Live

REL: Lidhjet e grupeve kriminale nga Ballkani me Venezuelën

Published

on

Grupet e organizuara kriminale nga Ballkani kanë lidhje edhe në Venezuelë. Këtë e tregojnë rastet e sekuestrimeve të kokainës, arrestimeve dhe procedurave gjyqësore që janë përfunduar ose që janë ende në zhvillim.

Këto grupe janë identifikuar nga organizata ndërkombëtare, si EUROPOL dhe INTERPOL, si ndër aktorët kryesorë në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës Latine drejt Evropës.

Venezuela ka ardhur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si një shtet transit për trafikimin e kokainës pas arrestimit të udhëheqësit të rrëzuar, Nicolas Maduro, nga forcat e Shteteve të Bashkuara në fillim të janarit.

Maduro do të përballet me gjykim në SHBA në bazë të një aktakuze që e ngarkon me mbikëqyrje të një rrjeti të tregtisë me kokainë, që ka bashkëpunuar me grupe të dhunshme, përfshirë kartelet meksikane Sinaloa dhe Zetas, rebelët majtistë kolumbianë të FARC‑ut dhe bandën venezuelase Tren de Aragua. Maduro në seancën e parë dëgjimore të mbajtur në një gjykatë në Nju Jork i mohoi akuzat.

Cili është rëndësia e Venezuelës për grupet kriminale nga Ballkani?

Siç thekson për Radion Evropa e Lirë, Sasha Gjorgjeviq nga Nisma Globale për Luftimin e Organizatave Kriminale Transnacionale (GI-TOC), Venezuela është e rëndësishme për kontrabandën e kokainës, në të cilën janë të përfshira rrjete kriminale nga Ballkani Perëndimor, sepse ajo përbën “korridor strategjik dalës nga Amerika Latine drejt Atlantikut”. Nga atje, shumica e kokainës shkon ose direkt në Evropë, ose përmes Afrikës Perëndimore në Evropë.

Sipas tij, për grupet kriminale nga Ballkani, Venezuela është e rëndësishme, por jo destinacioni kryesor për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Në këtë kuptim, vendet si Kolumbia dhe Brazili janë shumë më të rëndësishme, dhe në vitet e fundit edhe Ekuadori.

Arrestimi i Maduros dhe veprimet e SHBA-së kundër grupeve kriminale që merren me trafikimin e kokainës, sipas Gjorgjeviqit nuk do të kenë shumë ndikim te këto grupe, anëtarët e të cilave janë me origjinë nga vendet e Ballkanit.

“Duke pasur parasysh se këto grupe gjithmonë kanë qenë fleksibile, supozoj se ato grupe që kanë përdorur Venezuelën do të gjejnë rrugë alternative në këto vende ku, sipas meje, ekzistojnë baza shumë më të rëndësishme”, vlerëson ai.

Kush janë aktorët kryesorë?

Lidhjet e grupeve kriminale nga Ballkani me Venezuelën u zbuluan përmes sekuestrimit të kokainës pranë bregut të Arubës, afër Venezuelës, në shkurt të vitit 2020.

Në atë rast, marina holandeze ndaloi anijen “Aressa”, e cila më parë ishte ankoruar në portin venezuelas të Guaranos. Në bordin e anijes u sekuestruan 5 tonë kokainë.

Gjatë aksionit u arrestuan 11 shtetas të Malit të Zi, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes. Sipas Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, sekuestrimi i kokainës në Arubë ishte si rezultat i bashkëpunimit mes Mali i Zi, Mbretërisë së Bashkuar, Serbisë dhe Holandës.

Para gjykatës në Arubë, shtetasit malazezë u dënuan në mars të vitit 2021 me dënime nga nëntë deri në 15 vjet burgim.

EUROPOL-i e lidhi kokainën e sekuestruar në Arubë me shtetasin serb Mirosllav Starçeviq, i arrestuar në maj të vitit 2023 së bashku me 12 persona të tjerë. Ata akuzohen nga autoritetet në Serbi për trafik ndërkombëtar të drogës.

Siç është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Gjykata e Lartë në Beograd, procesi gjyqësor kundër këtij grupi është drejt fundit.

Policia serbe e ka cilësuar Starçeviqin si udhëheqës kryesor “të organizatës më të madhe kriminale për trafikim të drogës nga Ballkani” që u zbulua me ndihmën e EUROPOL-it.

Sipas Policisë serbe, karteli i udhëhequr nga Starçeviq qëndron pas dërgesave me shumë tonë kokainë që kanë mbërritur në Evropë nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori, por edhe përmes Afrikës Perëndimore.

Grupi i Starçeviqit në raportet e GI-TOC lidhet me klanin Kavaç, klan kriminal me origjinë nga Mali i Zi.

Klanet Kavaç dhe Shkalar janë nga Mali i Zi. Bëhet fjalë për dy klane të armatosura, dhe gjatë përplasjeve që kanë pasur që nga viti 2014 kanë humbur jetën më shumë se 60 persona.

Pa përgjigje nga ministritë e Brendshme të Serbisë dhe Malit të Zi

Nuk dihet nëse dhe sa janë të përfshira ende grupet kriminale, pjesëtarë të të cilave janë me origjinë nga Serbia dhe Mali i Zi, në trafikun e kokainës të lidhur me Venezuelën.

Për këto pyetje, deri në publikimin e këtij teksti, nuk janë përgjigjur Ministria e Brendshme e Serbisë, dhe as ajo e Malit të Zi.

Nga EUROPOL-i thanë shkurt për REL-in se organizata nuk ka bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Venezuelën, kështu që të dhënat për përfshirjen e grupeve kriminale nga Ballkani merren në mënyrë indirekte, nga policitë e këtyre shteteve.

Grupet kriminale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në raportet e agjencive ndërkombëtare si EUROPOL dhe INTERPOL, cilësohen si të rëndësishme për trafikun e kokainës nga Amerika Latine, kryesisht drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Këtë pozicion, sipas raporteve të GI-TOC, ato e kanë ndërtuar për dekada, kryesisht përmes lidhjeve të drejtpërdrejta me vendet prodhuese dhe distributorë të kokainës.

Pse është e veçantë Venezuela?

Ajo që e bën Venezuelën interesante, thotë Gjorgjeviq nga GI-TOC, është përdorimi i transportit detar dhe ajror për kokainën që dërgohet nga ky shtet.

“Janë avionë të vegjël, për të cilët kontrolli dhe monitorimi është shumë më i ulët se për fluturimet komerciale”, shpjegon ai.

Në Venezuelë nuk prodhohet kokainë, por sipas raporteve të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), Venezuela cilësohet si një nga shtetet kryesore transit për kokainën, e cila prodhohet kryesisht në Kolumbi dhe më pas shpërndahet drejt SHBA-së dhe Evropës.

Indikacionet e forta që pjesë të aparatit shtetëror venezuelas janë të përfshirë në aktivitetet kriminale vijnë nga gjetjet e Indeksit për Krim Global, sipas të cilit Venezuela renditet në dhjetë për qindëshin më të lartë të vendeve në botë për ndikimin e aktorëve kriminalë brenda vendit.

Raportet vjetore për këtë indeks i publikon GI-TOC, organizatë joqeveritare me seli në Gjenevë.

Në raportin e fundit të publikuar në nëntor të vitit 2025, thuhet se grupet guerile kolumbiane “menaxhojnë zinxhirët e furnizimit në bashkëpunim me zyrtarë të korruptuar venezuelas”.

“Grupet janë integruar në komunitetet lokale, shpesh duke manipuluar të rinjtë që të punojnë për ta nën maskën e punësimit të ligjshëm, dhe kanë marrë në dorë sistemet lokale të drejtësisë dhe strukturat e qeverisjes”, theksohet në raport.

Aty shtohet se marrëdhënia simbiozë midis grupeve guerile kolumbiane dhe zyrtarëve shtetërorë venezuelas ka lehtësuar operacionet e tyre, duke rezultuar në “dhunë minimale, por kontroll të konsiderueshëm mbi rajonet kufitare”.

Continue Reading

Lajmet

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ruse dëmtojnë rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, Kievi deri në 20 orë në ditë pa rrymë

Published

on

By

Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.

“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.

Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.

Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara