Lajmet

Scholz mbron vendimin për telefonatën e tij me Putinin

Published

on

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka mbrojtur vendimin e tij për zhvillimin e një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, më 15 nëntor, duke e cilësuar si të rëndësishëm për të hequr çdo iluzion në lidhje me qëndrimin e Perëndimit ndaj Luftës në Ukrainë. Biseda, që ishte e para mes Scholzit dhe Putinit pas një periudhe gati dyvjeçare, ka tërhequr kritika të shumta, përfshirë dhe nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e konsideroi këtë veprim si një mundësi për të lehtësuar izolimin e presidentit rus.

Duke folur përpara nisjes së tij për në Brazil, ku do të marrë pjesë në samitin e G20-së, Scholz tha se telefonata nuk tregoi asnjë ndryshim të qartë në pozitat e Putinit për luftën në Ukrainë. Megjithatë, ai mbrojti vendimin e tij, duke theksuar se ishte e rëndësishme për të eliminuar çdo iluzion të mundshëm të Kremlinit, se Perëndimi mund të ndryshonte qëndrimin dhe do të heqte dorë nga mbështetja për Ukrainën.

Biseda e parë pas dy vitesh dhe qëndrimi i Putinit

Scholz e përshkroi bisedën si një mundësi për të theksuar qëndrimin e qartë të Perëndimit, i cili vazhdon të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus. Ai theksoi se mesazhi i tij ishte i thjeshtë: nuk do të ketë heqje dore nga mbështetja për Kievin, përfshirë ndihmën ushtarake dhe ndihmën ekonomike, derisa lufta të mbarojë.

Sipas Kancelarit Scholz, biseda ishte një mundësi për të komunikuar drejtpërdrejt me Putinin dhe për të siguruar që ai të kuptonte pa ekuivokë që Perëndimi ishte i vendosur në qëndrimin e tij dhe nuk do të ndërmerrte asnjë hap tërheqjeje. Megjithatë, Scholz pranoi se nuk ka pasur ndonjë indikacion se Putin ka ndryshuar mendim për luftën dhe nuk ka shfaqur asnjë sinjal për tërheqje ose ndryshim kursi.

Kritikat nga Ukraina dhe komuniteti ndërkombëtar

Biseda e 15 nëntorit ka ngjallur reagime të shumta, duke përfshirë kritika të forta nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai ka shprehur shqetësimin se kjo telefonatë mund të ndihmojë Putinin që të “lehtësojë izolimin e tij” dhe “izolimin e Rusisë” në arenën ndërkombëtare. Zelensky ka theksuar se çdo bisedë me liderët rusë, përveç atyre që kërkojnë të ndalin menjëherë agresionin dhe të tërheqin trupat ruse nga territori ukrainas, mund të jetë një mundësi për Kremlinin që të përfitojë diplomatikisht dhe të rikthejë legjitimitetin në skenën ndërkombëtare.

Përveç kritikave nga Zelensky, disa zyrtarë të tjerë të lartë në Europë kanë ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e bisedave me Putinin, duke argumentuar se çdo formë e dialogut pa një ndryshim të qartë të qëndrimit të Rusisë mund të nxisë më shumë vonesa dhe të krijojë mundësi për manipulim nga ana e Kremlinit.

Scholz: Dialogu është i nevojshëm, por vetëm në kushte të caktuara

Në mbrojtje të veprimit të tij, Scholz ka theksuar se ndërsa bisedat janë të nevojshme për të shmangur eskalimin dhe për të mbajtur kanalet e komunikimit të hapura, çdo dialog duhet të jetë i shoqëruar me kushte të qarta dhe me mbështetje të fortë për Ukrainën. Ai ka theksuar se nuk mund të ketë kurrë një marrëveshje pa një ndalesë të qartë të agresionit dhe kthimin e paqes në Ukrainë.

“Unë besoj se është e rëndësishme të flasim me Putinin për të siguruar që ai e kupton se Perëndimi është i bashkuar dhe se nuk do të ketë kurrë një marrëveshje që dëmton Ukrainën,” tha Scholz.

Përplasja e perspektivave për diplomacinë

Biseda mes Scholzit dhe Putinit është vetëm një episod në një seri përpjekjesh diplomatike që po zhvillohen për të menaxhuar krizën në Ukrainë. Ndërkohë që shumica e shteteve të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur një qëndrim të fortë ndaj Rusisë dhe janë angazhuar për të izoluara ekonomikisht dhe politikisht Kremlinin, Scholz ka mbrojtur idenë se nuk duhet të mbyllen të gjitha mundësitë për diplomaci. Sidoqoftë, ai ka theksuar se çdo mundësi bisedimi duhet të ketë si qëllim të vetëm arritjen e paqes dhe jo lehtësimin e pozicionit të Putinit.

Ky zhvillim ka nxitur një debat të gjerë në komunitetin ndërkombëtar për mënyrën më të mirë për të përballuar agresionin rus dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për krizën në Ukrainë./Euronews/

lajme

Zelensky u bën thirrje SHBA-së dhe Muskut t’i heqin kufizimet e Starlinkut dhe të jenë në “anën e duhur të historisë”

Published

on

By

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se një shërbim jetik amerikan i internetit satelitor po funksionon ende shumë ngadalë, duke ndikuar në aftësinë e Ukrainës për t’i ndalur sulmet ruse.“Po llogarisim që këto kufizime të hiqen. Mbrojtja e jetëve dhe e infrastrukturës energjetike të Ukrainës para dimrit varet drejtpërdrejt nga kjo”, ka thënë ai.

Çështja e shpejtësisë së sistemit Starshield – një shërbim i nivelit ushtarak i zhvilluar nga kompania Starlink e Elon Muskut dhe i ofruar për Ukrainën nga qeveria amerikane – po zgjat prej javësh. Zelensky ka bërë të ditur se u ka kërkuar zyrtarëve “të punojnë sa më ngushtë që të jetë e mundur” me qeverinë amerikane dhe kompaninë e Muskut. “Është e rëndësishme të jesh në anën e duhur të historisë”, ka theksuar ai. BBC-ja ka kërkuar koment nga Shtëpia e Bardhë dhe Starlinku lidhur me këtë çështje.

Ukraina e përdor shërbimin e zakonshëm Starlink për komunikime në fushëbetejë, ndërsa Starshieldi shërben për kapjen e raketave dhe dronëve në hapësirën ajrore të vendit. Kufizimet e shpejtësisë u vunë re për herë të parë në muajin tetor, duke shkaktuar deklarata kundërthënëse mes Elon Muskut dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Musku pati deklaruar se përgjegjëse ishte qeveria e SHBA-së pasi sistemi kontrollohet prej saj, mirëpo Trumpi e mohoi këtë, duke thënë se i kishte kërkuar pronarit miliarder ta “rikthente” shërbimin. Edhe pse pas një jave u duk se gjendja po kthehej në normalitet, Ukraina njoftoi se kufizimet po vazhdonin të zbatoheshin.

Problemet me lidhjen përkuan me një përplasje të tensionuar diplomatike mes Zelenskyt dhe Trumpit rreth sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës së naftës brenda Rusisë. Trumpi ka thënë se sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës – të cilat Kievi i konsideron vendimtare për t’ia prerë Moskës burimin kryesor të të ardhurave për luftën – kanë shkaktuar rritje të çmimeve globale.

Të dielën, Zelensky deklaroi se Ukraina po has vështirësi në kapjen e dronëve rusë me motor reaktiv që po godasin nënstacionet elektrike, sepse “kufizimet në shpejtësinë e funksionimit të terminaleve Starshield përgjatë vijës së frontit dhe në territoret e pushtuara përkohësisht janë ende aty”.

“Dronët tanë kapës humbasin lidhjen me operatorët e tyre në shpejtësinë 161 km/orë (100 milje në orë) dhe thjesht nuk mund t’i arrijnë ‘shahedët’ rusë me motor reaktiv”, ka shkruar ai, duke iu referuar dronëve të dizajnuar sipas modelit iranian. Më herët, të premten, ai kishte bërë të ditur se kufizimet prej rreth 100 miljesh në orë ishin vendosur që nga e hëna, por vetëm në zonat e pushtuara nga Rusia dhe jo në të gjithë Ukrainën.

“Kjo tashmë ka implikime politike. Nëse vendosni kufizime atje, ju tashmë po i njihni pjesërisht territoret e pushtuara përkohësisht si jo tonat”, ka cituar New York Times fjalët e tij.

Përveç kësaj, Ukraina po përballet edhe me mungesë të sistemeve mbrojtëse amerikane Patriot që përdoren kundër raketave ruse – një situatë që Rusia e ka shfrytëzuar për t’i intensifikuar sulmet. Gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës, forcat ruse goditën infrastrukturën energjetike në Zaporizhzhia, si dhe në rajonet Sumy, Odesa, Zhytomyr e Kirovohrad, ndërsa sulmuan edhe infrastrukturën hekurudhore në rajonet Dnipro, Kharkiv dhe Zaporizhzhia. Dhjetëra persona raportohet se janë lënduar në këto sulme, përfshirë dy në rajonet Donetsk dhe Kiev. Në Mena të rajonit Chernihiv u vranë dy persona nga goditja e një objekti infrastrukturor, bëri të ditur guvernatori Vyacheslav Chaus, duke shtuar në Telegram se sulme të shumta u kryen edhe ndaj objekteve energjetike në mbarë rajonin.

Ndërkohë, ushtria ukrainase njoftoi se ka goditur një uzinë petrokimike dhe një rafineri nafte në qytetin qendror rus Nizhnekamsk. “Natën e 15 nëntorit, njësitë e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës arritën në Nizhnekamsk të Tatarstanit. Dy ndërmarrje që e furnizojnë luftën ruse me lëndë të parë dhe karburant u vunë në shënjestër”, thuhet në njoftimin e ushtrisë në Telegram. Sulme të tjera ukrainase vranë një person në qytetin portual industrial Taganrog pranë kufirit, njoftoi guvernatori rajonal Yuri Slyusar, ndërsa në rajonin e pushtuar të Luhanskut mbetën të vrarë një shofer kamioni dhe një grua e moshuar, sipas liderit rajonal të emëruar nga Moska, Leonid Pasechnik.

Në një zhvillim tjetër, Estonia ka njoftuar se do t’i mbyllë pikat e kalimit kufitar me Rusinë nga 1 dhjetori, pas një sulmi të dyshuar sabotazhi ndaj një kompanie të mbrojtjes. Tetë persona janë ndaluar lidhur me një tentativë zjarrvënieje ndaj prodhuesit të dronëve “Threod Systems”. Autoritetet estoneze thonë se ata ishin urdhëruar nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse GRU për ta kryer sulmin, ndërsa Rusia nuk ka komentuar.

“Rusia duhet ta kuptojë se veprimet armiqësore kundër Estonisë sjellin pasoja”, ka deklaruar ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër

Published

on

By

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian lidhur me interpretimin e muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në Bruksel, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së, i cili organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim, Marta Kos.

Terras e ka cilësuar këtë veprim si një provokim të qëllimshëm ose injorancë të pastër, duke theksuar se Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos i detyrohen Kosovës një shpjegim.

“Një provokim i qëllimshëm, ose një shfaqje e pastër e injorancës. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila pretendon sovranitet mbi Kosovën, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, përbën një gafë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim”, ka shkruar ai në platformën “X”.

Edicioni i dytë i këtij Forumi ka nisur sot dhe përfundon të hënën, ndërsa Kosova nuk është e ftuar në të. Një ditë para ngjarjes kryesore, në kuadër të mbrëmjes hapëse më 15 nëntor, ku sipas programit ishte paraparë të interpretonte Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor së bashku me grupin slloven “Kapobanda”, u luajt ndër të tjera edhe muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, videoja e së cilës është siguruar nga KOHA.

Ndërkohë, në programin e ditës kryesore, më 16 nëntor, është paraparë të mbajnë fjalime presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos, ndërsa pritet të flasë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. /E.A/

Continue Reading

lajme

Kënga nacionaliste serbe kundër Kosovës hap Forumin e Zgjerimit të BE-së

Published

on

By

Muzika e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës është interpretuar në Bruksel, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, një aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim, Marta Kos. Edicioni i dytë i këtij Forumi ka nisur sot dhe përfundon të hënën, ndërsa Kosova nuk është e ftuar në të.

Një ditë para ngjarjes kryesore, në kuadër të mbrëmjes hapëse më 15 nëntor, ku sipas programit ishte paraparë të interpretonte Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor së bashku me grupin slloven “Kapobanda”, u luajt edhe muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.  Ndërkohë, në programin e ditës kryesore, më 16 nëntor, është paraparë të mbajnë fjalime presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, komisionerja Marta Kos, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Lidhur me këtë ngjarje, ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, e cila do të jetë një nga folëset në forum si themeluese e think-tankut “d-square”, ka shpjeguar për KOHËN se aktiviteti kishte për qëllim trajtimin e çështjeve të Ballkanit Perëndimor dhe parashihte interpretimin e këngëve të vendeve kandidate dhe atyre të përfshira në procesin e zgjerimit. Sipas saj, pasi orkestra kishte luajtur këngë nga vende të tjera, situata ndryshoi kur erdhi radha e Kosovës, pasi këngëtari nuk e këndoi tekstin, ndonëse titulli u shfaq në ekran.

“Doli titulli i këngës që ishte shumë problematik dhe më pas u interpretua vetëm instrumental”, ka treguar Emini. Ajo shtoi se pjesëmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria mbetën të shokuar nga kjo situatë. “Unë u shokova, dola menjëherë jashtë dhe e lëshova sallën. Duke dalë, u kam folur edhe pjesëmarrësve të tjerë nga Kosova dhe kam kërkuar të di se kush e kishte zgjedhur këtë këngë dhe kush ishte përgjegjës”, ka deklaruar ajo.

Pas këtij incidenti, ka reaguar ashpër kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, i cili e ka cilësuar ngjarjen si skandaloze dhe të papranueshme, duke kërkuar përgjigje nga komisionerja Marta Kos.

“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb. Komisioneres Kos ia lëmë të shpjegojë se si ndodhi kjo dhe çfarë masash do të ndërmarrë, si dhe pse Kosova, vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, nuk ishte ftuar”, ka shkruar Zulfaj në platformën “X”.

Reagim të menjëhershëm ka pasur edhe nga kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, i cili po ashtu e ka quajtur të papranueshëm interpretimin e kësaj kënge në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian dhe ka kërkuar sqarime për mënyrën e përzgjedhjes dhe miratimit të repertorit.

“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme. Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami në platformën “X”.

 

Continue Reading

Lajmet

Parashikimi i motit për sot

Published

on

By

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot në vendin tonë moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me riga shiu.

Temperaturat minimale do lëvizin mes 3 dhe 7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale parashihen të arrijnë nga 8 deri në 13 gradë Celsius.

Ndërkohë, era do të fryjë nga jugperëndimi me një shpejtësi prej 1-5 m/s. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara