Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 10 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Nënë Tereza

 10 qershor 1993

Për arsimin pa ndonjë marrëveshje

Dje, në Prishtinë u mbajt rundi i ri i bisedimeve për çështjet e arsimit shqip në Kosovë. Delegacioni shqiptar, Gert Arensit, ia paraqiti edhe një herë qëndrimet lidhur me këtë çështje duke kërkuar si hap të parë hapjen pa kushtëzime të objekteve për nxënësit, studentët e arsimtarët shqiptarë, të cilët me dhunë janë nxjerrë jashtë nga regjimi serb.

Arens bëri edhe një përpjekje që në takime të ndara me delegacionin shqiptar dhe atë serb, të gjejë një zgjidhje të pranueshme, por as kësaj here nuk u arrit ndonjë zgjidhje konkrete.

Pala serbe vazhdon të kushtëzojë zgjidhjen me pranimin e sovranitetit serb mbi arsimin shqip të Kosovës.

Arensi në fund të takimeve të veçanta deklaroi se së shpejti do ta thërrasë takimin e ri në Gjenevë.

Arensi tha se shpreson se “është bërë një hap i vogël përpara”.

Ministri i Arsimit të Serbisë i deklaroi “Borbës” së sotme se “është me rëndësi se ekziston pajtimi për të vazhduar bisedat. Po kështu ekziston edhe gatishmëria që arsimi shqip deri në fillim të vitit të ri shkollor të normalizohet”.

Merret vesh se pala serbe, posaçërisht ministrja për minoritete e Jugollavisë së vetëshpallur, radikalja e Sheshelit, Savoviq, insiston që askund në dokumente të mos përmendet delegacioni shqiptar i Kosovës, por ai të prezentohet si grup i Fehmi Aganit me shokë. Madje, edhe në Televizionin e Beogradit, delegacioni shqiptar prezentohej si “grup përfaqësuesish të institucioneve dhe të asociacioneve shqiptare”.

Përkundër këtyre deklaratave, shihet fare qartë se pala serbe nuk ka ndërmend të heq dorë nga represioni mbi shkollën shqipe, përkatësisht të mbajë me dhunë të mbyllura objektet, edhepse përmes deklaratave mundohet të mbulojë qëllimin e tejdukshëm.

 

10 qershor 1994

Represioni në Kosovë

Mitrovicë: – Më 7 qershor rreth orës 1:00, policia serbe, bastisi shtëpinë e Maliq Miftarit në Shipol të Mitrovicës. Policia nga Maliq Miftari mori një pushkë gjuetie për të cilën dispononte lejen.

Prizren: – Dje, inspektorët serbë, morën në pyetje për herë të katërt, Bashkim Ibrahimin, veprimtar i Këshillit për Financim të Prizrenit. Bëhet me dije se pas marrjes në pyetje të Bashkim Ibrahimit, inspektorët dhe policia shkuan në zyrën e Këshillit për Financim, me ç’rast plaçkitën kompjutorin dhe të gjitha shënimet tjera.

Dëshmitarët që e panë Bashkim Ibrahimin duke dalur nga zyra së bashku me policinë serbe, njoftojnë se Bashkimi dorën e djathtë e kishte të përgjakur.

Ferizaj: – Më 7 e 8 qershor, sipas thirrjeve, vëllezërit Isa e Idriz Behluli dhe axha i tyre Xhemshir Behluli, u paraqitën në stacionin e policisë në Ferizaj. Policia nga personat e lartëshënuar kërkoi që të dorëzojnë armë, ndërsa u liruan me kusht që të paraqiten sërish nesër në stacionin e policisë në Ferizaj.

Dje rreth orës 9:00, inspektorët serbë ndërhynë në lokalet e shkollës fillore “Gjon Serreçi”, të cilët u interesun për vulat dhe dëftesat e klasëve të teta.

Pardje, rreth orës 10:00, inspektorët morën në pyetje Osman Islamin nga Lloshkobarja e Ferizajt. Inspektorët nga Osman Selmani u interesuan të dinë rreth aktivitetit të LDK-së në degë e nëndegë, rreth komisioneve të LDK-së, Këshillit për Financim etj.

Shtime: – Dje rreth orës 11:00, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Muharrem Salihut, kryetar i Aktivit të LDK-së në Godanc të Shtimes. Meqë Muharrem Salihu nuk dispononte me kurrfarë arme, policia atë e mori vete në stacionin e policisë, të cilit iu kërcënuan për aktivitetin e tij në fshat.

Kamenicë: – Dje në Kamenicë, inspektorët serbë morën në pyetje Refik Kryeziun, delegat i Odës Ekonomike të Kosovës. Refik Kryeziu në organet e policisë u mbajt prej orës 9 deri në orën 10.30, ndërsa u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici të njëjtën ditë në orën 12:00. Inspektorët nga Refik Kryeziu u interesaun të dinë rreth formimit të Odës Ekonomike të Kosovës dhe nga kush është kandiduar ai për delegat.

Bëhet me dije se Refik Kryeziu është mbajtur në polici deri rreth orës 16:00 dhe është rrahur brutalisht nga kuislingu shqiptar, Naser Shevelli.

Refik Kryeziu u lirua me kusht që të paraqitet sërish të nesërmen në stacionin e policisë në Kamenicë.

Dje prej orës 10 deri në orën 12, inspektorët serbë morën në pyetje Ramadan Kastratin, sekretar i Këshillit komunal për Financim të Kamenicës.

Istog: – Policia serbe e postkomandës së Banjës së Pejës, gjatë kësaj jave, nën pretekst të kërkimit të armëve thirri që të paraqiten në polici, Bajram Mehajn, i cili çdo ditë kërkohet në shtëpi, Rexhep Maksutajn, Isa Sylajn, Binak Morinajn, Islam e Adem Pepajn, Shaban, Haxhi e Musli Podrimajn dhe Shaban Mehajn.

Bëhet me dije se nga personat e lartëshënuar është keqtrajtuar fizikisht Binak Morinaj.

Më 28 maj, një patrullë e policisë serbe, hyri në shitoren e fshatit Uçë dhe kërkuan nga Ramë Hajzeraj që të dorëzojë një revole të kalibrit 7.65 m.m, ndërsa kur ia bastisën shtëpinë tek ai gjetën një revole të kalibrit 9 m.m.

Më 31 maj, inspektorët serbë morën në pyetje Sylë Maksutajn, nga i cili u interesuan të dinë rreth mbajtjes së Kuvendit të LDK-së, si dhe për veprimtarët e Këshillit komunal për Financim të Istogut.

Po këtë ditë, dy policë, nën pretekst të dorëzimit të armëve hynë në shtëpinë e Mehmet Hysenjat nga Dubrava, të cilët kërkuan djalin e tij, Ukë Hysenajn, i cili punon përkohësisht në botën e jashtme.

Më 1 qershor, një patrullë e policisë rrahu brutalisht, Bajram Berishën, drejtor i shkollës fillore, në Saradran të Istogut.

Po këtë ditë, policia e Gjurakocit ishte në fshatin Tomoc, të cilët iu kërcënuan që t’i dorëzojnë armët, Musë Kabashit, Idriz Hysenajt e Sali Llabjanit. Bëhet me dije se Eshref Halitaj dhe Metë Kabashi dorëzuan nga një revole.

Po këtë ditë, në stacionin e policisë në Istog, policia rrahu rëndë Smajl Alushajn nga Mojstiri, nën pretekst të dorëzimit të një revoleje.

Suharekë: – Dje pasdite në stacionin e policisë në Suharekë, është rrahur rëndë Qazim Sallauka nga Topliçani i Suharekës. Njoftohet se Qazim Sallauka është rrahur aq rëndë sa për një kohë edhe i ka humbur vetëdija.

Shkaku i rrahjes brutale të Qazim Sallaukës nga ana e polcisë serbe, tash për tash nuk dihet.

Dje, në stacionin e policisë në Suharekë është rrahur rëndë edhe Nebih Zogaj, drejtor i shkollës fillore “Ismail Qemali” në Bellanicë.

Edhe për Nebih Zogajn njoftohet se është torturuar shumë në polici, i cili u dërgua menjëherë për shërim në spitalin e Gjakovës.

Junik: – Pardje, policia e postkomandës së Junikut, thirri për t’i dorëzuar armët, Ali, Sylë e Ahmet Jasiqin nga Juniku. Bëhet me dije se Sylë dhe Ahmet Juniku i kanë dorëzuar armët para një kohe, të cilët me vete i kishin edhe dëshmitë, ndërsa Ali Jasiqi u deklarua se nu disponon me kurrfarë arme. Ali Jasiqin, policia e urdhëroi që patjetër të dorëzojë një pushkë.

 

10 qershor 1995

BSPK proteston kundër proceseve të montuara ndaj ish-policëve të Kosovës

Lidhur me proceset e montuara politike e të përfunduara në Pejë e në Gjilan dhe atyre që po mbahen në Prizren e Prishtinë kundër ish-policëve të Kosovës, BSPK edhe njëherë proteston kundër vazhdimit të dhunës dhe represionit që po e zbaton regjimi okpues serb ndaj aktivistëve e veprimtarëve sindikalë.

Lidhur me procesin kundër 72 ish-policëve në Prishtinë, që vazhdon më 12 qershor dhe që është më i madhi në vargun e proceseve të montuara politike, kjo sindikatë vlerëson se

faji i vetëm i ish-policëve të Kosovës mund të jetë fakti se ata nuk u pajtuan me okupimin e Kosovës dhe me voluntarizmin, arbitaritetin e diskriminimin që ushtrohej mbi ata dhe popullin e Kosovës.

Në një kumtesë edhe njëherë përkujtohet fakti se prej pushtimit të Kosovës nga Serbia më 5 korrik 1990, rreth 3.500 punëtorët të organeve të punëve të brendshme të Kosovës u përjashtuan nga puna dhe u hodhën në rrugë pa asnjë të drejtë.

Për këtë shkak, thuhet në kumtesë, më 29 gusht 1990 dega e Sindikatës së Pavarur të punërtorëve të Punëve të Brendshme iu bashkua BSPK-së.

Në vazhdim të kumtesës numrohen shumë aksione të kësaj sindikate në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të anëtarëve të saj, mirëpo Serbia, organizimin sindikal e kualifikoi si veprimtari armiqësore, duke arrestuar, maltretuar, keqtrajtuar me qindra aktivistë të kësaj sindikate.

Në kumtesë thuhet se aktualisht në burgje ndodhen 145 anëtarë të kësaj dege sindikale, dhe tërhiqet vërejtja se shumica prej tyre janë keqtrajtuar, madje edhe në kundërshti me vetë ligjet aktuale të Serbisë.

Kjo degë sindikale nënvizon se akuza serbe është absurde, kur të kihet parasysh fakti se qindra aktivistë sindikalë u arrestuan dhe u torturuan dhe se shumë prej tyre janë akuzuar dhe po dënohen për gjoja krijimin e një ministrie paralele të Punëve të Brendshme, në rrethana kur Serbia në Kosovë kishte vetëm në uniformë të policisë mbi 16.000 njerëz, pa përfshirë pjesën operative të sigurimit publik dhe atij shtetëror, në kuadër të cilit punon dhe vepron policia sekrete.

Është qesharake edhe akuza për formimim e policisë paralele në rrethanat e okupimit ushtarak e policor në Kosovë, kur kontrollohet e përgjohet çdo gjë.

Prandaj BSPK vlerëson se regjimit serb i duhen shpifjet, akuzat e proceset e tilla për të sulmuar politikisht dhe për të dënuar në procese të montuara njerëz të pafajshëm.

Në fund të kumtesës u bëhet edhe njëherë thirrje opinionit demokratik ndërkombëtar dhe sindikatave kombëtare e ndërkombëtare që të ngrehin zërin e tyre për mbrojtjen e lirive të drejtave sindikale në Kosovë, e veçmas për mbrojtjen e aktivistëve që u gjykuan e po gjykohen vetëm e vetëm pse kanë provuar të mbrojnë të drejtat e liritë e tyre të ligjshme.

 

10 qershor 1997

Nënë Tereza u nderua me Medaljen e Artë nga Kongresi amerikan

Të shoqëruar me këngët e një kori fetar, bashkëpunëtorë, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, senatorë, zyrtarë e klerikë të lartë, përfaqësues të shoqatave misionare dhe qytetarë të thjeshtë, u mblodhën në fundjavën e shkuar nën kupolën e Kongresit Amerikan për të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të Nënë Terezës, me Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan – medaljen më të lartë që jep organi më i lartë ligjdhënës në SHBA, njofton “Bujku”.

Të pranishmit shpërthyen në duartrokitje kur në podium u ngjit Nënë Tereza, murgjesha 87-vjeçare, e cila ka fituar famë në mbarë botën me punën e saj bamirëse për të varfërit dhe të paaftit.

Pas fjalës së hapjes së kongresmenit Henri Hajd dhe një lutjeje të kapelanit të Kongresit Amerikan Lori Xhejms Zogolvi, fjalën e mori anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti Ilinoi Xhesi Xhekson -Junior.

Kongresmeni Xhekson lexoi pastaj tekstin e aktit nëpërmjet të cilit Kongresi Amerikan i jep Nënë Terezës Medaljen e Artë.

“Kongresi Amerikan vlerëson se Nëna Tereza ka ndikuar thellë mbi jetën e personave të ndryshëm në të gjitha sferat e jetës, në çdo kënd të botës. Ajo ka themeluar Organizatën Misionare të Bamirësisë, e cila ka mbi 3. 000 anëtarë në 25 vende. Nënë Terzea është, për mendimin e Kongresit të SHBA-ve, një instrument i vullnetit të Zotit. Dashuria e Zotit që rrjedh nga Nëna Terezë ka ndikuar në mënyrë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit. Nëna Tereze udhëheq nëpërmjet shembullit pesonal dhe u tregon njerëzve se si të jetojnë me dashuri për njerëzimin”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç theksoi se në një mjedis si kapitoli amerikan, ku preokupimet kryesore janë fuqia ekonomike, ushtarake dhe sekulare, Nëna Tereze tregon se fuqia e shpirtit kapërcen të gjitha fuqitë e tjera. Nënë Tereza, vazhodi z. Gingriç, tregon se si njëri që është i gatshëm të jetojë në përputhje me besimin e vet, mund të transformojë njerëzit rreth vetes.

Pastaj, duke ia dhënë një kopje të aktit të Kongresit, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, tha:

– Nënë Tereza, nuk jemi ne që të të nderojmë ty me këtë akt. Jeni Ju që na nderoni ne duke pranuar të vini këtu dhe të ndani kohën tuaj me ne. Përjetë ne jemi borxhlinj.

Nëna Terze i ftoi të pranishmit të thonë lutje për punën e Organizatës së saj dhe shtoi:

– Jam shumë mirënjohës për dhuratën që më bëtë. Do të lutem për Ju, për bijtë dhe bijat që bëjnë pjesë në Organizatën Misionare të Bamirësisë, që ata të kenë sukses në përpjekjet e tyre që t’u japin të varfërve dashurinë dhe kujdesin që na mëson Zoti, thuhet në njoftim.

 

10 qershor 1998

Klinton: Jemi të vendosur për parandalimin e gjakderdhjes në Kosovë

Presidenti i SHBA-vë. Bill Klinton, në një konferencë shtypi në Uashington, tha se janë po shqyrtohen të gjitha alternativat për të ndalur dhunën në Kosovë. Për të parandaluar ‘spastrimin etnik’ në Kosovë kam autorizuar NATO-n që të hartojë plane për veprime të mundshme ushtarake në Kosovë, tha Klinton.

Presidenti i SHBA-ve tha se aleatët e NATO-s nuk përjashtojnë asnjë alternativë për t’iu përgjigjur situatës në Kosovë, e cila vazhdon të rëndohet.

Në njoftimin e “Zërit të Amerikës” thuhet se Klinton ka vlerësuar se ekzistojnë ndryshime midis gjendjes në Kosovë dhe asaj në Bosnjë, para se të ndërhynin trupat e NATO-s. Shtëpia e Bardhë po kërkon nga OKB-ja miratimin e një rezolute, me të cilën do të dënohen me termat më të ashpër sulmet serbe në Kosovë.

  1. Klinton tha se adminstrata amerikane është e vendosur për parandalimin e gjakderdhjes, si ajo në Bosnjë.

“Jam i vendosur që të bëj ç’është e mundur për të ndalur një përsëritje të mizorive dhe të spastrimit etnik si ato në Bosnjë. Kam autorizuar dhe po përkrah një proces të shpejtuar planifikimi për NATO-n, tha presidenti Klinton.

Sekretarja e shtetit dhe sekretari i mbrojtjes kanë theksuar që të mos përjashtohet asnjë alternativë për ndalimin e dhunës serbe në Kosovë, tha në konferencën për gazetarë në Uashington presidenti i SHBA-ve Bill Klinton.

Continue Reading

Lajmet

KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike, paralajmëron rritje të konsumit

Published

on

By

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.

KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.

“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.

Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.

D.L

Continue Reading

Lajmet

United Hospital, standard i ri në shërbimet shëndetësore në Kosovë – teknologji e avancuar dhe trajtim modern i sëmundjeve vaskulare

Published

on

By

United Hospital, tashmë një nga spitalet private më të mëdha në Kosovë, po fuqizon vazhdimisht ofertën e shërbimeve shëndetësore përmes teknologjisë së avancuar, pajisjeve moderne diagnostikuese dhe trajtimit bashkëkohor në fusha të ndryshme të mjekësisë.

Një ndër fushat ku ky institucion shëndetësor ofron zgjidhje të specializuara është edhe mjekësia vaskulare, e cila merret me diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të enëve të gjakut, nga koka deri te këmbët.

Përmes ekspertizës profesionale të Dr. Halil, pacientët informohen për mundësitë moderne të trajtimit të problemeve vaskulare, duke përfshirë metodat kirurgjike të hapura, intervenimet minimale invazive dhe procedurat endovaskulare.

Në United Hospital trajtohen një sërë patologjish vaskulare, ndër të cilat:

Stenoza e arteries karotide, me rëndësi të veçantë në parandalimin e goditjes në tru.

Aneurizmat e aortës, torakale dhe abdominale.

Ngushtimet e arterieve të veshkave, pelvikut dhe gjymtyrëve të poshtme.

Sëmundjet e venave dhe variçet, përmes metodave moderne të trajtimit, përfshirë përdorimin e ngjitësit biologjik, një alternativë ndaj operacionit klasik për pacientët e përshtatshëm.

Përparësia e këtyre metodave qëndron në mundësinë e trajtimit më pak invaziv, reduktimin e shqetësimeve pas procedurës dhe rikthimin më të shpejtë në aktivitetet e përditshme, varësisht nga gjendja shëndetësore dhe metoda e aplikuar.

Me investimet në teknologji, zgjerimin e shërbimeve dhe angazhimin e profesionistëve shëndetësorë, United Hospital synon të ofrojë standarde bashkëkohore të kujdesit mjekësor, duke krijuar më shumë mundësi për pacientët që kërkojnë diagnostikim dhe trajtim të specializuar brenda Kosovës.

United Hospital – kujdes shëndetësor, teknologji dhe profesionalizëm në shërbim të shëndetit tuaj!

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë – Kosovë

Për informacione dhe konsultime, kontaktoni United Hospital. Përshtatshmëria për secilën procedurë përcaktohet pas vlerësimit nga mjeku specialist.
gazeta speciale./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Lëvizjet me çmimet e derivateve: Kusari-Lila paralajmëron rikthimin e çmimit tavan nëse nafta nuk pocheapërohet në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Qeveria do të rikthejë çmimin tavan për naftën nëse rënia e çmimeve të derivateve në tregun botëror nuk reflektohet në tregun kosovar brenda pak ditëve.

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, e cila ngriti shqetësimin për ndikimin e shtrenjtimit të naftës në çmimet e produkteve të tjera, ministrja Kusari-Lila sqaroi se dy ditët e fundit ka filluar një rënie e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

“Arsyeja e çmimit 1.90 ose 1.89, që është sot, e evidentuar, ka të bëjë me rritjen e çmimit në tregun botëror. Megjithatë, pozitive në këto dy ditët e fundit është një fillim i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në çmimin në tregun në Kosovë, atëherë ne e rikthejmë çmimin tavan, i cili tashmë kemi edhe bazën ligjore për ta bërë atë”, deklaroi Kusari-Lila.

Ministrja shpjegoi se vendimi për heqjen e çmimit tavan ishte marrë më 8 shtator pas përfundimit të afatit 180-ditor, ndërsa institucionet kanë vazhduar monitorimin e marzhës tregtare në baza ditore.

“Çka kemi bërë? Kemi shqyrtuar gjendjen e inspektimeve, por gjithashtu edhe kemi pasur skadim të afatit bazuar në këtë udhëzim administrativ… Megjithatë, pas heqjes së këtij vendimi, që nga data 8 shtator deri më sot, më 5 nëntor, në baza ditore kemi bërë dhe bëjmë, vazhdojmë të bëjmë monitorimin e çmimit dhe përcaktimin e marzhës sipas çmimeve të tregut… Të dhënat zyrtare të importit tregojnë se marzha që nga heqja e çmimit tavan nuk e ka kaluar 12 centin, i cili është i përcaktuar me udhëzimin administrativ. Ka qenë 11.5 cent”, shtoi ajo.

Ajo po ashtu nënvizoi se Kosova mbetet mjaft e ekspozuar ndaj luhatjeve globale për shkak të shkallës së lartë të importit, por siguroi se ekzekutivi nuk do të qëndrojë pasiv.

“Kosova, siç e dini, nuk është e izoluar dhe nuk ka qenë e izoluar nga këto zhvillime. Në të kundërt, është shumë e ekspozuar për shkak të nivelit të madh të importit. Megjithatë, qeveria nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndrojë pasive përballë këtij çrregullimi të tregut. Ne ndërhyjmë aty ku i kemi kushtet ligjore”, përfundoi Kusari-Lila, duke cituar udhëzimet administrative përkatëse që lehtësojnë ndërhyrjen e shtetit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Cassis nga Prishtina vlerëson lart diasporën: Rreth 500 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër, lidhja jonë është e jashtëzakonshme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera dhe të bazuara në një histori të gjatë e të fuqishme bashkëpunimi.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis theksoi se kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Prishtinë si pjesëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse takimet mes diplomacive të të dyja vendeve kanë qenë të vazhdueshme.

“Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta sepse kemi qenë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar e jetuar”, u shpreh Cassis.Diplomati zviceran vuri theksin te roli i jashtëzakonshëm i diasporës kosovare në Zvicër, duke saktësuar numrin e qytetarëve me prejardhje nga Kosova që jetojnë atje.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose vijnë nga kjo trevë. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë sonë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përveç kësaj, ata janë edhe heronj të futbollit në vendin tonë”, shtoi ai.

Cassis po ashtu kujtoi vizitën shtetërore të ish-presidentes Vjosa Osmani në Zvicër në mars të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si një moment me rëndësi të veçantë për thellimin e partneritetit dypalësh. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara