Lajmet

​Osmani bën thirrje për unitet: Pavarësisht dallimeve të gjithë duam një Kosovë të begatë

Presidentja Osmani deklaroi se qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të mirë.

Published

on

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin e saj për fundvit tha se viti që po e lëmë pas është karakterizuar me sfida të mëdha globale dhe të brendshme, porse mbetem shpresëplotë për të ardhmen si vend dhe si popull duke u shprehur e bindur se ditët më të mira janë përpara.

Presidentja Osmani deklaroi se qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të mirë dhe se institucionet janë duke punuar që përfaqësimi të jetë me integritet si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Në fillim të këtij viti qytetarët tanë votuan për një ndryshim të rëndësishëm. Natyrisht, pritshmëritë tuaja janë të larta, sepse ju meritoni një qeverisje të mirë që funksionon në interesin tuaj. Pavarësisht sfidave të shumta, me të cilat janë ballafaquar vendet nga e gjithë bota, dua t’ju siguroj se institucionet e vendit tonë po punojnë ditë e natë për t’ju përfaqësuar me integritet, brenda apo jashtë vendit. Por mbi të gjitha, dua t’ju them se ne po punojmë shumë për ta siguruar një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme për të gjithë në mbarë vendin”, u shpreh Osmani.

Pasi ka falënderuar qytetarët për kontributin për një vend më të mirë, Osmani ftoi për unitet duke thënë se jemi shumë pak për të qenë të ndarë dhe se pavarësisht dallimeve që mund të kemi na bashkon qëllimi për një Kosovë më të begatë.

“Në kohë vështirësish, ne duhet të përpiqemi të shohim përtej vetvetes dhe të fillojmë të veprojmë sa më të bashkuar sepse ne jemi shumë pak për të qenë të ndarë. Qoftë në shtëpi apo në punë, qoftë në luftimin e pandemisë apo mbrojtjen e mjedisit, në kohë si këto, ne duhet të punojmë shumë për ta kultivuar dhe përqafuar ndjenjën e unitetit. Kjo ngase, ne mund të kemi dallime politike apo dallime botëkuptimesh, por besoj fuqishëm se të gjithë e kemi të njëjtin synim final: ta shohim Kosovën si një vend të begatë dhe me mirëqenie të lartë ku të gjithë ndihen krenarë, duke e konsideruar shtëpi të tyre. Nuk kam dyshim që nëse punojmë së bashku, mund ta arrijmë këtë, por edhe më shumë se kaq”, deklaroi Osmani.

Në fund, Osmani uroi me dëshirat më të mira të gjithë qytetarët e Kosovës.

Lajmet

Kurti takon kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, me të cilën diskutoi për punën dhe prioritetet e institucionit.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe Akademisë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe zhvillimit të vendit. Palët u dakorduan për komunikim të rregullt dhe thellim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe nënkryetari i Akademisë, Fejzullah Krasniqi, dhe sekretari shkencor, Bardh Rugova.

Continue Reading

Lajmet

Supremja lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën

Published

on

By

Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.

Sipas Supremes, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në detaje të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizës, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku qëndronin i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e dhunës së ushtruar nga i akuzuari.

Raporti i autopsisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë vërtetuar se vdekja erdhi si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore të shkaktuara me mjet të fortë, duke mbështetur kualifikimin e veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Gjykata Supreme rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për parregullsi procedurale, ekspertizë psikiatrike dhe ndikim të substancave narkotike, duke theksuar se i akuzuari ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.

Continue Reading

Lajmet

Humb jetën një punëtor i KEK-ut në Termocentralin “Kosova B”

Published

on

By

Vdes një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.) sot, në një incident të rëndë në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq. Punëtori 55 vjeç, u përfshi nga një mjet transportues kamion dhe pësimi i lëndimeve të rënda rezultoi fatal.

Në vendngjarje menjëherë kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat konfirmuan vdekjen e të ndjerit.

KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Autoritetet po e trajtojnë rastin në përputhje me procedurat ligjore.

Ky informacion është bërë i ditur nga vetë Korporata Energjetike e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca bisedon me shefin e misionit të Luksemburgut për thellimin e bashkëpunimit

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, takoi dje Shefin e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

Në takim, Dietz e uroi Konjufcën për mandatin e ri dhe riafirmoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Diskutimet u fokusuan tek forcimi i marrëdhënieve bilaterale, koordinimi për procesin e integrimit evropian dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Konjuca është shprehur se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Luksemburgun.

Continue Reading

Të kërkuara