Lajmet

​Tollovi e madhe për patentë-shoferë, nuk respektohen as masat anti-COVID

Published

on

Hapja e afatit të testimit për patentë-shoferë ka bërë që shumë kandidatë të aplikojnë për test teorik dhe praktik.

Vonesat për hapjen e këtij afati kanë bërë që interesimi i kandidatëve të jetë shumë i lartë, gjë që ka shkaktuar tollovi në qendrën ku mbahen provimet teorike tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Ministria e Infrastrukturës pezulloi për një kohë paraqitjen e provimeve shkaku i pandemisë, veçanërisht për pjesën praktike, dhe kjo ka bërë që numri i kandidatëve që presin të jetë shumë i madh.

Mëngjesi i sotëm shumë nga ta i gjeti para kësaj qendre, duke pritur që të hapen sportelet për të paraqitur testin. Madje, për të mbajtur rendin për shkak të tollovisë së shkaktuar aty kishte dalë edhe Policia e Kosovës.

Policia kërkonte nga ta që të mbanin edhe distancën për shkak të pandemisë, ata vetëm sa vinin e shtoheshin, duke kundërshtuar urdhrat.

Njëra nga kandidatet, Doruntinë Ibrahimi, e cila ka 5 muaj që po pret të paraqesë testin praktik, thotë për KosovaPress se do të ishte dashur që qendra e testimeve të ishte më e organizuar.

“Qysh po shihni edhe ju sot, që jemi mbledhur këtu sot për me e paraqitë vozitjen unë, dhe për të hyrë për test teorik, tollovinë po e shihni edhe ju siç është, as policia nuk po mundet të kryejë punë, sidomos policia e thjeshtë pa ardhur njësia speciale. Radha ka qenë shumë e madhe, por edhe këta së pari është dashur të organizohen, të vendosin shiritat, me i nda kush është për teori, kush është për praktikë”, tha ajo.

Ajo tregon se për shkak të tollovisë së madhe ishte e vështirë që edhe kandidatët mes vete të dinin se kush kishte shkuar më herët, në mënyrë që të mund të mbanin njëfarë rendi.

“Askush nuk u dinte kush ka ardhur më herët e kush më vonë. Unë faktikisht jam prej orës 7:00 këtu dhe ende nuk kam mundur të hyjë ta paraqes (testin). Po ashtu, kush shkon në punë prej 10-11, nuk mundet të shkojë hiç. Tani edhe atje ankesa, edhe këtu mos me mujt me e paraqit, ka që prej 5-6 muaj që janë duke prit veç për vozitje me e paraqit dhe nuk munden me hy. Do të thotë problemi është tek këta, nuk është as policia problem, problemi është që nuk po munden t’i rreshtojnë se këta me fillim është dashur me e ditë që bëhet llugë kështu për shkak të vonesave të tyre”, u shpreh ajo.

Periudha e ndërprerjes së testit praktik ka bërë që shumë qytetarë sot të ishin të revoltuar, pasi që kishte nga ata që patentë shoferi iu është dashur edhe për punë. Ibrahimi kujton një nga këto raste.

“Ka pasur raste kur policia të pyesnin ku e ki lejen e makinës, prapë të dënonin”, tha ajo.

Euron Musliu, i cili po pret që nga shtatori që t’i nënshtrohet testit praktik, as sot që është hapur afati nuk është optimist nëse do të mund të kryejë punë.

“Jam duke pritur prej shtatorit, por deri sot boll shumë kallaballëk, shumë njerëz. Krejt për diçka kemi ardhur, për një qëllim. Po mundohemi me bë diçka”, tha ai.

Për Saimir Berishën është e pakuptimtë mungesa e një organizimi më të mirë për paraqitjen e testitit për pjesën teorike po praktike. Ai tregoi për KosovaPress se në fillim ishin shpërndarë disa numra, por për shkak të tollovisë së madhe as kjo mënyrë e mbarëvajtjes nuk kishte funksionuar.

“Jemi duke pritur prej orës 8:00. Filluan me disa numra me i shpërnda, por nuk mundem me i marrë. Njëherë ja nisën ashtu, por nuk funksionoi më. Tash me rend (njësia) speciale janë duke i lëshuar, kush po mundet po hyn, kush nuk po mundet po presim edhe pak”, tha ai.

Ai beson që sikur të ishte hapur afati më parë, nuk do të kishte kaq shumë kandidatë sot.

“Se di pse e kanë vonuar kaq shumë. Diku në fillim të dhjetorit e kom kryer testin, tash duke pritur kështu. Kemi qenë edhe para një jave, ‘jo po e marrim vendimin sot, jo nesër’, edhe deri dje kur më tregoi Autoshkolla që e ka marrë për sot”, u shpreh Berisha.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë një qëndrim rreth organizimit të procesit për kandidatët që do t’i nënshtrohen pjesës teorike dhe praktike për patentë shoferë, por të njëjtit, përkundër pritjes, nuk kanë kthyer përgjigje.

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku mbështet shpërndarjen e Kuvendit: “U mbrojt rendi kushtetues”

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar mbështetjen e tij për vendimin e Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Abdixhikut, LDK-ja vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese që Presidentja ka treguar përmes këtë vendimi, duke vepruar në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës.

Kreu i LDK-së u shpreh se dështimet politike dhe tendencat për imponim nuk mund të prodhojnë zvarritje procedurale, të cilat do ta shndërronin Kosovën në një vend pa norma dhe rregulla. Ai u shpreh i gatshëm që partia e tij të marrë pjesë në konsultimet e menjëhershme për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Në fund, Abdixhiku nënvizoi se zgjedhjet nuk ishin alternativa e preferuar e LDK-së dhe se ekzistonte mundësia për ta evituar këtë proces. Megjithatë, siç u shpreh ai: “Apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual”.

Continue Reading

Lajmet

UBT International Smart Schools organizon “Open Day”: Mundësi informimi për edukimin e së ardhmes

Published

on

By

Me qëllim të prezantimit të modelit inovativ të shkollimit dhe mundësive të shumta për gjeneratat e reja, UBT International Smart Schools organizon ngjarjen e madhe informuese “Open Day”.

Ky aktivitet, i cili do të mbahet më 11 mars, duke filluar nga ora 14:30, synon të mbledhë nxënës, prindër dhe të interesuar në ambientet e Kampusit të UBT-së në Lipjan. Përmes këtij organizimi, shkolla hap dyert për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin nga afër standardet e edukimit modern dhe teknologjik që ofron ky institucion.

Çfarë ofron “Open Day”?

Pjesëmarrësit në këtë ngjarje do të kenë një agjendë të pasur informuese dhe ndërvepruese, duke përfshirë:

  • Informim rreth drejtimeve dhe bursave: Ekspertët e edukimit do të ofrojnë detaje për programet studimore dhe skemat e bursave që mbështesin nxënësit e dalluar.
  • Bashkëbisedim me mësimdhënësit: Një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar rreth kurrikulave, metodologjisë së mësimdhënies dhe qasjes ndaj nxënësit.
  • Vizitë në hapësirat inovative: Vizitorët do të kenë rastin të shohin laboratorët, klasat inteligjente dhe ambientet moderne që e bëjnë këtë shkollë një qendër të edukimit “Smart”.

UBT International Smart Schools vazhdon të mbetet lider në transformimin e arsimit në Kosovë, duke integruar teknologjinë dhe mendimin kritik në procesin e nxënies.

“Open Day” është ftesë e hapur për të gjithë ata që synojnë një karrierë të suksesshme, duke u nisur nga një bazë e fortë arsimore.

Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të bashkohen të mërkurën në Kampusin e UBT-së në Lipjan, për të parë nga afër se si po ndërtohet e ardhmja e arsimit në Kosovë.

 

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohet arsenal armësh në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në veri të vendit, ku ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë një sasi armatimi dhe municioni në komunën e Leposaviqit.

Gjatë angazhimeve në terren këtë të enjte, autoritetet policore në rajonin e veriut kanë siguruar informacione operative se në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jashanicë mund të kishte mjete të rrezikshme.

Me të pranuar informatën, njësitë relevante kanë ndërhyrë në lokacionin e specifikuar, ku pas një kontrolli të hollësishëm kanë rënë në gjurmë të një arsenali armësh.

Gjatë këtij operacioni, policia ka sekuestruar një armë automatike AK-47, një pistoletë të tipit CZ bashkë me dy karikatorë, një pushkë karabinë M48, si dhe një pushkë gjuetie. Përveç armëve, në këtë shtëpi janë gjetur edhe 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Për gjetjet në terren është njoftuar menjëherë Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të trajtohet si mbajtje dhe posedim i paautorizuar i armëve.

Megjithëse armatimi u gjet në një ambient të braktisur dhe deri më tani nuk ka të arrestuar, organet e rendit kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar personat që mund të kenë lidhje me këtë rast.

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës pret në takim zyrtar Shërbimin Sekret Amerikan

Published

on

By

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është arritur një hap i ri drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka pritur sot në një takim zyrtar një delegacion të përbërë nga përfaqësues të Shërbimit Sekret të SHBA-së (US Secret Service) dhe zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Sipas njoftimit ky takim është zhvilluar në një frymë të lartë partneriteti dhe besimi të ndërsjellë.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, fokusi kryesor ka qenë thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit profesional në fushën e sigurisë, shkëmbimi i përvojave operacionale si dhe avancimi i kapaciteteve institucionale. Policia ka potencuar se roli i SHBA-së mbetet jetik për zhvillimin e brendshëm të forcave të rendit.

“Në takim u theksua mbështetja e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Policinë e Kosovës ndër vite, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e institucioneve të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se ky partneritet do të njohë vetëm rritje në të ardhmen. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar dhe zgjeruar partneritetin strategjik me institucionet amerikane në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit”, përfundon njoftimi zyrtar i policisë.

Ky takim vjen si vazhdimësi e përpjekjeve të Policisë së Kosovës për t’u rreshtuar krah agjencive më prestigjioze botërore për të garantuar një ambient të sigurt dhe luftimin e krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara