Lajmet

​Të pagjeturit, 24 lokacione u gërmuan këtë vit

Ndërsa 71 mostra janë dërguar në Hagë.

Published

on

Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë që të rritet angazhimi dhe presioni ndaj Beogradit zyrtar për kthimin e personave të zhdukur. Në konferencën e fundvitit, u tha se gjatë vitit janë gërmuar 24 lokacione në Kosovë dhe 71 mostra janë dërguar në Hagë.

Kryetari i Këshillit Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajqevci tha se informatat nga arkivat e Serbisë mbesin çelësi i zgjidhjes së kësaj problematike.

“Mungesa e më të dashurve tanë, mungesa e drejtësisë, shuarja e çdoditshme edhe e shpresës që do të mësojmë sa më parë për fatin e familjarëve tanë dhe vendndodhjen e familjarëve tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm nga policia dhe ushtria serbe gjatë kohës së luftës 1998-1999, e konfirmojmë se çështja e personave të zhdukur mbetet tema më e ndjeshme me të cilën përballet vendi ynë dhe mbetet plagë e hapur dhe e paharrueshme që vazhdon të kullojë edhe tani pas 23 viteve… Kërkojmë nga institucionet tona dhe mekanizmave ndërkombëtarë, që të rritet angazhimi dhe në veçanti të rritet presioni ndaj Beogradit zyrtar që të na kthejë më të dashurit tonë”, tha kryetari i këshillit, Ahmet Grajqevci.

Sipas tij, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka treguar se sa ka qenë numri i gërmimeve që janë realizuar gjatë këtij viti në Kosovë.

“Në vitin 2022 kemi arritur t’i gërmojmë 24 lokacione, 11 janë me gjetjen e eshtrave të mbetjeve mortore të njerëzve, 22 dorëzime kemi arritur t’i bëjmë familjarëve të personave të zhdukur në këtë vit. I kemi dërguar 71 mostra në Hagë prej këtyre gjetjeve… Nuk i kemi pranuar ende dhe shpresojmë që në janar t’i pranojmë rezultatet e analizave të ADN-së prej tyre dhe të shohim se sa do të jetë numri i saktë i personave të identifikuar nga këto mostra që i kemi dërguar. Numri i personave të gjetur në bazë të këtyre hulumtimeve që kemi bërë nuk ka identifikim ende, sepse janë dërguar në Hagë, është 17 gjetje sipas antropologëve tanë”, ka njoftuar Hoti.

Ai ka shtuar se gjatë vitit 2022 kanë pasur qasje në vetëm një lokacion në Serbi dhe presin që të vazhdojnë punimet edhe vitin e ardhshëm. Hoti tha se ende nuk është mbyllur lufta për familjarët e personave të zhdukur.

“Edhe nëse vitet shërojnë plagët, e kundërta është te familjarët e personave të zhdukur. Sepse kalimi i viteve për ta, rëndon një plagë të tillë. Pikërisht familjet e personave të zhdukur vazhdojnë të mbesin në luftë të hapur prej vitit 1999, ende nuk është mbyllur lufta për ta, ende vuajtjet janë të njëjta mos më të mëdha. Dhe kjo fatkeqësisht për shkak të politikës së njëjtë barbare të Beogradit zyrtar, të cilët ende vazhdojnë të mbajnë të politizuar çështjen e personave të zhdukur”, ka thënë Hoti.

Udhëheqësi i Zyrës në Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur, Kushtrim Gara tha se edhe gjatë këtij viti janë përballur me mungesë të informacioneve të besueshme.

“Sfidat janë të mëdha që realisht edhe viti 2022 karakterizohet si vit i përpjekjeve dhe angazhimeve të shumta, por edhe vit i sfidave dhe problemeve me të cilat po hasin institucionet në punën e tyre. Para se gjithash sfidat të cilat po e përcjellin punën e komisionit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës mbeten mungesa e informacioneve të besueshme por edhe problemeve të mbetjeve mortore në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Gara.

Në konferencën e fundvitit të Këshillit Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Salih Muhaxherri, familjar i personave të pagjetur, tha se është i zhgënjyer me punën që është bërë gjatë këtij viti.

“Viti 2022 për mua është vit zhgënjimi, nuk është vit i të arriturave diçka sa i përket kësaj çështje. Nuk kemi kurrfarë informata rreth të zhdukurve tanë edhe informata kanë munguar goxha shumë edhe nga institucionet më të larta qeveritare”, u shpreh ai.

Familjarët edhe pas 23 vitesh prej përfundimit të luftës, ende kërkojnë eshtrat e mbi 1600 personave të zhdukur.

lajme

Përzgjedhësi i Izraelit, Ben Shimon: Kosova ka ekip të mirë, jemi në nivel të përafërt

Published

on

By

Përzgjedhësi i Kombëtares së Izraelit, Ran Ben Shimon, ka vlerësuar lart përfaqësuesen e Kosovës në konferencën për media para përballjes së nesërme ndërmjet dy kombëtareve, duke deklaruar se të dyja ekipet kanë nivel të përafërt.

Tekniku izraelit e cilësoi Kosovën si një kundërshtar cilësor, ndërsa shtoi se bilanci i takimeve të kaluara nuk do të luajë rol përcaktues në këtë sfidë.

“Mendoj që Kosova dhe Izraeli pak a shumë e kanë nivelin e njëjtë. Mund të them që të dyja janë ekipe relativisht të vogla. Sa i përket rezultateve të së kaluarës, nuk bazohemi te historia. Kosova me të vërtetë ka një ekip të mirë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Ben Shimon.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit zhvillohet nesër, ku të dyja përfaqësueset synojnë rezultat pozitiv. Deri më tani, nga tri përballjet e ndërsjella, Kosova ka arritur të shënojë një fitore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi ratifikon me 81 vota marrëveshjen me Suedinë për transferimin e të dënuarve

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se marrëveshje të tilla përbëjnë një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin evropian dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo sqaroi se, meqë marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ratifikimi i saj nga Kuvendi është i domosdoshëm në bazë të nenit 18 të Kushtetutës.
Përkrahje për këtë marrëveshje ndërkombëtare kanë dhënë edhe grupet parlamentare opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, duke mundësuar kalimin e saj me konsensus të plotë në seancën plenare. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shtyhet sërish seanca ndaj Xhevat Krasniqit, mungojnë prokurori dhe e dëmtuara

Published

on

By

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti, ka bërë të ditur se shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e prokurorit të Shtetit, e cila nuk ishte e arsyetuar, si dhe mungesa e njërës prej të dëmtuarave, Donika Veseli. Sipas tij, në mungesë të palëve kryesore, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.

Kjo shënon vonesën e radhës në këtë proces gjyqësor, pasi më parë janë shtyrë edhe nëntë seanca të tjera të planifikuara gjatë muajve shtator dhe tetor, për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve në procedurë.

Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur përgjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, brenda hapësirave të Fakultetit të Mjekësisë.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim cenimin e dinjitetit të studenteve, duke shfrytëzuar pozitën e tij si profesor universitar. Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit nga puna në Universitetin e Prishtinës, me vendim të rektorit Arben Hajrullahu, deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara