Lajmet9 hours ago

Uji dhe Gjinia” – Shtytës i Zhvillimit të Qëndrueshëm

Loading latest video...

Përditësuar

  • Uji dhe Gjinia” – Shtytës i Zhvillimit të Qëndrueshëm

    Shkruan: Prof. Dr. sc. Hazir S. Çadraku

    “Dita Botërore e Ujit” shënohet në nivel global çdo 22 mars, tani e 33 vjet, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Në Republikën e Kosovës, Dita Botërore e Ujit ka filluar të shënohet pas vitit 1999.

    Uji si një nga komponentët kyçë të mjedisit dhe një nga burimet jetike për njeriun dhe biodiversitetin në përgjithësi, kërkon një sjellje miqësore nga njeriu, sot dhe në të ardhmen dhe kjo në raport me ruajtjen, mbrojtjen, menaxhimin dhe shfrytëzimin racional të burimeve hidrike të bazuar në konceptin e menaxhimit të integruar.

    Shtimi demografik, rritja e standardit jetësor, kërkesa për më shumë ujë si në cilësi po ashtu edhe në sasi, kërkesa  për më shumë njësi banesore, infrastrukturë përcjellëse (ujësjellës, rrjetë grumbullimi të ujërave të ndotura, trajtimit të tyre, rrugë për trafik/transport, etj.), ulja e nivelit të ujërave nëntokësore, shpërndarja e pabarabartë e burimeve hidrike në kohë dhe hapësirë, ndryshimet klimatike e faktorë të tjerë, janë bërë shkak i mungesës së ujit, përkeqësimit të cilësisë së tij, ndryshimit të regjimit, qasjes së pabarabartë në ujë dhe në përgjithësi në luhatjen e zhvillimit të qëndrueshëm si në nivel lokal, rajonal dhe global.

    Për problemet e theksuara më lart, në vitin 1977, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara të mbajtur në Rio de la Plata (Argjentinë) u formuluan rekomandimet e para të rëndësishme mbi problemet e lidhura me ujin dhe pasuritë ujore. Në vitin 1972 në Stokholm (Suedi) u mbajt Konferenca e parë për Mjedisin Njerëzor, ndërsa  20 vite më vonë, në vitin 1992 në Rio de Janeiro (Brazil) u mbajt Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Mjedis dhe Zhvillim, e njohur si “Samiti i Tokës”. Qëllimi këtyre konferencave ishte që, përmes një gjithëpërfshirjeje globale, të bëhen përpjekje për zbutjen e ndikimeve, qoftë nga veprimtaria antopogjene, qoftë ajo natyrore (ndryshimet klimatike) që po përjeton mjedisi/pasuritë natyrore.

    Kështu, “Samiti i Tokës” kishte objektiv hartimin e një agjende dhe plani të gjerë për veprim në nivel ndërkombëtar lidhur me çështjet dhe problematikat mjedisore gjë e cila do të ndihmonte koordinimin, bashkëpunimin dhe tejkalimin e sfidave si dhe zhvillimin e politikave për shekullin 20. Një e arritur kryesore e këtij samiti ishte Agjenda 21, një program veprimi që thërret për strategji dhe investime për të ardhmen, për një zhvillim të qëndrueshëm në shekullin 21. Agjenda 21 thekson nevojën për metoda të reja në edukim, arsim, në mënyrën e sjelljes ndaj mjedisit, ruajtjen e pasurive natyrore, pjesëmarrjen në të gjitha zhvillimet që lidhen me mjedisin, me qëllim të arritjes së një zhvillimi socio-ekomomik të qëndrueshëm.

    Nisur nga rëndësia që ka mjedisi dhe vet burimet hidrike (ujore), Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën e 22 shkurtit 1993, vendosi që 22 marsi të vendoset në kalendarin e festave mjedisore me emërtimin “Dita Botërore e Ujit”. Kështu, që nga viti 1993 për çdo vit anembanë globit shënohet 22 marsi si “Dita Botërore e Ujit”, e cila synon që të tërheqë vëmendjen mbi problemet që lidhen me të ujin dhe pasuritë ujore.

    Ajo që e karakterizon shënimin e kësaj dite është tema e veçantë, e cila përcaktohet për çdo vit. Për shembull, në vitin 1995 u Dita Botërore e Ujit u shënua me temën “Gratë dhe Uji”,…, në vitin 2024 “Uji dhe fatkeqësitë”,…, në vitin 2024 “Shfrytëzimi i ujit për paqe,” në vitin 2025 “Ruajtja e akullnajave”, ndërsa për këtë vit është caktuar tema “Uji dhe gjinia”.

     

    Historia

    22 Marsi, si Dita Botërore e Ujit në nivel global shënohet tani e 33 vite më parë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Në Republikën e Kosovës, Dita Botërore e Ujit ka filluar të shënohet pas vitit 1999. Shënimi i kësaj dite në shkallë vendi, nga institucione publike administrative, institucione akademike/universitare, institucione të tjera edukativo-arsimore, shoqëria civile, etj., ka për qëllim dhe synon të përçojë porosi që lidhen me miradministrimin, menaxhimin, shfrytëzimin, barazinë, pjesëmarrjen, sjelljen, kulturën, ndërgjegjësimin, etj., që duhet ta kemi në raport me pasuritë natyrore e në veçanti me burimet hidrike.

    Duke qenë se jeta, aktivitetet dhe veprimtaria jonë është e lidhur ngushtë me ujin, një pamjaftueshmëri e tij lehtësisht çon në varfëri, përkeqësim të shëndetit, higjienë jo të mirë dhe paqëndrueshmëri sociale – ekonomike në përgjithësi. Sot, në shumë raporte, dokumente strategjike, plane veprimi e publikime shkencore, raportohet se në shumë vende të botës ka probleme me sigurimin e ujit të pijshëm, si në kuptimin sasior po ashtu edhe cilësor.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), pavarësisht përparimeve që nga viti 2015, 1 në 4 njerëz – ose 2.1 miliardë njerëz në nivel global – ende nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të menaxhuar në mënyrë të sigurt, përfshirë 106 milionë që pinë ujë direkt nga burime sipërfaqësore të patrajtuara.

    “United Nations Women, United Nations Department of Economic and Social Affairs , Pamje e Përgjithshme Gjinore 2025: Përshpejtimi i Progresit në Barazinë Gjinore, Kombet e Bashkuara, Nju Jork, 2025”, raporton se më shumë se një miliard gra ende nuk kanë qasje në shërbime të ujit të pijshëm të menaxhuara në mënyrë të sigurt dhe rreth 1.8 miliard njerëz jetojnë në familje që mbështeten në burime uji të vendosura jashtë shtëpisë, një barrë që mbahet kryesisht nga gratë. Mungesa e qasjes në ujë në veçanti për gjininë femërore (vajza dhe gra) do të thotë përkeqësim i standardit jetësor, rrezik për sigurinë dhe probleme shëndetësore, sepse në shumicën e familjeve vajzat dhe gratë kanë rolin kryesor në mirëmbajtjen e familjes (larje, gatim, higjienë, etj.). Prandaj, përfshirja e vajzave dhe grave në çdo proces të hartimit të akteve juridike, dokumenteve strategjike, planeve të veprimit e deri në qeverisje dhe vendimmarrje pa dyshim që do të ndikonte në kujdesin ndaj ujit dhe në arritjen e përmbushjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm/Agjendës 2030 të OKB-së për zhvillim të qëndrueshme e cila është miratuara nga vendi ynë në vitin 2018.

     

     


    (Shënim: Dikur në vitin 1964 dhe pamja në vitin 2023)

     

    Uji dhe Gjinia. Gjinia është një shtytës i cili ka një rol thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në përmbushjen e agjendës 2030 të OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm. Kombet e Bashkuara theksojnë se integrimi sistematik i konsideratave gjinore në politikat e ujit përmirësojnë cilësinë e shërbimit, optimizojnë investimet dhe forcojnë qëndrueshmërinë e komunitetit ndaj ndryshimeve klimatike dhe krizave të ujit.

    Praktika ka treguar se meshkujt (djem e burra) më tepër janë të fokusuar në gjetjen e ujit, sigurimin e infrastrukturës shërbyese dhe më pak të lidhur me përdorimin e ujit në krahasim me femrat (vajza e gra). Femrat praktikisht kanë një lidhje më të ngushtë me ujin, sepse ato e përdorin ujin për shumë destinime (ujë të pijshëm, ujë për gatim-zierje, larje, higjienë, ujitje, etj.). Prandaj, kujdesi i tyre ndaj ujit ndihmon shumë në ruajtjen e ujit dhe përkrah arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshme.

    Raportohet se në shumë kultura, femrat janë përgjegjëse për sigurimin e ujit. Ato në shumë raste bëjnë rrugë relativisht të gjata për të siguruar ujë për nevojat familjare, etj., dhe kjo gjë është e mundimshme nga njëra anë rruga vajtje-ardhje që ato duhet bërë dhe, nga ana tjetër, ngarkesa e ujit që duhet bartur deri në shtëpi.

    Sipas të dhënave të raportuara nga Kombet e Bashkuara, gratë dhe vajzat së bashku shpenzojnë afërsisht 250 milionë orë çdo ditë duke mbledhur ujë në vendet me shërbime të pamjaftueshme të furnizimit me ujë, më shumë se trefishi i kohës së harxhuar nga burrat dhe djemtë. Barra/ngarkesa/ që gratë dhe vajzat bartin për t’i siguruar ujë familjes në shumë raste manifestohet me probleme shëndetësore dhe kufizime të tjera. Mungesa e ujit në ambientet e brendshme shtëpiake apo në distanca të afërta manifestohet me shumë probleme si: pamjaftueshmëri në të ushqyer, përgatitje të ushqimeve, larje, higjienë, etj., si dhe kufizime të tjera emancipuese për vajzat dhe gratë.

    Në përgjithësi, mungesa e ujit do të thotë pasiguri, rrezik dhe joqëndrueshmëri sociale dhe ekonomike. Duke qenë se gjinia vajzat dhe gratë kanë kërkesa më specifike higjienike, kërkohet të kenë hapësira të ndara sipas gjinisë, në mënyrë që ato mos të ndihen apo të jenë të cenuara.

    Uji me bollëk dhe qasja në produkte sanitare higjienike është e domosdoshme sidomos për gratë dhe vajzat, sepse higjiena ka të bëjë me sigurinë personale. Fatmirësisht në vendin tonë qasja në ujë të pijshëm dhe ujë sanitar është relativisht e mirë dhe konsiderohet me bollëk, në krahasim me të dhënat e raportuar në raportet të OKB-së, etj., ku theksohet se në shumë vende të botës, vajzat dhe gratë bëjnë rrugë në distanca relativisht të gjata për ta siguruar ujin për nevojat e tyre familjare dhe shpeshherë gratë janë përgjegjëse për këtë punë, gjë e cila rëndon dhe kufizon deri në një shkallë emancipimin e femrës në ato vende apo rajone.

    Qasja në ujë është një e drejtë bazike e njeriut, ndërsa menaxhimi i ujërave bazohet në tre parime themelore: barazi (qëndrueshmëri sociale), efikasitet (qëndrueshmëri ekonomike) dhe qëndrueshmëri mjedisore. Pra, qasja në ujë të pijshëm cilësor dhe të mjaftueshëm, si dhe grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të ndotura përbëjnë një të drejtë themelore që ndërlidhet me të drejtën për dinjitet, shëndet dhe barazi. Standardi jetësor varet shumë nga sasia dhe cilësia e ujit që e kemi në dispozicion, e në veçanti për femrat, sepse ato kanë kërkesa më specifike në lidhje me përdorimin e ujit. Qasja në ujë dhe kanalizim është edhe një tregues (indikator) i cili mat shkallën e zhvillimit të një vendi, rajoni apo më gjerë (Lista Kombëtare e Treguesve Mjedisorë, https://www.ammk-rks.net/al/sistemi-informativ-mjedisor).

    Qasja e duhur e vajzave dhe grave në ujë luan rol kyç në formësimin e të ardhmes së ujit dhe shëndetit, jo vetëm nga këndvështrimi i ruajtjes së ujit por edhe në rritjen e sigurisë së përgjithshme publike. Në këtë aspekt, si lokalisht po ashtu edhe globalisht, ka nevojë për një qasje më ndryshe e cila do të bazohej në të drejtën për gjithëpërfshirje ku zëri i vajzave dhe grave, shoqatave, etj., që ato përfaqësojnë, do të konsiderohej nga vendimmarrjet drejt zgjidhjes së krizës së ujit. Sipas UN Eenvironment Programme-DHI Centre on Water and Environment, rezulton se në vitin 2023, rreth 15 % e vendeve ende nuk kishin mekanizma për të siguruar pjesëmarrje efektive të grave, barazi në vendimmarrje dhe role teknike në menaxhimin e burimeve ujore. Prandaj, qasja e barabartë në ujë, investimi në emancipim, ndërgjegjësim, përfshirja e vajzave dhe grave në gjitha nivelet e planifikimit dhe vendimmarrjes pa dyshim që rrit sigurinë për të ardhmen e ujit, standardit jetësor, barazinë gjinore dhe, si përfundim, nga kjo gjithëpërfshirje kemi përfitime të gjithë.

     

     

    (Shënim: Furnizimi me ujë të pijshëm, pamja në vitin 2023 dhe 2021, aktualisht vazhdon në disa fshatra e zona në vendin tonë)

     

    Qasja në informata dhe pjesëmarrja. Aktualisht mbetet sfidë qasja në informata, pjesëmarrja dhe pabarazia në lidhje me planifikimin, menaxhimin, shfrytëzimin e ujit dhe mjedisit në përgjithësi. Edhe pse vajzat dhe gratë, kanë rolin qendror në menaxhimin e përditshëm të ujit në familjet tona, ato ende mbeten të papërfaqësuara mjaftueshëm në institucionet politikëbërëse, planifikuese, miradministruese dhe menaxhuese të infrastrukturës së shërbimeve me ujë dhe të burimeve ujore.

    Një situatë e tillë e mungesës së informatës dhe përfshirjes joadekuate të gruas në planifikim dhe vendimmarrje, etj., ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e politikave, dokumenteve strategjike, planeve të veprimit dhe infrastrukturës për ofrimin e shërbimeve me ujë dhe grumbullimin e ujërave të ndotura.

    Megjithatë, në kuadrin ligjor i cili rregullon dhe mbulon çështjet që kanë të bëjnë me fushën e mjedisit janë përcaktuar dispozita ligjore (nene, paragrafe e nënparagrafe), të cilat kanë rregulluar komponentët si: qasja në informata, pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje, etj. Kështu, psh. Ligji Për Ujërat e Kosovës, në nenin 3, “Qasja në informata”, ka rregulluar çështjet që kanë të bëjnë me: qasjen në informata që lidhen me ujërat, pjesëmarrjen e publikut në procesin e vendimmarrjes që ka të bëjë me menaxhimin e ujërave, etj. Në  paragrafin 1 të nenit 33 ka përcaktuar pjesëmarrjen e opinionit në hartimin e planit për menaxhimin e pellgjeve lumore, si dhe në paragrafet e Nenit 84, ka normuar diskutimin publik para finalizimit të dokumenteve strategjike dhe planeve të menaxhimit për ujëra.

    Pra, nga pikëpamja e rregullimit juridik ka një progres në këtë drejtim, por sfidues duke të jetë përfaqësimi më i madh i gjinisë femërore në pozita të politikëbërjes, planifikimit dhe vendimmarrëse në sektorin e ujërave. Pra, vetë tema “Uji dhe Gjinia”, e cila është përcaktuar për të shënuar Ditën Botërore të Ujit për vitin 2026, si dhe dispozitat ligjore në ligjet e fushës së mjedisit, konkretisht të ligjit të ujërave, tregon për rolin dhe rëndësinë që kanë vajzat dhe gratë në qëndrueshmërinë e burimeve ujore dhe në përballjen me krizën ujit.

    Përfundimisht, “Uji dhe Gjinia” janë dy nga shtytësit kryesorë për një zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen. Pabarazia gjinore (meshkuj e femra) në sektorin e ujit në proces e sipër do të ketë efekte negative drejt arritjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm / Agjenda 2030/. Përballimi me “Krizën e Ujit“ do të jetë më i vështirë pa pjesëmarrjen dhe gjithëpërfshirjen e grave dhe vajzave në të gjithë mekanizmat institucionalë dhe e shoqërisë civile.

    Integrimi i mendimeve, propozimeve dhe zgjidhjeve që vijnë nga zëri i gjinisë femërore është i domosdoshëm të merret në konsideratë, në mënyrë sistematike për avancuar sektorin e ujit. Pjesëmarrja dhe përfshirja e grave në miradministrimin /qeverisjen e ujërave dhe në një komunikim të përhershëm me banorët (komunitetin) pa dyshim do të ndikonte ndjeshëm në kursimin, ruajtjen, mbrojtjen, në siguri dhe në shëndetin e përgjithshëm publik.

    “22 Marsi – Dita Botërore e Ujërave” bën thirrje të gjithë politikëbërjes-institucioneve në të gjitha nivelet dhe shoqërisë civile vendore e ndërkombëtare se objektivat për një zhvillim të qëndrueshme të sektorit të ujit do të arrihen atëherë kur ka barazi gjinore, pjesëmarrje të barabartë dhe kur veprimet tona koordinohen dhe veprojnë së bashku për të bërë ndryshime në sektorin e ujit, në një kohë kur po përballemi me  rritje të kërkesës për ujë çdo ditë e më shumë, me “krizë uji”, ndryshime klimatike dhe faktorë të tjerë njerëzorë dhe natyrorë.

    Si rekomandime për arritjen e qëllimeve përfundimtare do të ishin: sigurimi i një partneriteti midis gjinive dhe të gjitha palëve të interesit në sektorin e ujit, përfshirja e të gjithëve dhe nxitja e demokracisë në këtë sektor, promovimi dhe sigurimi i barazisë gjinore-sociale nëpërmjet qeverisjes dhe menaxhimit me pjesëmarrje të barabartë, transparente dhe pa rrezikuar qëndrueshmërinë për brezat e ardhshëm dhe ekosistemeve ujore në përgjithësi dhe qasja e planifikimit dhe menaxhimit nga poshtë lartë ose qasja në bazë.

     

    (Autori është ekspert dhe profesor në UBT)

     

Lajmet e fundit

Lajmet7 hours ago

REL: Keqllogaritja që mund ta destabilizojë Ballkanin

Gara në armatim ekziston prej shekujsh, por pas Luftës së Dytë Botërore mori formë globale dhe sistematike, sidomos midis Shteteve...

lajme9 hours ago

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 22 mars, në vitet nëntëdhjetë

22 mars 1993 Lajmet kryesore: Urim i dr.Ibrahim Rugovës për Ditën e Bajramit; Kryetari Rugova bisedoi me delegacionin e PDP-së;...

Lajmet9 hours ago

Uji dhe Gjinia” – Shtytës i Zhvillimit të Qëndrueshëm

Shkruan: Prof. Dr. sc. Hazir S. Çadraku “Dita Botërore e Ujit” shënohet në nivel global çdo 22 mars, tani e...

Lajmet1 day ago

Edmond Hajrizi emërohet Zëvendëspresident i Organizatës Evropiane për Cilësi

Lideri i Kosovës në edukim, inovacion dhe menaxhim të cilësisë përfaqëson vendin në nivel evropian. Edmond Hajrizi, themelues dhe president...

Vendi1 day ago

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 21 mars, në vitet nëntëdhjetë

21 mars 1994 Lajmet kryesore: Kryetari Rugova priti diplomatë gjermanë; Kinkel kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të shuhen vatrat e...

Lajmet1 day ago

Ndërto një karrierë me ndikim në Shëndetin Publik me mbështetjen e UBT-së

Në një kohë kur nevojat për shërbime shëndetësore cilësore po rriten dhe sfidat e reja kërkojnë zgjidhje inovative, UBT prezanton...

Lajmet2 days ago

Podcasti me Musa Sabedini: Sfida e mediave përballë perceptimit negativ publik

Pjesa e dytë e podcastit me gazetarin, profesorin dhe publicistin Musa Sabedini, ku vazhdon diskutimi mbi sfidat reale të gazetarisë...

Aktualitet2 days ago

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 20 mars, në vitet nëntëdhjetë

20 mars 1993  Lajmet kryesore: Kryetari Rugova priti këshilltarin e Ministrisë së Jashtme të Francës; Këshilltari i Ministrisë së Jashtme...

Rajoni3 days ago

REL:Kush përfiton nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi Kosovës në qershorin e vitit 2023, u hoqën përfundimisht vetëm në mars të këtij...