Aktualitet

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore: Partitë politike të rrisin përfaqësimin e grave në zgjedhjet lokale 2025

Published

on

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) u bën thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të respektojnë obligimet e tyre sipas Ligjit për Barazi Gjinore dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të rritur emërimin, fuqizimin dhe përkrahjen e kandidateve gra, veçanërisht për pozitat e kryetareve të komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në reagimin e tyre thuhet se “edhe pse korniza ligjore zgjedhore në fuqi parasheh vetëm një kuotë gjinore prej 30% për listat zgjedhore, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të partive politike që të udhëhiqen nga fryma e Kushtetutës dhe Ligjit për Barazi Gjinore dhe të paraqesin lista kandidatësh të bazuara në barazinë gjinore”.

“Megjithatë, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, vetëm 2 nga 38 kryetarë komunash të zgjedhur ishin gra, ndërsa gratë përbëjnë vetëm 16% të anëtarëve të kuvendeve komunale, duke theksuar barrierat strukturore të vazhdueshme për udhëheqjen dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje politike. Ky nën-përfaqësim jo vetëm që bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe Ligjit për Barazi Gjinore, por paraqet edhe një mundësi të humbur për zhvillim demokratik dhe gjithëpërfshirës të Kosovës”, vijon reagimi.

Sipas tyre gratë sjellin perspektiva thelbësore, udhëheqje dhe zgjidhje për sfidat me të cilat përballen komunat nga siguria në komunitet tek arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik.

Mes tjerash, thuhet se Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bën thirrje të gjitha partive politike që të shkojnë përtej kërkesave minimale ligjore dhe të nominojnë në mënyrë proaktive, të promovojnë dhe fuqizojnë gratë si kandidate në nivel lokal./Telegrafi

Continue Reading

Aktualitet

UBT hap thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare mbi Artet Performuese 2025

Published

on

UBT ka hapur thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën e 14-të Ndërkombëtare për Arte Performuese, e cila organizohet në kuadër të Konferencës së 14-të Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, me fokus të veçantë këtë vit tek Qëndrueshmëria dhe Rezilienca.

Ky aktivitet shkencor ndërkombëtar është i rishikuar nga ekspertë akademikë (peer reviewed) dhe ka për synim të sjellë së bashku studiues, praktikues, doktorantë, studentë pasuniversitarë, si dhe profesionistë të industrisë për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe qasje të reja në fushën e artit performues.

Datat e rëndësishme:

  • Dorëzimi i abstrakteve: 10 tetor 2025
  • Njoftimi i pranimit: 17 tetor 2025
  • Rishikimi nga ekspertët: 17 tetor 2025
  • Afati i hershëm i regjistrimit: 17 tetor 2025
  • Afati i vonshëm i regjistrimit: 20 tetor 2025
  • Dorëzimi i punimeve të plota: 14 nëntor 2025

Fushat që mbulon konferenca përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm tek:

  • Zhvillimi i teatrit pas luftës në Kosovë
  • Roli i muzikës në ndërtimin e karakterit skenik
  • Përgatitja psikologjike e aktorit në interpretimin e roleve
  • Përgatitja fizike dhe rëndësia e saj për zhvillimin e aktorit
  • Kinematografia para dhe pas luftës në Kosovë dhe trajtimi i temave të luftës
  • Ndikimi i maskave greke në krijimin e maskave të teatrit modern
  • Audicionet, monologët dhe përzgjedhja e tyre
  • Teatri për fëmijë dhe të rinj
  • Teatri si terapi për fëmijë dhe të rritur
  • Inteligjenca Artificiale (AI) në aktrim

Konferenca synon të nxisë dialogun ndërdisiplinar dhe të krijojë një platformë unike për të diskutuar sfidat dhe prirjet e reja në artet performuese, duke i lidhur ato me zhvillimet globale në teknologji dhe shoqëri.

Punimet e paraqitura duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe jo në proces shqyrtimi në ndonjë konferencë tjetër. Gjatësia maksimale e punimit është 6 faqe, sipas standardeve të specifikuara në faqen zyrtare të konferencës.

Për më shumë detaje dhe aplikim, vizitoni: KONFERENCA E UBT-së

Continue Reading

Aktualitet

Von Der Leyen: Rusia e ka treguar plotësisht përbuzjen ndaj diplomacisë dhe ligjit

Published

on

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në deklaratën e saj tha se Rusia e ka treguar plotësisht përbuzjen ndaj diplomacisë dhe ligjit ndërkombëtar gjatë muajit të fundit, duke kritikuar sulmet më të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës.

Ajo veçoi sulmet ruse në Kiev që goditën zyrën e BE-së në kryeqytet, si dhe shkeljet me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.

“Këto nuk janë veprimet e dikujt që dëshiron paqe”.

Paketa e 19-të e sanksioneve vjen si përgjigje ndaj kësaj përshkallëzimi nga Putini, shpjegoi Von Der Leyen duke paraqitur elementët kryesorë të asaj që propozohet.

Ajo tha se BE-ja do të kërkojë të shkurtojë të ardhurat e Rusisë nga lëndët djegëse fosile, duke ndaluar importin e LNG-së ruse në tregjet evropiane.

118 anije shtesë nga “flota hije” ruse do të shtohen në listën e sanksioneve, që tani arrin në 560 anije.

Ajo shtoi se kompanitë kryesore të tregtimit të energjisë Rosneft dhe Gazpromneft tani do të jenë nën ndalim të plotë transaksionesh, dhe kompani të tjera do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve.

“Në tre vjet, të ardhurat e Rusisë nga nafta në Evropë kanë rënë me 90%. Ne tani po e mbyllim këtë kapitull përgjithmonë. Ne po forcojmë luftën tonë kundër shmangies së sanksioneve. Ndërsa taktikat e shmangies bëhen më të sofistikuara, sanksionet tona do të përshtaten për të qëndruar përpara. Për herë të parë, masat tona kufizuese do të godasin platformat e kriptovalutave dhe do të ndalojnë transaksionet në kriptovaluta. Ne po listojmë banka të huaja të lidhura me sistemet alternative të pagesave të Rusisë. Dhe po kufizojmë transaksionet me entitete në zonat ekonomike speciale”, tha Von Der Leyen.

Paketa do të shtojë kufizime të reja direkte të eksportit për artikujt dhe teknologjitë e përdorura në fushëbetejë, duke ndikuar në 45 kompani në Rusi dhe në vende të treta./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Komanda e Forcave Tokësore realizoi garën “Ujku Garues 2025”

Published

on

Gara tradicionale “Ujku Garues 2025”, është përmbyllur me sukses, aktivitet ky i cili realizohet nga Komanda e Forcave Tokësore ku marrin pjesë ekipe nga njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Këtë vit, pjesëmarrës ishin 21 ekipe dhe aktiviteti u mbajt në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog.

“Garën e ka fituar, Policia Ushtarake e FSK-së, dhe është shpërblyer me vendin e parë. Vendi i dytë i takoi Kompanisë B nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë dhe vendi i tretë shkoi për Kompaninë MB nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë”, njoftoi Forca e Sigurisë së Kosovës.

Gara “Ujku Garues” për herë të parë është mbajtur në vitin 2015 si rezultat i shkëmbimit të përvojave mes nënoficerëve të FSK-së dhe atyre të kontigjentit slloven.

Garën e karakterizon aspekti organizativ, vlerësues, shpirti garues, profesionalizmi dhe angazhimi maksimal i ekipeve./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Qeveria bart 904 mijë euro për subvencionet e efikasitetit të energjisë

Published

on

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar bartjen e 904 mijë eurove nga pakoja për përballje me krizën energjetike, fonde këto që vijnë nga Bashkimi Evropian, për të përmbyllur disbursimin e subvencioneve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023).

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se këto mjete do të shërbejnë për disbursimin e subvencioneve për pajisje efiçiente ngrohëse të aprovuara nga Ministria e Ekonomisë, si dhe për trajtimin e listës së pritjes për izolimin e shtëpive nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë premtuar se do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për realizimin sa më të shpejtë të këtyre procesve.

Që nga viti 2022, përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian, janë përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese në Kosovë me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës.

Ministria e Ekonomisë falënderoi Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që bën të mundur realizimin e këtyre programeve të rëndësishme për qytetarët./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara