Lajmet

​Kurti: Tani po e vërejmë se sa kemi vuajtur për një qeverisje që nuk keqpërdor

Kreu i ekzekutivit konsideron se ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje me të lartë se në vitin 2021.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2022, tha se tani po e vërejnë se sa ka vuajtur shteti i Kosovës për një qeveri që nuk keqpërdor dhe nuk abuzon me paranë publike.

Kreu i ekzekutivit konsideron se ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje me të lartë se në vitin 2021 të cilën deri në fund beson se do ta mbyllin me 10 për qind.

”Ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje ekonomike më të lartë sesa në vitin 2021. Do ta mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike rreth 10% dhe rritje të të hyrave prej 33%, të dyja këto si rezultat i një qeverisjes të mirë dhe i besimit të qytetarëve në institucionet e vendit e veçanërisht për qeverinë. Vitin që po e lëmë pas e gjetëm me borxhe dhe projekte të dëmshme për vendin kemi anuluar vendimin për shpronësimet në autostradën e Dukagjinit, segmenti Kievë-Zahaq, e cila sipas raportit të Auditorit doli se kishte fryrje të çmimeve. Kemi gjetur ndarje buxhetore për projekte kapitale të pamaturuara në një kohë pandemie e në anën tjetër shkurtime buxhetore pikërisht për institucionet shëndetësore si SHSKUK e Ministria e Shëndetësisë“, tha Kurti.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kurti u shpreh se buxheti i vitit 2022 prej më shumë se 2.7 miliardë, parasheh projekte që ndikojnë në ringjallje ekonomike, fuqizojnë gratë dhe prodhimin vendor.

“Për herë të parë po e votojmë një buxhet i cili është tërësi i yni, një buxhet i cili ka ndarje buxhetore për projekte të maturuara e me qëllime zhvillimore që ngërthen në vete një plan të ringjalljes ekonomike që ndihmon ata që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe fuqizon gratë dhe prodhime vendor një buxhet, i cili sigurinë shëndetësinë e arsimin i ka prioritete. Në mënyrë specifike buxheti për vitin 2022 do të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do ta arrijnë vlerën buxhetore 2 miliardë e 364 milionë euro. Kemi ndarë 388 milionë euro në kategorinë paga dhe mëditje, 285 milionë euro për mallra dhe shërbime 873 milionë euro në subvencione dhe transfere 556 milionë euro në shpenzime kapitale dhe në shpenzimet komunale kemi ndarë 19 milionë euro”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë tutje tha se tani po e vërejnë se sa ka vuajtur shteti i Kosovës për një qeveri që nuk keqpërdor dhe nuk abuzon me paranë publike.

“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor andaj për herë të parë kemi buxhet prej mbi 100 milionë eurosh apo 1.3 % të bruto produktit vendor dhe synimi ynë është që brenda mandatit ta sjellim në 2% të bruto produktit vendor aq sa e kërkon standardi i NATO-s. Përveç ndarjeve buxhetore që kanë për fokus forcimin e sigurisë së vendit, avancimin e arsimit dhe përmirësimin e sistemit të shëndetësisë projektligji për vitin 2022 ka edhe disa risi sa i përket menaxhimit të mirë të financave publike dhe ruajtjes së stabilitet makro-fiskal…Tani po e vërejmë se sa ka vuajtur shteti ynë për një qeverisje e cila nuk keqpërdor dhe nuk abuzon me paranë publike për një qeverisjes që synim parësor ka zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit si rezultat ngritjen e mirëqenies qytetare”, tha Kurti.

Ai derisa ka treguar për ndarjet buxhetore për arsim e shëndetësi theksoi se për herë të parë nga buxheti i Kosovës janë ndarë mjete për Luginën e Preshevës prej 2 milionë eurosh.

Lajmet

REL: Rubio në Konferencën e Munihut, ku merr pjesë edhe Kosova

Published

on

By

Kryediplomati amerikan, Marco Rubio, do të udhëtojë për në Gjermani më vonë gjatë javës dhe do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë në Konferencën për Siguri të Munihut, para se të niset drejt Sllovakisë dhe Hungarisë.

Konferenca e 62-të e Munihut do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku do të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë edhe nga Kosova. Në Munih do të jetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Edhe Serbia do të ketë përfaqësues në Konferencë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kryediplomatin Marko Gjuriq, dhe disa ministra të tjerë. Ndërkaq, edhe vendet e tjera të rajonit do të përfaqësohen në Munih me zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministra.

Pjesëmarrja e Rubios në këtë konferencë ndodh në një moment të rëndësishëm, kur Uashingtoni dhe aleatët evropianë po përballen me mosbesim në rritje lidhur me sigurinë, tregtinë dhe të ardhmen e aleancës transatlantike dhe këto tensione pritet të mbizotërojnë diskutimet në Munih.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, që në fund të shkurtit hyn në vitin e pestë, pritet të jetë temë kryesore e diskutimeve në Konferencë, por edhe tensionet që kanë të bëjnë me Iranin.

Pjesëmarrja e Rubios në Konferencën në Gjermani do të pasohet me një turne diplomatik në Bratisllavë dhe Budapest më 15 dhe 16 shkurt, duke vënë në pah fokusin e administratës amerikane në Evropën Qendrore në një kohë të një pasigurie strategjike.

Në Sllovaki, ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë për të avancuar bashkëpunimin e sigurisë rajonale dhe për projektet e energjisë bërthamore, tha Departamenti amerikan i Shtetit. Në Hungari, ndërkaq, fokusi do të jetë në raportet dypalëshe dhe në përpjekjet e paqes që synojnë zgjidhjen e konflikteve botërore.

Pika kryesore e udhëtimit të Rubios do të jetë fjalimi në Munih më 14 shkurt, i cili pritet të shikohet me vëmendje, veçmas pasi fjalimi i nënpresidentit amerikan, JD Vance, vitin e kaluar në këtë konferencë pati jehonë të madhe.

Atëbotë, deklaratat e Vance – kur ai akuzoi liderët evropianë për shtypje të lirisë së shprehjes dhe dështim në menaxhimin e migracionit – lanë pas një ndjenjë shqetësimi në Bruksel dhe më gjerë.

Kjo ndjesi pasigurie pasqyrohet edhe në raportin vjetor të Konferencës së Sigurisë së Munihut, të hartuar nga organizatorët e forumit dhe të publikuar këtë javë, i cili paralajmëron se Evropa po përballet me një “epokë të prolonguar konfrontimi” të nxitur nga agresioni rus.

Tensionet transatlantike

Sipas raportit, sfida më e madhe për rendin liberal ndërkombëtar mund të vijë tashmë “nga brenda”, duke iu referuar asaj që e përshkruan si një ndryshim tektonik në mënyrën se si SHBA-ja po mendon për aleancat.

Duke e quajtur presidentin amerikan, Donald Trump, “më të fuqishmin ndër ata që i bien me sëpatë rregullave dhe institucioneve ekzistuese”, autorët e raportit parashikojnë se “marrëveshjet transaksionale mund ta zëvendësojnë bashkëpunimin e ndërtuar mbi parime… dhe rajonet mund të dominohen nga fuqitë e mëdha, në vend që të qeverisen nga rregulla dhe norma ndërkombëtare”.

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, e ka kundërshtuar fuqishëm vlerësimin për një “kërcënim të brendshëm”, duke argumentuar se Uashingtoni synon të ribalancojë, e jo të shkatërrojë, rendin e pasluftës.

Duke folur për gazetarët më 9 shkurt, Whitaker kundërshtoi idenë se SHBA-ja po largohet nga aleancat e qëndrueshme.

“Ne po përpiqemi ta bëjmë NATO-n më të fortë”, deklaroi ai, duke argumentuar se presioni ndaj aleatëve evropianë për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen lidhet me rritjen e kapaciteteve, jo me braktisjen e aleancës.

Sa i përket tregtisë, ai e paraqiti qëndrimin e SHBA-së si një përgjigje ndaj asaj që e quajti pabarazi të padrejta.

Sa i përket Grenlandës, për të cilën Trump ka thënë se dëshiron që SHBA-ja ta marrë nën kontroll, Whitaker tha se ky synim ka të bëjë me shqetësime të sigurisë që lidhen me Rusinë dhe Kinën. /REL/

Continue Reading

Lajmet

FSK në ushtrimin “Dynamic Front 26” në Gjermani

Published

on

By

Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”, të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një togë të mortajave.

“Dynamic Front është një ushtrim shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe partnerëve në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt”, thuhet në njoftimin e FSK-së, duke bërë të ditur se ushtrimi po zhvillohet paralelisht në Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.

FSK ka zbarkuar në Gjermani, në zonën stërvitore Grafenwöhr, me kapacitetet e veta logjistike, përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.

“Togu i mortajave me mortaja 120 mm ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat italiane”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Sipas njoftimit, gjatë ushtrimit “Dynamic Front 26”, FSK ka demonstruar aftësitë e saj në qitje ditën dhe natën, ndërsa “çdo ditë po dëshmon profesionalizëm dhe disiplinë duke ndërvepruar me partnerët në të mirë të paqes dhe sigurisë”.

Continue Reading

Lajmet

AUV ndalon importin e kafshëve të gjalla nga Rumania, shkak sëmundja e tërbimit

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, njofton se ka ndaluar importin e kafshëve të gjalla nga Rumania.

Ky ndalim i importit sipas komunikatës së AUV, erdhi pas konfirmimit të sëmundjes së tërbimit në një fermë familjare në rajonin e Maramureș, në Republikën e Rumanisë.

“Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV ka marrë vendim për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë. Kjo masë hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në komunikatën e AUV.

Ndërkaq, AVU njofton se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri.

AUV thekson se mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar.

Continue Reading

Lajmet

Smakaj dhe Fazliu lirohen me kusht

Published

on

By

Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë liruar me kusht në Kosovë më 10 shkurt 2026, pas rishikimit të fundit të masës së paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, e njohur si “Çështja gjyqësore 12”.

Sipas vendimeve të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi ka konstatuar se rrethanat kanë ndryshuar që nga rishikimi i fundit i paraburgimit në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e Smakajt dhe Fazliut në paraburgim “nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale”.

Megjithëse është vlerësuar se ekziston ende një rrezik i kufizuar për pengim të procesit, Gjykatësi ka theksuar se “e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe”.

Në vendim është marrë parasysh edhe fakti se koha e kaluar në paraburgim nga të akuzuarit “tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit nëse do të shpalleshin fajtorë”, si dhe se faza e paraqitjes së provave në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit tashmë ka përfunduar.

Po ashtu, Gjykatësi ka konstatuar se “nuk ka rrezik që Smakaj dhe Fazliu të arratisen”, duke përmendur edhe dorëzaninë financiare të ofruar prej tyre. Megjithatë, Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në këtë proces gjyqësor dhe lirimi i tyre është i kushtëzuar me një sërë masash. Versionet e redaktuara publike të vendimeve janë publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara