Lajmet

Hill nis dëshminë në Gjykatën Speciale, me të një zyrtare e qeverisë amerikane

Published

on

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka nisur dëshminë e tij në Hagë.

Në fillim të dëshmisë, diplomati amerikan ka treguar se kur e kishte vizituar për herë të parë Kosovën.

Nuk e kam vizituar personalisht Kosovën deri në maj të vitit 1998, atëherë kur mu kërkua që të merrja përsipër, një përgjegjësi shtesë përveç përgjegjësive të tjera të cilat i kisha si ambasadori i ShBA-ve në Shkup”, tha Hill.

Më tej, diplomati amerikan deklaroi se në Amerikë u kthye në vitin 1999, saktësisht në verën e atij viti.

“Në shtator të atij viti, u bëra drejtor i lartë i këshillit kombëtar të sigurimit për çështje të Evropës Juglindore, saktësisht për Ballkanin, këto detyra i kam kryer deri në verën e vitit 2000”.

Hill zbuloi se gjatë asaj kohe e fliste gjuhën polake, por dinte pak edhe shqip.

“Kam folur polake në nivel bisedash, serbish po ashtu kam folur dhe pak shqip”, u shpreh Hill në Hagë, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ish-ambasadori u pyet nëse Kosova ishte pjesë e bisedave në Marrëveshjen e Dejtonit.

“Bisedat e Dejtonit kanë qenë të përqëndruara në përfundimin e luftës në Bosnjë. Çështja e Kosovës ka dalë në disa rrethana kur kishte qytetarë shtetas amerikanë me prejardhje shqiptare, që dëshironin të trajtonim edhe çështjen e Kosovës. Më kujtohet që kam pasur biseda me Millosheviqin në kontekstin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtontit”, deklaroi ai.

Hill ndër të tjera u pyet edhe nëse ka pasur mundësi të takohej me persona të tjerë pos Millosheviqit, me rëndësi në Ballkan.

“Gjatë Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, jam takuar me presidentë të Kroacisë dhe Serbisë, atë të Bosnjës, me këta kam folur çdo ditë. Ndërkohë aty nuk kishte përfaqësues nga Kosova apo nga Shqipëria. Para se të fillonim bisedat në Dejton, kam vizituar Maqedoninë”, u shpreh ai.

Gjatë dëshmisë para trupit gjykues, diplomati amerikan përmendi takimin e parë me Ibrahim Rugovën.

Ai tha se presidentin e kishte takuar në rezidencën e ambasadorit amerikan.

“Në vitin 1998, kam pasur mundësi të takohem me Ibrahim Rugovën në rezidencën e ambasadorit amerikan. Ky ka qenë takimi i parë me Ibrahim Rugovën, me të jam takuar më pas edhe në maj të po të njëjtit vit”.

Hill ka treguar edhe si u bë ambasadori i ShBA-së në Beograd.

“Pas Polonisë, në vitin 2004 jam larguar nga aty dhe kam shkuar në Kore si ambasador i Amerikës, aty kisha qenë edhe më përpara. Shërbeva në Kore de pas Varshavës, shkova atje pra. Më pas përfundova detyrën time në Kore dhe u bëra zëvendëssekretari i shtetit për Azinë që nisi në pranverën e vitit 2005. Në vitin 2009, administrata e Obamës, më kërkoi që të shkoja në Bagdad dhe të bëhesha ambasador në Irak, shërbeva edhe atje. U pensionova më pas nga shërbimi i huaj i Amerikës në vitin 2010, dhe u ktheva në botën akademike. Në vitin 2022 u ktheva prapë, dhe u bëra ambasadori i Amerikës në Serbi. Këtë post e mbajta deri në janar të këtij viti”, deklaroi Hill./EO

Diplomati amerikan Christopher Hill, po e jep dëshminë e tij në Hagë si i ftuar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Hill foli edhe rreth angazhimeve të tij në çështjen e Kosovës.

Së pari jam përfshirë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në maj të vitit 1998-të. Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe që ishte zonja Madeleine Albright, që më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador në Maqedoni, të marrë përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë. Unë në këtë kohë i raportoja sekretares së shtetit”, tha Hill.

Ai tregoi edhe për rolin e tij në këtë temë.

Unë e kuptova rolin që ne duhet të ofronim mbështetje ose zgjidhje politike dhe duhet të ndihmonim që të zmbrapeshin forcat atje nga dhuna në rritje e mundur. Unë jam përpjekur bashkë edhe me kolegët nga Departamenti i Shtetit, që të hartonim një plan autonomie, në mënyrë që Kosovës t’i kthehej autonomia dhe që Kosova të kishte qeverisjen e vet. Domethënë kjo ishte ideja kryesore, pjesa kryesore që do të ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, deklaroi ai.

Diplomati amerikan theksoi se qëllimi ishte arritja e një marrëveshje politike, sepse nga kolegët evropianë kishte shqetësim se mund të shpërthente dhuna në rritje./EO

Ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë gjatë luftës, Christopher Hill ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai është dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith paralajmëroi se diplomati amerikan “mund të refuzojë t’u përgjigjet pyetjeve për shkaqe konfidencialiteti” dhe se dëshmia “do të jetë e kufizuar në fushëveprim”.

Me Hill, në sallën e gjyqit ka shkuar edhe një zyrtare e qeverisë amerikane, e cila u prezantua vetë si zëvendëssekretare ligjore e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Hagë./EO

Lajmet

FSK merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26” në Gjermani

Published

on

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i përfaqësuar nga një kompani këmbësorie e Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.

Sipas FSK-së, kompania kosovare është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh ka shërbyer edhe për testimin e aftësive të saj në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

Gjatë “Observation Day”, aktivitetet e kontingjentit të FSK-së janë përcjellë nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, dhe rreshter majori i KFT-së, Naim Smakolli.

Pjesëmarrja në ushtrime të tilla, sipas FSK-së, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara