Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 11 prill, në vitet nëntëdhjetë 

Published

on

11 prill 1994

Lajm i plotë:

NATO shënoi përmbushjen e vendosmërisë amerikane për veprim konkret kundër serbëve

Lajmi i parë që mbrëmë dhe sot u transmetua në masmediumet gjermane është bombardimi i objektivave ushtarake serbe në periferi të Gorazhdës nga ana e aeroplanëve bombardues amerikanë. Sulmi i aeroplanëve amerikanë u bë me pëlqimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Butros Gali, i cili të shtunën deklaroi se duhet të përdoren të gjitha mjetet për t’i detyruar serbët që të ndalin pushtimet.

Sot TV Gjerman e dha me storie filmike procesin e bombardimit mbi objektivat ushtarake serbe, ku më së paku u shkatërruan dy tanke serbe. Si rezultat i këtij aksioni serbët u detyruan të ndërprejnë sulmet mbi popullsinë boshnjake të Gorazhdes.

Sulmin kundër serbëve e përshëndeti presidenti amerikan, Bill Klinton. Ai theksoi se ky aksion i NATO-s shënoi përmbushjen e vendosmërisë amerikane për të vepruar konkretisht kundër serbëve. Ai tërhoqi vërejtjen se në rast se serbët nuk ndalen, ata përsëri do të ndeshen me kundërgoditje të ngjashme nga NATO-ja.

Emërues i përbashkët i komentatorëve gjermanë të cilët mbrëmë paraqitën pikëpamjet e tyre qoftë nga Uashingtoni, Brukseli apo Boni, është se fillimi i veprimit të NATO-s përmes hedhjes së bombave kundër serbëve shënon hapin e parë që dëshmon se NATO-ja është e vendosur të veprojë edhe herave të tjera në mënyrë të ngjashme kundër agresorit serb. Edhe pse aksioni i NATO-s, i cili u ekzekutua përmes aeroplanëve luftarakë amerikanë, u vlerësua si veprim i vonuar, përkatësisht në momentin e fundit, kundër agresorit serb, me shpresë se ky rast nuk do të jetë i fundit.

Përderisa në Perëndim ky aksion i NATO-s kundër serbëve u mirëprit, ndërkaq në Moskë presidenti rus, i cili është përgatitur për udhëtim në Madrid, deklaroi se proteston ashpër kundër aksionit amerikan mbi serbët. Jelcini ishte i prekur sidomos pse SHBA-të para se të intervenonin në objektivat ushtarake serbe nuk janë konsultuar me Rusinë, prandaj, theksoi ai, ka biseduar për këtë me presidentin amerikan dhe ka kërkuar që për aksionet e ngjashme në ish-Jugosllavi Rusia të konsultohet paraprakisht.

 

Lajme të tjera:

Kryetari i Turqisë: Do ta përkrahim Kosovën e Shqipërinë në rast të agresionit serb

Demaçi prezentoi çështjen e Kosovës në një tubim ndërkombëtar në Veneci

Terroristët grekë vranë dy e plagosën tre ushtarë shqiptarë

Gjatë marsit në komunën e Gjilanit policia serbe bastisi 40 familje

Stërvitje të forcave serbe në Landovicë të Prizrenit

Në fshatrat e Opojës së Dragashit policia ndjek aktivistët

Represioni në Kosovë

Kryqi i Kuq i Suedisë: Të mos kthehen refugjatët shqiptarë

Në demonstratën e boshnjakëve në Bon morën pjesë edhe shqiptarë nga Kosova

Sanie Matoshi fituese e festivalit “Kosovarja këndon ’93-94”

Grupi folklorik dhe Dega e LDK-së në Nju-Jork dhanë 5.060 dollarë për Fondin e Kosovës

Ekstremisti serb Sheshel në Kosovë

 

Lajm i plotë:

Policët malazias vranë kolegun e tyre duke menduar se po shtijnë në një shqiptar

Gazeta serbe “Veçernje novosti” ka njoftuar ditëve të fundit për një proces gjyqësor në Podgoricë, në të cilin dy policë malazias, Velizar Darmanoviqi (34) dhe Predrag Vuçiniqi (22) u liruan nga akuza për vrasjen e kolegut të tyre Miodrag Rackoviq më 15 mars të vitit 1992 në Sukobinë të Ulqinit.

Siç njoftonte kjo gazetë në numrin e së shtunës “vrasja kishte ndodhur afër mesnatës më 15 mars 1992 në kufirin jugosllavo-shqiptar, ku patrulla e ministrisë së punëve të brendshme të Ulqinit ishte nisur për të arrestuar një qytetar shqiptar, i cili duhej të sillte material propagandistik në Jugosllavi. Patrulla ishte ndarë në dy grupe dhe kur këto ishin takuar në terr në një çufrrajë – kishin shtënë me armë në njëra-tjetrën, duke menduar se në anën tjetër është armiku nga Shqipëria”, ku u vra polici Miodrag Rackoviq.

 

 

11 prill 1995

 

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova arriti në Tiranë

Unioni Evropian intensifikon përpjekjet kundër keqësimit të mëtejshëm të gjendjes në Kosovë

David Atkinsonit nuk iu dha viza për të vizituar Kosovën

Mbledhje me udhëheqësit e nëngedëve të LDK-së në Skënderaj

Adem Demaçi: Kemi nevojë për një organizim më të mirë

Shqipëria respekton sanksionet

Një delegacioni i Pax Christit nga Holanda u takua me përfaqësuesit e FR të LDK-së

Gazeta “Nju-Jork Tajms” për situatën aktuale në Kosovë

Frika e një lufte të zgjeruar në Ballkan

Vazhdon procesi i montuar në Pejë

 

Lajm i plotë:

 

Në Bllacë të Suharekës humbën jetën dy fëmijë

Dje, rreth orës 16:30 minuta në lagjen “Zekolli” të fshatit Bllacë të Suharekës ndodhi një tragjedi e rëndë, me ç’rast humbën jetën Nexhat Abdyl Zekolli (1985) dhe Shpend Mehmet Zekolli (1986), njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Suharekë.

Të dy fëmijët, duke u kthyer nga shkolla shkuan për t’u larë në vendin e quajtur “Lugu i botës”, ku Milaim Zekolli me ekskavator kishte hapur një pus për ujë.

Edhe pse Nexhati u nxor i gjallë nga uji i ftohtë, ai vdiq rrugës për në ambulancën e Suharekës, ndërsa të gjitha përpjekjet e fshatarëve për ta shpëtuar Shpendin ishin të kota.

 

Lajme të tjera:

Dhuna e përditshme në Kosovë

Policia serbe arrestoi dy dezertorë nga ish-ushtria jugosllave

Policia në Gjilan ndërpreu një ndeshje futbolli dhe burgosi Shemsedin Mustafën

Policia ndërhyri sërish në SHMT ” Marin Beçikemi” në Vushtrri

Policia rrahu arsimtarin Man Veliqi

Policia serbe sërish plaçkiti mall në tregun e plaçkave në Prishtinë

Po vazhdon xhirimi i filmit artistik të Ekrem Kryeziut

Persona të shumtë u arrestuan nën pretekst të dhënies e marrjes së ryshfetit

Kërkohet Haxhi Bytyçi

 

 11 prill 1997

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova

Në Durrës arritën dy anije ushtarake italiane

Parlamenti turk mbështet dërgimin e trupave në Shqipëri

Danimarka e gatshme të marrë pjesë në misionin ushtarak shumëkombësh në Shqipëri

Parlamenti gjerman mbështet misionin e forcave shumëkombëshe në Shqipëri

OSBE‑ja rithekson rëndësinë e mbledhjes së armëve në Shqipëri

Nikollas Hill e Majkëll Mekllellen vizituan Universitetin e Prishtinës

Reagimet e shtypit serb pas tryezës së Nju Jorkut

Kryeministri maqedonas u takua me kancelarin gjerman

Presione në Kaçanik kundër pronarëve të ndërmarrjeve e dyqaneve

Për armëmbajtje u dënua me një vit burg

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

 

Lajm i plotë:

Dje në Baicë të Gllogocit persona të panjohur vranë Ramiz Lekun

Dje, në orët e mëngjesit në fshatin Baicë, persona të panjohur me armë zjarri vranë Ramiz Ymer Lekun, punëtor në Kuvendin e instaluar komunal serb në Gllogoc, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc.

Bëhet e ditur se pas vrasjes së Ramiz Lekut, në afërsi të vendit të ngjarjes janë stacionuar forca të armatosura të policisë serbe, të cilat ishin të pajisura edhe me automjete, ndërsa me vete kishin edhe dy qenë nuhatës.

Gjatë ditës së djeshme pas vrasjes së Ramiz Lekut, forca të shtuara të policisë serbe u stacionuan edhe nëpër rrugë e udhëkryqe të qytezës së Gllogocit.

Ndërkaq, dje rreth orës 11:00, policia serbe bllokoi lagjen e Lekajve në Baicë dhe arrestoi Feriz Lekun (47) dhe Jetmir Lekun (21), të cilët nga dita e djeshme ende po mbahen në arrest.

Të përkujtojmë se më 29 qershor të vitit 1994, nga persona po ashtu ende të paidentifikuar, qe vrarë edhe babai i Ramizit, Ymer Leku.

Në përpjekje për të futur pasiguri e përçarje në mesin e shqiptarëve, shtypi serb njoftoi dje menjëherë se kinse vrasës të Lekut janë pjesëtarët e të së ashtuquajturës UÇK. Mediumet serbe kanë vepruar kështu edhe në dy raste të tjera, lidhur me vrasjen e Xunë Durmishit nga Rakinica e Skënderajt dhe të Isuf Halitajt e Fehmi Hazirajt të vrarë më 25 mars në fshatin Siçevë të Klinës. Mirëpo, pohimet për kolaboracionizëm, i kanë hdehur poshtë me shkrim dhjetëra shqiptarë të fshatrave prej nga ishin viktimat.

 

 11 prill 1998

Edicioni i parë (15:00)

Lajm i plotë:

Në rrugën kryesore të Prishtinës edhe sot defiluan në mënyrë të qetë mijëra qytetarë

Dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë të të gjitha moshave e gjinive, bënë sot një sheti protestuese në qendër të Prishtinës, në rrugën “Nëna Tereze”. Protesta u mbajt me moton “Kosova burgu më i madh në botë”.

Qytetarët filluan të grumbulloheshin para orës 12,00, ndërsa në mesditë, e gjithë rruga “Nëna Tereze”, prej ndërtesës së Kuvendit të Kosovës e deri te shtëpia e vjetër e mallrave u bllokua nga numri i madh i pjesëmarrësve në këtë shëtitje.

Ndryshe nga dita e djeshme, protestuesit sot nuk bartnin pankarta, nuk brohorisnin, por vetëm shetisnin të qetë, duke duartrokitur herë pas herësh.

Policia serbe në kohën sa zgjati kjo sheti e qytetarëve ndaloi qarkullimin e automjeteve rrugës kryesore të kryeqendrës.

Gjatë ditës së sotme protestuesit iu përmbajtën me përpikëri thirrjes së Këshillit Organizativ të Protestave dhe në orën 12. 30 u shpërndanë të qetë.

Policia serbe edhe sot përcolli me vëmendje pjesëmarrësit e kësaj proteste, e cila u mbajt me moton: “Kosova burgu më i madh në botë”, por kësaj radhe nuk intervenoi.

Shetitje të ngjajshme dhe me moto të njëjtë u mbajtën edhe në të gjitha qendrat e Kosovës. Në rrugën kryesore të Prizrenit edhe pse binte një shi i imët, ishin prezentë disa dhjetëra mijëra qytetarë. Qytetarët bënë shetinë pa pankarta dhe pa brohoritje. Por, pasiqë numri i pjesëmarrësve ishte i madh, në “Shadërvan” u krijuan dy rreshta të mëdhenj qytearësh, që shëtisnin në radhë, kurse në rrugët tjera kishte qytetarë të shumtë. Ishte e dukshme prezenca e forcave policore.

Në Suharekë edhe sot, në mënyrë spontane qytetarët dolën në qendër të qytetit për të protestuar kundër dhunës serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës. Protesta filloi në ora 12 dhe mbaroi në ora 12,30. Në protestë morën pjesë rreth 10. 000 qytetarë.

Në orët e para të mëngjesit e me pretekst të kontrollimit të automjeteve në komunikacion, policia ka përjashtuar nga qarkullimi në komunikacion një pjesë të madhe të autobusëve. Kjo ka ndikuar që një numër imjaft i madh i qytetarëve të mos mund të marrin pjesë në protestë.

Edhe sot forcat policore ishin prezente, por intervenime nuk pati, kështu që protesta përfundoi pa ekscese, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Pejë: Në qytet, në orën 12:00 pati shetitje të qytetarëve nëpër të gjitha rrugët që shpiejnë në qendër. Nga mëngjesi, në hyrje të qytetit ishin përqëndruar forca të mëdha të policisë serbe, të cilat i legjitimonin qytetarët.

Numri i qytetarëve që mori pjesë sot në shetitje nuk ishte aq i madh për shkak se ishte ditë me shi, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Pejë.

Gjilan: – Edhe sot, në Gjilan, në mënyrë masive, me dhjetëra mijëra qytearë iu përgjigjën ftesës së organizatorit për shëtitje të qetë e spontane.

Ashtu, siç ishte paraparë nga Këshilli Organizativ i Protestave, sikurse dje, edhe sot, më 11 prill, para orës 12, në komunën e Gjilanit, turma të mëdha qytetarësh ia mësynë qytetit, për t’i pushtuar trotuaret e tij. Sot, për shkak se ishte edhe ditë tregu, qyteti i Gjilanit ishte i bllokuar, kështu që edhe shetitja ishte e zgjatur për shkak se kordonet e policisë, nuk lejonin qytetarët të niseshin drejt qendrës dhe tregut, për të kryer shërbimet e tyre, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjilan.

Mijëra qytetarë shetiten sot në mesditë edhe në Malishevë, Shtime, Han të Elezit e në Rahovec, ndonëse në shumicën e këtyre qendrave moti ishte me shi.

 

 

Lajm i plotë:

Raporti i dhunës në Skënderaj, 74 të vrarë në periudhën janar-mars 1998

Vrasje 74, plagosje 22, ndalim arbitrar 144, arrestim arbitrar 34, bisedë informative 52, torturë fizike 107, torturë psikike 686, dënim për vepër penale 2, dënim për kundërvajtje 5, marrje e pasaportës 5, të zhdukur 18, bastisje 65, kërcënim 423, marrje peng 110, tentim vrasje 572, fyerje 24, lëndime trupore 105, plaçkitje 76, ndërhyrje në institucionet humanitare 1, ndërhyrje në institucionet arsimore 5, ndërhyrje sociale 5, punëtorë në botën e jashtme 1, ndalim kthimi në atdhe 2, azilkërkues të kthyer 2, vizitë e policisë në shtëpi 36, goditje e shtëpive me armë të ndryshme 53, pengim për t’u varrosur në varrezat e veta 5. Gjithsej 2. 635 raste të shkeljeve, njofton “Bujku”.

 

Lajme të tjera:

Civilët serbë rrahën disa të rinj shqiptarë

Forcat serbe plaçkitën lagjen e Kastratëve në Turiçefc

Izet Ismaili: Popullin e Drenicës e kërcënon uria

Gllogoc: U morën në polici tre veprimtarë politikë dhe humanitarë

Ahmet Mustafa u lirua dje në gjendje të rëndë fizike

Policia serbe arrestoi shumë persona nga Hasi

Shpërthim i zjarreve në malet e Vushtrrisë e të Kaçanikut

Forca ushtarake u vendosën në aeroportin bujqësor të Dushanovës së Prizrenit

Serbët formojnë edhe një qendër propagandistike gazetare në Prishtinë

Pengohet qarkullimi i autobusëve nëpër Komoran

U lirua objekti i shkollës së mesme në Rahovec

Në shkollën e Janjevës zvarritet kthimi i nxënësve shqiptarë

 

 

Edicioni i dytë (19:30)

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova priti diplomatin rumun Jon Donka

Forca të mëdha ushtarake u stacionuan në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri

Ushtria serbe provokon banorët e fshatrave të Gjilanit

Në rajonin e Hasit policia bastis familjet shqiptare

Në Mitrovicë dolën në shetitje proteste 20 000 vetë

Konferencë për Kosovën në Kaliforni

Në Mitrovicë u bastis një familje shqiptare

Marrje në biseda informative

Policët dhe civilët serbë keqtrajtojnë shqiptarët në Gjilan

Foto: Skenderaj

 

Continue Reading

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara