Lajmet

7 mite rreth sëmundjeve të zemrës që duhet të ndaloni së besuari

Për shkak se sëmundjet e zemrës zhvillohen me ngadalë, nuk është kurrë vonë për të bërë ndryshime.

Published

on

Sëmundja e zemrës është një term që përfshin për shumë lloje të problemeve shëndetësore që lidhen me zemrën.

Më e zakonshme është sëmundja e arterieve koronare, e cila shfaqet kur në arteriet që dërgojnë gjak në zemër krijohen pllaka.

Me kalimin e kohës, kjo mund të ngadalësojë ose bllokojë rrjedhën e gjakut në zemër dhe të çojë në një atak ose dështim të zemrës.

Për shkak se sëmundjet e zemrës zhvillohen me ngadalë, nuk është kurrë vonë për të bërë ndryshime që mund të mbështesin më së miri shëndetin e zemrës.

Më poshtë AgroWeb.org ju sjell një vështrim rreth disa prej miteve që ekzistojnë rreth sëmundjeve të zemrës, tek të cilat mund të mos mbështeteni më.

Ju do të vuani nga sëmundjet e zemrës nëse ato shfaqen në familjen tuaj

Është e vërtetë se nëse keni një histori familjare të sëmundjeve të zemrës, edhe ju vetë jeni në rrezik më të lartë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se jeni të destinuar të smëureni, thjesht do t’ju duhet të punoni më shumë për të mbrojtur shëndetin tuaj kardiovaskular.

Me fjalë të tjera, ngrënia e ushqimeve të shëndetshme për zemrën dhe ndjekja e një stërvitje, mund të mbajë zemrën taj të shëndetshme dhe të fortë.

Nuk duhet të shqetësoheni për sëmundjet e zemrës kur jeni të rinj

Shpesh, sëmundja e zemrës nuk shfaqet derisa një person është në të 50-at, 60-at ose më shumë. Por sëmundjet e zemrës mund të zhvillohen shumë më herët në jetë, dhe shumë të rritur në të 30-at dhe 40-at e tyre përjetojnë faktorë rreziku si mbipesha dhe presioni i lartë i gjakut.

Mjekimi i diabetit do t’ju mbrojë nga sëmundjet e zemrës

Edhe pse është e vërtetë që kur keni diabet gjasat për të pasur një atak në zemër ose goditje në tru dyfishohen, kjo nuk do të thotë se vetëm mjekimi që merrni për diabetin ju mbron nga ky rrezik.

Me kalimin e kohës, sheqeri i lartë në gjak mund të dëmtojë enët e gjakut dhe të ketë një efekt negativ në funksionin kardiovaskular. Medikamentet mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak, por do t’ju duhet të ndërmerrni hapa ekstra për të adresuar faktorët që shkaktuan zhvillimin e diabetit, si mbipesha dhe presioni i lartë i gjakut.

Duhet të shmangni ushtrimet fizike pas një ataku në zemër

Të ushtruarit përmirëson qëndrueshmërinë tuaj kardiovaskulare, kështu që sapo të keni marrë dritën jeshile nga mjeku juaj, duhet të filloni përsëri në aktivitetin e rregullt fizik. Puna me një ekspert të trajnuar mund t’ju ndihmojë të gjeni ekuilibrin e duhur.

Ju duhet të shmangni yndyrnat

Kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës, lloji i yndyrnave që merrni ka një rëndësi të veçantë.

Ekspertët këshillojnë të reduktoni yndyrat e ngopura, që gjenden në ushqime si mishi i kuq, gjalpi, djathi dhe disa vajra gatimi, pasi ato mund të rrisin kolesterolin tuaj dhe të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Megjithatë, ju mund dhe duhet të hani ushqime të pasura me yndyra të pangopura, si vaj ulliri, arrorët, avokado dhe peshq si salmoni, për të ndihmuar në mbrojtjen e zemrës dhe për të mbështetur nivelet e shëndetshme të sheqerit në gjak.

Suplementet mund të ulin rrezikun për sëmundje të zemrës

Në shumë studime të kryera, suplementet e vitaminave, nuk kanë treguar se parandalojnë ose trajtojnë sëmundjet e zemrës. Këshilla më e mirë është që të fokusoheni në marrjen e lëndëve ushqyese duke ngrënë një shumëllojshmëri të gjerë ushqimesh shumëngjyrëshe.

Konsumi i duhanit mund të ketë një efekt negativ në shëndetin e zemrës tuaj, ndërsa lënia e duhanit ka një efekt pozitiv dhe ju nuk jeni kurrë vonë të zvogëluar dëmin që shkakton duhani.

Lënia e duhanit, në çdo moment të jetë tuaj, parandalon sulmet në zemër dhe goditjet në tru. /AgroWeb.org

Rajoni

REL: Emri i shefit të ri të Zyrës ruse në Kosovë figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse

Published

on

By

Radio Evropa e Lirë ka gjetur se emri i Ilia Uvarovit, shefit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, figuron në një databazë të publikuar nga organizata ukrainase Molfar, ku përfshihen persona që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse. REL-i nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin për rolin e saktë të tij.

Në një zyrë që prej vitesh operon pothuajse në heshtje në Prishtinë, Rusia emëroi shef të ri.

Në gusht të vitit 2025, përmes një njoftimi të shkurtër, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) bëri të ditur se përfaqësuesja e atëhershme speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kishte pritur shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Ilia Uvarov.

Takimi u përshkrua si “diskutim i përgjithshëm dhe konstruktiv”.

Përtej këtij njoftimi formal, Uvarov mbeti figurë pak e njohur për publikun në Kosovë.

Madje, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku janë të listuara misionet e huaja diplomatike në vend, ai ende nuk figuron si drejtues i kësaj zyre. Aty vazhdon të jetë i listuar paraardhësi i tij, Andrei Shugurov.

Ndërkohë, emri i Uvarovit, si i emëruar për Kosovën, përmendet në listën e përditësuar të misioneve të huaja në Serbi – një praktikë që lidhet me faktin se Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, ndërsa shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, shpesh i menaxhojnë marrëdhëniet diplomatike përmes Beogradit.

Ajo që e vendos emrin e Uvarovit në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga Molfar Intelligence Institute – një organizatë ukrainase që merret me analiza të burimeve të hapura dhe, në disa raste, edhe me dokumente të rrjedhura nga Rusia.

Në këtë databazë, Ilia (Ilya) Uvarov përshkruhet si “oficer i departamentit RT (Zbulim nga territori) të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)”.

Sipas organizatës, databaza është ndërtuar mbi materiale të siguruara nga një burim i brendshëm në një kompani teknologjike në Moskë dhe përmban emra diplomatësh dhe punonjësish të inteligjencës.

Një pjesë e të dhënave, sipas saj, është verifikuar përmes krahasimit me regjistra shtetërorë, por vetë organizata thekson se konfirmimi i plotë i roleve specifike mbetet i vështirë.

Instituti Molfar i tha REL-it se Departamenti RT “lidhet me operacione të inteligjencës që zhvillohen nga territori rus dhe që shpesh përdorin mbulesa diplomatike apo institucionale për të krijuar kontakte me zyrtarë të huaj, biznesmenë e të tjerë”.

REL-i nuk ka mundur të kontaktojë drejtpërdrejt me Ilia Uvarovin për të marrë një qëndrim lidhur me këto të dhëna.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresën e saj zyrtare të emailit, e as Ambasada ruse në Beograd.

Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka informacione që Uvarov mund të jetë i lidhur me inteligjencën ruse.

Kush është Uvarov?

Karriera diplomatike e Uvarovit, që besohet të ketë nisur qysh në vitin 2000, përfshin disa poste në vende të ndryshme.

Në dokumente zyrtare, ai shfaqet fillimisht në vitin 2011 si pjesë e stafit diplomatik rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, të dhënat më të dukshme për aktivitetin e tij lidhen me misionin diplomatik në Moldavi.

Atje, ai ka shërbyer si konsull në Ambasadën ruse në Moldavi.

Rol të rëndësishëm ka pasur edhe në strukturat e territorit të shkëputur moldavian – kryesisht rusishtfolës dhe prorus – të quajtur Transnitri, që Moldavia e konsideron pjesë të saj.

Në këtë territor ekziston Komisioni i Përbashkët i Kontrollit, i cili mbikëqyr zonën e sigurisë në Transnistri dhe përbëhet nga përfaqësues të Rusisë, Moldavisë dhe Transnistrisë.

Në vitin 2017, Uvarov u zgjodh bashkëkryesues i këtij komisioni si përfaqësues i Rusisë. Këtë post e mbajti deri në vitin 2019.

Komisioni është përgjegjës për monitorimin e zonës së sigurisë përgjatë lumit Dniestër (Nistru) që pas luftës së vitit 1992.

Sipas të dhënave që ka grumbulluar Shërbimi i Moldavisë i Radios Evropa e Lirë, në nëntor të vitit 2017, Uvarov mbështeti rihapjen e një ure mbi Dniestër, pavarësisht kundërshtimit të administratës separatiste të Transnistrisë.

Ura ishte rindërtuar me fonde të Bashkimit Evropian.

Sipas një ish-zyrtari të Qeverisë së Moldavisë, Uvarov është kthyer më vonë në Moskë pikërisht për faktin se ka mbështetur rihapjen e urës dhe mbajtjen e saj të hapur.

Përveç kësaj, sipas mediave në rajonin e Transnistrisë, Uvarov ka punuar më herët edhe në vende të tjera ish-sovjetike, si dhe në Shtetet e Bashkuara.

Çfarë ndodh kur një zyrtar i inteligjencës vepron nën mbulim diplomatik?

Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë thonë se përdorimi i mbulesës diplomatike për aktivitete të inteligjencës, është praktikë e njohur, por se në rastin e Rusisë ajo është “më e përhapur dhe më intensive”.

“Pothuajse nuk ka ambasadë në botë që të mos ketë një rol të caktuar të inteligjencës”, thotë Mark Galeotti, profesor britanik në University College London (UCL) dhe ekspert për krimin transnacional dhe çështjet e sigurisë ruse.

Ai thekson se, shpesh, është e vështirë të bëhet dallimi mes një diplomati dhe një oficeri të inteligjencës, por se karriera mund të japë indikacione.

“Nëse një diplomat ka një numër të madh postesh jashtë vendit, kjo ndonjëherë mund të japë indikacione për një rol në inteligjencë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Galeottit, një mision si ai në Kosovë “duket si një bazë e përsosur për oficerë të inteligjencës, që më pas mund të udhëtojnë nëpër rajon”.

Ai shton se rëndësia e këtij misioni lidhet me kontekstin më të gjerë gjeopolitik.

“Ka rëndësi se çfarë ndodh në Kosovë. Kosova ka marrëdhënie relativisht të mira me Perëndimin… nuk ka të bëjë aq shumë me vetë Kosovën. Ka të bëjë me përdorimin e Kosovës si bazë, për të parë se çfarë mund të zbulohet rreth asaj që NATO-ja dhe vendet e tjera perëndimore po bëjnë dhe po mendojnë”, thotë Galeotti.

Ai paralajmëron edhe për ndryshimet në mënyrën e operimit të shërbimeve ruse pas dëbimit të qindra diplomatëve nga Evropa, pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022.

“Ata po mbështeten gjithnjë e më shumë te ndërmjetësit… njerëz që rekrutohen për të kryer detyra të caktuara, shpesh pa e ditur për kë punojnë”, thotë ai.

Në të njëjtën linjë, eksperti britanik për Rusinë, Keir Giles, thotë se praktika e përdorimit të zyrtarëve të inteligjencës nën mbulim diplomatik, është e përhapur globalisht, por se Rusia dallohet për shkallën e saj.

“Shumë vende vendosin oficerë inteligjence nën mbulesë diplomatike… por në rastin e Rusisë, një përqindje e madhe e diplomatëve janë në fakt oficerë inteligjence”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se vendet përballen me një dilemë kur i identifikojnë këta persona: t’i dëbojnë apo t’i mbajnë nën vëzhgim.

Keir Giles.

“Ka rrethana të caktuara, në të cilat agjencitë vendase të kundërzbulimit do të jenë në dijeni të identitetit të një oficeri të inteligjencës nën mbulesë diplomatike, por do të vendosin të mos veprojnë kundër tij përtej vëzhgimit të aktiviteteve të tij”, thotë Giles.

Sipas tij, në raste si Kosova, ku kontrolli institucional mbi këtë mision diplomatik është i kufizuar, situata bëhet edhe më komplekse.

“Kur një vend nuk kontrollon kush hyn në territorin e tij… kjo paraqet një cenueshmëri potenciale”, thotë ai.

Ndërkohë, në anketat e vazhdueshme në Kosovë, për shumicën e popullatës, Rusia vazhdon të shihet si një faktor me rrezik për vendin.

Një raport i vitit 2024 i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), që analizon narrativin e politikës së jashtme ruse kundrejt Kosovës, thotë se Moska e sheh Kosovën njëkohësisht si simbol të ndërhyrjes perëndimore, si çështje sigurie për Serbinë dhe si precedent në të drejtën ndërkombëtare.

“Në thelb, pozicioni i Rusisë ndaj Kosovës pasqyron rivalitetin e saj gjeopolitik me Perëndimin, i cili nën udhëheqjen e presidentit [Vladimir] Putin është thelluar ndjeshëm, veçanërisht përmes përpjekjeve për të forcuar ndikimin në Ballkanin Perëndimor, duke qëndruar në solidaritet me Serbinë”, thuhej në atë raport.

Edhe raporti “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtar të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, vlerësoi se Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet ndarjen e entitetit serb, Republika Sërspka, nga Bosnja dhe Hercegovina”.

Çfarë bën Zyra ruse në Kosovë?

Në Kosovë, Uvarov drejton një mision që funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatike.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë është themeluar në vitin 2005, në kohën kur Kosova administrohej nga OKB-ja.

Ajo funksionon nën ombrellën e UNMIK-ut dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës.

Stafi i saj nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ.

Edhe ambientet e saj janë të paprekshme nga autoritetet lokale.

Kjo e bën këtë mision një nga më pak transparentët në Kosovë.

Për vite me radhë, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun. Informacionet e pakta që ekzistojnë, lidhen kryesisht me takime me misione ndërkombëtare.

Megjithatë, në vitin 2021, autoritetet e Kosovës shpallën “non grata” dhe dëbuan dy diplomatë rusë të lidhur me këtë zyrë, duke thënë se kishin “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.

Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Zyrës së Rusisë në Kosovë mbajnë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe.

Vetë Kisha Ortodokse Serbe thotë se përfaqësuesit e saj në Kosovë kanë kontakte të rregullta me misionet ndërkombëtare, si KFOR-i, OKB-ja, OSBE-ja, BE-ja dhe vendet e Quint-it, por se këto kontakte lidhen me çështje të sigurisë, jetës së përditshme dhe funksionimit të institucioneve kishtare, e jo me politikë.

Sa i përket Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Kisha tha për REL-in se, viteve të fundit, nuk ka pasur vizita formale, por vetëm vizita të herëpashershme të stafit të saj në objekte fetare, së bashku me familjarë, kryesisht për shërbesa dhe vizita fetare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it as nëse ka komunikim me këtë zyrë dhe diplomatët e saj, as për mënyrën se si funksionon ky mision diplomatik.

Për rolin e saktë të kësaj zyre në Kosovë, nuk foli as UNMIK-u.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OKB-ja tha se “nuk komenton për përbërjen apo aktivitetet e misioneve diplomatike të shteteve anëtare”. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Në UBT nis workshop-i ndërkombëtar në fushën e arkitekturës

Published

on

By

Në UBT ka nisur një workshop i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili po bashkon ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, në kuadër të një bashkëpunimi akademik.

Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, Dekani i Studimeve në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në TU Wien, Thomas Dillinger, si dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës në UBT, Binak Beqaj.

Në fjalimet e tyre u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në periudhën kur vendi po ndërtonte institucionet dhe një sistem modern arsimor.

Rektori Edmond Hajrizi ndau me të pranishmit një nga momentet më domethënëse të rrugëtimit të programit të arkitekturës në UBT: “Ishte një vendim shumë i rëndësishëm për mua që të kthehesha në Kosovë, në një kohë kur vendi po ndërtonte shoqërinë, shtetin, institucionet dhe sistemin e ri arsimor. Në këtë kontekst, e pashë si thelbësore të sillja përvojën time nga Vjena dhe të nisja një program të ri, fillimisht me vetëm shtatë studentë.

Sot, UBT ka mbi 1300 studentë. Me mbështetjen e Universitetit Teknik të Vjenës, hapja e programit të parë master në arkitekturë dhe planifikim hapësinor në vitet 2007–2008 ishte një hap i guximshëm, që ka lënë gjurmë të qëndrueshme”,tregoi rektori Hajrizi Kjo javë pune dhe workshop-i synojnë të forcojnë bashkëpunimin akademik, të nxisin shkëmbimin e përvojave profesionale dhe të avancojnë programet studimore në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Workshop-i ka mbledhur studentë, profesorë dhe ekspertë të fushës së arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, duke krijuar një platformë bashkëpunimi për trajtimin e sfidave urbane dhe zhvillimin e ideve inovative për qytetet.

Në kuadër të aktiviteteve, pjesëmarrësit janë duke punuar në analiza konkrete të hapësirave urbane të Peja, duke propozuar zgjidhje të qëndrueshme dhe moderne në përputhje me standardet evropiane të planifikimit urban. Ky bashkëpunim ndërkombëtar synon të forcojë shkëmbimin e njohurive dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve në Kosovë.

 

 

 

Continue Reading

lajme

Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionëshe me Bankën Botërore

Published

on

By

Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë zyrtarizuar sot dy marrëveshje të rëndësishme në vlerë totale prej 96 milionë eurosh, të cilat synojnë fuqizimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në vend.

Ky investim madhor ndahet në dy projekte kyçe: 49 milionë euro për zhvillimin e sektorit financiar dhe 47 milionë euro për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet një kredi prej 35 milionësh dhe një grant prej 12 milionë eurosh.

Projekti i parë do të fokusohet në funksionalizimin e Bankës Zhvillimore dhe modernizimin e sistemit të pagesave të shpejta, ndërsa projekti i dytë synon digjitalizimin e pikave kufitare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut kosovar sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Këto reforma strukturore pritet të përshpejtojnë integrimin ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për stabilitetin ekonomik.

Këto marrëveshje përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ato përmirësojnë qasjen në financa për bizneset dhe rrisin efikasitetin e tregtisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë sonë, theksoi Murati.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Bankës Botërore, znj. Xiaoqing Yu, riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni për Kosovën. Ajo u shpreh optimiste për zbatimin e shpejtë të këtyre nismave, duke vlerësuar bashkëpunimin efektiv me palën kosovare për realizimin e projekteve që prekin drejtpërdrejt rritjen ekonomike dhe lehtësimin e aktivitetit tregtar.

 

Continue Reading

Lajmet

Aksion i Prokurorisë: Katër të arrestuar për patentë shoferë

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një aksioni të suksesshëm të Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka arrestuar sot katër persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale të ryshfetit dhe falsifikimit.

Nga operacioni, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është arrestuar një ekzaminere të patentë shoferëve në Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me inicialet V.L., si dhe tre persona të tjerë, I.M., A.B. dhe Z.B., drejtues të dy auto-shkollave në Prishtinë.

Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, të dyshuarit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet, të cilat rrodhën nga fondi i simuluar i Policisë së Kosovës.

Hetuesit kanë bastisur objektet e auto-shkollave “A” dhe “I”, ku kanë siguruar prova materiale relevante dhe kanë sekuestruar telefonat mobilë të të pandehurve kryesorë.

“Të pandehurit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet të përdorura nga fondi i Policisë së Kosovës, ndërsa në zbatim të Urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është realizuar kontrolli në dy auto shkollat e cekura më lartë ku janë siguruar provat e nevojshme materiale, ndërsa të pandehurve I.M dhe V.L, u janë sekuestruar telefonat e tyre mobil”, thuhet në njoftimin e Prokurisë.

Katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, i cili brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e masës së sigurisë në Gjykatë.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara