Lajmet
A po bie salltanati i Erdoganit?
Megjithëse u përball me një konkurrencë të fortë, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) apo partia e Erdoganit mbeti në pozitën e dytë në skenën politike.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiAnalizë
Në një festë demokratike që përshëndet votuesit në të gjithë vendin, Turqia mbajti zgjedhjet lokale të saj më të rëndësishme më 31 mars 2024. Në këto zgjedhje të zhvilluara në 1393 komuna, vendi shënoi një fazë të re në historinë politike.
Me një përqindje prej 37.77% të votave, Partia Popullore Republikane (CHP) apo ashtu e konsideruara parti e Ataturkut u ngjit sërish në krye të skenës politike, duke e ngritur flamurin e saj në pozitën e parë për herë të parë që nga zgjedhjet e vitit 1977. CHP shënoi një fitore duke marrë pushtetin në 14 qytete metropolitane, duke përfshirë kryeqytetin Ankaranë dhe Stambollin, provincën më të madhe të vendit.
Megjithëse u përball me një konkurrencë të fortë, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) apo partia e Erdoganit mbeti në pozitën e dytë në skenën politike, duke ruajtur një bazë të fuqishme të votuesve me një përqindje votash prej 35.49%, e cila tregon një ndryshim në historinë e saj politike. Por surpriza e vërtetë erdhi nga një forcë e re politike: Partia e Ri-Mirëqenies (YRP) e Erbakanit. Edhe pse relativisht e re, e formuar në vitin 2018-të kjo parti shënoi një debutim në arenën politike, duke u renditur si e treta në vend me një përqindje votash prej 6.19%.
Nëse shikojmë mënyrën e votimit në këto zgjedhje lokale shohim se në Turqi ka rreth 61.5 milionë votues. Shkalla e votimit në këto zgjedhje ishte rreth 78 për qind. Kjo do të thotë se rreth 48 milionë nga 61.5 milionë votues kanë votuar. Afro 16 milionë prej tyre janë votues në pension dhe po aq janë punonjës me pagesë. Nëse supozojmë se 78 për qind e këtyre votuesve kanë votuar në përputhje me trendin e përgjithshëm, mund të mendojmë se në këto zgjedhje kanë votuar rreth 25 milionë zgjedhës në pension dhe ata që kanë të ardhura nga paga. Kjo do të thotë se pak më shumë se gjysma e atyre që votuan në zgjedhje janë në pension dhe fitojnë të ardhura nga paga. Rreth 7 milionë nga 16 milionë njerëz që punojnë aktivisht punojnë për pagën minimale. Këto zgjedhje sollën në vëmendje faktin se në një vend ku demokracia është ende në një fazë zhvillimi, zgjedhjet nuk janë thjesht një përballje politike, por një reflektim i qytetarëve për realitetin e tyre të përditshëm. Nëse shohim në mënyrë më të hollësishme, mund të themi se një pjesë e madhe e atyre që zgjodhën të votojnë në këto zgjedhje ishin pensionistë dhe punonjës me pagesë. Si duket në këto zgjedhje nuk është punuar me imtësi në shqyrtimin e kandidatëve ku së bashku me mosdaljen në votime të një pjese të popullsisë si një rebelim dhe paralajmërim ndaj politikave ekonomike të Erdoganit edhe kandidatët në shumë zona politike çuan në humbjen e një pjese të qyeteteve të konsideruara bastione të AKP-së.
Por si mund të shpjegojmë faktin që një pjesë kaq e madhe e tyre vendosën të japin votën e tyre kundër AKP-së apo partisë të Erdoganit? Nëse analizojmë situatën ekonomike dhe politike, përgjigja shfaqet gradualisht para syve tanë. Inflacioni dhe kostoja e jetesës janë bërë si një dëshmi e padiskutueshme e krizës që ka kapluar vendin. Shpërndarja e papërballueshme e të ardhurave dhe mungesa e një plani të qartë për të përballuar këtë situatë e bënë të pamundur për qeverinë të sigurojë mbështetjen e qytetarëve të saj. AKP, si parti në pushtet, ka pasur detyrimin dhe mundësinë për të ndryshuar këtë skenë. Por në vend të kësaj, politikat ekonomike të gabuara dhe mungesa e përpjekjeve për të ndihmuar ata që vuajnë më shumë nga pasiguria ekonomike e tyre kanë çuar në një shkëputje të thellë midis qeverisë dhe popullit.
Në një realitet ku vota bëhet një mjet i shprehjes për zhgënjimin dhe dëshirën për ndryshim, kjo humbje e madhe e votave për AKP-në nuk është thjesht një incident i izoluar. Ajo është një reflektim i një dëshpërimi të gjerë që ka kapluar shoqërinë, një thirrje për një ndryshim rrënjësor që i duhet bërë strukturës politike dhe ekonomike të vendit. Pra, nëse do të kemi një reflektim mbi këto zgjedhje, është e rëndësishme të kuptojmë se votuesit nuk po thonë vetëm “jo” politikave të AKP-së, por po kërkojnë një vizion të ri për të ardhmen e tyre.
Rikujtojmë se pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2023 në Turqi, skena politike u shndërrua thellësisht brenda 10 muajve të pasuar. Edhe pse presidenti Erdogan arriti të fitonte 52% të votave, një zhvillim i jashtëzakonshëm kuptimplotë shënoi këtë periudhë: për herë të parë që nga themelimi i partisë së tij, një forcë alternative doli si e dyta në këto zgjedhje. Kjo dëshmon besimin vazhdueshëm të popullit në Erdoganin, megjithatë, kundërshtarët e tij brenda bashkive përjetuan një rezistencë të fortë, edhe nga baza e vetë AKP-së, si dhe nga popullata në përgjithësi. Kjo tregon për një qëndrueshmëri të dyfishtë: një përkrahje ende të qëndrueshme për Erdoganin, por një kritikë të rritur ndaj kandidatëve të tjerë të AKP-së. Këto zhvillime tregojnë për një ndryshim në peizazhin politik të vendit, duke shtyrë për një reflektim të thellë për arsyet dhe implikimet e këtij ndryshimi të paparashikuar.
Pse votuesit ia kthyen shpinën AKP-së në këto zgjedhje lokale?
Në analizën e fitores së CHP-së shumë arsye janë përmendur për suksesin e saj. Megjithatë, një pyetje kritike që duhet të eksplorohet është: Pse AKP, një parti që ka qenë në pushtet për 22 vjet, u përball me një humbje kaq të rëndë në këto zgjedhje lokale?
Ka disa faktorë që mund të shpjegojnë humbjen e AKP-së në këto zgjedhje. Ndër to, impakti i faktorëve ekonomikë është i domosdoshëm për të kuptuar dinamikën e votimit. Inflacioni i lartë dhe kostoja e lartë e jetesës kanë rënduar në financat e familjeve turke, duke shkaktuar një përkeqësim gradual të kushteve ekonomike dhe rënien e standardit të jetesës për shumë qytetarë. Ky faktor është i rëndësishëm, duke marrë parasysh rëndësinë e çështjeve ekonomike në vendimmarrjen e votuesve. Përveç faktorëve ekonomikë, ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në humbjen e AKP-së. Për shembull, ndryshimet në politikën për refugjatët kanë shkaktuar rebelim tek një pjesë e qytetarëve, duke iu bërë një sfidë për qeverinë aktuale. Po ashtu, rritja e korrupsionit dhe shpërdorimit në sektorin publik ka zbehur besimin e publikut në qeverinë dhe ka nxitur një ndjenjë të moskënaqësisë ndaj autoriteteve.
Një aspekt i rëndësishëm është edhe organizimi dhe strategjia e CHP-së në këto zgjedhje. CHP punoi në përzgjedhjen e kandidatëve të duhur dhe në komunikimin e qasjes së tyre me votuesit, duke arritur të bindë një pjesë të tyre për të votuar për ta. Çdo faktor, nga ekonomia deri te politika, ka lënë një ndikim në preferencat e votuesve.

AKP pësoi humbje të mëdha në zgjedhjet lokale të 31 marsit
Zgjedhjet lokale të 31 marsit në Turqi solli humbje të rënda për AKP-në, duke shënuar një kthesë në peizazhin politik të vendit. Për herë të parë në 22-vjeçarin e saj në pushtet, AKP pësoi një humbje zgjedhore duke zbritur në vendin e dytë pas Partisë Popullore Republikane (CHP).
Nëse shikojmë normën totale të votave të AKP-së, e cila ra nga 44.33 për qind në zgjedhjet lokale të 2019-ës në 35.48 për qind në zgjedhjet e qeverisjes vendore të vitit 2024, është e qartë se ka një tendencë të dukshme të zvogëlimit të mbështetjes së saj në nivelin kombëtar. Kjo rënie e përqindjes së votave tregon një ndryshim të madh në preferencat e votuesve ndaj AKP-së dhe ndikon në stabilitetin e saj politik dhe legjitimitetin në skenën politike të Turqisë.
Analistët e BBC-së turke lidhin këtë rënie me krizën ekonomike, ndryshimet në stafin partiak dhe mungesën e mobilizimit të votuesve në nivel lokal. Megjithatë, mbështetja për Presidentin Erdogan dhe AKP-në vazhdon, me disa votues që u drejtuan te YRP dhe MHP ose që nuk u angazhuan në votime.
Pyetja që vjen në mendje është se çfarë e pret AKP-në në 4 vitet e ardhshme dhe si do të ndikojë dështimi i Erdoganit për të kandiduar sërish për president në vitin 2028? Kjo pyetje krijon një debat të vazhdueshëm rreth të ardhmes së AKP-së dhe të Erdoganit në politikën turke, duke thelluar spekulimet dhe analizat për sfidat dhe mundësitë e tyre të ardhshme.
Nëse largohesh nga AKP-ja, ku të shkojnë sytë?
Me një humbje të ndjeshme të votave në këto zgjedhje lokale, pyetja kritike për ku shkojnë votuesit që largohen nga AKP është thelbësore për të kuptuar ndryshimet në peizazhin politik të Turqisë. Ndërsa disa ekspertë shohin këtë zhvendosje si një lëvizje drejt opozitës, fakti që një pjesë e tyre janë përqafuar nga partitë si YRP dhe MHP, ndërsa disa nuk janë as të interesuar për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, rëndon pyetjen mbi integritetin e AKP-së dhe efektivitetin e saj në përfaqësimin e interesave të votuesve.
Duke u fokusuar në ndryshimin e pamjes së brendshme të AKP-së, vërehet se partia ka pësuar një ndryshim të rëndësishëm në organizim dhe drejtim. Shpesh herë, faktorët e brendshëm si ndryshimi i stafit dhe largimi nga orientimi komunal i partisë janë injektuar si arsye për largimin e votuesve. Sidoqoftë, një pikë e rëndësishme që vlen të theksohet është roli i Erdoganit në këtë kontekst. Me një fokus të shumëfishtë në pushtetin personal dhe eliminimin e konkurrencës brenda partisë, Erdogan ka bërë të vështirë për AKP-në të prodhojë një alternativë të fortë pas tij. Ky fenomen rrezikon të fuqizojë imazhin e AKP-së si një parti e cila po varet gjithnjë e më shumë nga figura e Erdoganit, duke e bërë atë të varur nga fati i tij.
Megjithatë, ndryshimi në peizazhin politik nuk është një proces i thjeshtë, dhe një shikim më thellë në të ardhmen e AKP-së sugjeron një portret të fragmentuar dhe një lëvizje drejt një perspektive më të vështirë për partinë. Çdo humbje e vështirë në zgjedhjet e ardhshme do të rëndojë mbi autoritetin dhe legjitimitetin e saj, duke lënë hapësirë për ndryshime të mëdha në skenën politike të Turqisë.

Çfarë mendon bota për fitoren e CHP-së dhe humbjen e AKP-së në zgjedhjet turke?
Në një skenë tërthorazi politike, fitorja e Partisë Popullore Republikane dhe humbja e AK Partisë në zgjedhjet vendore të 31 marsit në Turqi, janë vërtet një kthesë e rëndësishme. Kjo kthesë ka bërë që bota e lajmeve të rrëzohet në një valë shqetësimesh dhe spekulimesh për të ardhmen politike të vendit.
Agjencia e lajmeve Associated Press (AP), si një zë i rëndësishëm në botën e lajmeve, ka bërë një vlerësim ku zgjedhjet i sheh si “humbje e madhe për Presidentin Erdogan”.
AP komentoi se “Zgjedhjet ishin gjithashtu një provë për popullaritetin e Erdoganit” dhe “Fitorja nga CHP në Ankara dhe Stamboll në 2019 shkatërruan imazhin e pathyeshmërisë së Erdoganit”. Edhe pse një vlerësim i tillë i dukshëm dhe i fortë mund të jetë i predispozuar nga një qëndrim i caktuar ndaj Erdoganit dhe politikës së tij, u la pas dore analiza e hollësishme e faktorëve të tjerë që kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Lajmi i botuar nga Gazeta New York Times (NYT) përfiton nga një perspektivë e përqendruar në situatën ekonomike të Turqisë për të shpjeguar suksesin e opozitës në zgjedhjet vendore të fundit. New York Times shkroi se “në një mjedis ku votuesit janë të zemëruar për situatën ekonomike, opozita ka bërë fitime kundër partisë qeverisëse të Presidentit Erdogan në të gjithë Turqinë në zgjedhjet lokale”.
Në anën tjetër, lajmi i Gazetës Wall Street Journal (WSJ) mbart një vlerësim të përgjithshëm të situatës politike në Turqi. Gazeta shkruan se “Erdogan pësoi disfatë në zgjedhjet në Turqi”, dhe kjo politikë e medias ka tërhequr vëmendjen për ndikimin negativ të ekonomisë së keqe në rezultatet zgjedhore. Gazeta britanike The Guardian shkroi në lajmin e saj të titulluar “Partia kryesore e opozitës në Turqi me fitore dërrmuese në zgjedhjet ku votuesit ia kthyen shpinën Erdoganit” se opozita kryesore i dha një “disfatë të papritur” qeverisë së Rexhep Tajip Erdogan. Gazeta raportoi se rezultatet e zgjedhjeve shiheshin si një simbol i pakënaqësisë ndaj Erdoganit, i cili u përpoq të mbledhë mbështetësit e tij në qendrat e votimit në zgjedhjet lokale menjëherë pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar. Në një raport të Financial Times (FT), politikën e drejtojnë te Presidenti Erdogan që shkruajnë se pësoi një nga goditjet më të rënda elektorale që kur erdhi në pushtet 22 vjet më parë. Ekonomia, sipas FT-së, ishte problemi kryesorë që sfiduan më shumë Erdoganin në këto zgjedhje.
Çka e dallon fitoren e CHP-së nga humbja e AKP-së?
Pas grumbullimit të votave dhe rrokullisjes së saj nëpër kuti, historia zgjedhore e Turqisë nuk u shkrua vetëm me humbjen e AKP-së. Në sfond, në hije të turbullirave politike, një fitore e fshehur po shndërrohej në realitet. Fjala është për triumfin e CHP-së, një fitore e cilësuar si e harruar në valën e emocioneve që shoqëruan humbjen e Erdoganit.
Në vend që të kthehet dorë për të analizuar pse AKP ka humbur, le të ndalojmë momentalisht për të shtruar një pyetje më thelbësore: pse CHP fitoi? Çka ishte ajo përbërja magjike që bëri dallimin? Kush ishte artizani i këtij ndryshimi radikal?
Kryetari i CHP-së, Özgür Özel, bashkë me stafin e tij, reflektoi mbi triumfin në qytetin e Ankarsë. Ai theksoi se “arroganca humbi, dhe fitoi gjuha që nuk diskriminon askënd”. Në këtë fitore, CHP humbi vetëm disa qytete, por shndërroi shumë bastione të AKP-së në terrenin e tyre. CHP në këto zgjedhje lexoi sjelljen e votuesve si një reagim ndaj situatës ekonomike dhe arrogancës së AKP-së. Sipas Özel “CHP shkatërroi tavanin e padukshëm prej 25 për qind mbi kokën e saj dhe e copëtoi atë dhe se aspekt kyç i suksesit ishte gjuha që përdori CHP-ja, e cila ishte larg polarizimit dhe diskriminimit, duke e theksuar mes tjerash “Aleanca Turke”. Kjo e bëri atë një alternativë tërheqëse për një gamë të gjerë votuesish, përfshirë ata që ishin të lodhur nga retorika e ashpër e AKP-së dhe MHP-së. Duke analizuar këtë fitore, CHP vlerësoi se ata arritën sukses për shkak të menaxhimit të mirë të procesit zgjedhor dhe kandidatëve të tyre të zgjedhur me kujdes. Ata po asimilojnë një spektër të gjerë të votuesve, duke filluar nga kurdët dhe të djathtët konservatorë deri tek socialistët. CHP e sheh veten si avokat të lënduarve dhe të papunëve, duke premtuar të organizojë opozitën sociale dhe të përfaqësojë nevojat e tyre.

A po bie salltanati i Erdoganit?
Pas zgjedhjeve të 1 marsit, fjalimi i Erdoganit shënon një përpjekje të fuqishme për të rikthyer besimin e popullsisë pas humbjes së rëndë në zgjedhjet lokale. Erdogan ka përdorur retorikën e demokracisë për të legjitimuar rezultatin, duke theksuar se vendimi i popullit u bë pa presion apo imponim. Në këtë fjalim Erdogan, përqëndrohet thellësisht në suksesin e procesit zgjedhor, duke e ngritur fitoren e demokracisë dhe rolin e vendimmarrjes së popullit si pikë qendrore. Erdogan shprehet se “1 marsi nuk është fundi, është pika e kthesës”, duke e çuar përpara demokracinë si fituese kryesore. Fjalimi përmban edhe ftesa për bashkëpunim dhe unitet, ndërkohë që premton përmirësimin e ekonomisë dhe luftën kundër organizatave terroriste. Megjithatë, mungesa e detajeve të qarta për strategjitë specifike mund të përballen me skepticizëm në lidhje me aftësinë e qeverisë për të plotësuar këto premtime.
Çfarë do të sjellë e ardhmja për Erdoganin, çka do të ndodh me Turqinë e çka me të ashtuquajturit “Atatürkçüler” dhe se a po bie salltanati i Erdoganit? Në një kontekst ku presioni rritet dhe humbjet zgjedhore përshkallëzohen, ajo që vjen pas kësaj pike mbetet për t’u parë. Mbetet të shihet nëse përfundimi do të jetë i njëjtë “Ben bitti demeden bitmez” – Nuk ka mbaruar derisa të them se ka mbaruar.
Situata politike dhe ekonomike në Turqi ka ardhur në një pikë kritike ku e ardhmja e vendit nuk është e qartë. Kriza ekonomike dhe tensionet politike po krijojnë një atmosferë të vështirë për popullsinë turke, me shenja të dukshme të ankthit dhe pasigurisë. Hapat që do të ndërmerren për të adresuar këto sfida do të jenë vendimtare për fatin e Presidentit Erdogan dhe AKP-së. Në këtë kontekst, ka debate në lidhje me efektivitetin e masave që janë marrë dhe ata që pritet të merren për të stabilizuar ekonominë. Një pjesë e analistëve parashikojnë se përplasjet në brendinë e AKP-së mund të sjellin ndryshime të rëndësishme politike në Turqi, ndërsa të tjerë besojnë se kjo situatë mund të përshkallëzojë konfliktet dhe rreziqet për stabilitetin politik.
Opozita sheh bindjen për të përfituar nga këto trazira brenda AKP-së, duke e parë si një mundësi për të arritur fitore në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, kjo është një betejë e vështirë dhe e paqartë. Ndërkohë, Presidenti Erdogan po përballet me revoltën brenda partisë së tij dhe një opozitë të fortë. Në këtë skenë të turbullt politike, të gjithë janë në kërkim të një rrugëdaljeje, ndërsa të ardhmen e vendit e vë në pikëpyetje. Në fund të fundit, vetëm koha do të tregojë se si do të zhvillohen ngjarjet në Turqi. Por për momentin, një gjë është e sigurt: trazirat politike dhe ekonomike po shpalosin një panoramë të pasigurt dhe të komplikuar për të gjithë aktorët politikë. Çdo gjë është në lojë dhe asgjë nuk është e sigurt!/UBTNews/
© Dionesa Ebibi
lajme
Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së
Published
17 hours agoon
July 31, 2026By
UBTNews
Në një kohë kur teknologjia po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë ekonomitë, bizneset dhe institucionet publike, një pyetje bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për të rinjtë: cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?
Përgjigjja vjen nga Future of Jobs Report 2025, raporti i World Economic Forum, i cili analizon transformimin e tregut global të punës përmes të dhënave të mbledhura nga mijëra punëdhënës në mbarë botën. Sipas raportit, deri në vitin 2030 do të krijohen rreth 170 milionë vende të reja pune, ndërsa miliona role tradicionale do të transformohen ose do të zëvendësohen si rezultat i inteligjencës artificiale, automatizimit, tranzicionit të gjelbër dhe transformimit digjital.

Në krye të listës së profesioneve me rritjen më të shpejtë renditen Big Data Specialists, FinTech Engineers, Artificial Intelligence and Machine Learning Specialists, Software and Applications Developers, Security Management Specialists, Information Security Analysts, Data Scientists, UI/UX Designers, Internet of Things Specialists, Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers, si dhe specialistët e automjeteve autonome dhe elektrike.
Në këtë kontekst, një analizë e ofertës akademike të UBT-së tregon një përputhje të qartë me prioritetet që identifikon World Economic Forum. Institucioni ka ndërtuar një ekosistem të arsimit të lartë që i përgjigjet transformimit të tregut të punës, duke ofruar programe studimi në fusha që lidhen drejtpërdrejt me profesionet me rritjen më të shpejtë në nivel global.
Në fushën e teknologjisë, UBT ofron programe si Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, Inxhinieri e Mekatronikës, si dhe specializime në Inteligjencë Artificiale, Data Science, Cyber Security, Cloud Computing, Machine Learning, Internet of Things (IoT) dhe Robotikë, duke përgatitur profesionistë për rolet që raporti i World Economic Forum i rendit ndër më të kërkuarat në botë.
Një nga profesionet me rritjen më të shpejtë sipas raportit është FinTech Engineer, një profil që po transformon sektorin financiar përmes teknologjisë. Duke e parë këtë zhvillim, UBT ka zhvilluar programin FinTech, i cili kombinon financën, teknologjinë, analizën e të dhënave dhe inovacionin digjital, duke përgatitur specialistë për industrinë financiare të së ardhmes.
Transformimi global nuk kufizohet vetëm në sektorin e teknologjisë. Raporti evidenton se tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër po krijon një kërkesë të jashtëzakonshme për Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers dhe specialistë të sistemeve energjetike. Për këtë arsye, programet e Inxhinierisë së Mjedisit, Inxhinierisë së Energjisë dhe Inxhinierisë Mekanike në UBT marrin një rëndësi strategjike, duke përgatitur profesionistë që do të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së pastër, teknologjive të qëndrueshme, efikasitetit energjetik dhe infrastrukturës moderne.
Në të njëjtën kohë, zhvillimi i industrisë automobilistike drejt automjeteve elektrike dhe autonome po krijon mundësi të reja për inxhinierët mekanikë dhe ekspertët e sistemeve inteligjente, fusha në të cilat UBT ka investuar në laboratorë modernë dhe mjedise praktike të të nxënit.
Raporti i World Economic Forum evidenton gjithashtu rritjen e vazhdueshme të kërkesës për profesionet që lidhen me sigurinë. Përveç Information Security Analysts, të cilët mbrojnë infrastrukturat digjitale nga sulmet kibernetike, raporti rendit edhe Security Management Specialists, si rezultat i sfidave të reja gjeopolitike dhe rritjes së nevojës për menaxhimin e rreziqeve. Në këtë drejtim, UBT ofron programe në Studime të Sigurisë, krahas programeve në Cyber Security, duke kombinuar sigurinë fizike, sigurinë kombëtare dhe atë digjitale në një qasje multidisiplinare.
Ndërkohë, transformimi i industrisë ushqimore dhe rritja e fokusit global në sigurinë ushqimore, teknologjitë e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm kanë rritur rëndësinë e profesionistëve të Shkencave të Ushqimit. Përmes këtij programi, UBT përgatit ekspertë që kontribuojnë në kontrollin e cilësisë, nutricionin, inovacionin ushqimor, teknologjinë e përpunimit dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.
Përtej programeve akademike, UBT ka ndërtuar zhvillimin mbi një ekosistem të plotë inovacioni. Institucioni ofron mbi 50 programe studimi, mbi 150 fusha specializimi, më shumë se 200 laboratorë modernë, bibliotekën më të madhe akademike në Kosovë. UBT Smart City, është kthyer në rol model dhe ka tërhequr interesin e institucioneve dhe studiuesve ndërkombëtarë për t’u analizuar si praktikë e zhvillimit universitar, ndërsa së fundmi USA Today e ka përshkruar UBT-në si “Silicon Valley of the Balkans”, duke theksuar rolin në ndërtimin e një ekosistemi të avancuar të teknologjisë, laboratorëve, parqeve teknologjike dhe inovacionit që përgatit profesionistë për tregun global.
Përmes laboratorëve të specializuar dhe qendrave kërkimore, studentët angazhohen në projekte që lidhen me Artificial Intelligence, Big Data, Cyber Security, Internet of Things, Cloud Computing, Virtual Reality, Extended Reality, Smart Cities, 5G, automatizimin industrial dhe transformimin digjital. Kjo qasje i afron ata me teknologjitë që sot po udhëheqin ekonominë globale dhe që sipas World Economic Forum do të përcaktojnë profesionet e dekadës së ardhshme.
Raporti vlerëson se deri në vitin 2030, rreth 39% e aftësive aktuale të fuqisë punëtore do të transformohen, ndërsa punëdhënësit do të kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë me kompetenca në analizën e të dhënave, inteligjencën artificiale, zhvillimin e softuerit, sigurinë, inxhinierinë, energjinë, qëndrueshmërinë, kreativitetin dhe komunikimin.
Nëse dekada e kaluar u karakterizua nga revolucioni i internetit, dekada që po jetojmë po karakterizohet nga inteligjenca artificiale, ekonomia e të dhënave, tranzicioni i gjelbër dhe transformimi digjital. Treguesit globalë dëshmojnë se profesionet me rritjen më të shpejtë janë pikërisht ato që ndërthurin teknologjinë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Përmes programeve në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, FinTech, Studime të Sigurisë, Inxhinieri të Mjedisit, Inxhinieri të Energjisë, Inxhinieri Mekanike, Shkenca të Ushqimit, Media dhe Komunikim, si dhe dhjetëra programeve të tjera të orientuara drejt inovacionit, UBT po kontribuon në përgatitjen e profesionistëve që do të jenë pjesë e transformimit të ekonomisë globale dhe e tregut të punës të së ardhmes.
Lajmet
34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi
Published
18 hours agoon
July 31, 2026By
UBT News
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.
“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.
Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.
“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.
Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.
Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/
Magazinë
Dua Lipa promovon Prishtinën në Google Street View: “Vendlindja ime tani mund të eksplorohet virtualisht”
Published
18 hours agoon
July 31, 2026By
UBT News
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar një video në llogarinë e saj në Instagram, përmes së cilës promovon Prishtinën dhe njofton se kryeqyteti i Kosovës tashmë mund të eksplorohet edhe përmes shërbimit Google Maps Street View.
Në përshkrimin e videos, artistja shkruan: “Mirë se vini në Prishtinë! Sot është dita e parë e Sunny Hill Festival dhe, për ta festuar këtë, të gjitha restorantet, arkitektura dhe kultura që unë i dua tani mund të eksplorohen në Google Maps Street View.”
Në video, Dua Lipa flet për lidhjen e saj të veçantë me qytetin ku u rrit dhe i fton ndjekësit ta zbulojnë Prishtinën përmes syve të saj.
“Asnjëherë nuk mund ta njohësh një vend derisa ta shohësh me sytë e tu. Vendlindja ime, Prishtina, është tani në Google Maps Street View,” thotë ajo.
Artistja prezanton disa prej vendeve të saj të preferuara në kryeqytet, duke nisur me një librari që, sipas saj, e viziton sa herë kthehet në Prishtinë, ku gjithmonë gjen një libër në gjuhën shqipe që nuk e ka lexuar më parë.
Ajo ndalet gjithashtu në disa restorante dhe bare, të cilat, sipas saj, pasqyrojnë kulturën shqiptare, energjinë dhe atmosferën unike të Prishtinës.
Në fund të videos, Dua Lipa i kushton rëndësi edhe Sunny Hill Festival, të cilin e cilëson si një ëndërr të bërë realitet dhe një ngjarje që mishëron frymën e qytetit, duke mbledhur çdo vit mijëra vizitorë dhe artistë nga e gjithë bota.
Publikimi i videos përkon me nisjen e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, duke promovuar njëkohësisht Prishtinën, kulturën e saj dhe mundësinë që tashmë qyteti të eksplorohet virtualisht përmes Google Maps Street View./A.K/
Lajmet
Një person me pesë identitete, arrestohet i dyshuari në Prishtinë – del të jetë shtetas i Shqipërisë, i dënuar për vrasje
Published
19 hours agoon
July 31, 2026By
UBT News
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), si dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Sipas Prokurorisë, rasti ka nisur më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. ishte paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të rinovuar dokumentet e identifikimit. Gjatë verifikimeve, zyrtarët kanë konstatuar se identiteti i paraqitur i përkiste një personi të ndjerë prej vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.
I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ndërsa ka shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit.
Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë iniciuar bashkëpunim ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat dhe gjurmët e gishtërinjve.
Nga informacionet e siguruara përmes autoriteteve të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe udhëtuar në disa shtete evropiane.
Hetimet e mëtejshme, në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, kanë bërë të mundur identifikimin e identitetit të tij të vërtetë. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për shtetasin e Shqipërisë me inicialet E.K., i cili kërkohej ndërkombëtarisht me njoftim të kuq (Red Notice) nga Interpoli.
Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se E.K. është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për sjelljen para drejtësisë të personave që kërkohen nga ligji./A.K/
Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së
34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi
Dua Lipa promovon Prishtinën në Google Street View: “Vendlindja ime tani mund të eksplorohet virtualisht”
Një person me pesë identitete, arrestohet i dyshuari në Prishtinë – del të jetë shtetas i Shqipërisë, i dënuar për vrasje
Këshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
Sunny Hill Festival nis sot në Prishtinë, Katy Perry ylli kryesor i mbrëmjes së parë
32 vjet burgim për katër të akuzuarit në rastin “Toka 2”, konfiskohen 45 ngastra kadastrale
Fillon procesi “Reçaku”, lexohet aktakuza me të akuzuarit në mungesë
Haxhiu: Regjistrimi i deputetëve nis më 3 gusht, seanca konstituive më 6 gusht
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoYll Limani falënderon fansat pas dy netëve koncert në Tiranë
-
Sport20 hours agoKëshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
-
Lajmet1 week agoSHBA vendos tarifa ndaj 60 vendeve për punën e detyruar
-
Lajmet1 day agoHamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

