Lajmet

​Rusët shkatërrojnë laboratorin e Çernobilit në Ukrainë

Agjencia shtetërore tha në një postim në Facebook se laboratori kishte mostra shumë aktive.

Published

on

Trupat ruse që pushtuan termocentralin bërthamor të Çernobilit kanë plaçkitur dhe shkatërruar një laborator në atë vend, pretendojnë zyrtarët ukrainas.

Agjencia Shtetërore e Ukrainës për Menaxhimin e Zonës së Përjashtimit tha se rusët kishin dëmtuar Laboratorin e tyre Qendror Analitik – i cili përpunonte shumë mbetje radioaktive, raporton BBC.

Agjencia shtetërore tha në një postim në Facebook se laboratori kishte mostra shumë aktive dhe mostra të radionuklideve, të cilat sot janë në duart e armikut.

Tutje thuhet se laboratori, i cili kushtoi rreth gjashtë milionë euro për t’u ngritur, kishte gjithashtu pajisje të vlefshme analitike që nuk ishin të disponueshme diku tjetër në Evropë.

Çernobili – vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë në 1986 – nuk është një termocentral që funksionon, por ende kërkon menaxhim të vazhdueshëm.

Rusët e kapën atë në ditët e para të luftës r dhe kishin mbajtur punëtorë atje për javë të tëra përpara se disa të liroheshin.

Ish lokacioni bërthamor mbetet një shqetësim i madh dhe në fillim të kësaj jave parlamenti i Ukrainës raportoi se zjarret në pyje kishin shpërthyer në afërsi të uzinës, të cilat u kapën nga imazhet satelitore.

Kujtojmë që mëngjesin e 24 shkurtit Rusia pushtoi Ukrainën, e që kjo e fundit ende po vazhdon të përballet me agresionin rus.

Lajmet

Vazhdon sot seanca ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit për akuzat për spiunazh

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

Seanca e mëparshme, më 13 nëntor, u ndërpre pas përjashtimit të përkohshëm të publikut, për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Shabani.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë më 19 shkurt 2025, duke i ngarkuar Shabanin dhe Qerimin se kanë mbledhur dhe dërguar informacione dhe dokumente tek BIA serbe.

Sipas PSRK-së, informacionet kishin lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Inspektoratin Policor, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike, përfshirë masakrën e Reçakut.

Prokuroria thotë se qëllimi i këtyre veprimeve ishte krijimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në Kosovë, përhapja e një narrative të pavërtetë që të lidhej Spitali Ushtarak i UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për trafikim organesh, dhe vënia në dyshim e së vërtetës për masakrën e Reçakut.

Muharrem Qerimi akuzohet gjithashtu për armëmbajtje pa leje./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria bie në renditjen e FIFA-s

Published

on

Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar një rënie në renditjen më të fundit të FIFA-s, duke zbritur në vendin e 63-të nga pozita e 65-të.

Mungesa e fitoreve në miqësore dhe humbjet në takimet e fundit zyrtare kanë qenë faktorët kryesorë të kësaj rënieje.

Analistët sportivë theksojnë se ekipi ka pasur probleme të dukshme në finalizim dhe stabilitet në mbrojtje, elemente që kanë kushtuar rëndë në rezultatin përfundimtar të vlerësimit.

Edhe përkundër sigurimit të fazës “playoff” për Kupën e Botës 2026 Shqipëria nuk ka arritur të mbledh pikët e nevojshme për ngritje apo mbajtje të së njëjtës pozitë që e kishte herën e fundit./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Osmani sot mbledh partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar partitë parlamentare për një takim mbi caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas raportimit të mediave takimi është thirrur për në orën 10:30.

Ky zhvillim vjen pasi në seancën e sotme, i mandatuari nga LVV-ja për formimin e qeverisë, Glauk Konjufca, nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

​Bislimi pjesë e darkës joformale ministrore BE-Ballkani Perëndimor

Published

on

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë Besnik Bislimi mori pjesë në darkën joformale ministrore BE-Ballkan Perëndimor, ku falënderoi shefen e diplomacisë evropiane Kaja Kallas dhe komisionaren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos për ftesën.

Bislimi theksoi rrezikun që shfaqin për demokracinë dhe zhvillimin kërcënimet e sigurisë dhe sulmet e vazhdueshme hibride dhe rëndësinë e unitetit në përballjen ndaj tyre.

Bislimi tha se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe arritja e konsensusit në vendimmarrjen brenda BE-së përbën një hap kyç në këtë proces dhe mesazh të fuqishëm uniteti”, tha Bislimi.

Ai theksoi se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës sfidohet e sulmohet në vazhdimësi nga Serbia përmes letrave të depozituara në BE dhe akteve terroriste në terren të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar.

Bislimi tha se Kosova ka arritur avancim në shumë fusha, si uljen e papunësisë, rritjen e shtesave për fëmijë dhe nënat lehona, progresin në zbatimin e reformave drejt integrimit në BE dhe luftimin e korrupsionit dhe sundimi i ligjit.

Ai uroi Shqipërinë dhe Malin e Zi në avancimin e rrugëtimit të integrimit evropian dhe hapjes së kapitujve drejt anëtarësimit në BE, si dhe përkushtimit të Ukrainës dhe Moldavisë ndaj integrimit në unionin evropian. /S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara