Lajmet

Zjarri, shpikja që na bëri njerëz

Nga Kevin Dikinson.

Published

on

Nga Kevin Dikinson

Nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit, zjarri, mbetet po aq i rëndësishëm sot sa në kohën e paraardhësve tanë të lashtë. Edhe pse jo aq i dukshëm sa dikur, sepse në përgjithësi e kemi zëvendësuar vatrën tradicionale të zjarrit me furrat elektrike dhe ngrohjen qendrore.

Sot e përdorim zjarrin në mënyra që paraardhësit tanë nuk mund ta imagjinonin.

Kështu motori me djegie të brendshme ka zëvendësuar kafshët dhe këmbët tona të brishta si një metodë e preferuar e udhëtimit. Brenda një dite mund të udhëtojmë shumë më larg sesa shumica dërrmuese e paraardhësve tanë gjatë gjithë jetës. Por zjarri ka bërë shumë më tepër sesa ka prodhuar energjinë që e bën jetën tonë të rehatshme.

Sipas një profesori të Universitetit të Harvardit, zjarri e ndryshoi rrjedhën e evolucionit të species sonë. Zjarri kërkon tre elementë: oksigjen, karburant dhe një burim nxehtësie.

Meqë dy nga tre elementët sigurohen natyrshëm nga bimët, historia e zjarrit u lidh në mënyrë të ndërlikuar me to.

Disa nga dëshmitë tona më të hershme mbi zjarrin datojnë rreth 440 milionë vite më parë në periudhën Siluriane kur klima e Tokës u stabilizua, kur u shfaqën bimët dhe kafshët.

Ajo periudhë ofron dëshmitë më të hershme fosile të bimëve vaskulare. Në atë pikë, zjarri shndërrohet në një fenomen të përsëritur, me një aktivitet të lartë ose të ulët bazuar në kushtet mjedisore. Gjatë periudhës së Karboniferit, oksigjeni atmosferik arriti një rekord prej 31 për qind, teksa bimët u përhapën në të gjithë super-kontinentin Pangea.

Ndaj të dhënat e nxjerra nga qymyri sugjerojnë shumë aktivitete të zjarreve gjatë kësaj periudhe. Anasjelltas, sasia e vogël e qymyrit nga periudha Triasike, sugjeron se ka pasur më pak sasi oksigjen në atmosferë dhe më pak bimë. Disa miliona vite më vonë, tek Mioceni i Vonë, homininët u zhvendosën në kullota dhe filluan të largoheshin më tej nga të afërmit e tyre majmunë, me shumë gjasa për shkak të ndryshimit midis savanës afrikane dhe xhunglës së dendur.

Atje ata kanë hasur në më shumë zjarre të rregullta. Kultura popullore e mbështet imazhin e një njeriu të shpellave që përplas dy gurë së bashku. Prej tyre fluturojnë shkëndija dhe më pas momenti i eurekës. Në fakt përdorimi i parë i zjarrit nga paraardhësit tanë ndoshta nuk ishte një çështje kontrolli apo shpikje.

Ka shumë të ngjarë të ishte një moment oportunizmi. Në një përmbledhje mbi Transaksionet Filozofike të Shoqërisë Mbretërore Britanike, J.A.J Gautlet hipotezon se homininët përfituan nga zjarret natyrore për të kërkuar ushqime. “Për homininët, përfitimet nga zjarri mund të përfshinin nxjerrjen e vezëve të shpendëve, brejtësve, hardhucave dhe kafshëve të tjera të vogla, si dhe jo–vertebrorëve.

Edhe pse zjarri nuk krijon burime të tilla, ai i bën ato shumë më të dukshme dhe gatimi i rastësishëm mund të përmirësojë tretshmërinë e tyre. Gautlet vëren se analoge të kësaj sjelljeje ekzistojnë sot në botën natyrore. Shimpanzetë e Savanës i përdorin zjarret për të gjetur burimet, ndërsa disa lloje zogjsh ndjekin zjarret për të rrëmbyer çdo lloj gjahu që ka dalë jashtë pyllit për shkak të tymit dhe flakëve.

Ndërkohë homininët e hershëm do të kenë nisur të zbulojnë vetitë e zjarrit duke vëzhguar dhe ndërvepruar me këto flakë. Për shembull, nëse një copë mishi rezulton shumë e papërpunuar, ata mund të kenë mësuar ta vendosin në prush për të vazhduar procesin e gatimit.

Duke pasur parasysh mbështetjen tonë të hershme tek natyra për zjarrin, nuk është çudi që vjedhja e zjarrit është shfaqur herë pas here në mitologjitë e botës. Është e vështirë të ndjekësh ecurinë e kontrollit të homininëve mbi zjarrin. Sepse shenjat e zjarrit nuk janë ruajtur aq mirë në të dhënat arkeologjike sa mjetet e punës dhe guri i strallit.

Disa zona arkeologjike kanë ofruar një bollëk veglash prej guri, gjë që sugjeron ndarje afatgjatë. Ato lënë të kuptohet se homininët mësuan të mbanin zjarrin ndezur 2.5 milionë vjet më parë. Por provat e drejtpërdrejta për këtë hipotezë janë të pakta.

Ndërsa ecim përpara në kohë, mund të shohim më shumë prova të kontrollit të homininëvembi zjarrin. Arkeologët kanë zbuluar gjurmë zjarri dhe mbetje kafshësh dhe bimësh të djegura në shpellën Vonderverk në Afrikën e Jugut. Ato datojnë rreth një milionë vjet më parë.

Dhe vatra më e vjetër e njohur, e gjetur në shpellën Qesem në Izrael, daton më shumë se 300.000 vjet më parë. Në këtë rast arkeologët nuk janë të sigurt se cilat specie homininejetonin në Qesem. “Të dhënat tregojnë se ato ishin të ndryshëm nga Homo Erectus dhe ka ngjashmëri si me Homo Sapiens po ashtu edhe me Neandertalët”- tha Ran Barkai, arkeologu nga Tel Aviv.

Dëshmitë më të mira për ndezjen e zjarrit, shfaqen rreth 120.000 vjet më parë kur homininëtkishin qasje tek spangoja, një kusht për të ndërtuar harqe. “Përdorimi i zjarrit nuk është një teknologji ose një proces i vetëm, por disa shkallë përdorimi dhe ndoshta disa teknologji që evoluan gjatë një periudhe të gjatë, që u ndërthurën dhe ndonjëherë përfundimisht u lidhën së bashku”- thotë Gautlet.

Por si na bëri njerëz zjarri? Ai na dha mundësi të gatuanim ushqimin tonë. Mishi i gatuar është më i lehtë për t’u përtypur dhe tretur. Trupi ynë mund të nxjerrë më shumë lëndë ushqyese nga e njëjta sasi mishi. Po ashtu gatimi i perimeve rrit nivelet e gjërave të shëndetshme si antioksidantët.

Kjo sepse procesi i gatimit shkatërron muret qelizore të bimëve dhe ashtu si mishi, i bën ato më të lehta për t’u tretur dhe përpunuar. Dhe aftësia për të krijuar ushqime të gatuara i dha formën trurit dhe trupit të paraardhësve tanë Homo Sapiens.

Meqë paraardhësit tanë shpenzonin më pak energji për tretjen e ushqimeve, dhe mund të nxirrnin lëndë ushqyese shtesë, kishin më shumë lëndë ushqyese për të shpenzuar, dhe evolucioni i shpenzoi ato për të ushqyer një tru më të madh. Dhe ky i fundit na dha mundësi të përpunonim më shumë informacione, të krijonim grupe sociale më dinamike dhe të përshtateshim me habitatet e panjohura.

Që të gjitha këto ishin shumë të dobishme në aspektin evolucionar. Gjithsesi hipoteza e gatimit ka kundërshtarët e saj. Disa studiues thonë se ka pak prova se njerëzit gatuanin apo mbanin ndezur zjarre në kohën e Homo erectus (afro 1.5 milionë vjet më parë).

Por është ndërkaq e mundur që një dietë me mish të papërpunuar dhe perime mund të ketë siguruar lëndët ushqyese të nevojshme për trurin më të madh. Hipoteza të tjera mund të shpjegojnë rritjen e madhësisë së trurit të homininëve. Për shembull hipoteza e trurit social,  argumenton se truri ynë evoluoi për të përballuar sfidat e të jetuarit në grupe të mëdha shoqërore.

Por edhe këtu luan një rol zjarri. Mos harroni se para se paraardhësit tanë të ndiznin zjarrin, ata duhej ta ruanin atë. Kjo kërkonte një ndarje pune, e cila është e mundur vetëm tek një specie me një rrjet social shumë të strukturuar.

S’ka asnjë dyshim që zjarri ka qenë një shtytës kryesor në evolucionin e qytetërimit. Ai na ndihmoi të migronim në klimat që në rrethana të tjera do të ishin jo mikpritëse. Ai ishte thelbësor për zhvillimin e kuzhinës, bujqësisë, metalurgjisë, arkitekturës dhe një sërë industrish të tjera. / BigThink – Bota.al

Lajmet

REL: Çfarë parashihet në strategjinë e miratuar për zgjerim të BE-së?

Published

on

By

Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë miratuar një strategji për zgjerim të Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike që po ndryshojnë dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e bllokut evropian.

Sipas dokumentit të miratuar më 11 mars, kostoja e moszgjerimit do ta tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, dhe do të rrezikonte krijimin e zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist.

Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër dhe 98 abstenuan.

Autori i dokumentit, eurodeputeti Petras Austrevicius, tha se marrë parasysh sfidat e sotme, modeli i integrimit të BE-së duhet të përmirësohet në mënyrë që të pasqyrojë më mirë interesat e BE-së dhe pritjet nga vendet kandidate.

“Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për t’i përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë shfrytëzimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në kohën kur vendet kandidate t’i plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe janë gati të bashkohen me BE-në”, tha eurodeputeti Austrevicius.

Sipas dokumentit të miratuar, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri më 2026-2027.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, mirëpo aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

Kështu, ajo është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat.

Kur përmendet Kosova në raport, aty theksohet rëndësia e dialogut të saj me Serbinë për avancim në rrugën drejt anëtarësimit.

Mes tjerash në raport bëhet thirrje që të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që asnjë vend të mos trajtohet si pjesë e një pakete.

Sundimi i ligjit, reformat demokratike, liria e medias, të drejtat e pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në krye të prioriteteve të procesit të zgjerimit, me mbështetje të qëndrueshme për shoqërinë civile”, thuhet në dokument.

Ai, gjithashtu, nënvizon domosdoshmërinë e përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila vlerësohet si “një tregues kyç i orientimit gjeostrategjik të vendit kandidat”.

Në këtë drejtim, Serbia është kritikuar shpesh për mospërputhje të politikës së jashtme me atë të bllokut, meqë është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka sanksionuar Rusinë për nisjen e luftës në Ukrainë.

Para votimit të këtij raporti, në Parlamentin Evropian është zhvilluar një debat, në të cilin mori pjesë edhe Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se BE-ja nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund t’i minojnë fshehurazi vlerat ose institucionet e BE-së.

“Nuk ka kuaj të Trojës. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”, tha mes tjerash Kos.

Bashkimi Evropian është zgjeruar herën e fundit më 2013, me pranimin e Kroacisë. /REL/

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohet armë gjatë bastisjeve për fajde në Prizren

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi bën të ditur se gjatë hetimit të një rasti të fajdesë, është bastisur shtëpia e një të dyshuari në Prizren.

Aksioni është ndërmarrë të mërkurën nga hetuesit e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pistoletë si provë materiale.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret komandantin e KFOR-it: Diskutohet siguria dhe bashkëpunimi

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komandantin e misionit të NATO-s, gjeneralmajorin Özkan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon.

Gjatë këtij takimi, komandanti Ulutaş e ka uruar kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Fokusi kryesor i bisedës ishte stabiliteti i sigurisë në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha globale, të cilat mund të sjellin sfida të reja.

Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e vazhdueshëm me misionin e NATO-s dhe falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në krye të KFOR-it.

Kurti dhe  Ulutas rikonfirmuan përkushtimin për të mbajtur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Prizren: Arrestohen dy persona për fajde, tentuan t’i zhvasin pronat 1 milionëshe

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion në qytetin e Prizrenit, që ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale të fajdesë.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi u vërtetua se të dyshuarit kishin ushtruar presion të vazhdueshëm mbi një viktimë.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit me inicialet E.K. dhe A.K., e kishin detyruar viktimën në vazhdimësi që të paguante shuma të mëdha parash në emër të kamatave të fajdesë.

Presioni kishte arritur deri në atë pikë sa të dyshuarit po tentonin t’ia merrnin viktimës pronat e tij në Prizren – një shtëpi dhe dy lokale afariste – vlera e të cilave vlerësohet të jetë rreth 1 milion euro.

Arrestimi i dy personave u bë në flagrancë, pikërisht në momentin kur ata po e detyronin viktimën të rregullonte dokumentacionin e nevojshëm për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe lokaleve në emër të tyre. Pas arrestimit, me urdhëresë të gjykatës, Policia ka bastisur vendbanimet e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të shërbejnë për procedurën penale.

Prokurori i Shtetit në Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast të rëndë të zhvatjes dhe krimit ekonomik.

 

Continue Reading

Të kërkuara