Qeveria amerikane po heq sanksionet ndaj Sirisë pasi presidenti Donald Trump nënshkroi dje në mbrëmje dekretin përkatës, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.
Trump e kishte njoftuar këtë hap rreth një muaj e gjysmë më parë gjatë udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme.
“Kjo është një përpjekje për të promovuar dhe mbështetur rrugën e vendit drejt stabilitetit dhe paqes”, tha zëdhënësja e Trump, Karoline Leavitt, para nënshkrimit.
“Sanksionet e vendosura ndaj ish-presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad dhe bashkëpunëtorëve të tij, mbeten në fuqi”, sipas Shtëpisë së Bardhë.
E njëjta gjë vlen edhe për sanksionet ndaj shkelësve të të drejtave të njeriut, trafikantëve të drogës dhe individëve të lidhur me aktivitete që përfshijnë armë kimike.
“Do të merren gjithashtu hapa për të lehtësuar kontrollet e eksportit dhe kufizime të tjera ndaj Sirisë”, sipas dekretit të Trump.
Ai udhëzon Departamentin Amerikan të Shtetit të rishikojë përcaktimin e grupit islamist Hayat Tahrir al-Sham (Organizata për Çlirimin e Levantit, HTS) si një organizatë terroriste e huaj. Qeveria tranzitore siriane ka dalë kryesisht nga ky grup.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio do të shqyrtojë gjithashtu përcaktimin e Sirisë si sponsor shtetëror i terrorizmit, si dhe atë të presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa si terrorist.
Përveç kësaj, Rubio do të shqyrtojë në Kombet e Bashkuara, mundësitë për të hequr sanksionet. Dekreti gjithashtu e udhëzon atë të shqyrtojë nëse disa sanksione, të cilat lidhen me një ligj që ndëshkonte ish-qeverinë siriane nën drejtimin e al-Assad për mizori, duhet të pezullohen plotësisht ose pjesërisht”, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Që nga përmbysja e al-Assad në dhjetor, udhëheqja e re siriane është përpjekur për afrim me bashkësinë ndërkombëtare.
Ajo kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve, të cilat shumë vende i vendosën gjatë viteve të luftës brutale civile nën drejtimin e al-Assad. /atsh