Sport

Mirlind Daku, rrugëtimi i jashtëzakonshëm i sulmuesit nga Gjilani drejt majave të futbollit evropian

Published

on

Mirlind Daku është pa dyshim një nga futbollistët shqiptarë më të suksesshëm të viteve të fundit. Sulmuesi nga Gjilani ka ndërtuar një karrierë mbresëlënëse falë talentit, punës së palodhshme dhe instinktit të rrallë për gol, duke u shndërruar në një nga emrat më të rëndësishëm të Kombëtares së Shqipërisë dhe të klubit rus Rubin Kazan.

Së fundmi, Daku vazhdoi të dëshmojë cilësitë e tij si golashënues, duke realizuar në ndeshjen e Rubin Kazanit ndaj Baltikës në Superligën e Rusisë. Sulmuesi shqiptar shënoi me kokë pas një asistimi të saktë nga bashkëlojtari i tij shqiptar, Nazmi Gripshi, duke regjistruar golin e tij të 10-të në kampionat. Ky numër mund të kishte qenë edhe më i lartë po të mos ishte përballur me disa lëndime gjatë muajve të fundit, të cilat e kanë penguar të luajë vazhdimisht.

I lindur më 1 janar 1998 në Gjilan, Daku hapat e parë në futboll i bëri në Kosovë. Ai u zhvillua në futbollin vendor, ndërsa karrierën e tij e vazhdoi te KF Hajvalia dhe më pas te KF Llapi, ku filloi të tërhiqte vëmendjen me paraqitjet dhe golat e tij. Talentin e tij e vërejtën shpejt edhe klubet jashtë vendit dhe në vitin 2018 ai u transferua te klubi kroat Osijek. Megjithatë, rruga drejt suksesit nuk ishte e lehtë. Daku kaloi nëpër disa periudha huazimi, fillimisht te Kukësi në Shqipëri dhe më pas te Ballkani në Kosovë.

Pikërisht te Ballkani erdhi shpërthimi i madh i karrierës së tij. Në sezonin 2020/21 ai zhvilloi një nga edicionet më të mira individuale në historinë e futbollit kosovar, duke shënuar 31 gola në 34 ndeshje kampionale. Me këtë arritje ai u bë golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës dhe vendosi një rekord që vazhdon të përmendet edhe sot. Forma e tij fantastike e bëri një nga futbollistët më të kërkuar në rajon.

Pas rikthimit te Osijeku dhe debutimit në elitën e futbollit kroat, Daku u huazua te skuadra sllovene Mura, ku vazhdoi të tregojë potencialin e tij. Në kampionatin slloven ai u shndërrua në një nga sulmuesit më të rrezikshëm, duke tërhequr vëmendjen e klubeve nga kampionate më të forta evropiane.

Në verën e vitit 2023 erdhi transferimi i madh në Rubin Kazan të Rusisë. Që nga momenti i mbërritjes së tij, Daku u bë një nga figurat kryesore të skuadrës. Me golat, asistimet dhe ndikimin e tij në lojë, ai fitoi respektin e tifozëve dhe ekspertëve të futbollit rus. Pavarësisht problemeve me lëndimet, ai ka vazhduar të jetë lideri ofensiv i ekipit dhe një nga sulmuesit më të spikatur në kampionat.

Në nivel ndërkombëtar, Daku fillimisht përfaqësoi Kosovën U21 dhe më pas zhvilloi disa ndeshje miqësore me përfaqësuesen A të Kosovës. Megjithatë, në vitin 2023 ai vendosi të përfaqësojë Kombëtaren e Shqipërisë pasi mori shtetësinë shqiptare. Debutimi i tij me fanellën kuqezi erdhi në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024, ndërsa shumë shpejt ai tregoi vlerat e tij edhe në skenën ndërkombëtare. Golin e parë për Shqipërinë e realizoi në fitoren e rëndësishme 2:0 ndaj Polonisë, duke fituar menjëherë simpatinë e tifozëve shqiptarë.

Daku njihet për forcën e tij fizike, lojën e shkëlqyer në ajër, lëvizjet inteligjente brenda zonës dhe aftësinë për të finalizuar nga pozicione të ndryshme. Përveç golave, ai kontribuon shumë edhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese, duke ndihmuar bashkëlojtarët dhe duke krijuar vazhdimisht hapësira në mbrojtjet kundërshtare.

Sot, Mirlind Daku konsiderohet një nga sulmuesit më të mirë shqiptarë të gjeneratës së tij. Nga fushat e Kosovës deri te kampionatet evropiane dhe Kombëtarja e Shqipërisë, ai ka dëshmuar se me talent, sakrificë dhe përkushtim mund të arrihen nivelet më të larta të futbollit. Në moshën 28-vjeçare, sulmuesi nga Gjilani vazhdon të shkëlqejë dhe të shkruajë kapituj të rinj në karrierën e tij, duke mbetur një nga krenaritë më të mëdha të futbollit shqiptar.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Llapi përmbys Malishevën në udhëtim dhe merr fitoren e tretë radhazi në Superligë

Published

on

By

Llapi ka shënuar një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina arriti të përmbyste disavantazhin e pjesës së parë në stadiumin “Liman Gegaj”, duke regjistruar kështu fitoren e tretë radhazi në kampionat.

Pjesa e parë u dominua nga vendasit, të cilët kaluan të parët në epërsi në minutën e 23-të me golin e Xhemal Ibishit. Megjithatë, reagimi i mysafirëve ishte i menjëhershëm, pasi Fiton Ademi barazoi shifrat në 1-1 pas vetëm dy minutash lojë.

Malisheva arriti të rikthente epërsinë në minutën e 40-të përmes Kreshnik Ukës, duke shkuar në pushim me rezultatin 2-1.

Në pjesën e dytë, Llapi rriti ritmin e lojës dhe krijoi më shumë raste, duke arritur ta kthejë rezultatin në favorin e tij. Fillimisht, Fiton Ademi shënoi golin e tij të dytë personal në minutën e 61-të për 2-2, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 82-të nga Pjero Skaric, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 3-2.

Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në pozitën e tetë në tabelë me 14 pikë të grumbulluara, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e dytë me 30 pikë. Në xhiron e radhës, Llapi e pret në shtëpi Drenicën, kurse Malisheva luan në udhëtim ndaj Ballkanit. /E.A/

Continue Reading

Sport

Klubet e Ligës Premier kërkojnë shitjen e detyruar të Manchester Cityt pas shkeljeve financiare

Published

on

By

Pronarët e Manchester Cityt duhet të detyrohen ta shesin klubin si ndëshkim për shkeljen e rregullave financiare, vlerësojnë figurat kryesore të disa klubeve të Ligës Premier, raporton transmetuesi publik britanik BBC.

Drejtues të klubeve nga tri kategoritë e para të futbollit anglez kanë deklaruar se një masë e tillë do të ishte e duhura, pasi Manchester City u shpall fajtor për shkelje të rregulloreve financiare të Ligës Premier në periudhën 2009–2018, si dhe për mosbashkëpunim me hetimin.

Paneli i pavarur ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar për sanksionet, të cilat mund të përfshijnë gjoba financiare, zbritje pikësh, heqjen e titujve të fituar më parë, apo edhe përjashtimin nga liga. Nga ana tjetër, klubi anglez i ka mohuar akuzat dhe e ka apeluar vendimin.

Një nga drejtuesit, duke folur në kushte anonimiteti për BBC, u shpreh se bën pjesë në një grup klubesh që besojnë se çdo dënim tjetër do të ishte i pakuptimtë nëse pronarët aktualë nuk detyrohen të largohen. Sipas tij, një ndëshkim më i lehtë do të ngrinte pikëpyetje mbi arsyen se pse klubet financojnë Autoritetin e Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR).

Një drejtues tjetër theksoi se këto shkelje kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Ligës Premier dhe se klubet e tjera nuk do të mund ta kalojnë këtë skandal nëse pronarëve aktualë u lejohet të mbeten në krye të Cityt.

Manchester City u shpall fajtor për rritje artificiale të të ardhurave dhe fshehje të humbjeve në vlerë prej mbi një miliard eurosh përmes kontratave fiktive tregtare. Klubi është në pronësi të kompanisë private të investimeve Abu Dhabi United Group, e udhëhequr nga Sheikh Mansour, Zëvendëspresident dhe Zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Real Madridi vazhdon kontratën me Brahim Diaz deri në vitin 2031

Published

on

By

Klubi spanjoll Real Madrid ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me sulmuesin maroken Brahim Diaz, duke e mbajtur atë në “Santiago Bernabéu” deri në verën e vitit 2031.

Me kontratën e mëparshme që i skadonte verën e ardhshme, 27-vjeçari ka vendosur të vazhdojë të ardhmen e tij afatgjatë te klubi madrilen, pjesë e të cilit është që nga viti 2019.

“Real Madrid CF dhe Brahim Diaz kanë rënë dakord të zgjasin kontratën e lojtarit tonë, i cili tani është i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2031”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Me këtë hap, Diaz ndjek rrugën e bashkëlojtarëve të tij, Arda Güler dhe Aurélien Tchouaméni, të cilët po ashtu kanë nënshkruar marrëveshje të reja me klubin gjatë javëve të fundit.

Ndonëse e ardhmja e tij ishte e pasigurt gjatë verës së kaluar, trajneri José Mourinho bllokoi largimin e tij nga skuadra. Këtë sezon, sulmuesi maroken ka regjistruar katër asistime në 10 paraqitje, duke e nisur ndeshjen si titullar vetëm një herë.

Kujtojmë se Brahim Diaz shkëlqeu në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON 2025), ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola të shënuar, duke e ndihmuar përfaqësuesen e Marokut të renditej në vendin e dytë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 në futboll përballet sot me Poloninë në kualifikimet e Evropianit

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave zhvillon sot ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, ku do të përballet me Poloninë.

Takimi do të luhet në stadiumin “MŠK Žilina” në qytetin Žilina të Sllovakisë, me fillim nga ora 13:00.

Vajzat e reja të Kosovës synojnë paraqitje sa më dinjitoze dhe rezultat pozitiv në këtë përballje të rëndësishme të fazës kualifikuese. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara