Aktualitet

Sulme reciproke mes SHBA-së dhe Iranit, armëpushimi vihet në pikëpyetje

Published

on

SHBA-ja dhe Irani kanë vazhduar shkëmbimin e sulmeve ushtarake në Lindjen e Mesme për të dytën ditë rresht, duke shtuar pasigurinë rreth armëpushimit të brishtë që ishte arritur ndërmjet dy vendeve gjatë muajit prill.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka njoftuar se ka realizuar një seri sulmesh që i ka cilësuar si veprime vetëmbrojtëse, duke goditur objekte ushtarake, sisteme vëzhgimi dhe radarë në jug të Iranit. Këto operacione u zhvilluan pak orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat amerikane do të reagonin me vendosmëri ndaj Teheranit, duke e akuzuar Iranin për vonesa në arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit.

Nga ana tjetër, Irani ka ndërmarrë sulme kundër pozicioneve dhe interesave ushtarake amerikane në disa vende të rajonit.

Sipas raportimeve, bazat amerikane në Bahrein dhe Kuvajt janë vënë sërish nën shënjestër të sulmeve iraniane, ndërsa Garda Revolucionare Islamike (IRGC) ka bërë të ditur se ka lëshuar raketa balistike drejt një qendre komanduese amerikane në Jordani.

Autoritetet e Bahreinit kanë njoftuar aktivizimin e sirenave të alarmit ajror gjatë natës, ndërsa ushtria kuvajtiane ka bërë të ditur se sistemet e mbrojtjes kundërajrore kanë arritur të neutralizojnë disa objektiva ajrorë të konsideruar armiqësorë.

Për shkak të situatës së sigurisë, Kuvajti ka mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore.

Ndërkohë, në zhvillimin më të fundit të krizës, Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se ka goditur dy cisterna nafte që po lundronin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës. /CNN/ /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Mot me diell dhe vranësira: Temperaturat sot deri në 13°C

Published

on

By

Dita e sotme parashikohet të vijë me mot me diell dhe vranësira gjatë orëve të mëngjesit, ndërsa në orët në vijim vranësirat do të tërhiqen gradualisht.

Sipas njoftimit nga MeteoKosova, era do të fryjë nga drejtimi i veriut dhe veriperëndimit me një shpejtësi prej 5 deri në 19 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 dhe 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijën nga 10 deri në 13 gradë Celsius. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike, paralajmëron rritje të konsumit

Published

on

By

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.

KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.

“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.

Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Lëvizjet me çmimet e derivateve: Kusari-Lila paralajmëron rikthimin e çmimit tavan nëse nafta nuk pocheapërohet në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Qeveria do të rikthejë çmimin tavan për naftën nëse rënia e çmimeve të derivateve në tregun botëror nuk reflektohet në tregun kosovar brenda pak ditëve.

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, e cila ngriti shqetësimin për ndikimin e shtrenjtimit të naftës në çmimet e produkteve të tjera, ministrja Kusari-Lila sqaroi se dy ditët e fundit ka filluar një rënie e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

“Arsyeja e çmimit 1.90 ose 1.89, që është sot, e evidentuar, ka të bëjë me rritjen e çmimit në tregun botëror. Megjithatë, pozitive në këto dy ditët e fundit është një fillim i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në çmimin në tregun në Kosovë, atëherë ne e rikthejmë çmimin tavan, i cili tashmë kemi edhe bazën ligjore për ta bërë atë”, deklaroi Kusari-Lila.

Ministrja shpjegoi se vendimi për heqjen e çmimit tavan ishte marrë më 8 shtator pas përfundimit të afatit 180-ditor, ndërsa institucionet kanë vazhduar monitorimin e marzhës tregtare në baza ditore.

“Çka kemi bërë? Kemi shqyrtuar gjendjen e inspektimeve, por gjithashtu edhe kemi pasur skadim të afatit bazuar në këtë udhëzim administrativ… Megjithatë, pas heqjes së këtij vendimi, që nga data 8 shtator deri më sot, më 5 nëntor, në baza ditore kemi bërë dhe bëjmë, vazhdojmë të bëjmë monitorimin e çmimit dhe përcaktimin e marzhës sipas çmimeve të tregut… Të dhënat zyrtare të importit tregojnë se marzha që nga heqja e çmimit tavan nuk e ka kaluar 12 centin, i cili është i përcaktuar me udhëzimin administrativ. Ka qenë 11.5 cent”, shtoi ajo.

Ajo po ashtu nënvizoi se Kosova mbetet mjaft e ekspozuar ndaj luhatjeve globale për shkak të shkallës së lartë të importit, por siguroi se ekzekutivi nuk do të qëndrojë pasiv.

“Kosova, siç e dini, nuk është e izoluar dhe nuk ka qenë e izoluar nga këto zhvillime. Në të kundërt, është shumë e ekspozuar për shkak të nivelit të madh të importit. Megjithatë, qeveria nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndrojë pasive përballë këtij çrregullimi të tregut. Ne ndërhyjmë aty ku i kemi kushtet ligjore”, përfundoi Kusari-Lila, duke cituar udhëzimet administrative përkatëse që lehtësojnë ndërhyrjen e shtetit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Cassis nga Prishtina vlerëson lart diasporën: Rreth 500 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër, lidhja jonë është e jashtëzakonshme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera dhe të bazuara në një histori të gjatë e të fuqishme bashkëpunimi.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis theksoi se kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Prishtinë si pjesëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse takimet mes diplomacive të të dyja vendeve kanë qenë të vazhdueshme.

“Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta sepse kemi qenë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar e jetuar”, u shpreh Cassis.Diplomati zviceran vuri theksin te roli i jashtëzakonshëm i diasporës kosovare në Zvicër, duke saktësuar numrin e qytetarëve me prejardhje nga Kosova që jetojnë atje.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose vijnë nga kjo trevë. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë sonë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përveç kësaj, ata janë edhe heronj të futbollit në vendin tonë”, shtoi ai.

Cassis po ashtu kujtoi vizitën shtetërore të ish-presidentes Vjosa Osmani në Zvicër në mars të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si një moment me rëndësi të veçantë për thellimin e partneritetit dypalësh. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara