Aktualitet

​Bordi ekzekutiv i MCC-së aprovon programin Kompakt

Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme.

Published

on

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, (MCC), në mbledhjen e rregullt më 30 qershor 2022 ka aprovuar Projektin Kompakt si dhe kanë hapur rrugën për nënshkrimin dhe finalizimin e proceseve të ratifikimit në Kuvendin e Kosovës dhe dekretimin nga presidentja Vjosa Osmani.

Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

Programi do të përfshijë tri projekte rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh), zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.

Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori, dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë.

Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit.

Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja gjatë orëve me konsum të lartë.

Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës, dhe burime të ngjashme, gjë që do ta përshpejtoj kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekti i dytë përfshinë dy aktivitete zhvillimin e Fuqisë Punëtore Energjetike për të Ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC-në; dhe fuqi punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë që do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë mbështetja e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Projekti i tretë është financim nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim, apo ACFD, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Specifikisht, projekti synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat gjatë implementimit të programit Kompakt në fushat që mbështesin ose plotësojnë objektivat e projektit të rezervave të energjisë dhe atë të zhvillimit të fuqisë punëtore.

Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjes së mundësive për financim për agjendë të gjelbër.

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Lajmet

Protesta para EULEX-it eskalon pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një grup qytetarësh është mbledhur në shenjë proteste dhe ka marshuar drejt zyrave të EULEX-it në Fushë-Kosovë, raporton Ekonomia Online. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, pranë objektit të misionit ndërkombëtar janë vendosur forca të shtuara të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Situata pranë objekteve të EULEX-it ka eskaluar pasi protestuesit e revoltuar me vendimin e gjykatës kanë filluar të hedhin gjësende të ndryshme në drejtim të ndërtesës. Reagimi i qytetarëve erdhi menjëherë pas vendimit ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, duke çuar dënimin e tyre të përgjithshëm në 81 vjet burgim. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Avokati i Thaçit: Dështim i drejtësisë, Kuvendi ta zhbëjë Specialen

Published

on

By

Pierre-Richard Prosper, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, e ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale, duke e quajtur atë një “dështim të drejtësisë” dhe “ditë të zezë për drejtësinë ndërkombëtare”. Prosper konfirmoi se mbrojtja do ta apelojë menjëherë vendimin, ndërsa akuzoi gjykatën se ka rishkruar historinë duke injoruar dëshmitë që vërtetonin se Thaçi nuk kish përgjegjësi mbi komandat rajonale të UÇK-së.

Avokati tëhoqi vëmendjen e NATO-s dhe Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), duke theksuar se cilësimi i UÇK-së si ndërmarrje e përbashkët kriminale nënkupton absurditetin se vetë NATO bashkëpunoi me një strukturë të tillë. Ndër të tjera, Prosper i bëri thirrje direkte Kuvendit të Kosovës që të marrë një vendim sovran dhe t’i heqë mbështetjen kësaj gjykate duke e zhbërë atë, ndërsa përçoi mesazhin e Thaçit se ai mbetet i fortë dhe do ta vazhdojë betejën deri në lirimin e tij.

Continue Reading

Lajmet

LDK reagon pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Kërkon qetësi dhe maturi

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur shqetësim të thellë për vendimin dhe përmasën e dënimeve.

Në një komunikatë për media, partia ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar se ky është një moment i ndjeshëm për qytetarët e Kosovës.

Në reagim thuhet se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i sakrificës së brezave, rezistencës politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Sipas saj, kjo trashëgimi është e përbashkët dhe përgjegjësia për ta ruajtur atë u takon të gjithëve.

“Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës”, thuhet në komunikatë, ndërsa mbështetet shterimi i të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe procedurat e shkallës së dytë.

Në reagim rikujtohen edhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga regjimi i Serbisë, përfshirë vrasjet e civilëve, dëbimet me forcë, dhunën dhe shkatërrimin e vendbanimeve.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Më tej, theksohet se pjesëtarët e UÇK-së “mbrojtën pragun e shtëpisë”, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje që të ruajnë qetësinë dhe maturinë.

Përfaqësuesve politikë u është kërkuar përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre, shmangie e tensioneve dhe kontribut në ruajtjen e unitetit qytetar. Po ashtu, është bërë thirrje që forcat politike t’i lënë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojnë të bashkuara në këtë periudhë.

Në përfundim, LDK-ja ka theksuar se liria e Kosovës “ka kushtuar shumë” dhe ka bërë thirrje për ruajtjen e shtetit, unitetit qytetar dhe miqësive me aleatët ndërkombëtarë.

“UÇK mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”, përfundon reagimi i LDK-së.

D.L

Continue Reading

Lajmet

PDK dënon aktgjykimin e Hagës: Padrejtësi e madhe mbështetur në prapagandën e Serbisë

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur indinjatë dhe kundërshtim të fuqishëm ndaj aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për të drejtën e popullit të Kosovës për liri.

Përmes një komunikate për media, PDK-ja theksoi se ky vendim është një padrejtësi e madhe që mbështetet në materiale të fabrikuara nga aparati shtetëror i Serbisë për të kriminalizuar luftën e drejtë të UÇK-së. Partia nërizoi se “agresori ishte Serbia, viktima ishte Kosova, ndërsa UÇK-ja përgjigjja e popullit për liri”, duke shtuar se historia e shkruar me gjak e sakrificë nuk mund të rishkruhet nga asnjë vendim gjyqësor.

Duke rikujtuar se katër ish-drejtuesit iu përgjigjën drejtësisë vullnetarisht, PDK-ja deklaroi se do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum, me bindjen se beteja për të vërtetën e luftës çlirimtare vazhdon. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara