Aktualitet

​Më 5 maj rinis mësimi për 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës

Published

on

Nga data 5 maj, do ta rifillojnë mësimin 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për Organizimin e Mësimit Alternativ të Përshpejtuar.

Inspektorët e Arsimit në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe drejtorët e këtyre shkollave, kanë filluar përgatitjet e duhura për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor dhe pritet nga komuna e Kamenicës të zbatojë në tërësi vendimin.

Mësimi të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi” Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në Shipashnicë e Poshtme si dhe për nxënësit e paraleles fizike në Kopernicë.

Zbatimi i këtij vendimi, sipas ministres Nagavci, nuk ka kosto shtesë për transport, pasi mësimi do të zhvillohet në shkollat ku nxënësit i kanë mbajtur më herët mësimet.

“Presim nga mësimdhënësit të jenë të gatshëm të kryejnë detyrën e tyre dhe të ofrojnë mësimdhënien për të gjithë nxënësit. Nëse dikush punon mbinormë është obligim i komunës të hartojë dhe dorëzojë raportet e detajuara. Nga ana tjetër askush nuk mund t’i pengojë mësimdhënësit gjatë procesit mësimor e as t’i penalizojë për punën që e kryejnë. Pasojat e humbjes së mësimit për nxënësit fatkeqësisht janë evidente dhe të shumëfishta. Angazhimi i të gjithë neve, secili vendim e veprim duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ndryshe, plani për riorganizimin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta i njohur ndryshe edhe si ‘reforma’ në arsim, nuk u përkrah nga shumë banorë të Kamenicës. Me vendimin për riorganizim parashihej mbyllja e 19 shkollave në këtë komunë.

Pavarësisht kundërshtimeve të banorëve kryetari Qëndron Kastrati nuk është zmbrapsur nga kjo ide e tij. Ai ka marrë tri vendime, një në gusht të viti 2019, një në janar dhe një në shtator. Mirëpo asnjë nga këto vendime nuk janë respektuar, për çka edhe ka pasur protesta për të cilat është dashur intervenimi i policisë.

Komisioni për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Avokati i Popullit si dhe ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj patën kërkuar nga kryetari që të pezullojë këtë reformë.

Për këtë Komuna e Kamenicës kishte paditur 23 prindër, me arsyetimin që nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre, padi e cila më vonë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Gjilan. 

Aktualitet

UBT fuqizon studentët e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë me ligjërata nga liderë të industrisë

Published

on

Programi i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT vazhdon të sjellë eksperienca konkrete dhe profesionistë të nivelit të lartë për studentët e tij. Në kuadër të lëndës Institucionet Financiare dhe Tregjet e Kapitalit, studentët patën mundësinë të mirëpresin si ligjërues të ftuar Emanuel Bajra, Kryetar i Bordit të Fondit Pensional të Kosovës – një ndër institucioneve më të rëndësishme financiare në vend.

Gjatë ligjëratës, Bajra ndau me studentët një pasqyrë të gjerë dhe të thelluar mbi zhvillimet aktuale në tregjet financiare, me fokus të veçantë në ekosistemin financiar të Kosovës dhe tendencat në tregjet ndërkombëtare. Ai solli shembuj konkretë nga tregjet e Londrës, qendra më e madhe financiare në Europë dhe një ndër më të rëndësishmet në botë, duke i ndihmuar studentët të kuptojnë dinamikat e kapitalit në një perspektivë globale.

Ky aktivitet ishte një mundësi e jashtëzakonshme që studentët të lidhen me realitetin profesional, të kuptojnë sfidat dhe trendet që po e formësojnë industrinë financiare dhe të marrin këshilla praktike nga një ekspert i fushës.

UBT vazhdon të ofrojë një ambient ku teoria takon praktikën, ndërsa studentët marrin njohuri të aplikueshme dhe ndërveprojnë me profesionistë që udhëheqin sektorët kyç të ekonomisë.

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi pjesëmarrës në ceremoninë e ndezjes së dritave në Crown të Texas-it

Published

on

Më 2 dhjetor, në mbrëmje, në qytetin Crown të Teksasit u zhvillua ceremonia tradicionale e ndezjes së dritave festive, e organizuar nga Kryetari dhe Zv. Kryetari i qytetit. Në këtë aktivitet të veçantë ishte i ftuar Rektori Hajrizi, i cili mori pjesë në darkën zyrtare së bashku me përfaqësues të institucioneve lokale, komunitetit shqiptar, universiteteve shqiptare dhe Sam Houston State University, duke thelluar bashkëpunimin akademik dhe lidhjet komunitare.

Për këtë ngjarje festive, si përfaqësues dhe figurë e dalluar e komunitetit shqiptaro-amerikan, u zgjodh z. Joe Haliti, i shpallur këtë vit “Personaliteti i Vitit” në rajon. Kontributi i tij i vazhdueshëm në jetën e komunitetit dhe roli i tij në promovimin e vlerave shqiptare janë vlerësuar gjerësisht nga autoritetet lokale dhe bashkëkombësit.

Gjatë ceremonisë, Rektori Hajrizi mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve arsimore, si dhe rolin e personaliteteve si Joe Haliti në forcimin e marrëdhënieve kulturore dhe akademike ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe Shqipërisë.

Ky aktivitet shënoi një moment të rëndësishëm për komunitetin shqiptaro-amerikan në Texas, duke nderuar punën dhe përkushtimin e Joe Halitit, ndërkohë që thelloi edhe më tej lidhjet mes komunitetit dhe institucioneve arsimore ndërkombëtare.

Continue Reading

Aktualitet

Rexhaj: Bizneset shqiptaro-gjermane, një bashkëpunim shumë i frytshëm

Published

on

Drejtori ekzekutiv i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Azem Rexhaj, në Podcastin e UBT-së flet për punën e institucionit që drejton.

Misioni themelor i këtij institucioni, bashkëpunimi sa më i madh i bizneseve në Gjermani dhe në vendet gjermanishtfolëse me bizneset në Kosovë, Shqipëria e në rajonet e tjera shqiptare, deri tash është realizuar me mjaft sukses.

Rexhaj, që është edhe profesor në UBT, thekson rëndësinë e madhe që ka Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, duke ofruar një mundësi shumë të madhe bashkëpunimi, rrjetëzimi dhe, njëkohësisht, përfitimi të dyanshëm për bizneset. Kemi të bëjmë me një rrjet shumë të gjerë e të madh të kompanive, që duhet të shfrytëzohet për shtim e zgjerim të bashkëpunimit.

Për më shumë, ndiqni Podcastin: LINKU

Continue Reading

Lajmet

Rektori i UBT-së zhvilloi vizitë zyrtare në Texas me ftesë të Sam Houston State University

Published

on

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, realizoi një vizitë zyrtare në Texas me ftesë të Sam Houston State University (SHSU), në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit akademik dhe kërkimor.

Gjatë vizitës, Rektori Hajrizi zhvilloi një sërë takimesh me drejtues akademikë, institucione kërkimore dhe personalitete të komunitetit shqiptar në SHBA, ku u diskutuan mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve studimore, projekteve të përbashkëta dhe iniciativave strategjike në fusha me interes të përbashkët.

Në delegacion morën pjesë edhe përfaqësues nga universitete partnere të rajonit: Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Kryetari i Senatit të UT, Prof. Dr. Kenan Ferati, si dhe përfaqësues të Universitetit të Tiranës. Pjesëmarrja e tyre shtoi edhe më shumë peshën e dimensionit ndër-universitar rajonal, duke e bërë vizitën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të urave të reja të bashkëpunimit.

Vizitat në infrastrukturën e Universitetit ishin një tjetër pjesë e rëndësishme e programit, ku Rektori Hajrizi vizitoi Fakultetin e Biznesit, të Infermierisë, të Mjekësisë dhe një numër njësish të tjera akademike të SHSU-së. Këto vizita shërbyen për të parë nga afër standardet e larta akademike dhe laboratorike të institucionit, duke identifikuar mundësi konkrete për bashkëpunim dhe shkëmbime profesionale.

Gjatë qëndrimit, Rektori Hajrizi zhvilloi një takim të rëndësishëm me Major Gjeneral David P. Glaser, të cilin UBT e ka nderuar me çmimin më të lartë institucional. Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimeve të mëtejshme në fushat e sigurisë, lidershipit dhe edukimit profesional, si dhe përfshirja e ekspertëve nga të dy institucionet në projekte të përbashkëta trajnimi dhe hulumtimi.

Po ashtu, u mbajt takimi me Dekanen e Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Dr. Sharmistha (Shar) Self, e cila ishte organizatorja kryesore e vizitës, së bashku me Alban Fetahun – ish-student i SHSU-së dhe nismëtar i këtij partneriteti të rëndësishëm.

Rektori u prit gjithashtu nga dekanët e fakulteteve të Kriminologjisë, Shkencave, Teknologjisë Inxhinierike, Shkencave të Shëndetit dhe Shkencave Humane, me të cilët u shkëmbyen ide mbi programet akademike dhe mundësitë për projekte të përbashkëta kërkimore.

Një moment i veçantë i vizitës ishte takimi me Presidenten e SHSU-së, Dr. Alisa White, dhe Provost-in, Dr. Sumanth Yenduri, ku u diskutua thellimi i bashkëpunimit institucional, zhvillimi i programeve të përbashkëta studimore dhe krijimi i mundësive konkrete për studentët e UBT-së. Në të gjitha takimet, Rektori Hajrizi prezantoi programet akademike të UBT-së dhe potencialin për zgjerim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke u dakorduar që së shpejti të nisin projekte të përbashkëta konkrete.

Në të dy rastet, Rektori Hajrizi prezantoi iniciativën për krijimin e qendrës për studime amerikane në UBT dhe të studimeve shqiptare në Texas, e cila u prit shumë mirë nga të gjithë.

Programi përfshiu edhe vizita në institucione të rëndësishme edukative dhe shkolla të zonës së Houston-it, si dhe një vizitë në NASA Headquarters dhe muzeun e tyre, ku u diskutua për mundësinë e përfshirjes së studentëve të UBT-së në aktivitete dhe programe edukative ndërkombëtare.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme të vizitës ishte pjesëmarrja në eventin akademik dhe kulturor të SHSU-së, “Bridge-Building Event: Strengthening Partnerships with the Albanian Community”, ku u diskutua për perspektivat e reja të bashkëpunimit afatgjatë dhe për angazhimin e mëtejshëm me komunitetin shqiptar në SHBA.

Në këtë event morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan nga Houston dhe Dallas, si dhe Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Ilir Dugolli, të cilët e mirëpritën me shumë entuziazëm iniciativën e bashkëpunimit dhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur studentët shqiptarë me bursa dhe mundësi të tjera akademike.

Falë kësaj qasjeje bashkëpunuese, studentët e UBT-së potencialisht do të kenë mundësinë të përfitojnë bursa në studime në Sam Houston State University, si dhe të marrin pjesë në programe të përbashkëta studimore dhe kërkimore.

Më 2 dhjetor në mbrëmje, Rektori Hajrizi ishte i ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave të qytetit Crown në Texas, të organizuar nga Kryetari dhe Zv. Kryetari i qytetit. Për këtë ngjarje, u zgjodh z. Joe Haliti, anëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe kontribues i jashtëzakonshëm në jetën e komunitetit, i cili këtë vit u shpall “Personaliteti i Vitit” në rajon. Në këtë ceremoni, Rektori Hajrizi mbajti një fjalim gjatë darkës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të rrethit, komunitetit shqiptar, përfaqësues të universiteteve shqiptare dhe të Sam Houston State University, duke forcuar edhe më shumë lidhjet midis komunitetit dhe institucioneve akademike.

Kjo vizitë nënvizon përkushtimin e UBT-së për të forcuar rrjetin e partneriteteve ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillimin akademik, shkencor dhe profesional të studentëve dhe stafit të universitetit.

Continue Reading

Të kërkuara