Lajmet

A mund të mbijetojë Putini? Çfarë na mësoi shembja e Bashkimit Sovjetik?

Lufta duket shumë ndryshe në rrëfimet e Putinit sesa për Perëndimin.

Published

on

Nga Vladislav Zubok

“Foreign Affairs”

Më 9 maj 2022, një kolonë tankesh dhe artilerie parakaloi në Sheshin e Kuq të Moskës.

Mbi 10.000 ushtarë marshuan nëpër rrugët e qytetit. Ishte e Ditës së Fitores, në të cilën Rusia përkujton triumfin e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Presidenti Vladimir Putin, mbajti një fjalim duke vlerësuar ushtrinë dhe forcën e vendit të tij: “Mbrojtja e atdheut tonë kur ka qenë në rrezik, ka qenë gjithmonë një mision i shenjtë. Ne nuk do të dorëzohemi kurrë!”. Putin po fliste për të kaluarën, por edhe për të tashmen, me një mesazh të qartë për pjesën tjetër të botës: Rusia është e vendosur të vazhdojë luftën e saj kundër Ukrainës.

Lufta duket shumë ndryshe në rrëfimet e Putinit sesa për Perëndimin. Sipas tij, ajo është e drejtë, e guximshme, dhe e suksesshme. Në realitet, trupat ruse janë përballur me rezistencë të ashpër nga ukrainasit, dhe ato nuk arritën të pushtonin Kievin dhe të rrëzonin qeverinë e Ukrainës.

Por për Putin, fitorja mund të jetë i vetmi rezultat i pranueshëm publikisht. Asnjë rezultat alternativ nuk diskutohet hapur në Rusi. Por këto të fundit diskutohen në Perëndim, i cili ka qenë gati i ngazëllyer për suksesin e Ukrainës. Dështimet ushtarake të Rusisë e kanë rigjallëruar aleancën transatlantike.

Madje në një moment e kanë bërë Moskën të duket si një fuqi kleptokratike e shkallës së tretë. Shumë politikë-bërës dhe analistë po ëndërrojnë tani që konflikti të përfundojë jo vetëm me një fitore të Ukrainës. Ata shpresojnë që regjimi i Putin të pësojë të njëjtin fat si Bashkimi Sovjetik: shembjen.

Kjo shpresë është e dukshme në shumë artikuj dhe fjalime që bëjnë krahasime midis luftës katastrofike të Bashkimit Sovjetik në Afganistan dhe pushtimit rus të Ukrainës. Lufta, thonë ata, do ta dëmtojë mbështetjen e rusëve për Kremlinin, teksa po shtohen humbjet dhe sanksionet që po e dërrmojnë ekonominë ruse.

Të shkëputur nga qasja tek mallrat, tregjet dhe kultura perëndimore, si elitat po ashtu edhe rusët e zakonshëm, do të nervozohen gjithnjë e më shumë me Putin, ndoshta duke dalë në rrugë për të kërkuar një të ardhme më të mirë. Në fund, Putin dhe regjimi i tij mund të bien nga një grusht shteti apo nga një valë protestash masive.

Por ky mendim bazohet tek një lexim të gabuar të historisë. Bashkimi Sovjetik nuk u shemb për arsyet që tregojnë perëndimorët: një humbje poshtëruese në Afganistan, presioni ushtarak nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, tensionet nacionaliste në republikat e saj përbërëse dhe ardhja e demokracisë.

Në realitet, ishin politikat e gabuara ekonomike sovjetike dhe një seri gabimesh politike nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev, ato që sollën vetë-shkatërrimin e këtij vendi. Dhe Putin ka mësuar shumë nga kolapsi sovjetik, duke arritur të shmangë kaosin financiar që e rrënoi shtetin sovjetik, pavarësisht sanksioneve të shumta.

Rusia sot ka një kombinim shumë të ndryshëm të qëndrueshmërisë dhe cënueshmërisë, nga ai që karakterizoi Bashkimin Sovjetik të epokës së vonë. Kjo histori ka rëndësi, pasi duke menduar për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj, Perëndimi duhet të shmangë projektimin e keqkuptimeve të tij për rënien sovjetike në Rusinë e sotme.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Perëndimi është i pafuqishëm, në formësimin e së ardhmes së Rusisë. Regjimi i Putin është më i qëndrueshëm se ai i Gorbachev. Por nëse Perëndimi do t`ia dalë të qëndrojë i bashkuar, ai mund të jetë ende në gjendje të minojë dalëngadalë fuqinë e presidentit rus.

Me pushtimin e Ukrainës, Putini ka bërë një gafë të madhe, e cila ka nxjerrë na pah dobësitë e regjimit. Një ekonomi ruse, shumë më e ndërvarur nga ekonomitë perëndimore sesa paraardhësja e saj sovjetike, dhe një sistem politik shumë i centralizuar, të cilit i mungojnë mjetet për mobilizimin politik dhe ushtarak që zotëronte dikur Partia Komuniste. Nëse vazhdon lufta në Ukrainë, Rusia do të bëhet një aktore ndërkombëtare më pak e fuqishme. Madje, një pushtim i gjatë në kohë, mund të çojë në atë lloj kaosi që e rrëzoi dikur Bashkimin Sovjetik. Por udhëheqësit perëndimorë, nuk mund të shpresojnë për një fitore kaq të shpejtë dhe vendimtare. Edhe për një të ardhme të parashikueshme, ata do të duhet të përballen me një Rusi autoritare, sado e dobësuar qoftë ajo.

Në SHBA dhe Evropë, shumë ekspertë supozojnë se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte e pashmangshme. Sipas kësaj narrative, Bashkimi Sovjetik ishte fosilizuar prej kohësh si  ekonomikisht po ashtu edhe ideologjikisht. Përpjekjet e Gorbachev për liberalizim ishin qëllim-mira, por nuk mund ta shpëtonin një sistem që po vdiste.

Tek kjo histori ka disa të vërteta. Bashkimi Sovjetik nuk mund të rivalizonte kurrë me sukses ushtarakisht apo teknologjikisht me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Udhëheqësit sovjetikë u përpoqën shumë që të arrinin Perëndimin, por vendi i tyre mbeti gjithmonë prapa tij.

Në fushën e betejës së ideve dhe imazheve, liria dhe prosperiteti perëndimor ndihmuan në përshpejtimin e rënies së ideologjisë komuniste, pasi elitat e reja sovjetike humbën besimin te komunizmi, dhe fituan një interes të madh për mallrat e huaja, udhëtimet dhe kulturën popullore perëndimore. Dhe projekti perandorak sovjetik u përball me pakënaqësi dhe përbuzje nga pakicat e brendshme etnike.

Putin i di mirë këto. Presidenti aktual rus deklaroi dikur se “shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike” e shekullit XX. Ndaj ai e ka strukturuar regjimin e tij në mënyrë të tillë që të shmangë të njëjtin fat. Ai e kuptoi se Marksi dhe Lenini e kishin pasur gabim në lidhje me ekonominë, dhe është përpjekur të kuptojë se si mund të mbijetonte Rusia, dhe njëherazi të lulëzonte nën kapitalizmin global.

Ai solli në qeveri ekonomistë të aftë, dhe e bëri stabilitetin makroekonomik dhe buxhetin e balancuar ndër prioritetet e tij kryesore. Gjatë dekadës së parë të sundimit të tij, rritja e çmimeve të naftës i mbushi arkat e Rusisë, dhe Putini shleu shumë shpejt borxhin prej 130 miliardë dollarësh që Rusia i detyrohej bankave perëndimore.

Ai i mbajti në minimum nivelet e borxheve të ardhshme, dhe qeveria e tij filloi të grumbullonte rezerva në valutë dhe ar. Kur Putin aneksoi Krimenë në vitin 2014, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj naftës ruse dhe industrive të tjera, dhe çmimet e naftës ranë po aq sa në kohën e Gorbachev.

Por qeveria ruse reagoi me shkathtësi. Nën drejtimin e kreut të Bankës Qendrore Elvira Nabiullina dhe Ministrit të Financave Anton Siluanov, qeveria ruse lejoi zhvlerësimin e rublës, duke e rivendosur stabilitetin makroekonomik. Pas një rënieje të shkurtër, ekonomia ruse u ringjall. Edhe gjatë pandemisë COVID-19, vendi ruajti një disiplinë fiskale të rreptë. Ndërsa shtetet perëndimore shtypën triliona dollarë për të subvencionuar ekonomitë e tyre, Rusia e rriti suficitin e saj buxhetor. Ekonomistët e qeverisë ruse “janë më të shenjtë sesa Papa në zbatimin” e qasjes së mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, thotë Dmitry Nekrasov, një ish-ekonomist që ka punuar në qeverinë ruse.

Deri në fillim të këtij viti, shteti i Putin kishte grumbulluar më shumë se 600 miliardë dollarë rezerva financiare, një nga më të mëdhatë në botë. Ai besonte se ato do t’i jepnin mundësi vendit që të zbehte rolin e sanksioneve perëndimore. Por përgjigja financiare e Perëndimit ishte shumë më e ashpër nga sa priste ai.

Ekspertët parashikuan kolapsin e monedhës ruse dhe shpërthimin e protestave të mëdha që mund të sillnin rrëzimin e Putinit. Por asnjë nga këta skenarë nuk u realizua. Në fillim  rubla u dobësua, por Nabiullina dhe Siluanov vepruan shpejt për ta shpëtuar atë. Nëse Gorbachev do të ishte ndihmuar nga ekspertë të tillë, Bashkimi Sovjetik mund të kishte mbijetuar.

Por Perëndimi duket i përgatitur në vazhdojë qasjen e tij, ndërsa sfidë mbetet ruajtja e unitetit. Në terma afatgjatë, është e mundur të imagjinohet se ato do ta dobësojë seriozisht shtetin rus. Separatizmi mund të rritet apo të rikthehet në disa rajone si Çeçenia, nëse Kremlini ndalon pagesat bujare ndaj banorëve të tyre.

Por edhe një Rusi shumë më e dobët, nuk është e destinuar të pësojë një shpërbërje të stilit të Bashkimit Sovjetik. Separatizmi kombëtar nuk është aq një kërcënim për Rusinë e sotme, ku afërsisht 80 për qind e qytetarëve të vendit e konsiderojnë veten si rusë etnikë, siç ishte dikur për Bashkimin Sovjetik.

Megjithatë, Perëndimi duhet të qëndrojë në rrugën që ka nisur, pasinë fund të fundit kjo do të jetë një periudhë në të cilën Ukraina dhe Perëndimi duhet të bashkëjetojnë me një shtet rus të dobësuar dhe të poshtëruar, por që mbetet ende autokratik.

Marrë me shkurtime nga Foreign Affairs

Shënim: Vladislav Zubok, profesor i historisë ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Londrës, dhe autor i librit “Rënia e Bashkimit Sovjetik”.

Rajoni

Maqedonci: Raketat kineze, kërcënim i Serbisë ndaj fqinjëve

Published

on

By

Blerja e fundit e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina ka nxitur reagimin e Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci.

Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se ky armatim shërben për mbrojtje, duke i cilësuar lëvizjet e Beogradit si një shpërfaqje të hapur të tendencave hegjemoniste ndaj vendeve fqinje.

Sipas ministrit, asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur qëllime agresive, ndërkohë që është vetë Serbia ajo që mban pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ai vuri në dukje se furnizimi me sisteme raketore kundër-ajrore si FK3, HQ-17 dhe radarë të ndryshëm nga Kina është vazhdimësi e politikës së Aleksandar Vuçiqit për të sfiduar sigurinë në rajon përmes bashkëpunimit me vende joanëtare të NATO-s.

“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se këto raketa “tmerrësisht të shtrenjta” janë integruar me sukses në avionët ushtarakë rusë MiG-29. Ai e arsyetoi këtë blerje si një përgatitje ndaj asaj që ai e quajti “aleanca e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, duke iu referuar deklaratës për bashkëpunim në mbrojtje që këto tri vende nënshkruan në mars të vitit 2025.

Lajmi për armatimin e ri ka alarmuar edhe fqinjët e tjerë. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka paralajmëruar se do ta adresojë këtë çështje direkt në strukturat e NATO-s. Ndërkohë, të dhënat e fundit nga instituti SIPRI konfirmojnë se Kina është bërë partneri kryesor ushtarak i Serbisë, duke mbuluar 57% të importeve të armëve, e ndjekur nga Rusia me 20%. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Uashingtoni tërhiqet përkohësisht nga sanksionet ndaj Moskës për të ulur çmimet

Published

on

By

Uashingtoni ka marrë këtë vendim emergjent për të stabilizuar tregjet globale të energjisë, të cilat janë tronditur rëndë nga lufta me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një leje të posaçme 30-ditore, e cila u mundëson vendeve të blejnë naftë dhe produkte të naftës ruse që aktualisht kanë mbetur të bllokuara në det për shkak të sanksioneve. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se ky hap është i domosdoshëm për të stabilizuar tregun energjetik, i cili po përballet me pasiguri të mëdha pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, siç raporton Reuters.

Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës pësuan një rënie të lehtë mëngjesin e së premtes në tregjet aziatike. Sipas përfaqësuesit rus, Kirill Dmitriev, ky vendim do të lirojë rreth 100 milionë fuçi naftë bruto ruse, sasi kjo që barazohet pothuajse me prodhimin ditor global.

Kjo është hera e dytë brenda pak më shumë se një jave që administrata e Presidentit Donald Trump tërhiqet nga sanksionet e lidhura me luftën në Ukrainë. Ky veprim shihet si një përpjekje për të zbutur çmimet e energjisë, pasi sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit kanë paralizuar transportin përmes Ngushticës së Hormuzit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) deklaroi të enjten se kjo është ndërprerja më e madhe e furnizimit me naftë në histori.

Leja vlen deri më 11 prill

Dokumenti i lëshuar nga Uashingtoni autorizon shitjen dhe dërgesat e naftës ruse që është ngarkuar në anije para datës 12 mars dhe vlen deri në mesnatën e 11 prillit 2026. Ky vendim pasqyron shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë se rritja e çmimeve (mbi 100 dollarë për fuçi) do të dëmtojë bizneset dhe konsumatorët amerikanë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Sekretari Bessent u shpreh se masa është “afatshkurtër” dhe nuk do t’i sjellë përfitime të mëdha financiare qeverisë ruse. “Rritja e çmimeve është një ndërprerje e përkohshme, por veprimet tona do të sjellin përfitime masive për ekonominë tonë në afatgjatë,” tha ai, duke përsëritur qëndrimin e Presidentit Trump.

Përplasje me aleatët evropianë

Ndryshe nga Uashingtoni, aleatët evropianë janë shprehur kundër zbutjes së sanksioneve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “tani nuk është koha për të liruar presionin ndaj Rusisë”. Po ashtu, qeveria britanike konfirmoi se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj, duke e quajtur këtë një “moment kritik në agresionin rus kundër Ukrainës”.

Pezullimi i sanksioneve vjen pas një bisede telefonike mes Trumpit dhe Putinit më 9 mars, dhe një vizite të mëvonshme të delegacionit rus në SHBA, ku morën pjesë edhe emisarët e afërt të Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. /Reuters/

 

Continue Reading

Rajoni

Hiqet fusnota për Kosovën në Komitetin Evropian të Rajoneve

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka mirëpritur vendimin e Komitetit Evropian të Rajoneve për të hequr fusnotën nga emërtimi i Republikës së Kosovës në të gjitha dokumentet dhe komunikimet e tij zyrtare.

Sipas njoftimit të MPJD-së, ky hap i rëndësishëm institucional e harmonizon praktikën e këtij mekanizmi me atë të Parlamentit Evropian, duke shënuar një progres të ri në procesin e integrimit evropian të vendit.

“Ky vendim e harmonizon praktikën e këtij institucioni me emërtimin zyrtar që përdoret nga Parlamenti Evropian, dhe përbën një zhvillim të rëndësishëm institucional në integrimin evropian të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë zhvillim, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka shprehur mirënjohje të veçantë për raportuesen Gillian Coughlan.

Ai vlerësoi lart angazhimin e saj të vazhdueshëm në kuadër të Grupit Punues për Kosovën, duke e cilësuar këtë vendim si një njohje të rëndësishme për subjektivitetin institucional të Kosovës në arenën evropiane.

Continue Reading

Lajmet

REL: Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NATO-n

Published

on

By

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi më 12 mars se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë i kanë integruar tashmë me sukses raketat kineze në avionët luftarakë rusë MiG-29, të cilët i zotërojnë.

Deklarata e tij vjen pasi një forum i specializuar ushtarak publikoi së voni fotografi që tregonin disa avionë luftarakë të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Një avion, siç u pretendua, ishte i armatosur me një raketë kineze ajër-tokë me rreze të gjatë veprimi, me shenjën CM-400.

Tjetri, sipas raportit, mbante një bombë ajrore LS-6, gjithashtu të prodhuar në Kinë.

Vuçiq tha se avionët me raketat kineze ishin “filmuar rastësisht”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarit se sa kushtuan raketat kineze.

“Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se rrezja e tyre është 200 deri në 400 kilometra dhe se ato janë raketa me fuqi të madhe shkatërruese.

Ndaj kësaj blerjeje reagoi kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

Ai tha se vendi i tij – anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s – do të flasë me aleatët e tij për këtë çështje.

“Ne do të flasim me partnerët tanë në NATO dhe do t’i paralajmërojmë për armët e tilla, të cilat janë risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviq.

Megjithatë, ai shtoi se nuk pret që një armë aq e fuqishme të përdoret ndonjëherë kundër vendeve fqinje, si Kroacia apo ndonjë shtet tjetër.

Serbia, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, po e zgjeron bashkëpunimin e saj ushtarak me Kinën.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Shtoi se, gjatë një vizite në Indi në mes të shkurtit, Pllenkoviq e ka siguruar se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë.

“E dëgjova dhe kaq. Por, a kam ende një dozë shqetësimi dhe frike? Po, kam”, tha Vuçiq.

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara