Lajmet

Shega, “fruti i mrekullive”! – Njihuni me vetitë e saj kuruese

Shega njihet për parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

Published

on

Shega është një ndër frutat më të rrallë në tokë për nga vlerat që ka për shëndetin. Ajo është fryti “shërues” i pasur me antioksidantë, gjithmonë  vlerësuar si simbol i shëndetit.

Shumë studime kanë vërtetuar që bëhet fjalë për një nga frutat më shëruese në botë për shkak të ndikimit të dobishëm në sistemin kardiovaskular, nervor dhe eshtëror.

Është treguar që edhe doza ditore e ekstraktit të shegës nga i cili më së shpeshti konsumojmë çaj ose pekmez, mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut dhe nivelit të kolesterinës. Shkencëtarët konsiderojnë që kjo mund të reduktojë rrezikun nga sëmundjet e zemrës te personat e shendoshë për 17 për qind. Përveç dobive për zemrën dhe enët e gjakut, përbërësit e shegës pengojnë rritjen e kancerit të gjirit, prostatës, zorrës së trashë, leukemisë dhe parandalojnë ndryshimet të cilat nxisin rritjen e tumorit.

Shega është po ashtu e mbushur me vitaminë C dhe konsiderohet mjekim i shkëlqyeshëm kundër proceseve inflamatore, ndërsa është burim i shkëlqyer i vitaminës B5, kaliumit, fenoleve natyrale si elagitaninet dhe flavonoidet.

Për ngritjen e imunitetit dhe parandalimin e çrregullimeve shëndetësore ekspertët rekomandojnë konsumimin ditor të 2,5 decilitrave të lëngut të shtrydhur të shegës ose atij kualitativ të blerë.

Hulumtimet kanë treguar që vaji i shegës mbron nga kanceri, diabeti, mbipesha dhe sëmundjet e zemrës, ndërsa të pasurit e antioksidantëve me shumicë e bën shegën aleat të fuqishëm kundër plakjes. Ia kthen elasticitetin lëkurës, duke luftuar njëkohësisht kundër ekzemave, psoriazës dhe lëkurës të djegur nga dielli. Acidet yndyrore që i përmban reduktojnë ënjtjet dhe dhimbjet në muskuj. Shega është e pasur me fitoestrogjene, të cilat lehtësojnë simptomat e menopauzës dhe paramenopauzës si ndryshimi i disponimit, djersitja gjatë natës dhe mungesa e libidos.

Përveç të gjitha këtyre që u theksuan, lëngu i shegës përmirëson edhe funksionin erektil dhe ngrit kualitetin e spermës. Aplikimi i shegës në shtëpi është i madh, nga ajo mund të përgatiten xhelatina, ëmbëlsirat, shurupet, melasa, lëngjet, likeret, vera, uthulla dhe çaji.

Dobitë

Studimet shkencore te ditëve të sotme po hedhin dritë mbi të vërtetat; përse kjo bimë është bërë kaq e dashur deri mitike nga të gjithë popujt e botës!? Që në lashtësi, rreth 3000 vjet më parë, njerëzimi i ka pikasur cilësitë e veçanta të kësaj bime në drejtim të luftimit të sëmundjeve dhe përmirësimit të shëndetit njeriut. Studime shkencore rreth përfitimeve mjekësore nga shega kanë qenë të pakta. Vitet e fundit këto studime janë intensifikuar, shumë shkencëtarë po kryejnë kërkime shkencore, të cilat janë në stadin e epruvetave, të provave në kafshë dhe pak aplikime janë bërë në njerëz. Deri tani, shkencëtarët e mjekësisë moderne janë befasuar nga të dhënat e para që kanë zbuluar në drejtim të dobive shëndetësore për njeriun, dhe e kanë cilësuar si një bimë “çudibërëse”. Në kokrrat e shegës është zbuluar një lëndë që quhet punicalagins, një antioksidant që e përmban vetëm shega.

Qendrat shëndetësore prestigjioze në SHBA e rekomandojnë shegën dhe lëngun e saj për disa sëmundje:

1. Parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

2. Parandalimin e Kancerit, veçanërisht kancerin e prostatës dhe të gjirit tek femrat.

3. Për uljen e kolesterolit në gjak.

4. Parandalon mbipeshën.

5. Lufton dëmtimin e qelizave; parandalon degradimin e ADN-së qelizore

Kujdes, shega ka ndërveprim me ilaçet e ndryshme

Theksohet se shega ka ndërveprim me ilaçet e ndryshme, prandaj duhen konsultime me mjekun për njerëzit e sëmurë. Shega është e pasur me vlera ushqimore si kripra minerale, Vitamina C, Vitamine K, Vitamina B6, fibër, etj. Sot tregtohet si frut, lëngje dhe kokteje të ndryshme, prodhohet edhe verë.

12 fakte që duhet t’i dini për shegën, ja çfarë kuron

Shega është një frut që është përdorur që nga koha e Hipokratit. Mjekësia tradicionale përdor lëkurën, gjethet dhe farat e saj për të luftuar diarrenë, dizenterinë kronike dhe plagët. Farat e pabëra përdoren për temperaturën, ndërsa të pjekurat për kollën. Në Romën Antike, ajo ishte e njohur për cilësitë kozmetike të saj. Kleopatra përdorte lëngun e saj në fytyrë, në flokë dhe në thonj.

1. Shega njihet si simbol i pjellorisë dhe i fatit të mirë

2. Brenda një shege ka rreth 800 kokrra të vogla ngjyrë të kuqe

3. Lëngu i shegës shton prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut dhe zvogëlon ngarkesën kardiake.

4. Ideale për fëmijët e vegjël që kanë kollë dhe temperaturë.

5. Lëngu i shegës është ideal për flokët, lëkurën dhe thonjtë falë përbërësve që ka.

6. Shega është e mbushur me antioksidantë.

7. Parandalon kancerin e mushkërive, të prostatës, të gjirit, gjithashtu diabetin, osteoporozën, etj.

8. Studimet e fundit tregojnë se konsumi i një shege si lëng rrit dëshirën seksuale.

9. Lëngu i shegës shuan etjen, hap oreksin dhe kthjellon mendimet.

10. Shega redukton rrudhat në fytyrë dhe i jep freski asaj.

11. Lëngu i shegës ka 3-4 herë më shumë antioksidantëve se rrushi i zi, çaji jeshil dhe vera e kuqe.

12. Është shumë e pasur me kalium, hekur dhe vitaminat A,C dhe E.

Lëngu i shegës, lufton infarktet dhe iktusin

Lëngu i shegës tashmë mund të quhet një bar i çmuar për zemrën. Nëse pini një gotë me lëng shege çdo ditë, do të mund të parandaloni formimin e pllakëzave në enët e gjakut, duke ulur kështu rrezikun për t’u prekur nga arteriosklerozat. Fruti i shegës është simbol i jetëgjatësisë. Autorët e këtij studimi shpjegojnë se efektet e lëngut varen nga aftësia e organizmit për të përthithur dy gjene që aktivizohen nga substanca oksiduese, të cilët forcojnë muret e enëve të gjakut. Nëse pini çdo ditë një gotë lëng shege, kjo mund të jetë një mënyrë natyrale për të parandaluar dhe luftuar arteriosklerozat. Eksperimenti i kryer mbi qelizat njerëzore të marra nga arteriet koronare dhe te minjtë me nivele tepër të larta kolesteroli në gjak, kanë treguar se lëngu i shegës pengon veprimin e ELK-1 e p-JUN, që janë dy gjene të njohur për favorizimin e formimit të pllakëzave në enët e gjakut dhe ndihmon për aktivizimin e substancave oksiduese./neps

Vendi

Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro

Published

on

Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro parashihen të ndahen si financim i drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, sipas projektbuxhetit për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e të hyrave që pritet t’i mbledhë Dogana e Kosovës.

Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e dyfishtë në Demiraj, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin B.D.

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet B.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 9:00 të mëngjesit në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit. Viktimë të këtij meksuesi kanë mbetur vajza e tij A.D., 27 vjeçe, si dhe mbesa e tij D.D., foshnje vetëm tre muajsh. I dyshuari B.D. është ndaluar menjëherë për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.

“Më 01.11.2026, në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast Vrasje e rëndë, ku viktimë janë A.D (27 vjeç) dhe D.D. (foshnje 3 muajsh), ku i dyshuari B.D, babai i viktimës A.D, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftim.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit i është dorëzuar sot Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan. Organet e hetimit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante policore dhe prokurori i rastit për mbledhjen e provave.

Në komunikaturën për media, Prokuroria nëntrimon angazhimin e saj për zbardhjen e tërësishme të tragjedisë:

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.” /E.A/

Continue Reading

lajme

AUV ndalon hyrjen e mbi 1 ton patatinave me përmbajtje të rrezikshme

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pas analizave laboratorike që konstatuan nivel të lartë të akrilamidit mbi vlerat e lejuara.

Ngarkesa me LOT 909073, e importuar nga kompania “BEST BT” nga Prizreni, është bllokuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar dhe është vendosur kthimi i saj prapa, duke parandaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas AUV-së dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore, ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance kimike përbën rrezik për shëndetin publik për shkak të potencialit të saj kancerogjen. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Nga Gjermania në Shqipëri, çfarë po i nxjerr të rinjtë në rrugë?

Published

on

By

Kostoja e jetesës, mungesa e mundësive ekonomike, problemet në arsim dhe pakënaqësitë me qeveritë kanë nxjerrë mijëra të rinj në rrugët e qyteteve evropiane.

Nga Gjermania e Franca deri në Belgjikë dhe Shqipëri, protestat kanë kërkesa të ndryshme, por pasqyrojnë shqetësime të ngjashme për kushtet e jetesës dhe perspektivën e brezit të ri.

Protestat në disa vende janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Çfarë ndodhi në Gjermani?

Më 31 tetor, rreth 120 mijë njerëz morën pjesë në protesta në më shumë se 30 qytete gjermane, sipas organizatorëve të nismës rinore “Gen Z regelt”.

Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.

Ata kundërshtuan, gjithashtu, mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat ishin kryesisht paqësore gjatë ditës, por më vonë u shoqëruan me incidente të dhunshme në disa qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Në Frankfurt, persona të maskuar hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, ndërsa disa dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën.

Policia përdori topa uji dhe sprej irritues.

Organizatorët e protestave u distancuan nga dhuna, duke theksuar se demonstratat synonin të ishin paqësore.

Incidentet nxitën mospajtime brenda Qeverisë gjermane.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës ekstreme dhe persona nga komunitetet migrante.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien, tha se trazirat ngrenë pyetje për integrimin e migrantëve, duke kërkuar shqyrtimin e shkaqeve që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt dhunës.

Por, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u distancua nga deklaratat e Dobrindtit, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e termit “grupe migrante”.

Ai pyeti nëse ky përkufizim përfshin edhe shtetas gjermanë, familjet e të cilëve jetojnë në këtë vend me gjenerata, dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet mbi prejardhjen e autorëve të dhunës.

Prien, ndërkohë, pranoi se shumë nga kritikat e të rinjve për arsimin janë të arsyeshme, duke theksuar se mundësitë arsimore në Gjermani vazhdojnë të varen shumë nga prejardhja sociale.

Pse po protestojnë të rinjtë në Francë?

Në Francë, protestat nisën në mesin e shtatorit, në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në shkolla.

Pakënaqësitë u përhapën në qytete të tjera dhe u zgjeruan te kostoja e jetesës, pabarazitë sociale dhe gjendja e shërbimeve publike. Nxënësve dhe studentëve iu bashkuan edhe mësimdhënës, sindikata dhe qytetarë të tjerë.

Protestat janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe mijëra arrestime.

Ndërhyrjet e forcave të rendit kanë nxitur gjithashtu kritika, sidomos pas lëndimit të rëndë të disa protestuesve të mitur.

Më 31 tetor, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, sipas autoriteteve, ndërsa organizatorët raportuan rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Në Paris, disa protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë.

Autoritetet raportuan 565 arrestime në nivel kombëtar, ndërsa prokuroria nisi hetime për tentativë vrasjeje pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj forcave të sigurisë.

Më 2 nëntor, pas një pushimi dyjavor, nxënësit rifilluan bllokimin e shkollave, por në përmasa më të vogla.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 41 shkolla u bllokuan ose u përballën me përpjekje për bllokim, krahasuar me qindra të tilla para pushimit.

Qeveria franceze ka propozuar katër miliardë euro për rinovimin e shkollave, kufizimin e numrit të nxënësve në klasa në 28, hapjen e 15 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete deri më 2028.

Por, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve i konsiderojnë masat të pamjaftueshme dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Çfarë po kërkojnë të rinjtë në Belgjikë?

Në Belgjikë, studentët po protestojnë kundër rritjes së kostos së arsimit, mbipopullimit të klasave dhe reformave që, sipas tyre, mund ta vështirësojnë qasjen në studimet e larta.

Një nga shqetësimet kryesore është rritja e tarifave universitare nga 835 në 1.194 euro për shumicën e studentëve në komunitetin frëngjishtfolës të vendit.

Protestat, të frymëzuara pjesërisht nga lëvizja në Francën fqinje, janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Në fillim të tetorit, në qytetin e Liezhit u raportuan mbi 100 ndalime dhe arrestime gjatë trazirave.

Më 9 tetor, studentët iu bashkuan një demonstrate më të gjerë në Bruksel kundër masave buxhetore të Qeverisë. Rreth 30 mijë njerëz morën pjesë në marshim, ndërsa përleshjet me policinë përfunduan me 21 persona të ndaluar ose arrestuar.

Incidentet vazhduan edhe më 17 tetor, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në Bruksel.

Përtej dhunës, studentët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.

Maya Gourdel, një nxënëse 19-vjeçare në Bruksel, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e mëparshme për t’u dëgjuar në mënyrë paqësore nuk kishin tërhequr vëmendje.

“U përpoqëm ta bënim në mënyrë paqësore. Askush nuk na dëgjoi”, tha ajo, duke shtuar se mediat filluan t’u kushtonin vëmendje vetëm pasi nisën incidentet.

Si u përshkallëzuan protestat në Shqipëri?

Në Shqipëri, protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë kaluar nga kundërshtimi i një projekti turistik në një lëvizje më të gjerë, të udhëhequr nga të rinjtë, që kërkon ndryshime politike dhe ekonomike.

Demonstratat nisën në maj, fillimisht kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga investitorë që përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Projekti është përballur me kundërshtime dhe konteste ligjore.

Në mesin e tetorit, protestat u përshkallëzuan, ndërsa nxënës dhe studentë dolën në rrugë për të kërkuar arsim më cilësor, ulje të kostos së studimeve dhe më shumë mundësi punësimi.

Pakënaqësitë u zgjeruan edhe te korrupsioni i pretenduar dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve.

 

Protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa disa demonstrata u shoqëruan me përleshje të dhunshme.

Në kryeqytet, protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, u vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe dëmtuan banka e biznese. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Tensionet vazhduan edhe fundjavën që shkoi, kur persona të maskuar hodhën gurë dhe bomba ndezëse drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Qeveria ka paralajmëruar gjoba deri në 5.500 euro për pjesëmarrësit që ushtrojnë dhunë.

Rama ka dënuar incidentet dhe ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike.

A mund të sjellin ndryshime?

Serbia është shembulli më i fundit se si një lëvizje studentore mund të shndërrohet në forcë politike.

Pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, lista e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Por, fitorja zgjedhore nuk garanton se kërkesat e protestuesve do të përmbushen. Lëvizja studentore në Serbi ende përballet me sfidën e formimit të qeverisë dhe zbatimit të reformave të premtuara.

Në vendet e tjera evropiane, rezultatet e mobilizimit mbeten të paqarta.

Qeveritë po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të të rinjve, ndërsa incidentet e dhunshme kanë hapur debate për kufijtë e ndërhyrjes policore dhe mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore.

Nëse protestat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme, do të varet jo vetëm nga sa gjatë do të vazhdojnë, por edhe nga aftësia e lëvizjeve për t’i shndërruar kërkesat e tyre në rezultate konkrete. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara