Aktualitet

Vladimir Putin e ka sjellë Evropën në pragun e luftës

Putin ka shprehur një dëshirë të madh për të “ribashkuar” Russkiy Mir, botën ruse.

Published

on

Nga Gideon Rachman “Financial Times”       

Angela Merkel e përshkroi dikur Vladimir Putinin, si një udhëheqës që përdor metodat e shekullit XIX-të në shekullin XXI-të. Ajo që donte të thoshte ish-kancelarja gjermane, ishte se udhëheqësi rus është një njeri i luftës dhe nacionalizmit, në një epokë që supozohet se është e përcaktuar nga sundimi i ligjeve ndërkombëtare dhe globalizimi.

Merkel e bëri atë deklaratë pasi Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014. Tani qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, po paralajmërojnë se Putin është gati të nisë “luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945”, duke nisur një pushtim shumë më të gjerë të Ukrainës, përfshirë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kryeqytetit të saj, Kiev.

Në fundjavën që kaloi, pjesa më e madhe e elitës së sigurisë dhe politike perëndimore u mblodh në Gjermani për Konferencën e Sigurisë në Mynih. Krahas tensionit dhe parandjenjave të këqija, një nga emocionet dominuese qa u vu re ishte mosbesimi.

Shumë diplomatë dhe politikanë, kryesisht evropianë, refuzuan ende t’i besonin njoftimeve të bazuara në të dhënat e shërbimeve sekreteve që vinin nga Anglosfera. Pikëpamja e skeptikëve ishte se në rastin më të keq, luftimet do të mbeten të kufizuara vetëm në Ukrainën Lindore.

Ata spekulojnë se qëllimi i Putinit, është të krijojë një presion të madh politik, ekonomik dhe psikologjik, deri në pikën ku qeveria ukrainase mund të bjerë vetë, ose kur Perëndimi mund të bëjë lëshime të mëdha diplomatike ndaj Moskës.

Nga ana tjetër, ekziston një lloj tjetër mosbesimi në mesin e atyre, që janë të bindur se Putin është gati të “përparojë” dhe të nisë një pushtim të përgjakshëm në shkallë të plotë, i cili k sy qëllim rrëzimin e qeverisë ukrainase. Një politikë-bërës i nivelit të lartë, më tha se në mesin e një bisede me homologun e tij amerikan për luftën e afërt tha:”Ne të dy ndaluam një çast dhe i thamë njëri-tjetrit:S’mund ta besojmë që po e zhvillojmë këtë bisedë!”.

Dhe në fakt këto biseda përmbajnë skenarë vërtet befasues dhe shumë shqetësues. Zyrtarët perëndimorë besojnë se nëse ushtria ruse e sulmon apo rrethon Kievin, ka të ngjarë të përdorin taktikat brutale që Putin i ka përdorur më herët në Çeçeni dhe Siri.

Kjo do të nënkuptonte përdorimin masiv të artilerisë dhe fuqisë ajrore, dhe mundësinë e shkaktimit të mbi 50.000 të vdekurve në radhët e ushtrisë dhe civilëve brenda një jave. Po si arritëm deri në këtë pikë? Për këtë pyetje ka përgjigje afatshkurtra dhe afatgjata.

Në terma afatshkurtër, Shtëpia e Bardhë ka qenë e bindur se lufta ishte e mundshme që para Krishtlindjeve. Që në atë kohë, energjitë e administratës Biden u fokusuan drejt përpjekjes për ta detyruar Putinin të ndryshonte mendje, duke ia bërë të qartë se do të paguante një kosto të madhe ekonomike dhe diplomatike për luftën.

Amerikanët ka qenë gjithnjë pesimistë për shanset e tyre për të pasur sukses, por gjithsesi vendosën që ta provonin. Qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, besojnë se vendimi për sulmin ndaj Ukrainës, është marrë tashmë që javën e kaluar.

Ata kanë shqyrtuar edhe mundësinë që rusët të kenë krijuar enkas sinjalet, sikur po përgatiten për luftë, si pjesë e një fushate presioni psikologjik. Por volumi i madh i përgatitjeve ushtarake në terren, i ka bindur ata për të kundërtën. Vendimi për të shkuar në luftë, duhet të shpërndahet në të gjithë sistemin rus. Ai s’mund të fshihet.

Edhe bisedat nervoze midis trupave ruse që besojnë se po shkojnë në luftë, po monitorohen me shumë kujdes. Besimi se lufta është e afërt, përforcohet më tej nga ngjarjet që po zhvillohen në terren:shtimi i luftimeve në Ukrainën Lindore; shtim i sulmeve kibernetike ; njoftimi se trupat ruse do të vazhdojnë të qëndrojnë në Bjellorusi; dhe lajmi se Rusia po organizon stërvitje me armë bërthamore, që synon të frikësojë kundërshtarët e saj.

Siç më tha një zyrtar i lartë evropian “është njëlloj si të shohësh një skenar filmi të interpretuar në çdo detaj”. Përpjekjet për ta parandaluar luftën po vazhdojnë. Por amerikanët besojnë se tani janë në kushtet e përpjekjeve, për ta detyruar Putinin të ndryshojë një vendim që tashmë e ka marrë.

Pyetja afatgjatë se si arritëm këtu, e gjen përgjigje prapa në kohë, në konferencën e Mynihut të vitit 2007. Pikërisht atje Putin mbajti një fjalim plot mllef, duke e denoncuar rendin e pasluftës së ftohtë dhe përdorimin e fuqisë amerikane në Irak dhe në mbarë botën.

Një vit më pas, Rusia hyri në luftë në Gjeorgjinë fqinje. Në vitin 2014, ndodhi sulmi i parë në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë. Udhëheqësit perëndimorë, e kërcënuan Rusinë me atë që Merkel e quajti “një dëm kolosal ekonomik dhe politik”.

Por Rusia i përballoi sanksionet, dhe në vitin 2018 organizoi me suksesin botërorin e futbollit. Nëse tani ai është gati të shmangë kërcënimet e sanksioneve perëndimore, kjo ndodh sepse ai i ka dëgjuar edhe më parë të gjitha ato.

Por një sulm në shkallë të plotë ndaj Ukrainës, do të përfaqësonte një përshkallëzim të madh edhe në raport me gatishmërinë e tij për të përdorur forcën, si dhe për të pranuar konfrontimin me perëndimin. Pas më shumë se 20 vitesh në pushtet, dhe duke qenë në moshën 69-vjeçare, ai mund të jetë tani duke e marrë me çështjen e trashëgimisë që do të lërë pas.

Putin ka shprehur një dëshirë të madh për të “ribashkuar” Russkiy Mir, botën ruse, e cila, siç e sheh ai, është sot e ndarë. Rikthimi i Ukrainës në orbitën e Moskës, mund të shihet si përfundimi i një detyre historike.

Nëse mendon vërtet si një udhëheqës i shekullit XIX-të, Putini do të besojë se një gjakderdhje e madhe është e justifikuar për ta bashkuar kombin. Në fund të fundit, ushtria e Abraham Lincoln e dogji Atlantën në vitin 1864 për të ruajtur unitetin e SHBA-së. Otto von Bismarck zhvilloi 3 luftëra për të bashkuar Gjermaninë, dhe është ende subjekt i biografive me tone admiruese.

Megjithatë, shumë analistë, përfshirë liberalët rusë, besojnë se Putinin e gënjen mendja në mënyrë të rrezikshme, nëse beson se këto lloj luftërash janë ende të mundura në Evropë.

Sot, çdo mizori e kryer nga forcat ruse do të regjistrohet në smartfonin e dikujt, dhe do të transmetohet në mbarë botën.

Të rinjtë rusë gëzojnë të njëjtat liri teknologjike dhe sociale si bashkëkohësit e tyre në Evropën Perëndimore. A do t’i pranojnë ata rreziqet, privimet dhe gabimet morale që mund të imponojë Putin? Pra me pak fjalë:A mundet ai të vazhdojë të përdorë metodat e shekullit XIX-të në shekullin XXI-të? Këtë mund ta zbulojmë shumë shpejt. /abcnews.al

Continue Reading

Lajmet

REL: Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave

Published

on

By

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në fund të muajit të ardhshëm do të përballet me pyetjet e deputetëve evropianë lidhur me pretendimet për bashkëpunimin e saj me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), në të cilën do të marrë pjesë komisionarja Kos është caktuar për 20 prill.

Partia Popullore Evropiane (EPP), si grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme dëgjimore. Megjithatë, siç i është thënë Radios Evropa e Lirë (REL), në vend të një seance të jashtëzakonshme do të mbahet një mbledhje e rregullt e Komisionit për Punë të Jashtme, e cila do ta zëvendësojë takimin e planifikuar më herët për 16 mars.

Ai takim, edhe pse ishte planifikuar javë më parë, u anulua nga Kos duke u thirrur në një agjendë të ngarkuar. Anulimi ndodhi menjëherë pasi dolën informacione të reja lidhur me biografinë e saj.

Komisionarja evropiane për Zgjerim nga Sllovenia është përballur me akuza se ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave, e njohur si UDB-a, pasi më 10 mars në ambientet e Parlamentit Evropian u promovua libri me titull “Komisionarja” i autorit slloven, Igor Omerza. Në këtë libër paraqiten dokumente për të cilat autori pretendon se dëshmojnë se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.

Komisioni Evropian mohon që Kos të ketë bashkëpunuar me strukturat e sigurisë së ish-Jugosllavisë. Zyrtarët e KE-së i referohen një procesi të gjerë dhe të detajuar verifikimi gjatë nominimit të saj nga Sllovenia për postin e komisionares.

“Parlamenti Evropian e miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionarët. Komisioni për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të mëtejshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 13 mars.

Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (UDB) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, ndërsa në vitin 1966 u riemërtua në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit.

UDB-a ishte e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të saj në dekadat që pasuan ishte e përqendruar në ndjekjen dhe veprimin kundër pjesëtarëve të diasporës që konsideroheshin kundërshtarë të interesave të Jugosllavisë.

Akuzat se Kos ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024, gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate e Sllovenisë për komisionare evropiane.

Kos i mohon vazhdimisht këto akuza, ndërsa mbledhja e re e 20 prillit do të jetë mundësia e parë që ajo të shprehet pas fakteve të reja të publikuara në libër, të cilat kanë nxitur një valë të re akuzash. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Dardanët gati për “Finalen” e Bratisllavës: Sot seanca e fundit para nisjes drejt Sllovakisë

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur sot përgatitjet në tokën amtare para njërës prej ndeshjeve më përcaktuese në historinë e saj të deritashme. Nën dritat e kampit stërvitor, “Dardanët” kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore përpara udhëtimit drejt Bratisllavës, ku nesër mbrëma do të kërkojnë biletën për finalen e madhe të “play-off”-it për Botërorin 2026.

Përzgjedhësi Franco Foda ka shfrytëzuar këtë seancë për të analizuar detajet e fundit taktike. Burime brenda kampit bëjnë me dije se vëmendja kryesore i është kushtuar disiplinës në mbrojtje dhe tranzicionit të shpejtë, duke analizuar me kujdes pikat e forta të Sllovakisë. Foda është parë mjaft kërkues ndaj lojtarëve, duke insistuar në përqendrim maksimal për çdo fazë të lojës.

Përtej aspektit teknik, ajo që bie në sy është harmonia e plotë brenda grupit. Atmosfera në kampin e Dardanëve përshkruhet si jashtëzakonisht pozitive. Lojtarët reflektojnë një unitet të fortë dhe një motiv të lartë, duke e parë këtë sfidë jo vetëm si një ndeshje futbolli, por si mundësinë e artë për të realizuar ëndrrën e madhe të një populli: kualifikimin në Kupën e Botës.

Përballja e nesërme në gjysmëfinalen e “play-off”-it vlerësohet si vendimtare. Një rezultat pozitiv në Bratisllavë do t’i hapte rrugën Kosovës drejt finales që do të përcaktonte fatin e tyre për verën e vitit 2026.

Continue Reading

Aktualitet

Çfarë raportohet se përmban plani i paqes prej 15 pikash i Trump-it?

Published

on

By

Ne nuk e kemi parë planin amerikan prej 15 pikash që i është dërguar Iranit. Nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar se çfarë mund të përmbajë ai, por disa detaje po raportohen në mediat izraelite dhe ato amerikane, raporton BBC.

Kanali 12 i Izraelit raporton se plani përfshin kërkesat e mëposhtme:

  • Objektet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordow do të nxirren jashtë përdorimit dhe do të shkatërrohen.

  • Transparencë dhe mbikëqyrje nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) mbi aktivitetet në Iran.

  • Irani do të heqë dorë nga përdorimi i grupeve të armatosura (“proxies”) në rajon dhe do të ndalojë financimin dhe armatimin e filialeve rajonale.

  • Çmontimi i kapaciteteve bërthamore ekzistuese që janë grumbulluar tashmë.

  • Një zotim për të mos synuar kurrë pajisjen me armë bërthamore.

  • Asnjë material bërthamor nuk do të pasurohet në tokën iraniane dhe i gjithë materiali i pasuruar do t’i dorëzohet IAEA-së.

  • Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur dhe do të konsiderohet si “zonë e lirë detare”.

  • Misioni i raketave të Iranit do t’i nënshtrohet një vendimi të ardhshëm, por ato do të jenë të kufizuara në sasi dhe rreze veprimi, dhe vetëm për qëllime vetëmbrojtjeje.

Çfarë përfiton Irani sipas planit:

  • Asistencë amerikane në zhvillimin e një projekti bërthamor civil në Bushehr për prodhimin e energjisë elektrike.

  • Heqjen e të gjitha sanksioneve.

  • Heqjen e kërcënimit për rishpalljen e sanksioneve.

Gjithashtu, ka raportime për një armëpushim të mundshëm njëmuajsh gjatë kohës që zhvillohen diskutimet – por përsëri, kjo mbetet e pakonfirmuar, pa detaje të dhëna nga Shtëpia e Bardhë. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Konjufca takon ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë; rikonfirmohet bashkëpunimi për çështje rajonale

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

Pjesë e këtij takimi ishin diskutimet rreth partneritetit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike.

Gjithashtu u rikonfirmua mbështetja e Malit të Zi për nevoja për bashkëpunim të ngushtë në çështje rajonale

“Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e forcimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike. U theksua mbështetja e Malit të Zi për Republikën e Kosovës dhe nevoja për bashkëpunim të ngushtë në çështje rajonale”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

 

Continue Reading

Të kërkuara