Lajmet
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 6 prill, në vitet nëntëdhjetë
Published
5 months agoon
By
UBTNews6 prill 1993
Lajm i plotë: Gjykata serbe dënoi dy anëtarë të organizatës humanitare “Ekuilibre”
Dje në Prishtinë, gjykata serbe për kundërvajtje, dënoi me nga 15 ditë burg, Natali Kornije dhe Paskal Greje, anëtarë të organizatës humanitare “Ekuilibre”, kurse Bruno Marke u lirua. Ata menjëherë u dërguan në vuajtjen e dënimit.
Autoritetet serbe, nuk dhanë kurrfarë informate për burgosjen e këtyre dy anëtarëve të organizatës humanitare “Ekuilibre”. Kjo organizatë humanitare franceze, para dy muajsh solli një sasi ndihmash humanitare në Kosovë, të cilat, kjo organizatë në bashkëpunim me shoqatën humanitare “Nëna Tereze”, i shpërndau me shumë vështirësi, sepse pushteti serb tentoi t’i pengonte.
Merret vesh, se ekipi i organizatës humanitare “Ekuilibre”, erdhi në Kosovë për të hapur përfaqësinë e saj në Prishtinë.
Lajm i plotë: Policia serbe i dënon edhe përfaqësuesit e organizata humanitare
Dënimi i dy anëtarëve të shoqatës humanitare franceze “Ekuilibre”, pason kërcënimet e autoriteteve serbe, duke përfshirë liderë partish politike, deputetë të Kuevendit të Serbisë dhe instancat qeveritare kundër misioneve dhe delegacioneve të ndryshme ndërkombëtare, madje edhe gazetarët. Mjetet serbe të informimit, sidomos ato në Kosovë, kanë akuzuar edhe anëtarët e Misionit vëzhgues të KSBE-së në Kosovë, Zyrën e Komesariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatë dhe vëzhguesit e BE-së në aeroportin e Prishtinës, pastaj Tadeush Mazovjeckin, i dërguar special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, e të tjerë.
Ndërkohë, disa delegacioneve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe një delegacion parlamentarësh evropianë, autoritetet serbe ua kanë ndaluar hyrjen në Kosovë. Kjo praktikë, bie ndesh me deklaratat e kryetarit të Jugosllavisë së vetëshpallur Dobrica Qosiq në Bruksel këto ditë se vendi i tij, gjoja është i hapur për delegacionet e huaja dhe se vetë Serbia është e interesuar që bota ta kuptojë gjendjen e vërtetë, duke përfshirë edhe të vërtetën për Kosovën. Por, natyrisht ai e ka ndërmend të vërtetën serbe për Kosovën.
Arrestimi dhe dënimi i anëtarëve të shoqatave humanitare, siç ndodhi me anëtarët e shoqatës “Ekuilibre”, tregon se Serbia do të pengojë me të gjitha mjetet hyrjen e ndihmave humanitare në Kosovë. Krahas kësaj, përmes makinacioneve të ndryshme autoritet serbe po konfiskojnë sasi të mëdha ushqimesh në Kosovë, duke përfshirë edhe miellin nga depotë dhe furrat.
Lajme të tjera:
Dr. Ibrahim Rugova priti përfaqësuesit e Kosovës në kampionatin e Full-kontaktit në Varnë
Nikë Gjeloshi u takua me Ministrin federal të Shtetit Gjerman
Në prag të vizitës së kongresistëve amerikanë në Kosovë
Gjermania ndihmon Shqipërinë me 60 milionë DM
Kosova në Televizionin Gjerman
Policia serbe arrestoi tre deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës
U arrestuan edhe dy deputetë të Republikës së Kosovës nga Prizreni
Në polici edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Mitrovica
Nga Serbia dërgohen gjyqtarë të rinj në Kosovë
Lëvizje ushtarake serbe në shumë pjesë të Kosovës
Në Kosovë nuk qarkullojnë trenat
6 prill 1994
Lajm i plotë: Raport i KMDLNJ mbi dhunën policore-ushtarake serbe në Kosovë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut lidhur me dhunën policore-ushtarake, të cilën regjimi serb e ka ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës gjatë muajve janar, shkurt dhe mars të këtij viti, lëshoi një kumtesë për opinion, në të cilën thuhet:
Pushteti okupues serb në Kosovë, duke vënë në veprim makinerinë e tij ushtarako-policore, edhe gjatë muajve janar, shkurt dhe mars 1994, madje me intensitet edhe më të shtuar, ushtroi terror të paparë mbi popullsinë shqiptare të këtyre trojeve.
Këta tre muaj janë muaj, kur dhuna policore-ushtarake serbe u manifestua me të gjitha format e mundshme dhe u shtri në të gjitha fushat e jetës. Bastisjet, arrestimet, rrahjet e maltretimet e ndryshme ka vite që janë bërë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarit të këtushëm, prandaj edhe gjatë kësaj periudhe paraqesin format më të shpeshta të dhunës.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, për çdo ditë, nga tereni merr informata mbi terrorin e organizuar, që pushteti serb po ushtron mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Në bazë të këtyre informatave është përgatitur edhe ky raport, të cilin po ia paraqesim opinionit. E shprehur me shifra, gjendja gjatë tremujorit që kaloi ishte kjo: dhunë në forma të ndryshme pësuan 3.081 veta, u vranë 2 shqiptarë e u plagos 1 (i plagosuri është i përkatësisë rome), u arrestuan 851, u dënuan 64 veta (shumica për vepra penale), ndërsa u bastisën 1.229 shtëpi, policia kërkoi 497 veta, ndërkaq u rrahën (torturuan fizikisht) 684 e u maltretuan në mënyra të ndryshme 182 individë. Më së shumti pësuan në të ashtuquajturin “aksion i mbledhjes së armëve” 1.822 veta. Gjatë këtyre tre muajve për t’u dërguar me dhunë në shërbimin ushtarak u kërkuan 67 veta, ndërsa në forma të ndryshme pësuan 260 veprimtarë të partive e shoqatave të ndryshme, 68 femra e 39 fëmijë (të mitur). Nga banesat e tyre me dhunë u nxorën 42 familje shqiptare e në shumicën prej tyre u vendosën serbë.
Këtë periudhë e karakterizon dhuna e shfrenuar mbi kulturën, arsimin, shkencën, sportin etj. Në shumë shkolla, madje edhe në ato fillore, u pengua ose u ndërpre procesi arsimor. U penguan a u ndërprenë aktivitete të ndryshme kulturore-sportive, ndërsa shkenca përjetoi dhunë vërtet të shfrenuar: me forcë u mor ndërtesa e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa gjatë marrjes me dhunë të ndërtesës së Institutit Albanologjik, huliganët serbë shuan epshet e tyre shoviniste mbi punëtorët shkencorë shqiptarë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, gjatë këtyre tre muajve të këtij viti, dhuna, në të gjitha fushat e jetës, është shtuar, madje shumë. Sa për ta dëshmuar këtë po bëjmë vetëm disa krahasime; derisa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë patën pësuar 1.465 veta, gjatë tre muajve të këtij viti kjo shifër ka arritur në 3.081. Vitin e shkuar, në tremujorin e parë, sipas shënimeve tona, u patën arrestuar 415 e u patën rrahur 298 veta. Qenë bastisur 229 familje, ndërsa për armë patën pësuar forma të ndryshme të dhunës 694 individë. Ndërkaq, në të njëjtën periudhë të këtij viti, siç u cek edhe më lart, u arrestuan 851, e u rrahën 684 veta, u bastisën 1.229 familje, ndërsa në “aksionin e armëve” pësuan 1.822 veta.
Këtu do theksuar se, megjithëse edhe nga kjo që po paraqesim, shihet se gjendja gjatë këtij tremujori ishte tepër e rëndë, ajo në realitet ishte edhe më e rëndë. E themi këtë, sepse ne në këtë raport, për shkaqe të ndryshme nuk kemi arritur t’i paraqesim të gjitha rastet e dhunës. Në radhë të parë nga terreni nuk na kanë arritur të gjitha informatat mbi dhunën e ushtruar, por edhe në ato që na kanë arritur nuk janë emrat e të gjithë atyre që kanë pësuar. Dihet se dhuna më e rëndë ushtrohet gjatë bastisjeve për armë ku në mënyra të ndryshme pësojnë të gjithë pjesëtarët e familjes, ndërsa ne, në të shumtën e rasteve, regjistrojmë vetëm emrin e kryefamiljarit. Thuase dhunë, madje tepër e rëndë nuk ushtrohet mbi fëmijën, të cilin nga gjumi, në orët e hershme të mëngjesit apo pas mesit të natës (zakonisht atëherë bëhen bastisjet), e zgjojnë britmat e egra të policëve si dhe rrapëllimat e automatikëve e armëve të tjera. Duke pasur parasysh këtë, konsiderojmë se raporti, megjithatë nuk është i plotë, thuhet në fund të kumtesës për opinion të KMDLNJ.
Lajm i plotë: Gjashtë shqiptarë akuzohen për stërvitje ushtarake në Shqipëri
Prokuroria serbe e qarkut të Prishtinës ka kërkuar nga Gjykata e qarkut t’i fillojë hetimet kundër gjashtë shqiptarëve: Fehmi Leshtrani (21), nga fshati Bajicë, Shkëlzen Bajrami (21) nga Korrotica e Poshtme e Gllogovcit, Nexhmedin Sadriu (31) nga Davidova e Shtimjes, Luan Heta (23) nga fshati Varosh i Ferizajt, Beqir Muleci (38) dhe Hysni Franci (22) të dy nga fshati Tërstenik i Gllogovcit, njofton agjencia serbe Tanjug.
Të gjithë këta persona që gjenden në paraburgim, thuhet në njoftimin e “Tanjugut” ngarkohen se gjoja gjatë vitit 1992 e 1993 kanë qenë në “stërvitje ushtarake” në Shqipëri për t’u inkuadruar në “ushtrinë paramilitare” të Kosovës.
Më tutje në këtë njoftim thuhet, ata gjoja paskan ushtruar me “oficerët shqiptarë se si përdoren armët e ndryshme, me autoblinda, tanke, me mjete shpërthyese, për të kryer diversione”.
Zëvendësprokurori serb i qarkut të Prishtinës, Jovica Jovanoviq, deklaroi se në “stërvitjen e këtij grupi” gjoja paskan ndërmjetësuar edhe përfaqësuesit e zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, Ali Aliu, Mehmet Kraja dhe Zymber Berisha.
Po ashtu njoftohet se së shpejti në Prishtinë fillon gjykimi i kreut “të ministrisë së mbrojtjes” të Republikës së Kosovës – i Hajzer Hajzerajt si “ministër i mbrojtjes” dhe të ndihmësve të tij, të cilët gjoja paskan punuar sipas direktivës së Anton Kolajt, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajme të tjera:
Kryetari Rugova priti parlamentarin britanik
Dr.Sali Berisha: Pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk ka zgjidhje të krizës ballkanike
Konferencë ndërkombëtare për Ballkanin në Stamboll
Represioni në Kosovë
6 prill 1995
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova u takua me Margaret Theçër
Në Parlamentin Evropian krijohet edhe një grup për Kosovën
Tetë rezoluta për konfliktin në ish-Jugosllavi të propozuara nga grupet politike të Parlamentit Evropian
Kosova dhe “Rilindja” nisën aksionin për ndihmë Ruandës
- Hajdaraj dhe Sh. Shala mohuan aktakuzën për formimin e ministrisë së punëve të brendshme
Radio “Evropa e lirë” për gjykimin e ish-policëve shqiptarë në Pejë
Shtypi serb për fillimin e gjykimit në Pejë ndaj nëntë ish-policëve shqiptarë
Nëntë shqiptarë të Gjilanit akuzohen për “veprimtari armiqësore”
Policia plaçkiti në treg dhe në ndërmarrjet private në Lipjan
Disa ushtarakë serbë incizuan terrenin në Pograxhë të Klinës
Policia serbe po i plaçkitë mjetet e lëndës së MPP-së nëpër shkolla të Kosovës
Policia ndërhyri në SHF “Ali Hadri” në Lumadh të Podujevës
Policia ndërhyri sërish në SHM “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri
Plaçkitje e madhe në tregun e Prizrenit
Lajm i plotë: Dhuna e përditshme në Kosovë
Lipjan: – Këto ditë në fshatin Okllap të Lipjanit, policia serbe po ushtron dhunë kundër Mehdi Krasniqit ish-polic, Ibrahim Gashit pedagog, si dhe kundër Hasim e Sylejman Gashit.
Njoftohet se nga 28 marsi deri më 3 prill të këtij viti, policia serbe vazhdimisht mori në pyetje Shaip Gashin, drejtor i shkollës fillore “Shtjefën Gjeqovi” në fshatin Okllap. Nuk është njoftuar shkaku marrjes në pyetje.
Me pretekst se kërkoheshin një automatik dhe një bombë, këto ditë në stacionin e policisë në Lipjan u rrah Bekim Shala nga fshati Kraishtë e Lipjanit.
Ndërsa prej 30 marsit deri më 3 prill të këtij viti, në polici janë thirrur edhe Rexhep Luma, Rexhep Kodra dhe Ruzhdi Bahtiu nga fshati Kraishtë.
Thirrje për tu paraqitur në polici u janë dërguar edhe Fahri Gashit, arsimtar në shkollën fillore “Hasan Zyko Kamberi”, në fshatin Sllovi të Lipjanit. Ai u thirr që të paraqitet në postkomandën e policisë serbe në Janjevë.
Nga Lipjani bëhet me dije se këto ditë thirrje për të shkuar në ushtrinë serbe u janë dërguar edhe tetë të rinjëve shqiptarë.
Klinë: – Më 3 prill, policia pretekst të kërkimit të armëve, i la thirrjen që të paraqitet në polici Ahmet Bajraktarit nga fshati Rudicë e Klinës.
Nga Klina njoftohet se bastisjet e policisë nën pretekst të kërkimit të armëve janë shpeshtuar kohëve të fundit, veçanërisht në bashkësinë lokale të Sferkës.
Ferizaj: – Pardje, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve thirri Behxhet Nezirin (75) nga Ferizaj. Atë e urdhëruan të dorëzonte dje një armë.
Nën të njëjtin pretekst me 1, 3 dhe 4 prill, në stacionin e policisë në Ferizaj është thirrur edhe Haki Shabani nga fshati Gaçkë i Ferizajt.
Njoftohet se një revole i është kërkuar edhe Qerim Agushit (60), si dhe Nuhi e Sejdi Çelit nga fshati Burnik i Ferizajt. Nga Sejdiu policia ka konfiskuar një pushkë gjuetie, për të cilën ai e kishte lejen.
Ndërkaq, policia serbe u dërgoi thirrje për t’u paraqitur në polici më 7, përkatësisht më 10 prill të këtij viti edhe Ekrem Shabanit, kryetar i Aktivit dhe Nebih Hasanit, anëtar i Kryesisë së Aktivit të LDK-së në Gaçkë.
Këto ditë, policia serbe bastisi shtëpinë e Xhevdet Demirit në Ferizaj. Xhevdeti nuk gjendej në shtëpi. Policët ia lanë thirrjen që të paraqitet më 1 prill në stacionin e policisë në Ferizaj. Njoftohet se Xhevdet Demiri ka kohë që gjendet në Zvicër.
Ai ishte arrestuar më 20 prill të vititit 1993. Ai ishte dorëzuar në komandën ushtarake të garnizonit të Prishtinës dhe ishte keqtrajtuar fizikishku atëherë Xhevdet Demirit i qe thyer nofulla dhe i kishte pëlcitur timpani i veshit nga torturat. Për këtë shkak ai një kohë kishte qëndruar një spitalin e Prishtinës.
Pejë: – Më 1 prill, policia serbe mori në shtëpinë e tij Ali Rexhep Lajçin ish-polic nga fshati Drelaj i Pejës. Ai në stacionin e policisë në Pejë u mor në pyetje pse e ka lëshuar kohë më parë vendin e punës, çka punon tash, ndërsa më vonë edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u lirua me kusht që të paraqitet serish në stacionin e policisë në Pejë më 20 prill të këtij viti. Pardje, policia serbe ndali në rrugë Sokol H. Elshanin nga Ozrimi, të cilin më pas e dërguan në stacionin e policisë në Pejë dhe e keqtrajtuan fizikisht. Ai u lirua me kusht që të paraqitet dje sërish në polici.
Malishevë: – Dje policia serbe, mori dhe i dërgoi në polici vllerërit Adem dhe Enver B.Krasniqin nga fshati Drenoc i Malishevës. Ata u morën peng për shkak të vëllaut të tyre Zenun Krasniqit i cili nuk ishte në shtëpi. Njoftohet se ata ende po mbahen peng në polici.
Dje policia keqtrajtoi fizikisht edhe Arif, Beçir, Betim, Sokol, Sadri, Ilaz dhe Ymer Krasniqi nga fshati Drenoc. Njoftohet se ata janë keqtrajtuar rëndë nga policia e postkomandës së Kijevës dhe ajo e Klinës.
Suharekë: – Me 3 prill, rreth orës 15:00 një ekspeditë e policisë serbe nën pretekst të kërimit të armëve bastisi shtëpinë e Ramadan S. Gashit dhe Destan S. Gashit nga Dubrava e Suharekës. Pasi vëllezërit gashi nuk ishin në shtëpi policia mori peng djalin e Destanit, Valdet Gashin (19) i cili në stacionin e policisë në Suharekë u keqtrajtua rëndë. Nga vëllezërit gashi policia kërkon që të dorëzojë një automatik.
Podujevë: – Dje, në orët e hershme të mëngjesit, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Sheqir Muçollit në Bajçinë të Podujevës.
Prishtinë: – Më 2 prill, rreth orës 9, disa policë të postokomandës së Graçanicës, shkuan në shtëpinë e Sadik Zeqirit në fshatin Slivovë dhe kërkuan djalin e tij Milazimin. Pasi nga kryefamiljari morën përgjigjen se nuk e dinte ku e kishte djalin, njëri nga policët e grushtoi Zeqirin (70) dhe e përplasi në një kanal. Policët u kërcënuan se nëse nuk lajmërohet Milazimi, do t’i vrasin të gjithë anëtarët e familjes.
6 prill 1997
Lajmet kryesore:
Çështja e Kosovës – pengesë kryesore në marrëdhëniet amerikano-serbe
- Albrajt bisedoi për Kosovën me liderët opozitarë serbë
Persona të armatosur penguan kryeministrin Fino të shkonte në Shkodër
Arbnori kundërshton pohimet e një grupi deputetësh të PD-së
Qeveria përgatitet për hapjen e shkollave
Kryeministri turk në favor të ndihmës për Shqipërinë
Hakmarrje pas masakrës në Levan
Vdiq poeti Allen Ginsberg
Telefonat mobilë mund t’i përgjojë secili radioamator
6 prill 1998
Edicioni i parë (Ora 09:30)
Lajm i plotë: Në hyrje të Rahovecit sot u gjetën trupat e pajetë të gjashtë burrave
Gjashtë persona të vdekur janë gjetur sot në vendin e quajtur “Te rrasa”, në hyrje të Rahovecit, afër poligonit për qitje të ushtrisë serbe.
Njoftimet e para erdhën në orët e mëngjesit nga udhëtarët që erdhën në Malishevë nga Rahoveci, ndërsa Sylejman Bala nga KKF i Rahovecit, që ishte pas orës 8 në vendin e ngjarjes, i tha QIK-ut se trupat e pajetë të gjashtë burrave të mbytur, 5 të moshës mbi 50- vjeçare e njëri pak më i ri, ndodhen në hyrje të Rahovecit, katër në anën e sipërme të rrugës e dy në anën e poshtme.
Ai tha se nga pamja e trupave mund të konstatohet se ata janë mbytur para dy-tri ditësh, ndërsa vetëm njëri ishte i përgjakur. Me gjasë ata janë mbytur diku tjetër dhe gjatë natës së mbrëmshme janë sjellur aty.
- Bala tha gjithashtu se ndonëse identifikimi i trupave nuk është bërë ende, sipas të gjitha gjasave ata nuk janë të komunës së Rahovecit.
Në vendin e ngjarjes janë ndalur disa banorë shqiptarë, kalimtarë të rastit, ndërsa, ndonëse nëpër Rahovec vërehen lëvizje të policisë, ata nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Edicioni i dytë (12:00)
Lajm i plotë: Pa të dhëna të reja rreth të mbyturve të gjetur në hyrje të Rahovecit
Edhe deri në këtë moment nuk ka të dhëna të reja rreth gjashtë trupave të pajetë që u gjetën sot në mëngjes në hyrje të Rahovecit.
Burime të LDK-së në Rahovec e Malishevë njoftuan se rreth orës 9. 30 në vendin e ngjarjes doli policia, ndërsa përfaqësuesit e NKMDLNJ-së së Rahovecit u penguan të afrohen dhe të marrin informacione më të hollësishme apo eventualisht të bëjnë identifikimin e trupave.
Lajme të tjera:
Të shtëna në Açarevë e Kopiliq, forca policore shkojnë drejt Skënderajt
Një helikopter ushtarak fluturon mbi fshatrat e Malishevës
Parakalime të ushtrisë serbe nëpër fshatin Shkabaj
Edicioni i tretë (15:00)
Lajm i plotë: Nuk dihet ende identiteti i gjashtë të vrarëve që u gjetën në Rahovec
Dega e LDK-së dhe NKMDLNj në Rahovec nuk ia kanë dalë deri tash të marrin asnjë informacion më të plotë lidhur me identitetin e 6 personave që u gjetën të vdekur sot në mëngjes në hyrje të Rahovecit, e as për rrethanat në të cilat ata humbën jetën.
Burime të LDK-së nga Rahoveci njoftuan se policia doli në vendin e ngjarjes vetëm rreth orës 9. 30, ndërsa deri në orën 11. 30 ajo lejoi kalimin e automjeteve nëpër rrugë, ndërsa, pas orës 11. 30 rruga u bllokua.
Merret vesh se në orën 13 shkoi një kamion për të marrë kufomat, ndërkohë që ai nuk është kthyer dhe rruga nuk është bllokuar ende.
Drejtues të KMDLNJ-së në Rahovec kanë kërkuar leje nga policia për të shkuar në vendin e ngjarjes, por kjo nuk u është mundësuar.
Ndërsa, Sadahedin Cena, deputet i Kuvendit të Kosovës, që kishte shkuar në vendin e ngjarjes para se të shkonte aty policia, është marrë në pyetje në polici dhe pastaj është liruar.
Në Rahovec sot në mesditë shkoi edhe mr. Eqrem Kryeziu, nënkryetar i LDK-së dhe një delegacion i Degës së LDK-së në Prizren.
Lajme të tjera:
Forca serbe arritën sot nga Serbia në Kosovë
Forca të shumta serbë shkuan nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt
Forca të shumta serbe shkuan edhe nga Klina në drejtim të Skënderajt
Kryetari Rugova caktoi ekipin për negociata me Beogradin
Lajm i plotë: Dhuna e përditshme në Kosovë
Klinë: Të shtunën, 4 gjashtë policë të armatosur serbe shkuan me dy vetura në shtëpinë e Rizah Kadriut, i adhur nga Açareva, me vendbanim në Klinë. Atë e kanë pyetur për djemtë e tij, ndërsa e kanë kërcënuar plakun Islam Kadriun dhe kunatën e tij Atifeten. Policia i mori me këtë rast dy vetura të tipit “Askona 16”, me regjistrim të Gjermanisë, ndërsa të riun Arben Kadriun e urdhëruan që të paraqitet më 6 prill në stacionin e policisë serbe në Pejë.
Mitrovicë: – Ndërkaq, më 4 prill, në orën 17,45, në fshatin Shupkofc, në afërsi të vendbanimit ku janë të vendosur kolonët serbë, policia ndaloi autobusin e firmës “Union”, i cili qarkullonte në relacionin Mitrovicë – Shalë e Bajgorës. Me këtë rast policët nxorën jashtë të gjithë udhëtarët që ishin në këmbë dhe veçuan prej tyre Agron (Xhabir) Pecin (25) nga Rahova, të cilin e futën në kompleksin e banesave të kolonëve serbë. Aty ai u rrah me grushta, shqelma dhe shufra gome, pa kurrfarë shkaku. Më këtë rast atij iu shkaktuan lëndime të rënda trupore, për çka iu desh të kërkojë ndihmën mjekësore.
Edicioni i katërt (19:00)
Lajm i plotë: Komunikatë për shtyp nga mbledhja e Grupit Negociator të presidentit Rugova
Kryesuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, sot u mbajt mbledhja e Grupit negociues (G-15), në të cilën u shqyrtua projekti i organizimit dhe i funksionimit të këtij grupi.
Sipas këtij projekti, grupi përcaktohet si Grup negociator, politiko-profesional i emëraur nga presidenti së Kosovës, dr. Rugova, i formuar për të përgatitur strategjinë dhe platformën e negociatave me përfaqësuesit e “RFJ”-së dhe të Serbisë.
Grupi negociator obligohet që të hartojë strategjinë e negociatave, të përpunojë variantat e mundshme të përmbajtjes së negociatave dhe t’i udhëheqë negociatat.
Grupi negociator mund të formojë nëngrupe të veçanta në mbështetje të përgatitjes dhe udhëheqjes së negociatave.
Në mbledhjen e sotme u paraqit edhe projektplatforma negociuese, për të cilën do të vendoset në mbledhjen e ardhshme.
Në mbledhjen e sotme, për koordinator të Grupit negociator u emërua dr. Fehmi Agani, ndërsa si zëdhënës u caktua Blerim Shala.
Grupi negociues nuk zëvendëson organet e tjera legjitime të Kosovës, përkatësisht nuk vendos për çështjet e shqyrtuara në procesin negociues.
Vendimet rreth këtyre çështjeve janë në kompetencë të organeve legjitime të Kosovës, përkatësisht të presidentit Rugova, të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, thuhet në komunikatën nga ky takim, nënshkruar nga Blerim Shala.
Lajm i plotë: Njoftohen disa nga emrat e viktimave që u gjetën afër Rahovecit
Në një njoftim të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Malishevë thuhet se sot rreth orës 14,30 policia serbe i kishte marrë trupat e gjashtë personave që u gjetën afër Rahovecit dhe i kishte dërguar në morgun e Prizrenit.
Disa aktivistë të KMDLNJ-së kishin provuar t’i identifikonin kufomat, por ishin penguar nga policët. Ata vetëm arritën të bëjnë disa fotografi nga vendi i ngjarjes.
Njoftohet se në këtë rajon gjatë tërë paraditës ka pasur fluturime të ulta të aeroplanëve dhe helikopterëve.
Sipas njoftimeve nga Malisheva tash për tash janë identifikuar: Sali Avdylaj (45) nga fshati Stapanica e Kijevës dhe vëllau i tij Fadili (mbi 30 vjet), Ramadan Balaj, roje e pyllit nga Gllareva dhe një djalë i tij, emri i të cilit nuk dihet dhe dy vëllezërit nga Rigjeva e Klinës, njëri prej tyre quhet Ramadan.
Ndërkaq, burimet serbe thonë se të gjitha viktimat janë nga fshati Gllarevë: Sali Berisha, Bajram Berisha dhe Ramadan Zogaj me dy bijtë e tij.
Lajme të tjera:
Komiteti francez “Kosova” për situatën në Kosovë
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve shpalli rezultatin e zgjedhjeve në Fushë Kosovë dhe në Dragash
Deçan: Policia serbe keqtrajtoi babë e bij
I kthyeri nga Gjermania u arrestua në aeroportin e Prishtinës
BBC-ja njofton për një sulm kundër policisë serbe afër fshatit Jashanicë të Klinës
Qytetarët serbe dëmtojnë pasurinë e shqiptarëve
Në Has rritet numri i të ftuarve në “biseda informative”
Foto: Rahoveci
You may like
Botë
Spiegel: Zbulohen emrat e serbëve të lidhur me sulmin në Leipzig. Të kapur me eksplozivë
Published
3 hours agoon
September 3, 2026By
UBTNews
Hetuesit gjermanë kanë zbuluar detaje të reja rreth tentativës së sulmit me dron ndaj një aeroplani mallrash ukrainas në aeroportin e Leipzigut, dhe të dhëna kyçe çojnë direkt në Serbi, shkruan e përjavshmja gjermane Spiegel, duke cituar burime në qarqet lokale të sigurisë.
Një nga të dyshuarit në sulmin në Leipzig është i lidhur me një burrë që u arrestua në Serbi në qershor për posedim eksplozivash. Sipas Spiegel, më 11 qershor, policia serbe ndaloi dy makina që po shkonin drejt Bashkimit Evropian pranë kufirit hungarez. Ata ishin Danilo B., i cili ka shtetësi serbe dhe ruse, dhe shtetasi serb Slobodan D.
Dronë dhe eksplozivë në kanaçe: “Serbia është një pikë e nxehtë për sabotimin rus”
Në makinën e parë, policia gjeti pjesë të një droni të modifikuar dhe qarqe kontrolli, ndërsa në të dytën, në një ndarje të fshehur, ata zbuluan kanaçe të mbushura me eksplozivë. Të dy kanë qenë në paraburgim që nga qershori, dhe autoritetet gjermane tani po kontrollojnë lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me të dyshuarit në aksionin në Leipzig – një bjellorus dhe një me shtetësi të dyfishtë ruse dhe letoneze.
Përveç kësaj, hetuesit rindërtuan lëvizjet e të dyshuarve dhe zbuluan se njëri prej tyre iku në Rusi pas operacionit nëpërmjet rrugës përmes Serbisë dhe Stambollit. Për shkak të gjithë kësaj, shërbimet evropiane të inteligjencës e shënojnë Serbinë si një “pikë të nxehtë” për sabotimin rus në të gjithë Evropën, duke deklaruar se shërbimet ruse atje rekrutojnë dhe trajnojnë operativë për operacione në terren.
Hetuesit u habitën menjëherë nga metoda identike e prodhimit të pajisjes. Në Leipzig, rreth 600 gramë të eksplozivit plastik jashtëzakonisht shkatërrues Semtex, i cili përdoret edhe nga ushtria, u vendosën në një kanaçe metalike të bashkangjitur në aeroplan, saktësisht e njëjtë me kanaçet e sekuestruara në kufirin serb.
Si dështoi sulmi në Leipzig
Vetë sulmi në Leipzig ndodhi më 4 gusht dhe u shmang vetëm nga një kombinim rrethanash. Një dron që mbante eksplozivë fluturoi drejt aeroplanëve të parkuar ukrainas të mallrave Antonov dhe goditi krahun e njërit prej aeroplanëve, por pajisja shpërthyese nuk shpërtheu për shkak të një sigurese të dëmtuar. Aeroplani që goditi droni kishte rezervuarë karburanti plot dhe kishte transportuar ndihmë ushtarake dhe municione në Ukrainë vetëm një ditë më parë.
Aeroporti i Leipzig/Halle është një qendër kyçe logjistike për operacionet e NATO-s dhe dërgimin e armëve në Kiev. Hetuesit përcaktuan se droni i rrëzuar ishte modifikuar shumë: kishte një bateri shtesë për rreze më të gjatë veprimi, një kamerë, një router 5G dhe dy karta SIM, pa drita të jashtme dhe mund të kontrollohej nga një distancë e gjatë përmes një rrjeti celular. Një antenë e veçantë u gjet gjithashtu në një pemë aty pranë që shërbente si përforcues sinjali.
Gjurmët e ADN-së dhe zjarrvënia në Poloni
Një përparim në hetim u soll nga gjurmët e ADN-së të izoluara nga një dron, një antenë dhe një kanaçe që përmbante Semtex, të cilat u përputhën përmes bazave të të dhënave në Lituani dhe Finlandë. Hetuesit gjithashtu lidhin një nga të dyshuarit me një sabotim të mëparshëm në qytetin polak të Loxh, ku një zjarr u vu në një dyqan të madh materialesh ndërtimi Leroy Merlin në korrik 2024. Megjithëse fillimisht u mendua se insekticidet ishin ndezur, prokurorët polakë më vonë vërtetuan se ishte sabotim rus.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës nga disa shërbime evropiane, të paktën katër rrjete sabotatorësh nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Moskës janë aktualisht aktivë në tokën e Bashkimit Evropian, dhe policia po kontrollon nëse avionë të tjerë morën pjesë në operacionin në Leipzig. Konkretisht, po atë natë, një aeroplan mallrash i DHL goditi një objekt fluturues të panjohur gjatë uljes.
Për shkak të gjithë çështjes, Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, njoftoi publikisht se strukturat shtetërore ruse ishin direkt pas sulmit. Si shenjë hakmarrjeje, Berlini urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe dëbimin e stafit të saj, si dhe ndërpreu kontratën me Shtëpinë Ruse në Berlin. Moska u hakmor duke pretenduar se ishte një gjyq i montuar dhe një provokim dhe mbylli Institutet Gjermane Goethe dhe konsullatën në Shën Petersburg.
Burimi: Index.gr/Spiegel
Vendi
FSK me përfaqësim në akademitë prestigjioze ushtarake në SHBA
Published
4 hours agoon
September 3, 2026By
UBTNews
Një kadet i Qendrës për Studime Universitare (QSU) ka nisur studimet semestrale me bursë në Universitetin Norwich në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar kështu një moment historik për këtë institucion ushtarak.
Kjo është hera e parë që një student nga QSU fiton një mundësi të tillë akademikosh në SHBA. Përzgjedhja e kadetit vlerësohet si dëshmi e ngritjes së nivelit akademik e ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe barazimit të standardeve të saj me akademitë më prestigjioze botërore.
Nga institucioni është bërë me dije se ky hap reflekton vizionin e udhëheqjes ushtarake për zhvillimin profesional të kuadrove të reja, duke përfaqësuar një investim afatgjatë në gjeneratën e ardhshme të oficerëve të FSK-së.
Vendi
SHBA: Reorganizimi i trupave të KFOR-it do të jetë gradual dhe i koordinuar
Published
5 hours agoon
September 3, 2026By
UBTNews
Aleanca e NATO-s ka nisur një proces gradual për optimizimin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë, proces ky që do të zhvillohet në bashkëpunim me të gjithë aktorët relevantë. Në një përgjigje për Telegrafin, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë të ditur se prioritet kryesor i Uashingtonit mbetet stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Sipas zëdhënësit të ambasadës amerikane, gjatë kësaj periudhe pritet vazhdimi i bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë në Kosovë, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. SHBA-ja vlerësoi përkushtimin e misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.
Ky zhvillim vjen në kohën kur KFOR-i po zbaton riorganizimin e trupave në terren, përfshirë edhe praninë te ura e Ibrit në Mitrovicë. Lidhur me hapjen e mundshme të urës për qarkullim, misioni ushtarak ka ripersëritur se ky vendim u takon institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. /E.A/
Lajmet
Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
Published
5 hours agoon
September 3, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kanë njoftuar se të enjten është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok.
Arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me këtë rast dhe sipas urdhrit të PSRK-së.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale ndaj të arrestuarit. /E.A/
Spiegel: Zbulohen emrat e serbëve të lidhur me sulmin në Leipzig. Të kapur me eksplozivë
FSK me përfaqësim në akademitë prestigjioze ushtarake në SHBA
SHBA: Reorganizimi i trupave të KFOR-it do të jetë gradual dhe i koordinuar
Kosova e mbyll “Taranto 2026” me rekord prej nëntë medaljesh
Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
REL: Kompania kineze e sanksionuar nga Perëndimi merr pjesë në panairin ushtarak në Sarajevë
Tri aksidente fatale dhe mbi 2.300 gjoba në trafiktat 24-orëshe të Policisë së Kosovës
Gjermania miraton 800 milionë euro armë për Izraelin
Qeni që theu rekordin Guinness, kërceu mbi 56 persona në vetëm 16 sekonda
Të kërkuara
-
Lajmet4 weeks agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport1 month agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet4 weeks agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet1 month ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë

