Aktualitet

​PSD: Murati s’mund të jetë një ministër i Kosovës së çliruar nga UÇK-ja

Kjo për shkak të deklarimeve të tij për veteranët e UÇK-së.

Published

on

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) kërkoi sot dorëheqjen e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për shkak të deklarimeve të tij për veteranët e UÇK-së.

Kjo parti paralajmëroi protestë më 6 korrik në orën 19:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” me kërkesën për shkarkimin e Muratit.

Në një konferencë për media, kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj theksoi se kanë parë disa deklarata për të sulmuar dhe denigruar përpjekjen e një populli për çlirimi.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, jo vetëm që nuk po reagon qysh duhet, por në një farë forme e ka ushqyer këtë sentimentin anti-UÇK.

“Kemi vendosur që duhet të organizohet protestë, e cila ka për qëllim kërkesën ndaj qeverisë së Kosovës për shkarkimin e këtij ministri. Ajo çka kemi parë këto ditë, kemi parë disa deklarata të ministrit në detyrë të Financave, i cili e ka sulmuar, përbuzur, denigruar përpjekjen e një populli për çlirim. E keqja e kësaj vjen e shtohet, ku i njëjti ministër, kanë kaluar më tepër se 48 orë, nuk e ka marrë mundin as të shpjegohet. Pra, nuk po bëhet fjalë vetëm çka ka thënë, por ai as që po flet, sepse është e qartë se ajo çka ka thënë atëherë, është bindja e tij. Për këtë arsye ai ka zgjedhur të fshihet. E keqja e radhës që e bëri edhe më të papranueshme këtë situatë, është mbrojtja që i bëri kryeministri sot i Kosovës”, theksoi ai.

Ndërsa Natyra Kuqi nga ky subjekt jo parlamentar, tha se ministri Murati nuk mund të jetë ministër i Kosovës që është çliruar nga UÇK-ja.

“Ministri Hekuran Murati nuk mund të jetë një ministër i Kosovës, e cila është çliruar nga UÇK”, tha Kuqi.

Ndaj ministrit Murati, sot ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare, PDK-ja, e cila ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti largimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve.

Aktualitet

Flamur Xhafa – CTO nga kompania Behamics, ndan përvojën nga industria me studentët e Sistemeve të Informacionit

Published

on

By

Fakulteti Sistemet e Informacionit, në kuadër të lëndës “Analiza dhe Dizajnimi i Sistemeve të Informacionit (SI)”, u mbajt një ligjëratë tematike me guest speaker Flamur Xhafa, CTO nga kompana Behamics.

Gjatë ligjëratës, Xhafa ndau me studentët përvojën e tij profesionale rreth industrisë së teknologjisë, mënyrës së realizimit të projekteve reale, si dhe praktikave që përdoren në punën e përditshme në kompani. Ai theksoi rëndësinë e mendimit analitik, punës në ekip dhe komunikimit të qartë në procesin e analizës dhe dizajnimit të sistemeve, duke i lidhur konceptet e lëndës me raste konkrete.

Në fokus të veçantë ishte edhe pjesa e këshillave dhe motivimit për studentët, ku u diskutua se si të përgatiten për tregun e punës, si të ndërtojnë profilin e tyre profesional, si të angazhohen në projekte praktike dhe si të shfrytëzojnë mundësitë për të hyrë sa më herët në një ambient real pune.

Ky bashkëpunim shërben si një urë lidhëse mes studentëve dhe industrisë, duke krijuar hapësirë për mundësi praktike, rrjetëzim profesional dhe një kuptim më të qartë të kërkesave të tregut.

 

Continue Reading

Aktualitet

Studentët e vitit të parë të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT trajnohen në QuickBooks nga ekspert i fushës

Published

on

By

Studentët e vitit të parë, në kuadër të lëndës Hyrje në Kontabilitetin Financiar në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, nën udhëheqjen e profesorit Mic Ukaj realizuan një ligjëratë praktike mbi aplikimin e softuerëve të kontabilitetit, me ligjërues mysafir Taulant Murati, kontabilist i certifikuar me përvojë shumëvjeçare në fushën e kontabilitetit, financave dhe auditimit.

Përmes softuerit Quickbooks, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset kryesore të përdorimit të softuerëve te kontabilitetit, duke filluar nga krijimi i politikave kontabël, regjistrimi i klientëve dhe furnitorëve, evidentimi i blerjeve dhe shitjeve, e deri te reflektimi i këtyre transaksioneve në pasqyrat financiare. Ligjërata u karakterizua nga një qasje shumë interaktive, me përfshirje aktive të studentëve në përdorimin praktik të softuerit.

UBT mbetet e përkushtuar në vazhdimin e misionit të saj për të ndërthurur dijen teorike me përvojën praktike, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për të zhvilluar kompetenca profesionale që përputhen me kërkesat e tregut të punës.

Continue Reading

Aktualitet

Profesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Prof. Dr. Kujtim Thaçi, ka publikuar një artikull shkencor në revistën ndërkombëtare shumë prestigjioze Frontiers in Immunology, e cila renditet në Q1, me Impact Factor 5.9 dhe CiteScore 10.6, si dhe është e indeksuar në Web of Science dhe Scopus.

Artikulli është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Imunologji dhe Sëmundje Inflamatore të Spitalit të Massachusettsit dhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Harvardit. Ky bashkëpunim shënon herën e parë të një bashkëpunimi shkencor ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Harvardit dhe UBT-së, duke përfaqësuar një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe komunitetin akademik në Kosovë.

Në këtë artikull shkencor, autorët theksojnë se funksioni i IgE-së dhe efekti i saj sinjalizues përmes receptorëve FcεR shtrihet përtej sëmundjeve klasike atopike, duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në shumë mjedise inflamatore jo-atopike dhe në sëmundjet e ndërmjetësuara nga imuniteti. Një fokus i veçantë i studimit është ndryshimi i glikozilimit në vende specifike të molekulës së IgE-së, ndryshime që mund të ndihmojnë në karakterizimin molekular të sëmundjeve, në stratifikimin e pacientëve dhe në identifikimin e mundësive të reja terapeutike.

Ky hulumtim ka rëndësi të veçantë, pasi shumë strategji imunomoduluese dështojnë për shkak se pacientët, pavarësisht dallimeve molekulare, trajtohen si një grup homogjen. Zgjerimi i kuptimit të biologjisë së IgE-së përtej atopisë kontribuon në riformulimin e konceptit të sëmundjeve inflamatore dhe hap rrugë për ndërhyrje klinike më të targetuara dhe më efektive.

Artikulli i plotë mund të lexohet në linkun zyrtar të revistës Frontiers in Immunology.

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Dr. Naser Rugova, ka publikuar artikullin shkencor me titull “The Role of Healthcare System Digitalization in Transition Countries: The Case of Kosovo” në revistën The Kosovo Dispatch, një platformë akademike me ISSN të regjistruar në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, duke e pozicionuar këtë punim në një nivel të lartë ndërkombëtar të referencimit shkencor.

Artikulli analizon në mënyrë të thelluar rolin e digjitalizimit të sistemit shëndetësor në vendet në tranzicion, me fokus të veçantë në Kosovë, duke argumentuar se transformimi digjital nuk është thjesht proces teknologjik, por reformë e thellë institucionale, kulturore dhe qeverisëse.

Në studim theksohet se ndonëse digjitalizimi shihet si mjet kyç për përmirësimin e efikasitetit, cilësisë, barazisë dhe transparencës në shëndetësi, në Kosovë ky proces mbetet i fragmentuar, i varur nga donatorët dhe i dobët nga ana institucionale. Sipas autorit, pengesat kryesore nuk janë teknologjike, por burojnë nga mungesa e pronësisë institucionale, mungesa e interoperabilitetit mes sistemeve, trajnimi i pamjaftueshëm i stafit shëndetësor dhe rezistenca kulturore ndaj transparencës dhe llogaridhënies.

Studimi është realizuar përmes analizës cilësore të politikave publike dhe shqyrtimit të literaturës ndërkombëtare, duke u mbështetur në raporte dhe të dhëna nga institucione si Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), OECD, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian, si dhe në literaturën bashkëkohore mbi qeverisjen digjitale.

Dr. Rugova vëren se në Kosovë ekzistojnë iniciativa si Sistemi Informativ Shëndetësor (HIS), regjistrat elektronikë të pacientëve dhe raportimi digjital, por ato funksionojnë të shkëputura dhe pa integrim të plotë mes niveleve të kujdesit shëndetësor – primar, sekondar dhe terciar. Kjo pengon vazhdimësinë e trajtimit, planifikimin strategjik dhe përdorimin e të dhënave për politika shëndetësore të bazuara në prova.

Një dimension i rëndësishëm i punimit është lidhja midis digjitalizimit dhe qeverisjes së mirë. Sipas studimit, sistemet digjitale rrisin transparencën, reduktojnë hapësirat për keqpërdorime dhe favorizime, dhe forcojnë sundimin e rregullave përkundrejt praktikave informale. Pikërisht për këtë arsye, rezistenca ndaj digjitalizimit shpesh është institucionale dhe politike, pasi nënkupton zhvendosje të pushtetit nga individët te sistemet.

Duke u bazuar në përvoja ndërkombëtare, përfshirë modelin e suksesshëm të Estonisë, studimi argumenton se digjitalizimi efektiv kërkon vizion shtetëror, investim të vazhdueshëm në kapitalin njerëzor dhe ndërtimin e besimit publik.

Në përfundim, profesori Rugova rekomandon që Kosova të ndërtojë një qasje të integruar ndaj digjitalizimit të shëndetësisë, duke forcuar qeverisjen digjitale, pronësinë institucionale, trajnimin e stafit dhe përdorimin e të dhënave për politika publike. Pa këto elemente, nismat digjitale rrezikojnë të mbeten sipërfaqësore dhe të paqëndrueshme.

Artikulli është bashkautorësi me Dr. Apollon A. Rexhaj, mjek dhe studiues, ndërsa Dr. Naser Rugova mban titullin Profesor i Menaxhimit Shëndetësor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë.

Ky publikim përforcon rolin e UBT-së si institucion lider në prodhimin e dijes shkencore me ndikim në politikat publike dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë në Kosovë, veçanërisht në shëndetësi dhe qeverisje digjitale.

Continue Reading

Të kërkuara