Lajmet

6.5 milionë u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe vizitat familjare në vitin 2025

Published

on

Për mbrojtjen e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nga buxheti i Republikës së Kosovës janë shpenzuar 6 milionë e 277 mijë e 500 euro gjatë vitit 2025.  Ndërsa në total, për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MD) lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara për vitin 2025.

Shuma më e madhe është shpenzuar nga mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për secilën nga mbrojtjet e tyre, janë shpenzuar nga 1 milion e 320 mijë euro në rastin për krime lufte. Ndërsa, 17 mijë e 500 euro të tjera, janë shpenzuar për Hashim Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Për mbrojtjen e Salih Mustafës dhe atë të Pjetër Shalës, janë shpenzuar nga 480 mijë euro.

Kurse, për Bashkim Smakan janë shpenzuar 10 mijë euro, për të bashkë të akuzuarin e tij, Fadil Fazliun janë shpenzuar 7 mijë euro. Ndërsa, për Ismet Bahtijarin janë shpenzuar 3 mijë euro.

Të dhënat në fjalë janë ofruar nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Divizioni për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Por, nga kjo Ministri nuk kanë ofruar të dhëna nëse dhe sa kanë shpenzuar avokatët për Haxhi Shalën, Sabit Januzin, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

Për vizitat familjare u shpenzuan mbi 237 mijë euro

Sipas të dhënave nga MD-ja, nga buxheti i Republikës së Kosovës për vizitat familjare të të akuzuarve në Hagë janë shpenzuar gjithsej 237 mijë e 567 euro e 69 centë. Këtu përfshihen biletat e aeroplanit dhe ushqimi.

Nga të dhënat, Hashim Thaçi del se nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. Ndërsa, për vizitat familjare të Jakup Krasniqit janë shpenzuar gjithsej 34 mijë e 771 euro e 40 centë, për ato të Rexhep Selimit janë shpenzuar 32 mijë e 39 euro e 29 centë.

Po ashtu, Isni Kilaj ka shpenzuar 29 mijë e 457 euro e 23 centë, për Haxhi Shalën u shpenzuan 28 mijë e 912 euro e 60 centë, për Bashkim Smakajn 26 mijë e 969 euro e 6 centë.

Në anën tjetër, Kadri Veseli për vizita familjare ka shpenzuar 22 mijë e 563 euro e 28 centë. Kurse, Salih Mustafa për të njëjtën kategori ka shpenzuar 17 mijë e 361 euro e 68 centë, Pjetër Shala 8 mijë e 365 euro e 72 centë, si dhe Ismet Bahtijari 3 mijë e 925 euro e 87 centë.

Ndryshe, në përgjigjen e MD-së thuhet se buxheti që është ndarë për vitin 2025, për Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë DhSK-së, është 8 milionë e 50 mijë euro.

Në total, nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.

Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

Ndryshe, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë trajtuar tri raste për krime lufte. Rasti më i madh në këtë Gjykatë është ai i ish-krerëve të UÇK-së me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Në këtë rast, Prokuroria gjatë 2025-ës ka përfunduar me paraqitjen e provave, periudhë gjatë së cilës dëshmuan 125 dëshmitarë në sallën e gjyqit. Pas tyre dëshmuan dy të mbrojtësit të viktimave, si dhe shtatë të tjerë të mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Rrjedhimisht, mbrojtja ka përfunduar zyrtarisht paraqitjen e provave më 2 dhjetor 2025. Ndërsa, mbyllja e paraqitjes së të gjitha provave në këtë rast, është bërë më 18 dhjetor 2025. Është vendosur që dosjet përfundimtare në këtë çështje të dorëzohen në janar 2026. Ndërsa, deklaratat përmbyllëse do të mbahen në shkurt.

Në anën tjetër, aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ndërsa, më 6 prill 2023, u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte. Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024, me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Sërish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.

Ndërsa, rasti i fundit për krime lufte është ai i Pjetër Shalës, të cilit më 14 korrik 2025, Gjykata e Apelit e DhSK-së, ia ka ulur dënimin nga 18 vjet kur ishte dënuar në shkallë të parë në 13 vjet burgim. Ndërsa, më 14 tetor 2025, Shala kishte dorëzuar ankesë në Supreme kundër vendimit të Apelit. Përmes saj, kërkonte rrëzimin e vendimit mbi dënimin për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, si dhe që çështja të kthehet në rigjykim.

Po ashtu, në këtë gjykatë kanë qenë edhe tri raste kundër administrimit të drejtësisë që nga fillimi i punës së saj e deri më tani.

Në vitin 2024, Hashim Thaçit i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me të njëjtin rast, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, një ditë më pas, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së. Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në rastin tjetër, me 4 shkurt 2025, Haxhi Shala është dënuar me 3 vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim. Ky vendim është marrë pasi të akuzuarit ende pa filluar gjykimi kishin arrit marrëveshje për pranim të fajësisë, e cila u pranua nga trupi gjykues në ditën që u shpall aktgjykimi dënues.

Si rrjedhojë, ishte aprovuar edhe marrëveshja për zhdëmtimet, e cila do të ekzekutohej më së largu deri më 19 shkurt 2025. Pra, Shala obligohej të paguajë 400 euro dhe Januzi 100 euro për viktimën, ndërsa Bahtijari nuk obligohej të bëjë pagesa. Viktimës i janë kryer këto pagesa brenda afatit kohor që u ishte caktuar të akuzuarve.

Ndërsa, rasti tjetër ka të bëjë me Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin të cilët po ashtu kanë qenë të dënuar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë./BetimipërDrejtësi

Lajmet

MINTI -Kontrollon çmimet e karburanteve në Kosovë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) po i ndjek me kujdes çmimet e karburanteve në të gjithë vendin në Kosovë.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po bën kontrolle të vazhdueshme në terren për të siguruar që çmimet të jenë të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është e përkushtuar, me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg,” thuhet në komunikatë.

Kosova importon karburante, prandaj çmimet ndërkombëtare ndikojnë drejtpërdrejt tek çmimet lokale. Ministria paralajmëron se çdo ndryshim i papritur dhe i pabazuar mund të çojë në masa shtesë, duke përfshirë rregullimin e çmimeve dhe kontrolle të shtuar nga Dogana, Inspektorati dhe Administrata Tatimore.

Qytetarët mund të raportojnë çdo problem në numrin pa pagesë 0800 11000 ose përmes e-mailit [email protected].

Rritja e çmimeve të naftës vjen kryesisht si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, ku ndodhet shumica e prodhimit global të naftës. Sulmet ndaj rafinerive dhe infrastruktures energjetike, si dhe pasiguria për trafikun e naftës në Ngushticën e Hormuzit, kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit. Kjo ka çuar që vendet importuese, përfshirë Kosovën, të përballen me çmime më të larta të derivateve të naftës.

Continue Reading

Lajmet

Rreth një mijë kosovarë në Lindjen e Mesme, MPJD: Të gjithë në gjendje të mirë

Published

on

By

Në vendet e Lindjes së Mesme aktualisht ndodhen 963 shtetas të Kosovës dhe, sipas të dhënave zyrtare, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se informacionet janë siguruar përmes misioneve diplomatike dhe se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët për të përcjellë situatën dhe për të ofruar mbështetje sipas nevojës.

Sipas shifrave të fundit, në Izraeli ndodhen 21 kosovarë, në Arabia Saudite 331, në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë, në Katari 75, në Kuvajti rreth 60, në Bahreini 4 dhe në Omani 2.

Ministria bëri të ditur se po punon me autoritetet përkatëse për të siguruar opsione të mundshme evakuimi nëse situata e kërkon. Aktualisht, kufiri tokësor mes Emirateve dhe Omanit mbetet i hapur, ndërsa ekzistojnë edhe disa linja fluturimi nga Rijadi dhe Xheda.

Megjithatë, autoritetet vendore në rajon rekomandojnë që të shmangen udhëtimet deri në stabilizimin e plotë të situatës së sigurisë. MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të mbajnë kontakte të rregullta me përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Lidhja Kosovë–Shqipëri është e natyrshme dhe e pathyeshme

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në takim me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, kanë biseduar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Osmani ka theksuar se lidhja mes Kosova dhe Shqipëria është e natyrshme, strategjike dhe e pathyeshme, duke e cilësuar bashkëpunimin mes dy shteteve si themelor për të ardhmen e përbashkët.

Sipas saj, uniteti përbën forcë, ndërsa koordinimi i vazhdueshëm është garanci për përballimin e sfidave. Ajo ka nënvizuar se vizioni i përbashkët i dy vendeve mbetet paqja, stabiliteti dhe orientimi euroatlantik.

“Uniteti ynë është forcë, koordinimi ynë është garanci, ndërsa vizioni ynë është paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike”, shkruan Osmani.

Në mesazhin e saj, presidentja ka theksuar se në kohë sfidash globale, qëndrimi i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë është element kyç për sigurinë dhe forcën e të dy shteteve.

Continue Reading

Lajmet

Kurti dhe Peleshi bisedojnë për forcimin e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Takimi u mbajt në përvjetorin e Kuvendi i Lezhës, ngjarje historike që simbolizon bashkimin e princërve shqiptarë në vitin 1444.

Në këtë frymë, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e unitetit politik dhe institucional ndërmjet Kosova dhe Shqipëria.

“U vlerësua se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të një populli, ndajnë aspirata të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të institucioneve demokratike dhe integrim euroatlantik”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Zyrës se Kryeministrit, gjatë takimit është diskutuar për rritjen e koordinimit në arenën ndërkombëtare, si dhe për hapa konkretë në avancimin e proceseve integruese drejt Bashkimi Evropian.

Të dy palët kanë vlerësuar se bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të intensifikohet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të demokracisë.

Kurti ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria e mbështesin njëra-tjetrën në proceset shtetformuese dhe integruese, duke i konsideruar sukseset si të përbashkëta. Ai ka nënvizuar se perspektiva evropiane e qytetarëve të të dy vendeve mbetet objektiv i përbashkët.

Në fund të takimit, është ritheksuar se partneriteti strategjik ndërmjet dy shteteve shqiptare përbën një element të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.

 

Continue Reading

Të kërkuara