Lajmet

Ditar: Çfarë ngjarjesh shënuan datën 11 maj 1993-1998?

Published

on

Derisa lajmet në vitet e mëhershme kryesisht kanë të bëjnë me aktivitete politike e raste të shumta të dhunës serbe ndaj shqiptarëve, lajmet e 11 majit 1998 pasqyrojnë luftën që po zhvillohej në shumë anë të Kosovës

 (Foto: Ilustrim)

 Në vitin 1993, lajmi kryesor i datës 11 maj ishte ai që kishte të bënte me lëvizjet e ushtrisë serbe në Kosovë.

Kjo është përmbajtja e tij:

Lëvizjet e ushtrisë serbe dhe përqëndrimi i tyre në pjesë të ndryshme strategjike në Kosovë, po intensifikohen gjithnjë e më shumë.

Sot në Gjilan, rreth orës 9.00, nga kazerma e ushtrisë serbe, në drejtim të fshatit Koretishtë, shkoi një formacion me mëse 70 ushtarë. Ushtarët ishin të pajisur me armatim të rëndë dhe të lehtë, si topa e minahedhës. Po ashtu, rreth orës 10.00, nga stacioni i autobusëve të këtij qyteti, në drejtim të Ferizajt, u nis kolona prej 11 kamionësh ushtarakë të tipit TAM. Në kamionë kishte ushtarë, që shoqëroheshin me armatim të rëndë dhe të lehtë.

Lëvizje të ushtrisë serbe ditët e fundit janë vërejtur edhe në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë, në fshatrat Stanqiq, Pidiq dhe Shurdhan. 

Sot, rreth orës 7.00, përsëri në aeroportin bujqësor të Dushanovës, ateruan dy helikopterë ushtarakë serbë. Gjithashtu në Dushanovë, dje në kthesën e rrugës që çon në drejtim të aeroportit, është vendosur një patrullë ushtarake serbe.

Ushtria serbe demonstronte praninë edhe në rrugët e Prishtinës:

 Në kuadër të lëvizjeve të shtuara dhe të demonstrimit të forcës të ushtrisë serbe në Kosovë, dje nëpër udhëkryqet e Prishtinës ushtarët serbë, të armatosur me armë të lehta dhe të veshur me pancirë, përcillnin gjendjen. Është hera e parë gjatë muajve të fundit, në një mënyrë të tillë publike ushtarët serbë dalin në rrugë për të demonstruar forcën dhe pranin e tyre.

Ndërkohë, nëpër shumë pjesë të Kosovës, njësitë ushtarake serbe kanë zënë pozicionet strategjike, të shumtën duke i kthyer tytat e artilerisë dhe të armëve të rënda kah qytetet më të afërta. Një koncentrim i forcave serbe është vërejtur edhe në afërsi të Vushtrrisë.

Dje, një kolonë e ushtrisë shkoi deri në fshatin Shtupeq të Rugovës. Rugova është një grykë strategjike në afërsi të Pejës e banuar vetëm me shqiptarë.

Lajmet e tjera kryesore janë: Policia bllokoi një pjesë të tregut në Prishtinë; Në vend të djalit u mor peng nëna e tij; Policia serbe e Qollopekut vazhdon bastisjen e familjeve shqiptare; Në Nashec të Prizrenit u bastis një familje; Milosava Shoshkiq theu banesën e Ramiz Miftarit në Pejë; Përfaqësuesit e misionit të KSBE-së biseduan me autoritetet serbe në Odën Ekonomike të Kosovës; “Zëri i Amerikës”: U nënshkrua marrëveshja për korridorin Lindje-Perëndim nëpër Shqipëri.

Më 11 maj 1994, ka disa lajme protokollare. Një vizitë e presidentit të Shqipërisë Sali Berisha në Rumani, një vizitë e vëzhguesve të Bashkësisë Evropiane në Ulqin.

Lajme të tjera: Japonia i akordoi Shqipërisë një hua 20 milionë dollarë;  Në paraburgim për zhvillimin e hetimeve;  Katër vetave – 39 muaj burg; Policia financiare ua ndali hovin koncerteve në Suharekë; U promovua romani i ri i Emin Kabashit; Ushtria serbe provokon banorët e fshatit Galicë të Vushtrrisë; Aktivistët e LASH-it dhe Këshillit për Financim të Gjakovës u dërguan në Gjykatë serbe të Qarkut në Pejë; Edhe funksionari i instaluar serb në Kosovë kërkon ndalimin e punës së LDK-së së Rugovës;Në Pejë policia nxori edhe një familje shqiptare nga banesa; “Borba”: Serbët shpresojnë në gjendjen e status kuosë në Kosovë.

 Rubrika “Represioni në Kosovë” ka këtë përmbajtje:

Ferizaj: – Sot, rreth orës 3,30 të mëngjesit, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia arrestoi Milazim dhe Selman Zekën në rr.”Jusuf Gërvalla” në Ferizaj.

Në stacionin e policisë në Ferizaj, Milazim Zeka u torturua brutalisht dhe bëhet me dije se kundër tij u përdor edhe kaska elektrike. Selman Zeka u lirua me kusht që të lajmërohet nesër në orën 11 në stacionin e policisë në Ferizaj.

Sot në stacionin e policisë në Ferizaj, inspektorët serbë morën në pyetje Skënder Ferizin, anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të LDK-së Dega në Ferizaj.

Thirrjen për t’u paraqitur sot në stacionin e policisë në Ferizaj e mori edhe Haki Braha, koordinator i Sindikatës së Pavarur të Ferizajt.

Istog: – Pardje, inspektorët serbë morën në pyetje Sylë Maksutajn, kryetar i Aktivit të LDK-së në Sudenicë dhe anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Vrellë të Istogut. Inspektorët serbë nga Sylë Maksutaj u interesuan të dinë rreth aktivitetit politik dhe për Këshillin për Financim të Istogut.

Deçan: – Pardje në orët e pasditës, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Lush Demukajt në Deçan. Policia gjatë bastisjes shkaktoi dëme të mëdha materiale duke thyer e demoluar shumë orendi. Pas bastisjes, policia mori me vete Lushin dhe vëllain e tij Brahim Demukajn në stacionin e policisë në Deçan. Të lartëpërmendurit u mbajtën rreth dy orë në stacionin e policisë dhe u keqtrajtuan fizikisht. Vëllezërit Demukaj u liruan me kusht që Lushi të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Deçan.

Pardje, policia bastisi shtëpinë e Haxhi Malokut në Irzniq. Meqë Haxhi Maloku nuk gjendej në shtëpi, policia bastisi shtëpinë e axhës së tij, emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë.

Mitrovicë: – Pardje, policia arrestoi në shtëpinë e tij, Bekim Becajn nga Mitrovica, nxënës i shkollës së mesme. Bekim Becajn policia e pat arrestuar edhe më 5 maj, nën prtekst se disponon me një revole. Bekim Bekaj pardje në stacionin e policisë dorëzoi një pistoletë ajrore. Policia e rrahu brutalisht këtë ri, si dhe kundër tij përdori elektroshokun, të cilin ia vunë në organet gjenitale.

Bëhet me dije se Bekim Becaj gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dje në stacionin e policisë në Stantërg, nën pretekst të dorëzimit të armëve u keqtrajtuan fizikisht vëllezërit Ajet dhe Kadri Tahiri nga Sheshi i Vjetër.

Vëllezërit Tahiri u liruan me kusht që të paraqiten sërish dje në stacionin e policisë në orën 10.

Dje, policia bastisi shtëpinë e Nuhi Morinës në të cilën banon Bahri Bunjaku në rr.”Riza Voca” në Mitrovicë. Policët thyen derën dhe morën një pushkë gjuetie me leje.

Klinë: – Më 7 maj, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Daut dhe Ismet Racit. Pas bastisjes, policia ua la thirrjet Daut dhe Shemsi Racit që të lajmërohen në polici më 8, 9 dhe 10 maj.

Podujevë: – Më 6 maj në Turuqicë, policia bastisi shtëpitë e Pajazit, Naim e Sabit Ajetit dhe atë të Ali Rrustemit. Në tri nga familjet e bastisura, policia gjeti nga një pushkë të vjetër, ndërsa personave të lartëpërmendur policia ua la thirrjet që të paraqiten në stacionin e policisë.

Po këtë ditë, policia bastisi shtëpitë e Rexhep dhe Jahir Rexhepit në fshatin Brainë. Njoftohet se personat e lartëpërmendur u keqtrajtuan rëndë.

Më 7 maj, policia bastisi edhe shtëpitë e Sylejman e Ismail Fetahut dhe ato të Beqir Azemit dhe të Murat Munishit. Njoftohet se Murat Munishi (70) u rrah rëndë në prani të anëtarëve të familjes.

Po këtë ditë në fshatin Konushevc, policia bastisi shtëpinë e Ismail Berishës. Njoftohet se pas bastisjes, policia mori me vete djalin e Ismailit, Zeqir Berishën, i cili u keqtrajtua fizikisht në stacionin e policisë në Lluzhan.

Pardje në Pollatë, policia bastisi shtëpitë e Niman L.Latifit dhe atë të Niman F.Latifit. Që të dyve iu lanë thirrjet që të paraqiten në polici.

Pejë: – Dje, rreth orës 15, policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, kërkoi Adem Shalën, Halil Berishën dhe Ahmet Tafilajn nga Dobërdoli i Pejës. Këtyre iu lanë thirrjet të paraqiten në stacionin e policisë në Pejë.

Më 11 maj 1995, ndër të tjera, ishin këto lajme: Kryetari Rugova priti diplomatë norvegjezë e suedezë; Kryetari Rugova priti disa studiues grekë; “Zëri” kremton 50-vjetorin e botimit; Parlamenti Evropian shqyrton peticionin e shqiptarëve; Policia ndërhyri në objektet shkollore; Dhuna e përditshme në Kosovë; Doganierët serbë në Preshevë i morën revista e libra dr. Fehmi Aganit; PLK reagon kundër marrjes në polici të Gjergj Dedajt; Muhamet Halili bisedoi me Shtulin; Pse autoritetet maqedonase e mbyllën radiotelevizionin e pavarur “Era” në Shkup?; Eshtrat e shkrimtarit Bilal Xhaferrit varrosen në Shqipëri; Hapet festivali i dhjetë i filmit shqiptar.

11 maji 1998 ishte vit i luftës. Dhe lajmet ishin më të shumta e më të rënda.

Ja disa nga titujt e lajmeve të kësaj dite:

Të shtëna sporadike gjatë natës në Baballoq e Hulaj të Deçanit; Të shtëna me armë mbi fshatin Sllatinë të Prishtinës; Në fshatrat e Lipjanit janë vendosur shumë të ikur nga Llapushniku e Arllati; M. Ollbrajt: Kërkesat e Grupit të Kontaktit patjetër të zbatohen; Vetëm NATO mund të sigurojë paqen dhe stabilitetin; Në një tubim në Kragujevc u tha se në Kosovë në javë ka 700 shkelje të të drejtave të njeriut; Rahovec: Policia serbe keqtrajtoi rëndë një qytetar shqiptar; Nga vizita e diplomatëve amerikanë Hollbruk e Gellbard në Tiranë; Gazetat britanike për aktivitetin e diplomacisë amerikane në vijën Beograd-Prishtinë-Tiranë; Në manifestimin protestues në Prishtinë morën pjesë mijëra qytetarë shqiptarë; Gjatë tërë natës pati të shtëna armësh edhe në Cërmjan; Policia ndërhyri në zyrat e LDK-së, KMDLNJ-së dhe KKF-së në Gllogoc; Forcat serbe dëmtuan disa shtëpi në Llapushnik; Policia ndërhyri në disa familje në rrugën “R. Gajdiku” në Prishtinë; Të shtëna me armë në kazermën ushtarake në Mitrovicë; Polica arrestoi një aktivist të KMDLNJ-së në Podujevë; Mitrovicë: Shtatë shqiptarëve të arrestuar iu vazhdua paraburgimi edhe për 48 orë; Fushë Kosovë: Policia pyet për UÇK-në dhe inçizon shtëpitë e shqiptarëve; Policia ndaloi azilkërkuesin e kthyer; U hodhën bomba në dy lokale të shqiptarëve në Pejë; Policia serbe ka arrestuar tre shqiptarë të një fshati afër Klinës; Policia shkeli me pizgauer disa protestues në Shtimje; Shumë nxënës u keqtrajtuan në postbllokun e Nadakocit; Mitrovicë: Policia arrestoi katër veta; Viti: Policia serbe keqtrajtoi një qytetar dhe bastisi dy familje shqiptare; Në Pejë policët serbë keqtrajtuan një qytetar shqiptar; Në udhëkryqin e Duhlës policia serbe ndali autobusin dhe keqtrajtoi dy të rinj shqiptarë; Në shëtitjet protestuese në Vushtrri e Kaçanik morën pjesë mijëra qytetarë shqiptarë; Policia keqtrajtoi kryetarin e Degës së SHBP-së në Kaçanik; Në Biraq të Suharekës policia serbe keqtrajtoi katër shqiptarë; Gjykata serbe e Pejës i ka filluar hetimet kundër 13 shqiptarëve;  Në rrugën Mitrovicë-Pejë janë plagosur katër serbë; Afër Komoranit u plagosën dy serbë; Dy civilë serbë rrahën e kërcënuan disa shqiptarë në Pejë; Dhunë e shfrenuar në Pejë; Baballoçi po sulmohet me artileri; Forcat serbe granatuan fshatin Cerovik të Klinës; Edhe në Gjilan po ngriten postblloqe të policisë serbe; Rruga Prishtinë – Pejë e mbyllur, policia shtin me armë në mbrëmje në Komoran.

Continue Reading

lajme

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Lajmet

Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00 lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në një deklarim për media, Nagavci theksoi se të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar të veprojnë apo të ofrojë mbrojtje në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Continue Reading

Vendi

Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve

Published

on

By

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I kërkuari është Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftojnë menjëhirë organet e rendit ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Kontaktet për të lajmëruar Policinë e Kosovës:

  • 192 dhe 0800 19999 (të dy numrat pa pagesë)
  • 039 432 327 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë)

Continue Reading

Lajmet

LVV kërkon seancë të jashtëzakonshme dhe komision hetimor parlamentar

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi se seanca synohet të mbahet më 26 tetor 2026, ku do të kërkohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar zinxhirin e përgjegjësisë.

Nagavci theksoi se viktima i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj tri ditë para se të vritej.

“Ajo kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë. Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë”, ka shkruar Nagavci. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara