Lajmet

Pse peshkaqenët ndihmojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike?

Industria e peshkimit ka pasur rol të madh në rënien e numrit të peshkaqenëve.

Published

on

Numri i peshkaqenëve është duke rënë. Përpjekjet për të shtuar numrin e tyre mund të kenë efekt që ndihmon në fundosjen e karbonit dhe t’i bëj oqeanet më pak të prekura ndaj ndryshimeve klimatike.

Në skajin perëndimor “Shark Bay” të Australisë, notojnë të paktën 28 ​​lloje peshkaqenësh në ujërat e pastërta, përcjell UBT News.

Peshkaqenët tigër në veçanti janë frekuentuesit e zakonshëm të “Shark Bay”. Ndërsa prania e tyre është një kërcënim për shumë krijesa të detit, këta grabitqarë janë vendimtar për shëndetin e ekosistemit detar.

Në fakt, pavarësisht reputacionit famëkeq të peshkaqenëve mes njerëzve, ata gjithashtu mund të jenë një faktor i fuqishëm në frenimin e ndryshimeve klimatike, sipas një studimi.

E gjitha kjo kthehet në fijet e trasha të barit të detit që lëkunden me valët në “Shark Bay”. Këto fije janë ushqim për lopët e detit, për të cilat thuhet se konsumojnë 40kg të tilla në ditë.

Lopët e detit janë një burim ushqimi për peshkaqenët tigër. Duke mbajtur nën kontroll popullsinë e lopëve të detit, peshkaqenë tigër në “Shark Bay” ndihmojnë që livadhet e barit të detit të ‘lulëzojnë’. Një zonë e tillë me bar deti ruan dy herë më shumë CO2 për milje katrorë sesa pyjet që ruajnë në tokë.

Por globalisht, numri i peshkaqenëve tigër po bie, duke përfshirë disa popullsi në Australi. Në Queensland, peshkaqenë tigër vlerësohet të kenë rënë me të paktën 71%, kryesisht për shkak të peshkimit dhe kapjes së tepërt.

Reduktimi i peshkaqenëve tigër nënkupton më shumë kullotje të barit detar nga barngrënësit, që do të thotë se më pak karbon sekuestrohet në bimësinë e detit.

Në Karaibe dhe Indonezi ku popullatat e peshkaqenëve janë pakësuar, kullotja e tepërt nga breshkat e detit është tashmë një kërcënim i thellë për habitatet e barit detar dhe ka çuar në një humbje prej 90 deri në 100% të barit detar.

Humbja e barit të detit gjithashtu e bën habitatin më pak të aftë të shërohet nga ngjarjet ekstreme të motit të nxitura nga ndryshimet klimatike, siç janë valët e nxehtësisë.

Një nga valët e nxehta më të këqija të Australisë goditi në vitin 2011, ku temperaturat e oqeanit u rritën me 5 gradë celsius për dy muaj, transmeton UBT News.

Kjo ishte katastrofike për speciet mbizotëruese të gjirit të detit, Antarktida Amphibolis, e cila formon livadhe të pasura dhe të dendura që mbajnë sedimente dhe sigurojnë ushqim për kullotësit. Më shumë se 90% u humb, që është humbja më e madhe e njohur në të gjithë gjirin.

Kjo humbje e barit detar ishte, një “shpërblim” për lopët e detit, të cilat preferojnë disa barishte tropikale më të vogla dhe më të vështira për t’u gjetur. Kur ky bari është më i arritshëm, lopët e detit janë të njohura për një ushqyerje në mënyrë shkatërruese, pra duke gërmuar në kërkim të ushqimit. Kështu, duke gërmuar rizomat e barit të tyre të preferuar ato e bëjnë më të vështirë reformimin e shtretërve të dendur të Antarktidës Amphibolis.

Në “Shark Bay”, peshkaqenët tigër ishin disi në gjendje të rivendosnin ekuilibrin duke mbajtur numrin e lopëve të detit të vogël, dhe kështu një sasi e konsiderueshme e barërave u shpëtuan.

Por shtrohet pyetja: Po sikur peshkaqenët të mungonin atje – a do të mbijetonte ekosistemi?

Për ta zbuluar këtë, studiuesit e udhëhequr nga Rob Nowicki, i Universitetit i Floridas, kaluan kohë në Australinë Lindore, ku numri i peshkaqenëve ishte më i ulët dhe lopët e detit kullotnin kryesisht të pashqetësuara. Atje, zhytësit zbritën dhe këputën barin e detit, duke simuluar kullotjen e lopëve të detit kur nuk ka grabitqarë për t’i ndaluar ata dhe gërmimet e tyre shkatërruese që kërkonin ushqim.

“Ne mësuam se kur nuk kontrollohet, kullotja e lopëve të detit mund të shkatërrojë me shpejtësi zona të gjera të barit detar kur ato kryejnë gërmime në kërkimin e ushqimit”, thotë Nowicki. Këto ndryshime mund të jenë afatgjata.

Ato gjetje nënvizuan rolin që peshkaqenë po luanin në Shark Bay. “Pa peshkaqenët tigër që i mbajnë nën kontroll lopët e detit, gjiri ka të ngjarë të shndërrohet në barishte kryesisht tropikale të detit”, thotë Nowicki.

Nëse numri i peshkaqenëve vazhdon të bie me ritmin aktual, elasticiteti i ekosistemeve të oqeaneve të pasura me karbon ka të ngjarë të rrezikohet ndaj ngjarjeve ekstreme klimatike si valët e nxehtësisë.

Becca Selden, nga Kolegji Wellesley, thotë se pasojat për Shark Bay mund të jenë më të thella se shumica, për shkak të ekosistemit të tij unik.

Fenomeni i benefiteve të kufomave të peshkaqenëve, është më i njohur në balena, por ka hulumtime që tregojnë se ato ekzistojnë edhe tek peshkaqenët.

Kur bëhet fjalë për rritjen e numrit të peshkaqenëve, konservatorët janë kundër një kundërshtari: Industria e peshkimit.

Sipas Nowicki dhe Selden, ka pasur një lëvizje drejt peshkimit më të kujdesshëm, por një përqindje e madhe e industrisë nuk i kanë përfillur ato metoda, që është një arsye kryesore pse numri i grabitqarëve detarë vazhdon të bie.

Gjithashtu ligjet strikte për mbrojtjen e kafshëve luajnë një rol të rëndësishëm.

Reduktimi i peshkimit ilegal dhe të paqëndrueshëm ka qenë një betejë e vështirë, megjithëse konsumatorët po bëhen më të ndërgjegjshëm për mjedisin dhe zgjedhin peshkimin e qëndrueshëm mbi të tjerët.

Dhe përveç kësaj, Nowicki thotë se e vetmja mënyrë për të mbrojtur vërtet jetën detare është zvogëlimi i emetimeve tona globale të gazrave serë. “Në fund të fundit, nëse do të ruajmë ekosistemet tona në shekujt e ardhshëm, do të na duhet të zgjidhim çështjet e ndryshimeve klimatike,por duke marrë parasysh ruajtjen e specieve në të njëjtën kohë”.

Edhe nëse popullatat e peshkaqenëve rikthehen në një numër më të madh, kontributi i tyre do të jetë vetëm një pjesë e vogël në përpjekjen për të frenuar ndryshimet klimatike.

Por bollëku i peshkaqenëve ka një efekt të pamohueshëm në shumë ekosisteme detare që mbështeten në barin e detit të shëndetshëm dhe të bollshëm në një mënyrë ose në një tjetër./UBTNews/

Vendi

Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro

Published

on

Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro parashihen të ndahen si financim i drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, sipas projektbuxhetit për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e të hyrave që pritet t’i mbledhë Dogana e Kosovës.

Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e dyfishtë në Demiraj, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin B.D.

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet B.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 9:00 të mëngjesit në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit. Viktimë të këtij meksuesi kanë mbetur vajza e tij A.D., 27 vjeçe, si dhe mbesa e tij D.D., foshnje vetëm tre muajsh. I dyshuari B.D. është ndaluar menjëherë për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.

“Më 01.11.2026, në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast Vrasje e rëndë, ku viktimë janë A.D (27 vjeç) dhe D.D. (foshnje 3 muajsh), ku i dyshuari B.D, babai i viktimës A.D, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftim.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit i është dorëzuar sot Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan. Organet e hetimit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante policore dhe prokurori i rastit për mbledhjen e provave.

Në komunikaturën për media, Prokuroria nëntrimon angazhimin e saj për zbardhjen e tërësishme të tragjedisë:

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.” /E.A/

Continue Reading

lajme

AUV ndalon hyrjen e mbi 1 ton patatinave me përmbajtje të rrezikshme

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pas analizave laboratorike që konstatuan nivel të lartë të akrilamidit mbi vlerat e lejuara.

Ngarkesa me LOT 909073, e importuar nga kompania “BEST BT” nga Prizreni, është bllokuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar dhe është vendosur kthimi i saj prapa, duke parandaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas AUV-së dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore, ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance kimike përbën rrezik për shëndetin publik për shkak të potencialit të saj kancerogjen. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Nga Gjermania në Shqipëri, çfarë po i nxjerr të rinjtë në rrugë?

Published

on

By

Kostoja e jetesës, mungesa e mundësive ekonomike, problemet në arsim dhe pakënaqësitë me qeveritë kanë nxjerrë mijëra të rinj në rrugët e qyteteve evropiane.

Nga Gjermania e Franca deri në Belgjikë dhe Shqipëri, protestat kanë kërkesa të ndryshme, por pasqyrojnë shqetësime të ngjashme për kushtet e jetesës dhe perspektivën e brezit të ri.

Protestat në disa vende janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Çfarë ndodhi në Gjermani?

Më 31 tetor, rreth 120 mijë njerëz morën pjesë në protesta në më shumë se 30 qytete gjermane, sipas organizatorëve të nismës rinore “Gen Z regelt”.

Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.

Ata kundërshtuan, gjithashtu, mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat ishin kryesisht paqësore gjatë ditës, por më vonë u shoqëruan me incidente të dhunshme në disa qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Në Frankfurt, persona të maskuar hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, ndërsa disa dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën.

Policia përdori topa uji dhe sprej irritues.

Organizatorët e protestave u distancuan nga dhuna, duke theksuar se demonstratat synonin të ishin paqësore.

Incidentet nxitën mospajtime brenda Qeverisë gjermane.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës ekstreme dhe persona nga komunitetet migrante.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien, tha se trazirat ngrenë pyetje për integrimin e migrantëve, duke kërkuar shqyrtimin e shkaqeve që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt dhunës.

Por, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u distancua nga deklaratat e Dobrindtit, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e termit “grupe migrante”.

Ai pyeti nëse ky përkufizim përfshin edhe shtetas gjermanë, familjet e të cilëve jetojnë në këtë vend me gjenerata, dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet mbi prejardhjen e autorëve të dhunës.

Prien, ndërkohë, pranoi se shumë nga kritikat e të rinjve për arsimin janë të arsyeshme, duke theksuar se mundësitë arsimore në Gjermani vazhdojnë të varen shumë nga prejardhja sociale.

Pse po protestojnë të rinjtë në Francë?

Në Francë, protestat nisën në mesin e shtatorit, në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në shkolla.

Pakënaqësitë u përhapën në qytete të tjera dhe u zgjeruan te kostoja e jetesës, pabarazitë sociale dhe gjendja e shërbimeve publike. Nxënësve dhe studentëve iu bashkuan edhe mësimdhënës, sindikata dhe qytetarë të tjerë.

Protestat janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe mijëra arrestime.

Ndërhyrjet e forcave të rendit kanë nxitur gjithashtu kritika, sidomos pas lëndimit të rëndë të disa protestuesve të mitur.

Më 31 tetor, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, sipas autoriteteve, ndërsa organizatorët raportuan rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Në Paris, disa protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë.

Autoritetet raportuan 565 arrestime në nivel kombëtar, ndërsa prokuroria nisi hetime për tentativë vrasjeje pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj forcave të sigurisë.

Më 2 nëntor, pas një pushimi dyjavor, nxënësit rifilluan bllokimin e shkollave, por në përmasa më të vogla.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 41 shkolla u bllokuan ose u përballën me përpjekje për bllokim, krahasuar me qindra të tilla para pushimit.

Qeveria franceze ka propozuar katër miliardë euro për rinovimin e shkollave, kufizimin e numrit të nxënësve në klasa në 28, hapjen e 15 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete deri më 2028.

Por, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve i konsiderojnë masat të pamjaftueshme dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Çfarë po kërkojnë të rinjtë në Belgjikë?

Në Belgjikë, studentët po protestojnë kundër rritjes së kostos së arsimit, mbipopullimit të klasave dhe reformave që, sipas tyre, mund ta vështirësojnë qasjen në studimet e larta.

Një nga shqetësimet kryesore është rritja e tarifave universitare nga 835 në 1.194 euro për shumicën e studentëve në komunitetin frëngjishtfolës të vendit.

Protestat, të frymëzuara pjesërisht nga lëvizja në Francën fqinje, janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Në fillim të tetorit, në qytetin e Liezhit u raportuan mbi 100 ndalime dhe arrestime gjatë trazirave.

Më 9 tetor, studentët iu bashkuan një demonstrate më të gjerë në Bruksel kundër masave buxhetore të Qeverisë. Rreth 30 mijë njerëz morën pjesë në marshim, ndërsa përleshjet me policinë përfunduan me 21 persona të ndaluar ose arrestuar.

Incidentet vazhduan edhe më 17 tetor, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në Bruksel.

Përtej dhunës, studentët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.

Maya Gourdel, një nxënëse 19-vjeçare në Bruksel, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e mëparshme për t’u dëgjuar në mënyrë paqësore nuk kishin tërhequr vëmendje.

“U përpoqëm ta bënim në mënyrë paqësore. Askush nuk na dëgjoi”, tha ajo, duke shtuar se mediat filluan t’u kushtonin vëmendje vetëm pasi nisën incidentet.

Si u përshkallëzuan protestat në Shqipëri?

Në Shqipëri, protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë kaluar nga kundërshtimi i një projekti turistik në një lëvizje më të gjerë, të udhëhequr nga të rinjtë, që kërkon ndryshime politike dhe ekonomike.

Demonstratat nisën në maj, fillimisht kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga investitorë që përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Projekti është përballur me kundërshtime dhe konteste ligjore.

Në mesin e tetorit, protestat u përshkallëzuan, ndërsa nxënës dhe studentë dolën në rrugë për të kërkuar arsim më cilësor, ulje të kostos së studimeve dhe më shumë mundësi punësimi.

Pakënaqësitë u zgjeruan edhe te korrupsioni i pretenduar dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve.

 

Protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa disa demonstrata u shoqëruan me përleshje të dhunshme.

Në kryeqytet, protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, u vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe dëmtuan banka e biznese. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Tensionet vazhduan edhe fundjavën që shkoi, kur persona të maskuar hodhën gurë dhe bomba ndezëse drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Qeveria ka paralajmëruar gjoba deri në 5.500 euro për pjesëmarrësit që ushtrojnë dhunë.

Rama ka dënuar incidentet dhe ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike.

A mund të sjellin ndryshime?

Serbia është shembulli më i fundit se si një lëvizje studentore mund të shndërrohet në forcë politike.

Pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, lista e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Por, fitorja zgjedhore nuk garanton se kërkesat e protestuesve do të përmbushen. Lëvizja studentore në Serbi ende përballet me sfidën e formimit të qeverisë dhe zbatimit të reformave të premtuara.

Në vendet e tjera evropiane, rezultatet e mobilizimit mbeten të paqarta.

Qeveritë po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të të rinjve, ndërsa incidentet e dhunshme kanë hapur debate për kufijtë e ndërhyrjes policore dhe mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore.

Nëse protestat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme, do të varet jo vetëm nga sa gjatë do të vazhdojnë, por edhe nga aftësia e lëvizjeve për t’i shndërruar kërkesat e tyre në rezultate konkrete. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara