Aktualitet

Pakistani: Ndërmjetës apo oportunist?

Published

on

Roli i Pakistanit si ndërmjetës mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është në qendër të kritikave pas raportimeve se aeroplanë iranianë u parkuan në një bazë ushtarake në periferi të Ravalpindit, duke ngritur pyetje lidhur me rolin balancues të Islamabadit në konfliktin aktual.

Ministria e Jashtme e Pakistanit reagoi shpejt duke i quajtur raportimet e mediave “çorientues dhe sensacionale”, duke mos e mohuar praninë e aeroplanëve iranianë në bazën ajrore pakistaneze, Nur Khan.

“Aeroplanët iranianë të parkuar në Pakistan arritën gjatë periudhës së armëpushimit dhe nuk kanë asnjë lidhje me ndonjë aspekt ushtarak apo marrëveshje për mbrojtje”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Duke cituar zyrtarë amerikanë të paidentifikuar, televizioni amerikan CBS raportoi më 11 maj se Pakistani kishte lejuar aeroplanë ushtarakë iranianë të parkoheshin në aeroportet e tij, duke i mbrojtur potencialisht nga sulmet ajrore të SHBA-së.

Duke reaguar ndaj këtyre raportimeve, senatori republikan, Lindsey Graham, shkroi në rrjetet sociale se nëse “kjo është e saktë, do të kërkoj një vlerësim të plotë të rolit që po luan Pakistani si ndërmjetës mes Iranit, SHBA-së dhe palëve të tjera”.

Deri tani nuk ka pasur ende asnjë koment zyrtar nga Shtëpia e Bardhë apo nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Këto pretendime kanë rikthyer po ashtu një debat të kamotshëm në Uashington lidhur me atë nëse Pakistan mund të ruajë njëkohësisht lidhje të ngushta të sigurisë me SHBA-në, teksa mban raporte strategjike me kundërshtarët e Amerikës.

Si një aleat joanëtar i NATO gjatë luftës së udhëhequr nga SHBA-ja kundër terrorit, Pakistani prej kohësh është përballur me akuza nga zyrtarë amerikanë se po luan një “lojë të dyfishtë”.

Trump i amplifikoi këto tensione më 2018, kur e akuzoi Pakistanin se po merrte miliarda dollarë ndihma nga SHBA-ja, ndërkohë që u ofronte militantëve në Afganistan një “strehë të sigurt”.

“SHBA-ja me budallallëk i ka dhënë Pakistanit më shumë se 33 miliardë dollarë ndihma gjatë 15 vjetëve të fundit, dhe ata nuk na kanë dhënë në këmbim asgjë përveç gënjeshtrave dhe mashtrimeve, duke i konsideruar liderët tanë si budallenj”, kishte shkruar atëbotë Trump në një postim në X.

Gjest dashamirës

Megjithatë, Pakistan ka kërkuar të afrohet me Trumpin që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një gjest dashamirës, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, njoftoi synimin e tij për ta nominuar Trump për Çmimin Nobel për Paqe në tetor të vitit të kaluar, për rolin e tij në ndërmjetësimin e armëpushimit Hamas-Izrael në Lindjen e Mesme. Më herët, Islamabad kishte vlerësuar po ashtu përpjekjet e Trumpit për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi midis Indisë dhe Pakistanit.

Trump, në këmbim, vazhdimisht ka lavdëruar Sharifin dhe shefin e ushtrisë të Pakistanit, Asim Munir, të cilin njëherë e ka përshkruar si “marshallin tim të preferuar”.

Pakistani ndan kufi me Iranin dhe Afganistanin, teksa njëkohësisht mban lidhje të afërta mbrojtëse dhe fetare me Arabinë Saudite – një akt balancues që shpesh e ka ndërlikuar diplomacinë e tij rajonale.

Ky shtet që ka armë bërthamore dhe rreth 250 milionë banorë prej kohësh është varur për sigurinë e tij dhe për nevojat ekonomike nga SHBA-ja, teksa në të njëjtën kohë e ka mbajtur Kinën si një partnere kyç strategjike.

Me nisjen e fushatës ushtarake SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, Pakistani i ka forcuar më shumë lidhjet me administratën e Trumpit duke u pozicionuar si ndërmjetës në konflikt.

Rreth 40 ditë pas fillimit të luftës, Trump njoftoi për një armëpushim pasi Pakistan kërkoi ndalimin e Operacionit Tërbimi Epik – fushatës ajrore të udhëhequr nga SHBA-ja kundër caqeve ushtarake iraniane – për t’i hapur rrugë bisedimeve për paqe. Ky hap u prit gjerësisht pozitivisht dhe e forcoi imazhin e Islamabadit si një ndërmjetës kyç.

Megjithatë, kërkesat e përsëritura të Pakistanit në javët në vijim për të zgjatur armëpushimin dhe për të ndalur Projektin Liria – një operacion amerikan që synon mbrojtjen e rrugëve detare të transportit në Ngushticën e Hormuzit – gradualisht shtuan skepticizmin për rolin e Islamabadit. Trump i pranoi vazhdimisht këto kërkesa, teksa liderët amerikanë dhe pakistanezë shkëmbyen mesazhe publike falënderimi dhe lavdërimi, duke intensifikuar më shumë kritikat.

Shqetësimet gjeopolitike

Për Pakistan, i cili prej kohësh ka pasur raporte të luhatshme diplomatike me SHBA-në, këto shqetësime në rritje janë bërë të dukshme ndërsa rritet dukshmëria e Islamabadit në gjeopolitikë.

“Gjeografia e Pakistanit gjithmonë e ka bërë atë një kryqëzim”, tha Zaheer Shigri nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Bashkëkohore (CSCR) në Islamabad.

“Kryqëzimet janë pasuri kur e kontrollon trafikun, por mund të bëhen barrë kur presionet e jashtme fillojnë të diktojnë rrjedhën. Pakistani po tërhiqet njëkohësisht nga Uashingtoni, Kabuli dhe Riadi…. Është një balancim strategjik shumë i ndërlikuar”.

Kjo ecje diplomatike në litar të hollë e ka rritur profilin e Pakistan, por gjithashtu ka intensifikuar kritikat për besnikëritë e tij rajonale.

Ky shtytje vjen në një kohë kur Kina dhe Pakistani po përpiqen të pozicionohen si aktorë stabilizues, duke shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë në konfliktin që po zgjerohet.

“Një rol ndërmjetësimi shumë i dukshëm është një bast i rrezikshëm, dhe edhe suksesi sjell rezultate të pasigurta”, thanë ZohaWaseem dhe Yasser Kureshi në një artikull për institutin për Paqe Ndërkombëtare Carnegie Endowment

“Duke marrë pronësinë e procesit, Islamabadi është pozicionuar si një palë me peshë në Gjirin Persik”, shkruan ata.

Ky rol, shtuan ata, ka rritur dukshmërinë dhe ndikimin rajonal të Pakistanit, por njëkohësisht e ka ekspozuar atë ndaj kritikave, teksa thellohen tensionet mes Iranit, Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Se a do të përkthehet ndërmjetësimi i suksesshëm në përfitime të qëndrueshme ekonomike, përmes lehtësimeve apo rritjes së investimeve të huaja, mbetet një pyetje e hapur”, thanë ata.

Teksa Pakistani ka shqetësime legjitime për paqendrueshmërinë që mund të përhapet përtej kufijve të tij dhe të dëmtojë ekonominë e brishtë, kritikët dhe analistët argumentojnë se Islamabadi po kërkon po ashtu të afrohet më shumë me Trumpin, duke ruajtur njëkohësisht rëndësinë e tij diplomatike në arenën ndërkombëtare.

Rol taktik

Roli ndërmjetësues i Pakistanit ka ngjallur edhe kritika në India, ku disa komentues kanë pyetur pse Nju Delhi nuk ka marrë një rol të ngjashëm diplomatik në konfliktin e Iranit.

Këto kritika janë të ndikuara pjesërisht nga marrëdhëniet historikisht të tensionuara mes dy vendeve të Azisë Jugore dhe ambiciet e tyre konkurruese në rajon.

Disa analistë indianë e lidhin rritjen e dukshmërisë së Pakistanit me rivalitetin e kamotshëm rajonal, si dhe me gatishmërinë e fuqive të jashtme për t’u mbështetur te Islamabadi si ndërmjetës kur kjo u leverdis.

Brahma Chellaney, autor dhe profesor i studimeve strategjike në Qendrën për Kërkime të Politikave në Nju Delhi, shkroi në platformën X se “sa herë që Trumpi tërhiqet, ai përdor Pakistanin si mbulesë”.

Politologia Ayesha Siddiqa, autore dhe studiuese e lartë në Kolegjin Mbretëror të Londrës, i tha Radios Evropa e Lirë se strategët pakistanezë e shohin harmonizimin me Trumpin si një mënyrë për të siguruar një rol më të fortë rajonal për shtetin.

Ajo vuri në pah se Pakistani historikisht ka luajtur një rol taktik dhe se edhe kjo situatë nuk përbën përjashtim.

“Presidenti Donald Trump kërkoi një armëpushim, zgjatjen e tij dhe më vonë një pauzë në ‘Projektin Liria’ dhe ai përdori Pakistanin”, tha ajo.

“Pakistani, nga ana tjetër, ishte i gatshëm të përdorej, sepse kërkon përfitimet e veta nga ky rol, si ushtarake ashtu edhe strategjike”. /REL/

 

Continue Reading

Vendi

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara