Botë

Kremlini mohon se ka kërkuar që NATO-ja të tërheqë trupat nga krahu lindor

Published

on

Kremlini ka mohuar raportimet se zyrtarët rusë i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara të kërkojnë tërheqjen e trupave të NATO-s nga shtetet afër apo në kufi me Rusinë.

Këto deklarata, të bëra nga zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, vijnë pasi një këshilltar i lartë presidencial rumun dukej se tha që zyrtarët rusë kishin bërë këtë kërkesë gjatë bisedimeve të nivelit të lartë në Riad midis delegacioneve nga Moska dhe Uashingtoni.

Zyrtari rumun, Cristian Diaconescu, i cili foli për një televizion në Rumani, më pas u tërhoq nga deklaratat e tij, duke qartësuar se një kërkesë e tillë ishte bërë në të kaluarën, më 2021, pra para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Rusia për vite me radhë ka shprehur zemërim, publikisht dhe privatisht, lidhur me praninë e trupave të NATO-s në shtete sikurse tre shtetet e Baltikut dhe në Poloni. Gjithashtu është ankuar lidhur me sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s në Poloni dhe Rumani. Zgjerimi i NATO-s nga lindja – fillimisht më 1997 dhe më pas dy runde zgjerimesh më 2000 – nga shumë në Kremlin është parë si akt armiqësor dhe kjo pjesërisht është përdorur si pretekst për pushtimin e Ukrainës.

Me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, që po sinjalizon për një qasje të re radikale ndaj raporteve evropiane – ai ka përsëritur ankesat se anëtarët e NATO-s nuk po shpenzojnë para të mjaftueshme në aleancë – është ndezur alarmi në Evropë se Shtëpia e Bardhë e Trumpit mund të pranojë kërkesat ruse.

Më herët gjatë këtij muaji, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tronditën aleancën 32-anëtarëshe kur ai haptazi përjashtoi anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe përjashtoi mundësinë e bashkimit të trupave amerikane në ndonjë përpjekje paqeruajtëse në Ukrainë. Ai po ashtu tha se NATO nuk do t’i dalë në ndihmë asnjë shteti evropian, nëse përfshihen në atë përpjekje dhe nëse do të sulmoheshin nga Rusia.

Duke folur në një intervistë për Antena 3 CNN më 19 shkurt, dy ditë pasi delegacionet e SHBA-së dhe Rusisë u takuan në Riad, Diaconescu dukej se sugjeroi se Moska kishte paraqitur një kërkesë të re për tërheqjen e NATO-s.

“Pritjet e tyre [të rusëve] janë që, në një pikë, SHBA-ja do të bënte që partnerët evropianë brenda NATO-s të tërhiqen nga garancitë e sigurisë së NATO-s të vitit 1997”, tha ai.

Në deklarimet pasuese për mediat rumune, Diasconescu u tërhoq nga kjo deklaratë duke thënë se po iu referohej kërkesave paraprake. Amerikanët dhe evropianët nuk pranojnë kërkesat ruse, tha ai, “as atëherë e as tani”.

I pyetur specifikisht nga gazetarët lidhur me deklaratat rumune, Peskov mohoi këtë vlerësim më 21 shkurt.

“Jo, nuk është e vërtetë, nuk përkon me realitetin”, tha ai. “Qëndrimi ynë është që avancimi i infrastrukturës ushtarake drejt kufijve tanë është shqetësues për ne. Këtë qëndrim e dinë të gjithë, nuk është sekret”.

Presidenti i Polonisë, shteti i të cilit ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës dhe që ka rritur dislokimin e trupave të NATO-s përgjatë krahut lindor të aleancës, tha më 18 shkurt se ka pranuar garanci nga SHBA-ja se nuk do të ketë reduktim të trupave amerikane.

“Nuk ka asnjë shqetësim që SHBA-ja do të reduktojë nivelin e pranisë në shtetin tonë, që SHBA-ja në çfarëdo mënyre do të tërhiqet nga përgjegjësitë apo bashkëpërgjegjësitë për sigurinë e kësaj pjese të Evropës”, tha Andrzej Duda për gazetarët në Varshavë pasi u takua me emisarin e posaçëm të Trumpit, Keith Kellogg.

NATO përforcoi forcat e saj lindore pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, duke kërkuar që të qetësojë anëtarët – veçmas ata që ranë nën kontrollin sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Në total, janë tetë grupe luftarake të NATO-s – “një prani e zgjeruar” – të dislokuara në lindje të Evropës dhe në tre shtete Baltike, me afër 30.000 trupa, sipas të dhënave të fundit të aleancës.

“Objektivat e Putinit mbesin të njëjtë: të nënshtrojë Ukrainën dhe gjithashtu të përçajë Evropën dhe SHBA-në”, tha për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë, Oana Lungescu, ish-zëdhënëse e NATO-s. “Pra, pikërisht për këtë ka më pak arsye për të spekuluar apo për panik, por për të parë se cilat janë interesat e Evropës, dhe padyshim, cilat janë interesat e Rumanisë”.

Botë

Protestat përshkallëzohen në Francë, rreth 400 shkolla mbyllen të premten

Published

on

By

Rreth 400 shkolla dhe institucione arsimore në Francë pritet të mbeten të mbyllura të premten, pasi protestat studentore, të nisura fillimisht për shkak të problemeve në sistemin arsimor, janë përshkallëzuar në dhunë në disa qytete të vendit.

“Ka pak më shumë se 400 shkolla dhe institucione të tjera arsimore që, sipas informacioneve që kam, do të mbyllen”, deklaroi ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, në një intervistë.

Sipas Reuters, duke iu referuar një burimi pranë kryeministrit francez, Sebastien Lecornu, agjencitë e inteligjencës u thanë zyrtarëve në një takim të krizës të enjten se lëvizja protestuese ishte nxitur nga politikanë të së majtës ekstreme, përfshirë anëtarë të partisë La France Insoumise (LFI).

Ligjvënësi i LFI-së, Louis Boyard, i ka mohuar këto pretendime në deklaratat e tij për mediat franceze.

Protestat, të cilat nisën muajin e kaluar në rajonin e Parisit, u nxitën nga pakënaqësitë për mungesën e mësuesve dhe gjendjen e rënduar të disa ndërtesave shkollore. Ato janë përhapur gradualisht në pjesë të ndryshme të vendit dhe janë shoqëruar me përplasje, dhjetëra të plagosur dhe qindra arrestime nga policia.

Sipas Reuters, gjatë së enjtes protestuesit dogjën zjarre në të paktën dy shkolla të mesme. Në një tjetër shkollë në qytetin jugor të Marsejës, disa mësues u spërkatën aksidentalisht me benzinë, sipas autoriteteve.

Ndërkohë, në Strasburg, në lindje të Francës, të paktën një automjet u dogj, ndërsa në Tuluzë, në jugperëndim të vendit, policia u përlesh me protestuesit e rinj.

Autoritetet franceze po përpiqen të frenojnë përshkallëzimin e protestave, ndërsa mbyllja e qindra institucioneve arsimore pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin normal të mësimit të premten.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Trump paralajmëron ndalimin e eksportit të naftës dhe kërkon nga Evropa të hapë rezervat

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e bllokimit të eksporteve të naftës (dizel) për shkak të krizës globale dhe rritjes së çmimeve, ndërsa Presidenti Donald Trump ka deklaruar se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të lirojnë një pjesë të rezervave të tyre strategjike, raporton BBC.

Këto deklarata pasojnë thirrjen e Sekretarit të Thesarit amerikan, Scott Bessent, i cili i kërkoi Evropës të përgatitet menjëherë për nxjerrjen në treg të këtyre furnizimeve, duke argumentuar se “fermerët, kamionistët dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë barrën” e çmimeve që po fluturojnë.

Uashingtoni ka kërcënuar se do të kufizojë eksportet e dizelit pas rritjes drastike të kostove si pasojë e luftës në Iran. Kjo çështje është kthyer në një nga temat kryesore për votuesit amerikanë në prag të zgjedhjeve të rëndësishme nëntoriane për Kongresin.

Shtetet e Bashkuara janë një furnizues kyç i dizelit në nivel global, duke eksportuar nga 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë. Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i mundshëm i dërgesave jashtë vendit do të rriste edhe më shumë presionin mbi çmimet në shtetet e tjera.

“Po e mendojmë shumë seriozisht,” tha Trump gjatë vikendit lidhur me bllokimin e eksporteve, ndërsa të enjten shtoi se mund t’u kërkojë partnerëve evropianë përdorimin e rezervave të tyre.

“Partnerët tanë evropianë duhet të përpe shpejtojnë përmbushjen e angazhimeve të tyre ekzistuese dhe të vënë menjëherë në dispozicion furnizime shtesë për të trajtuar ndërprerjet aktuale,” shkroi Bessent në rrjetet sociale.

Evropa dhe Britania në bisedime urgjente

Të enjten, Mbretëria e Bashkuar zhvilloi bisedime me partnerët evropianë për një përgjigje të koordinuar ndaj një ndalimi të mundshëm nga SHBA-ja.

Sipas të dhënave nga organizata e automobilizmit RAC, çmimet e dizelit në Britani të Madhe arritën nivele rekorde këtë javë, duke prekura kufirin e 2 paundëve për litër.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se po zhvillohen “shumë telefonata dhe takime” për situatën e dizelit, përfshirë kontakte të nivelit të lartë me administratën amerikane. Nga ana tjetër, zyrtarët britanikë theksuan se vendi ka një furnizim të qëndrueshëm, por pranuan se çmimet pritet të rriten më tej.

Pse po rriten çmimet globale?

Çmimet e benzinës dhe dizelit në mbarë botën janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael në Iran në muajin shkurt.

Mbyllja e ngushticës strategjike të Hormuzit — përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë — ka bllokuar rrugët kryesore të transportit dhe ka çuar në shtrenjtimin e të gjitha nënprodukteve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Aktualitet

Burnham akuzon Iranin, Trump kundërshton lirimin e të dyshuarve

Published

on

By

Incident i sigurisë pranë bazës ajrore britanike RAF Fairford ka nxitur përplasje diplomatike mes Londrës, Uashingtonit dhe Teheranit. Kryeministri Andy Burnham deklaroi për BBC-në se ekzistojnë “indikacione të fuqishme” se Irani ka gisht në ngjarjen që çoi në arrestimin e pesë personave.

Ngjarja mori një rrjedhë të pazakontë pasi u zbulua se vetë një nga të dyshuarit kishte telefonuar numrin e emergjencës 999 përpara se grupi të prangosej. Megjithatë, të arrestuarit u liruan më pas me kaucion — një vendim që shkaktoi reagime të menjëhershme ndërkombëtare.

Përplasja Uashington – Londër për lirimin e të dyshuarve

Vendimi për lirimin e të arrestuarve u kritikua hapur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

“Do t’ju kisha thënë: ‘Mos i lini të lirë me kaucion’. Jam i surprizuar që i liruan, unë nuk do ta kisha bërë këtë,” u shpreh Trump.

Kryeministri Burnham u përgjigj duke siguruar se të dyshuarit ndodhen nën mbikëqyrje të rreptë dhe nën kushtet më strikte të mundshme të dorëzanisë:

“Autoritetet e kanë këtë situatë nën kontrollin më të fortë dhe më të rreptë. Lirimi me kaucion nuk do të thotë se ata janë thjesht të lirë siç mund të mendojnë njerëzit.”

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi për Fox News se incidenti “përfshin qartë dorën e një aktori të huaj”, duke nënvizuar se Irani ka kërcënuar hapur interesat amerikane në nivel global.

Reagimi i ashpër i Teheranit

Teherani zyrtar i hodhi poshtë me shpejtësi akuzat. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se udhëheqësit britanikë “po trokasin në derë të gabuar”.

“Mund të konfirmoj besimin e Iranit se lirimi i të ashtuquajturve ‘terroristë që punojnë për shtete të huaja’ thotë vërtet gjithçka për këtë situatë,” shkroi Araghchi në rrjetet sociale.

Pavarësisht reagimit nga Teherani, qeveria britanike bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me shërbimet e inteligjencës amerikane për hetimin e kompleksit ushtarak, i cili mbetet një hetim policor aktiv dhe i nivelit të lartë të sigurisë. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Netanyahu: Piloti tentoi ta rrëzonte aeroplanin gjatë fluturimit nga Dubai për në Izrael

Published

on

By

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se një incident i rëndë ka ndodhur në bordin e një aeroplani që po udhëtonte nga Dubai drejt Izraelit, ku njëri prej pilotëve sulmoi me thikë kolegun e tij dhe u përpoq të rrëzonte mjetin fluturues.

Përmes një deklarate zyrtare të lëshuar disa orë pas ngjarjes, Netanyahu konfirmoi se piloti sulmues është arrestuar nga autoritetet në Arabinë Saudite, ku aeroplani kreu ulje emergjente.

“Njëri prej pilotëve e goditi me thikë pilotin tjetër dhe, me sa duket, u përpoq ta rrëzonte avionin bashkë me pasagjerët e tij. Fola me një prej pasagjerëve izraelitë, i cili më tha se avioni kishte nisur të rrotullohej dhe filloi të humbiste lartësi. I përshëndes këta heronj, të cilët treguan zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm. Të gjithë pasagjerët janë jashtë rrezikut. Piloti sulmues u arrestua dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet saudite”, deklaroi Netanyahu.

Sipas raportimeve të medieve izraelite gjatë ditës, piloti që ndërmori sulmin dhe tentoi rrëzimin e aeroplanit me pasagjerë është me shtetësi nga Omani. Autoritetet saudite po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.

Continue Reading

Të kërkuara