Me vendim të prokurorit, “trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik në komunikacion.

 

Continue Reading

Të kërkuara