Lajmet

Publikohen listat e kandidatëve, këta janë emrat që synojnë ulëset e Kuvendit

Published

on

Pas përmbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, subjektet kryesore politike në vend kanë zbuluar emrat e kandidatëve me të cilët do të kërkojnë votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Gara pritet të jetë e fortë, me ndryshime interesante në renditje dhe prurje të reja në listat zgjedhore.

Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kryeministri aktual, Albin Kurti. Në dhjetëshen e parë radhiten emrat kryesorë të partisë si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Një detaj që ka rënë në sy është mungesa e Besnik Bislimit dhe Hysen Durmishit, me këtë të fundit që deklaroi se ishte vendim i tij personal. Ndërkohë, në listë është përfshirë Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci, me numrin 15.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë herë garon me një listë ku bartëse është ish-presidentja Vjosa Osmani, e ndjekur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pjesë e dhjetëshes janë edhe Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Anton Quni. Megjithatë, befasi mbetet renditja e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit jashtë top-dhjetëshes, përkatësisht me numrat 11 dhe 12. Në listë është rikthyer edhe Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte subjekti i fundit që e bëri publike listën e saj, së cilës i prin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Pas tij renditen Uran Ismaili e Vlora Çitaku, ndërsa bie në sy ngjitja e Arian Tahirit në dhjetëshen e parë. Një emër që ka nxitur debate është ai i Nait Hasanit, i përfolur për dyshime rreth manipulimeve me vota në zgjedhjet e kaluara, gjë që ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili u distancua nga ky propozim.

 

Te Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, përgjegjësinë e bartësit të listës e ka marrë Ardian Gjini. Ndërkohë, lideri i partisë, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të garojë me numrin 11. Nga ana tjetër, partitë si AKR kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë fare në këto zgjedhje, ndërsa PSD-ja do të jetë e pranishme me një listë të shkurtër prej vetëm gjashtë kandidatësh.

 

 

Continue Reading

Rajoni

Vdes në burgun e Hagës krimineli i luftës Ratko Mlladiq

Published

on

By

Krimineli i luftës Ratko Mlladiq, i cili shërbeu si komandant i përgjithshëm i të ashtuquajturës Ushtri e Republikës Srpska, ka vdekur sot në moshën 84-vjeçare në burgun e Hagës, sipas njoftimeve nga mediat serbe.

Mlladiq u dënua përfundimisht në qershor të vitit 2021 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me burgim të përjetshëm. Ai u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, të cilat përfshinin gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e popullsisë civile, shfarosjen, dëbimin, terrorizimin e Sarajevës si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të OKB-së.

I njohur në mbarë botën me pseudonimin “Kasapi i Bosnjës”, ai mban përgjegjësinë direkte për masakrimin e më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë gjatë vitit 1995.

Vitin e kaluar, Tribunali i OKB-së kishte refuzuar kërkesën e tij për lirim urgjent drejt Serbisë me arsyetimin se gjendja e tij shëndetësore ishte e qëndrueshme dhe po trajtohej sipas standardeve të duhura mjekësore brenda burgut në Hagë. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Nisin xhirimet e filmit të shkurtër “Deltar” me regji të Ibër Dearit

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “Deltar”, me regji të Ibër Dearit, ndërsa producent dhe skenarist është Afrim Muçaj. Filmi është i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Deltar” sjell historinë e një djaloshi i cili detyrohet të largohet nga shtëpia së bashku me familjen, ndërsa qeni i tij mbetet pas, i lidhur në zinxhir.

Filmi trajton tema si lufta, braktisja, humbja, ikja dhe ndarja nga gjithçka që një fëmijë njeh dhe do, duke e sjellë luftën dhe pasojat e saj përmes përjetimit të një fëmije.

Në kastin e filmit janë Ledion Mulaki, Afrim Muçaj, Gentrit Shala, Mia Muçaj dhe Valon Nuhiu, së bashku me aktorë të tjerë./A.K/

Continue Reading

Vendi

Tragjedi në Floridë: Humbin jetën 3 fëmijë të një familjeje shqiptare si pasojë e një zjarri në banesë

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka goditur një familje me origjinë nga Shqipëria në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën pasi banesa e tyre dykatëshe u përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Nga ky zjarr katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, ndodhen në gjendje kritike për jetën në spital. Bilanci u konfirmua nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden.

Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në zonën Windergate Drive. Me të mbërritur në vendngjarje, ekipet e shpëtimit gjetën katin e parë të përfshirë nga flakët e fuqishme dhe katin e dytë të mbushur me tym të dendur.

Ndonëse dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga ndërtesa, zjarrfikësit gjetën brenda tre fëmijët e tjerë pa shenja jete. Sipas dëshmive të fqinjëve, banorët e zonës ndihmuan për të nxjerrë nga dritarja e katit të dytë një foshnjë dhe një adult përpara se zjarri të vihej nën kontroll rreth orës 05:40.

Pranë banesës së shkatërruar mbërritën edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari, teksa mediat lokale kapën momentet prekëse të familjarëve pranë shtëpisë së dëmtuar rëndë.

Departamenti i Zjarrfikësve ka shprehur ngushëllime të thella për familjen, ndërsa Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për t’i ardhur në ndihmë personave të mbetur pa strehë. Autoritetet kompetente kanë nisur menjëherë hetimet për të përcaktuar shkaqet e këtij zjarri fatal.

 

Continue Reading

Lajmet

Palatova në takim lamtumirës me Kurtin, bën thirrje për formimin e institucioneve

Published

on

By

Shefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar një takim lamtumirës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Në qendër të këtij takimi ishte kriza politike në vend, me ç’rast diplomatja e BE-së ia ka përcjellë kreut të ekzekutivit në detyrë kërkesën e prerë të Brukselit për zhbllokimin e situatës dhe ngritjen e menjëhershme të institucioneve të reja.

Përmes një njoftimi zyrtar pas takimit, Zyra e BE-së në Kosovë bëri me dije se Palatova ka nënvizuar rëndësinë e reformave dhe shfrytëzimit të mbështetjes financiare evropiane.

“Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve të Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE. BE-ja është partneri më i fuqishëm i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ky takim vjen në një kohë kur opozita po zhvillon protesta para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar po ashtu vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe zgjidhjen e ngërçit institucional.

Continue Reading

Të kërkuara