Live

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 6 mars, nga viti 1993-1999

Published

on

Sot lajmet janë nga më të ndryshmet. Bota ka ndryshuar. Teknologjia ka ndryshuar shumëçka në jetën tonë, edhe në mënyrën tonë të informimit. Edhe ngjarjet janë të tjera. Të kohës. Por, cilat ishin lajmet që mund të lexonin kosovarët, dekada më herët. Ta zëmë, në kohën më të rëndë për shqiptarët e Kosovës (1990-1999), kur Serbia kishte bërë përpjekje ta instalojë terrin informativ.

Ishin gazetarët shqiptarë që nuk heshtën, edhe pse Serbia mbylli Radiotelevizionin e Prishtinës, gazetën “Rilindja” dhe të gjitha revistat e tjera.

Ishin edhe korrespondentët e mediave të huaja, që ndihmuan që, megjithatë, shqiptarët e Kosovës të mos mbesin në terr informativ.

 

Për shkak të peshës së ngjarjeve, po sjellim së pari lajmet e datës 6 mars 1998:

Lajmi i parë (Ora 8:00):

Rifillon sulmi në Prekaz, të shtëna edhe në Rakinicë e në Açarevë

Në fshatrat e Drenicës që kishin qenë objekt i ekspeditës terroristike të forcave serbe, edhe gjatë natës pati krisma të herë pas hershme. Kurse në mëngjes sot rifilloi një sulm kundër fshatit Prekaz. Njoftimet nga fshatrat përreth thonë se forcat serbe po qëllojnë shtëpitë në lagjen Jasharaj, të cilat kishin mbetur pa u rrënuar gjatë sulmit të djeshëm. Një burim nga Llausha tha në mëngjes se dy autobus me policë i janë afruar fshatit Prekaz. Nga Mitrovica njoftohet se në drejtim të Skënderajt kanë shkuar sot forca serbe. Edhe nga Gllogoci ka njoftime se në drejtim të Skënderajt kanë shkuar dy autobusë me policë dhe dy autoblinda.
Të shtëna dëgjohen edhe nga Rakinica e Açareva.
Njoftimet nga Mitrovica e Vushtrria flasin për qindra familje të larguara nga fshatrat e Skënderajt dhe Vushtrrisë që janë afër caqeve të sulmeve serbe. Disa familje të larguara nga shtëpitë e veta kanë arritur edhe në Lipjan, Shtimje e në Gllogoc.

 

Ora 9:50:

Lajmi kryesor është: Numri i të vrarëve disafish më i madh

Ja përmbajtja e lajmit:
Së paku 50 shqiptarë janë vrarë gjatë ekspeditës terroriste serbe kundër Prekazit.
Druhet se gjatë kësaj ekspedite kanë pësuar anëtarët e familjes së Shaban Jasharit, duke përfshirë edhe fëmijët.
Dëshmitarët thanë mbrëmë se kjo shtëpi ishte djegë deri në themel.
Familja e Shaban Jasharit është sulmuar edhe më 22 janar, kur janë plagosur dy vajza të kësaj familjeje.

Lajme të tjera: Po shtrëngohet rrethimi i Llaushës; Policë me rroba civile keqtrajtojnë shqiptarët në Klinë; Si dezinformon policia serbe; Ambasadorët e Grupit të Kontaktit sot në Prishtinë; Përgatitet mbledhja urgjente e KS të OKB-së për Kosovën;

 

Ora 10:30:  

Filloi sulmi masiv kundër Llaushës;

Lajmet nga politika: Konferencë me gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova; Kryetari Rugova priti diplomatë italianë, suedezë, norvegjezë; Për shkak të Kosovës, SHBA-të ia tërhoqën katër lehtësitë Beogradit; K. Kinkel: Serbia përjashtoi veten nga Evropa; Rubin Kuk: Dhuna policore e regjimit serb nuk do të japë rezultate për zgjidhjen e Kosovës; Qendrat e njohura televizive botërore për aksionet e forcave policore e ushtarake serbe në Kosovë; Reagime të shumta ndërkombëtare kundër regjimit serb për shkak të aksioneve policore e ushtarake në Kosovë; CIA ka ditur për përgatitjet e Beogradit për sulm në Kosovë; Ushtria serbe as nuk e konfirmon as nuk e demanton pjesëmarrjen e saj në sulmet në Drenicë;

Lajmet e pasdites: Vazhdojnë sulmet në disa lagje të Prekazit; Llausha mbahet në rrethim; Në Mitrovicë kanë arritur rreth 1000 të larguar nga Drenica; Mbi 450 veta, të ikur nga Drenica, janë vendosur në fshatrat e Fushë Kosovës; Malisheva dhe 40 fshatrat e saj që dje pa rrymë dhe pa lidhje telefonike; Suharekë: Lëvizje të ushtrisë;

 

Ora 13:30:

Lajmi i fundit: Forcat serbe kërcënohen me masakër ndaj familjeve të lagjes Lushtaku e Kadriaj.

Kjo është përmbajtja e lajmit:

“Në një bisedë telefonike prej Prishtinës me motrën e tij afër Prekazit të Ulët, Zenë Lushtaku nga Prekazi mirret vesh se forcat serbe kanë hyrë në lagjen Lushtaku me 70 shtëpi dhe në lagjen Kadriaj 50. Druhet se forcat serbe po terrorizojnë popullsinë që nuk ka mundur të largohet nga ky fshat.
Z. Zena i tha QIK-ut se familja e tij ka 30 anëtarë.
Ai druan se forcat serbe do të masakrojnë anëtarët e familjes së tij dhe të familjeve të tjera, njësoj si në Likoshan të Drenicës më 28 shkurt e 1 mars kur u vranë dhe u masakruan 24 shqiptarë në shtëpitë e tyre.
Dëshmitarja afër Prekazit tha me telefon se në këto lagjhe kanë hyrë forcat serbe me autoblinda, tankse e mjete të tjera.
Në një lajm të mëhershëm thuhej se në këtë fshat, në lagjen Brahovit po digjeshin katër shtëpi”.

 

Ora 15:00:

Re tymi nga fshati Prekaz; Kinkel: “Tani është e nevojshme diplomacia preventive”; Protestë e madhe në Tiranë në përkrahje të popullit të Kosovës; Kongresmeni amerikan Engel i bën thirrje SHBA-ve që të angazhohet totalisht me Kosovën; Reagime të qeverisë zvicerane dhe kanadeze mbi ngjarjet në Kosovë; Mbi 700 bashkatdhetarë protestuan në Shien të Norvegjisë; Në fshatrat e Lipjanit janë vendosur mbi 250 të ikur nga Drenica; Maqedonia përforcoi kufirin me Kosovën; Gjakovë: Policia arrestoi dy mjekë të SHHB “Nëna Tereze”; Pengohet shpërndarja e shtypit shqip;

 

Ora 17:00:

Vazhdon sulmi serb në fshatrat e Drenicës; Vazhdon sulmi në Prekaz, fshatrat përreth të boshatisura; Shumë të ikur nga Drenica janë vendosur në fshatrat e Vushtrrisë; Lëvizje të kolonave ushatarako-policore në drejtim të Mitrovicës;

 

Ora 19:00:

Kryetari Rugova priti një delegacion të vendeve të Grupit të Kontaktit;  Deklaratë e ambasadorëve të Grupit të kontaktit pas takimit me kryetarin Rugova; Vazhdon sulmi në Prekaz, të shtëna me snajper në Llaushë; Dëshmi e Riad Jasharit që arriti t’i ikte vrasjes; Policë serbë në malet e fshatrave Broboniq e Lushtë; Policia nga shtëpitë e shqiptarëve shtin kundër banorëve që lëvizin në oborret e tyre; Policia plagosi Raif Bajramin dhe shtiu drejt dy vajzave të tij; Në Vojtesh u gjuajtën me snajper dy qytetarë, njëri mbeti i shtrirë; Lëvizje të policisë dhe mobilizim i serbëve edhe në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë; Rreth 2000 të larguar në Vushtrri; Ekspeditë policore në Dumosh të Podujevës.

 

Rikthehemi në rrjedhën logjike të rubrikës. Sjellim lajmet e datës 6 mars ndër vite:

6 mars 1993

Lajmi kryesor: Deri tani 79 të vdekur në fatkeqësinë ajrore në Shkup;

Lajmi vjen pasi një ditë më herët, në afërsi të aeroportit Petrovec të Shkupit, në afërsi të fshatit Haraçinë, eksplodoi aeroplani i tipit “Foker 110”, i cili fluturonte në relacionin Shkup – Cyrih. Në aeroplan ndodheshin 91 udhëtarë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Pjesa dërrmuese e udhëtarëve ishin shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe nga Presheva e Bujanoci.

 

6 marsi i vitit 1994 ishte e diele, nuk kishte zhvillime të rëndësishme.

6 mars 1995

Lajmi kryesor: Forcat serbe arrestuan shumë të rinj shqiptarë në komunën e Suharekës

Thekse nga lajmi:

Pardje në disa fshatra të komunës së Suharekës policia dhe ushtria serbe ndërmorën një një aksion të arrestimit të të rinjve shqiptarë dhe të dërgimit të tyre me dhunë në ushtrinë serbe.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Suharekë njoftoi se janë arrestuar: Faik Sali Suka (1967) nga fshati Bllacë, Sali Beqir Ramadani dhe Ruzhdi Kryeziu nga Sopija, Sami Gani Hajdari (1972), Qamil Nazif Bytyçi (1973), Shukri Xhemajli Asllani (1973) dhe Selami Tafil Bytyçi (1974) nga Kastërci, Banush Sylë Morina (1974) e Rifat Nezir Morina (1973) nga Stravaqina, Bashkim Agush Gashi (1972) nga Tërna, Jetish Hajrush Hajdaraj (1973) nga Gjinoci, Rexhep Kurtish Berisha (1972) dhe Rasim Muharrem Neziri (1970) nga Suhareka, si dhe Shaqir H.Kryeziu (1964) nga Leshani.

Njoftohet se forcat serbe kanë kërkuar në shtëpitë e tyre edhe këta të rinj: Sherif Kryeziu nga fshati Sopijë, Skënder Gashi dhe Hysni Gashi nga fshati Mohlan.

Disa prej të arrestuarve kishin dezertuar nga armata ish -jugosllave në kohën e shpërthimit të luftës në Slloveni, Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë.

Mirëpo njoftohet se në mesin e të arrestuarve është edhe Feriz Kabashi (1969), i cili ka qenë liruar përkohësisht nga shërbimi ushtarak.

Gjatë aksionit policia rrahu në dyqanin e tij Liman Xhemali Gashin nga Suhareka për shkak se nuk e njoftoi policinë se ku gjendet shtëpia e Sadik Gashit.

Policia rrahu dhe Jeminin, baba i Nexhat Kabashit, i cili po kërkohet nga ushtria. Policët iu kërcënuan atij se do t’ia djegin shtëpinë në rast se nuk e dorëzon në polici djalin deri të hënën. Ndërkaq në fshatin Mohlan gjatë kërkimit të dy të rinjve në mënyrë të vrazhdë është sjellë polici Dragan Jeftiq.

Në rubrikën “Dhuna e përditshme në Kosovë”, njoftohet për dhunë ndaj shqiptarëve edhe në Junik, Prizren, Malishevë e Podujevë.

 Lajme të tjera:  Afër Deçanit për serbët ndërtohet një vendbanim me 224 shtëpi; Grindjet serbe rreth banesave në Lipjan; Në Prishtinë për kolonistët serbë jipen 22 kiosqe; Bankënotat e 12 vendeve evropiane të shtypura nga viti 1965 e deri më 1980 vlejnë vetëm deri më 30 qershor; Përfaqësuesi i kishës serbe viziton Shqipërinë?; Mbahet manifestimi “Takimet e poeteve”; Në Gllogovc tre shqiptarë u larguan nga puna; Ndërhyrje e policisë në një turne të futbollit; Fillon gjykimi kundër policit Boban Kërstiq, vrasësit të fëmiut Fidan Brestovci.

 

6 mars 1997

Lajmet kryesore: Kryetari Rugova priti diplomatët amerikanë, Deklaratë e Ministrit Bicaj me rastin e 110 vjetorit të Shkollës Shqipe e të Ditës së Mësuesit;

Perëndimi thekson të drejtën e përgjegjësinë e qeverisë së Shqipërisë për parandalimin e anarkisë; Masmediat e huaja për zhvillimet më të reja në Shqipëri; Armata maqedone ngriti nivelin e gatishmërisë; 14 shqiptarë u dëbuan nga Gjermania.

Në rubrikën “Dhuna e përditshme në Kosovë” jepen këto lajme:

Skënderaj: – Më 2 mars, policia ishte në fshatin Makermal dhe kërkoi Halil e Muhamet Gjinovcin. Muhameti u kërkua nga policia për të nëntën herë.

Kamenicë: – Më 3 mars policia shkoi në shtëpinë e Hasan Fazliut (70) në Karaçevë dhe e urdhëroi atë që të nesërmen të paraqitet në polici. Të nesërmen z. Fazliu u mor rreth një orë në pyetje me pretekst të kërkimit të një revoleje dhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish në polici.

 

Tituj të tjerë: Azilkërkuesit shqiptarë keqtrajtohen gjatë kthimit në atdhe; Një qytetari iu konsfiskuan 13.300 DM; Në Shkup 20 demonstrues filluan grevën e urisë.

 

 6 mars 1999

Lajmi kryesor i ditës është ky:

Një i vrarë e gjashtë të plagosur në një sulm të armatosur në Prishtinë

Lajmi: Një shqiptar u vra dhe së paku gjashtë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi kryer nga persona të panjohur mbrëmë në orën 22 në rrugën “Xhemail Ibishi” në Prishtinë.

Sipas informatave të para, në lokalin pronë e Bajram Zakutit, u shti me armë automatike nga një veturë e zezë e tipit “Golf”.

Gazeta “Kosova sot” ka njoftuar se është vrarë në vend një person me emrin Agim, ndërsa janë plagosur Shaban Zeqiri, Gani Pllana, Ismet Llapjani, Bajram Zakuti, Alush Mushica dhe Sabri Selmani.

Në lajmet e mëvonshme u konfirmua se i vrari është Agim Revuçi (36)

Në lajmet e paradites dominojnë këta tituj: Në Magurë të Lipjanit janë pozicionuar civilë dhe policë të armatosur serbë; Grupe civilësh të armatosur serbë thyen pothuaj të gjitha lokalet e shqiptarëve në qytezën e Lipjanit; Vushtrri: Forcat serbe granatuan rreth dy orë drejt fshatrave shqiptare; Ushtria serbe sulmoi sërish 3 fshatra të Mitrovicës dhe 3 të tjera të Vushtrrisë; Gjashtë serbë të plagosur nga një shpërthim në Pejë; Prishtinë: Prani e shtuar e policisë serbe në lagjen “Velania”; Malishevë: Sërish zhvendosje e banorëve; Forcat serbe nuk lejuan ndihmat humanitare për banorët e fshatit Glloboçicë; Hani i Elezit: Vazhdojnë të mbahen në arrest 3 shqiptarë; Gjakovë: Forca të mëdha të ushtrisë serbe janë përqëndruar në fshatin Goden; Kamenicë: Një shqiptar u kërcënua nga policia serbe; Vushtrri: Policia serbe keqtrajtoi fizikisht disa shqiptarë; Kërkohet Qamil D. Morina nga Drenoci i Malishevës.

Në lajmet e pasdites janë këta tituj: Seancë plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës – i thuhet Po marrëveshjes së Rambujesë për Kosovën; Në praninë e mijëra qytetarëve në Prekaz u shënua njëvjetori i rënies së Adem Jasharit; Vushtrri: Forcat serbe granatojnë fshatrat rreth Qyqavicës; Në gjykatën serbe të Pejës hetimet zhvillohen kundër 738 pjesëtarëve të UÇK-së; Në Zogaj të Ulqinit një shqiptare lindi katërneq; Ushtarët serbë u stacionuan në pushimoren e fëmijëve në Nashec të Prizrenit.

Continue Reading

Lajmet

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ruse dëmtojnë rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, Kievi deri në 20 orë në ditë pa rrymë

Published

on

By

Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.

“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.

Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.

Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara