Në nder të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua një ngjarje, me prezencën e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, dhe ekspertes së politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi.
Duke konsideruar se edukimi është thelbi për drejtësinë dhe barazinë gjinore, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi se grave përmes arsimimit u jepet më shumë mundësi për të siguruar dhe mbrojtur vetveten.
“Edukimi është shumë i rëndësishëm në luftën kundër dhunës, veçanërisht kur bëhet fjalë për parandalimin. Kur gratë janë të arsimuara, ato kanë fuqinë të ndjekin ligjet që i mbrojnë ato. Kur ato arsimohen, do të kenë më shumë mundësi për të siguruar jetesën, për të kontribuar në të ardhurat e familjes dhe për të përhapur njohuritë e tyre në të gjithë familjen dhe komunitetin. Ekspertët e dhunës me bazë gjinore arrijnë në përfundim se arsimi është kundërhelmi më i mirë kundër dhunës në familje, veçanërisht dhunës ndaj grave”, ka thënë rektori Hajrizi.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar se dhuna ndaj grave dhe vajzave është e parandalueshme, dhe se Suedia synon të nxisë një ndjenjë përgjegjësie të papranueshmërisë të status quo-së.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Pavarësisht nga këto tendenca dekurajuese, ka më shumë prova se dhuna ndaj grave dhe vajzave është e parandalueshme. Format e ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk janë të pashmangshme. Ato mund dhe duhet të parandalohen. Suedia synon të nxisë një ndjenjë përgjegjësie që nuk zbehet dhe një njohje të re të papranueshmërisë të status quo-së. Të parandalosh dhunën përpara se ajo të ndodhë ose të përsëritet do të thotë që puna jonë duhet të demonstrojë dhe të mësojë se çfarë është pabarazia dhe se si ekzistenca e saj e vazhdueshme po e pengon përparimin”, ka theksuar ambasadori Westerlund.
Ekspertja e politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi, potencoi se institucionet në Kosovë kanë mekanizma, të cilat luajnë një rol të veçantë në barazinë gjinore dhe janë një gjetje e dobishme shtetërore që shumë vende të tjera nuk i kanë.
“Kosova ka mekanizma gjinorë, si; komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore, ka agjencinë për barazi gjinore, ka avokatin e popullit që merret vetëm me çështjet e barazisë gjinore dhe është një gjetje shumë e dobishme dhe efektive. Në çdo komunë dhe ministri keni zyrtaren për barazi gjinore. Këto janë pikat e forta të Kosovës, që vendet e tjera nuk i kanë”, është shprehur Idrizi.
Kjo ngjarje vazhdoi me sesionin e diskutimit me studentët e UBT-së dhe eksperten e politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi, duke shtjelluar gjerësisht problematikat që shfaqen në realizimin e barazisë gjinore dhe praktikat më të mira për parandalimin dhe eliminimin e tyre.
Në kuadër të avancimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, profesoreshat e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu-Latifi si autore e parë dhe Dr. Miranda Sejdiu-Abazi si autore korrespondente, kanë publikuar një studim të ri hulumtues në fushën e ortodoncisë. Ky punim shkencor është realizuar në partneritet me studiues nga Departamenti i Ortodoncisë dhe Antropologjisë Dentare i Universitetit të Zagrebit, si dhe me profesionistë të stomatologjisë nga Gjermania.
Punimi me titull “Tooth Crown Dimensions among Angle Occlusion Classes in Kosovar Adolescents” është publikuar si artikull origjinal në revistën ndërkombëtare Acta Stomatologica Croatica (Vol. 60, Nr. 3, 2026, fq. 289–301). Ky organ shkencor është i indeksuar në platformat më prestigjioze globale si Scopus, PubMed dhe Web of Science Core Collection (ESCI), duke mbajtur Faktor Ndikimi (Impact Factor) 1.8 në JCR dhe 1.9 në SJR. Autorët e këtij studimi janë Blertë Zylfiu-Latifi, Senka Meštrović, Jelena Dumančić, Miranda Sejdiu-Abazi dhe Fatbardha Mustafa.
Hulumtimi është shtrirë në shtatë qytete kryesore të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – ku janë përfshirë 400 adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç. Pjesëmarrësit janë kategorizuar sipas klasave I, II dhe III të okluzionit sipas Angle, me qëllim që të analizohet lidhja mes këtyre klasave dhe dimensioneve të kurorave të dhëmbëve permanentë.
Përmes një analize multidimensionale të dimensioneve meziodistale, bukolinguale, cervikoincizale dhe diagonale, studimi nxori në pah se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet klasave të okluzionit, sidomos në dimensionet meziodistale dhe cervikoincizale. Në anën tjetër, dimensionet bukolinguale shfaqën një shkallë më të ulët të variacionit.
Kontributi kryesor i këtij hulumtimi qëndron në përcaktimin e vlerave të para referente specifike për popullatën e adoleshentëve kosovarë. Këto të dhëna do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e saktësisë në diagnostikimin ortodontik, analizën e hapësirës dhe planifikimin e trajtimeve klinike në Kosovë. Ky publikim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta ndërkombëtare.
Punimi është publikuar me Open Access dhe mban DOI-në 10.15644/asc60/3/3.
Raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum – The Future of Jobs Report 2025) thekson se mendimi analitik, menaxhimi i burimeve dhe udhëheqja mbeten ndër aftësitë më të kërkuara nga mbi 70% e kompanive globale për të përballuar transformimin digjital dhe ekonomik. Po ashtu, mungesa e kuadrove me përgatitje të avancuar në menaxhim dhe biznes po vlerësohet si pengesa kryesore për zhvillimin e ndërmarrjeve.
Në përgjigje të këtyre kërkesave të tregut, Programi Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT ofron një platformë të avancuar arsimore, të projektuar për të përgatitur profesionistë dhe udhëheqës të aftë për të marrë rolin e tyre drejtues në biznes, industri, shërbime publike dhe shoqëri.
Programi MBE është i harmonizuar plotësisht me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF) dhe Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve. Kurrikula përmban një ndërthurje të teorive të avancuara të menaxhimit, ekonomisë aplikative, kërkimit shkencor dhe përdorimit të teknologjisë së informacionit në hartimin e menaxhimin organizativ. Përmes një stafi me përvojë vendore e ndërkombëtare, programi nxit aftësitë analitike, zgjidhjen e problemeve komplekse dhe përgatitjen e kandidatëve si për pozita udhëheqëse në treg, ashtu edhe për vazhdimin e mëtejmë të studimeve në nivelin e doktoratës.
Me qëllim të mbështetjes direkte të zhvillimit profesional dhe lehtësimit financiar për kandidatët e förkushtuar, UBT ofron bursën Engaged Scholarship prej 20%. Kjo bursë synon të përfshijë studentë të dalluar në një mjedis dinamik arsimor, ku përsosmëria akademike, ndërkombëtarizimi, transferimi i njohurive dhe integrimi i drejtpërdrejtë me industrinë përbëjnë shtyllat kryesore strategjike të fakultetit.
Aplikimet për programin Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi janë të hapura. Përfitoni nga bursa prej 20% Engaged Scholarship dhe regjistrohuni sot te UBT.
Profesorët e UBT-së kanë shënuar një tjetër arritje të rëndësishme shkencore me publikimin e punimit të tyre më të ri me titull “Evaluation of Systemic Pharmacotherapy in Bacterial Skin Infections: Adherence to Clinical Guidelines and Factors Associated with Treatment Outcomes” në revistën prestigjioze ndërkombëtare Pharmacoepidemiology (MDPI).
Kjo revistë është me Impact Factor 1.6, e indeksuar në platformat shkencore Scopus dhe Web of Science (ESCI), si dhe e renditur në kuartilin Q2 sipas SCImago Journal Rank (SJR).
Studimi trajton farmakoterapinë sistemike të infeksioneve bakteriale të lëkurës, nivelin e zbatimit të udhëzimeve klinike dhe faktorët kyç që ndikojnë në rezultatet e trajtimit. Përmes të dhënave nga praktika reale klinike, ky punim jep një kontribut të rëndësishëm në promovimin e përdorimit racional të antibiotikëve dhe forcimin e parimeve të antimicrobial stewardship në mjekësi.
Ky botim është rezultat i bashkëpunimit shkencor të profesorëve të UBT-së me kolegë nga University of Maribor dhe Jacksonville University. Autorë të studimit janë Lirim Shefki Mustafa, Arieta Hasani Alidema, Mirlinda Havolli, Linda Connelly dhe Fitim Bexhet Alidema.
Punimi është publikuar në Pharmacoepidemiology (2026, Volume 5, Article 38).
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes, më 21 shtator, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, do të jetë pjesë e transmetimit global “Peace One Day Broadcast”, një platformë ndërkombëtare që bashkon liderë, akademikë dhe inovatorë nga e gjithë bota.
Në kuadër të këtij transmetimi global do të diskutohet mbi rolin e arsimit, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në ndërtimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më të qëndrueshme. Si institucion i përkushtuar ndaj dijes, inovacionit dhe fuqizimit të të rinjve, UBT vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të kontribuojë në krijimin e një shoqërie ku arsimi dhe inovacioni shërbejnë si mjete për dialog, mirëkuptim dhe paqe.
Transmetimi do të zhvillohet sot, më 21 shtator, duke filluar nga ora 13:00. Pjesëmarrja e Rektorit Hajrizi në “Peace One Day Broadcast” mund të ndiqet drejtpërdrejt përmes platformës zyrtare peaceoneday.org, si dhe përmes rrjeteve sociale të UBT-së.