Lajmet
Përkujtohen të rënët e Luftës së Parë Botërore në Kosovë dhe Ballkan
Në ceremoninë ushtarake ishin të pranishëm ambasadori gjerman, Jörn Rohde dhe ambasadori francez, Olivier Guérot.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiMe organizimin e ambasadës së Gjermanisë dhe Francës, sot në varrezat e krishterëve në Arbëri, u mbajt ceremonia e 104 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ç ‘rast u përkujtuan të gjithë të rënët e kësaj lufte në Kosovë dhe Ballkan.
Në ceremoninë ushtarake ishin të pranishëm ambasadori gjerman, Jörn Rohde dhe ambasadori francez, Olivier Guérot.
Ambasadori Guérot në këtë ceremoni përkujtimore deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet ta ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe Francës, për t’u pajtuar dhe për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen.
“Vendi i këtyre varreve para të cilit jemi mbledhur sot dëshmon se ushtarët francezë që luftuan gjithë këto vite në Ballkan, ranë në Kosovë ndoshta në fund të luftës , në vjeshtën e vitit 1918, përkrahë ushtarëve aleatë të Mbretërisë së Serbisë. Ky homazh na mundëson gjithashtu të vlerësojmë rrugën e përkushtuar që nga ajo kohë. Duke u përkushtuar me vendosmëri në rrugën e pajtimit, Franca dhe Gjermania kanë mundur të gjejnë rrugën e vëllazërisë dhe paqes. Lidhjet tona, miqësia jonë e thellë, kanë bërë të mundur krijimin e një Evrope të re të ndërtuar mbi një themel të ambicieve të përbashkëta. Një Evropë e fortë, e lirë dhe e pavarur, e përkushtuar ndaj solidaritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha ai.
Ai tregoi se çka ka arritur Gjermania dhe Franca mund të jetë frymëzim për rajonin. Guérot tha se edhe pse ka qenë i gjatë dhe i vështirë dialogu është e domosdoshme për të mirën e vendit. Sipas tij, kjo është rruga që duhet ta ndjekin Kosova dhe Serbia.
“Ajo që ka arritur Gjermania dhe Franca mund të jetë burim frymëzimi për të gjithë rajonin. Dialogu, edhe pse i gjatë dhe i vështirë, është një domosdoshmëri që duhet të zhvillohet në një frymë konstruktive dhe të hapur. Kjo është rruga që Kosova dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët duhet ta ndjekin tani për të arritur pajtimin dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët…18 ushtarë francezë humbën jetën gjatë shërbimit në KFOR. Dëshiroj të ndërlidh përkujtimin për ta me ceremoninë tonë. Duhet shikuar nga e ardhmja, në vend që të rikthehen demonët e vjetër dhe ideologjitë manipuluese që çuan në luftë në të kaluarën dhe që pretendojnë të justifikojnë agresionin rus në Ukrainë”, u shpreh ai.
Kurse ambasadori gjermanJörn Rohde tha se pasojat e luftës kanë qenë të tmerrshme, ai tregoi se 9 milionë ushtarë dhe 17 milionë njerëz humbën jetën. Pas katastrofës së luftës ai përmendi dhe muajin nëntor si ditë feste ku u formuar historia e marrëdhënieve franko-gjermane, Rohde e konsideron si arritje historike ku Gjermania dhe Franca janë bërë miq dhe aleatë.
“Pasojat humanitare të asaj lufte të tmerrshme ishin shkatërruese, më shumë se 9 milionë ushtarë humbën jetën, për të mos folur për miliona viktima civile në të gjithë kontinentin, që arritën një numër të përgjithshëm prej 17 milionë njerëz të vdekur. Zonja dhe zotërinj, është e rëndësishme të mbani mend, është e rëndësishme të përkujtoni sepse historia përsëritet, prandaj jemi këtu sot. Lufta Botërore shpesh përmendet si katastrofa e parë e shekullit 21, dhe me të drejtë nuk duhet ta harrojmë kurrë dhe nuk do ta harrojmë kurrë. Por me gjithë zinë dhe pikëllimin që jemi mbledhur sot këtu, 11 Nëntori është gjithashtu një ditë feste, historia e marrëdhënieve franko-gjermane ka qenë e vështirë për shekuj me radhë, e karakterizuar nga frika, luftëra të pafundme dhe vdekje të panumërta që datojnë nga viti 1918. Por sot, gjermanët dhe francezët po mblidhen këtu jo vetëm si aleatët më të afërt, por tani të dy vendet dhe popujt tanë janë bërë miq dhe aleatë. Kjo arritje historike është një kryevepër e diplomacisë dhe me të vërtetë pajtimi mahnit edhe sot, por edhe ndjen krenari dhe shpresë”, tha ai.
Gjithashtu ai tha se miqësia franko-gjermane është histori suksesi, ku sipas tij është shembulli më i mirë për mundësinë e pajtimit të dy vendeve armike duke lënë të kaluarën anash për ardhmërinë e vendit.
“Miqësia franko-gjermane është një histori suksesi unik historik, tregon se pajtimi është i mundur edhe mes ish-armiqve, dëshmon se konfliktet e së kaluarës mund të kapërcehen nëse ka vullnet të mjaftueshëm politik. Shpresoj se mund të shërbejë gjithashtu si shembull për pajtimin në Ballkanin Perëndimor, ka shumë aksione në Evropë këto ditë, pushtimi i tmerrshëm i Rusisë në Ukrainë dhe mendimi empireal pas tij na tregon brutalisht se disa prej nesh e shohin dhunën dhe vrasjen si një vazhdim legjitim të politikës, kjo tregon kujtimet për tmerret e luftës në të kaluarën duket se janë duke u zbehur. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë, kujtimi i së kaluarës sonë është një pjesë integrale e angazhimit tonë për të mbështetur dhe mbrojtur rendin global të paqes që arritëm të vendosim pas vitit 1945. Ne duhet të kujtojmë, nuk duhet të harrojmë kurrë”, tha ai.
Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik të vitit 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor të vitit 1918, me fitoren e Bllokut të Antantës ku bënte pjesë Britania e Madhe, Franca dhe Rusia, ndaj Aleancës Tripalëshe, ku bënin pjesë: Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia.
Aktualitet
Një model modern i arsimit fillor në UBT International Smart Schools, 40 për qind zbritje në regjistrimet e hershme
Published
43 minutes agoon
February 6, 2026By
ubtnews
Shkolla Fillore në UBT International Smart Schools po ofron 40 për qind zbritje për regjistrimet e hershme, duke u dhënë prindërve një mundësi të veçantë për të investuar në arsimimin cilësor të fëmijëve të tyre.
E vendosur në Qytetin e Mençur të UBT-së, Shkolla Fillore synon të ndërtojë një bazë të forte edukative për nxënësit, duke kombinuar mësimdhënien bashkëkohore me përkujdesje të vazhdueshme dhe zhvillim të gjithanshëm të personalitetit të fëmijës.
Programi mësimor është i ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë moderne në klasë, metoda inovative të të nxënit, si dhe aktivitete që nxisin kreativitetin, mendimin kritik dhe bashkëpunimin. Ambienti shkollor është i sigurt, stimulues dhe i përshtatur për nevojat zhvillimore të nxënësve të ciklit fillor.
Përveç fokusit mësimor dhe edukativ, Shkolla Fillore i kushton rëndësi të veçantë edukimit qytetar, vlerave njerëzore dhe ndërtimit të vetëbesimit te fëmijët, duke synuar formimin e gjeneratave të përgatitura për sfidat e së ardhmes.
Prindërit e interesuar mund të aplikojnë online, ndërsa për informata shtesë janë në dispozicion edhe kanalet zyrtare të komunikimit të shkollës. Vendet janë të limituara!
Lokacioni: Kampusi i UBT-së, Lipjan
Informata: +383 46 332 233
Aktualitet
MPJD kërkon angazhim ndërkombëtar për arrestimin e shtetasit kosovar në Serbi
Published
60 minutes agoon
February 6, 2026By
UBTNEWS
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD) ka njoftuar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale pas marrjes së informacionit për arrestimin e shtetasit kosovar Mit’hat Llozhani.
Llozhani u ndalua me të hyrë në Serbi, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Aktualitet
Protestë në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të rrymës
Published
2 hours agoon
February 6, 2026By
UBTNEWS
Sot në Prishtinë është mbajtur protestë kundër kërkesës së KESCO-s për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht para ndërtesës së KEDS-it, për të marshuar më pas drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Gjatë protestës janë shfaqur pankarta me mesazhe si: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës” dhe “Rryma rritet, populli digjet”.
Teksa protestuesit qëndronin para ndërtesës së KEDS-it, është hedhur tym i kuq, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar një person të moshuar që po merrte pjesë në protestë.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja” e kanë cilësuar kërkesën e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë për 21.3 për qind si proces të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.
Kërkesa për rritje të tarifave është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nga KESCO, KOSTT dhe KEDS.
ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat hyjnë në fuqi më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind.
Aktualisht, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat-orë.
Lajmet
“Trafiku Urban” përsëri në grevë nga 13 shkurti
Published
3 hours agoon
February 6, 2026By
UBTNEWS
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar se nga 13 shkurti 2026 do të hyjnë në grevë.
Në një njoftim për menaxhmentin dhe bordin e ndërmarrjes publike thuhet se më 26 janar janë parashtruar kërkesat dhe paralajmërimi për hyrje në grevë.
Meqë nuk ka pasur përgjigje deri më 6 shkurt, punëtorët kanë njoftuar se greva nis më datë 13.
Kërkesat e punëtorëve të “Trafikut Urban” përfshijnë përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, me qëllim që të mos cenohen interesat publikë dhe siguria e qytetarëve.
“Ju rikujtojmë se më datë 26.01.2026 është bërë njoftimi paraprak lidhur me kërkesat e parashtruara dhe paralajmërimin për hyrje në grevë në rast të mosmarrjes së përgjigjes. Duke qenë se deri më datë 06.02.2026 nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare nga organet kompetente, ju njoftojmë se punëtorët do të hyjnë në grevë më datë 13.02.2026. Në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë shërbimet publike me interes të përgjithshëm, garantohet respektimi i minimumit të procesit të punës, në mënyrë që të mos rrezikohet interesi publik dhe siguria e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Trafiku Urban” dhe transportuesit privat në Prishtinë për shkak të borxheve të pashlyera kishin ndërprerë shërbimet për nëntë ditë vitin e kaluar.
Një model modern i arsimit fillor në UBT International Smart Schools, 40 për qind zbritje në regjistrimet e hershme
MPJD kërkon angazhim ndërkombëtar për arrestimin e shtetasit kosovar në Serbi
Protestë në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të rrymës
31 të vdekur nga sulmi vetëvrasës në një xhami në Islamabad
“Trafiku Urban” përsëri në grevë nga 13 shkurti
Prishtina voton buxhetin- në 2026, mbi 150 milionë
Përvjetori i vdekjes së Kadri Roshit
“Halili dhe Hajria”, 63 vjet nga vënia në skenë e baletit të parë shqiptar
27 vjet nga konferenca e Rambujesë
Të kërkuara
-
Rajoni3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Rajoni2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Aktualitet3 months agoNga klasa në praktikë! Studentët e drejtimit Media dhe Komunikim vizitojnë shtypshkronjën e UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoFushata e klikimeve dhe e votave: Kur rrjetet sociale nuk përputhen me kutitë e votimit
