Kulturë

Ushqimet që e përmirësojnë humorin tonë

Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë.

Published

on

Kjo thënie e romakëve të lashtë, është vërtetuar prej disa kohësh edhe nga shkenca. Dieta e duhur ushqimore, veçanërisht ajo mesdhetare, mund ta ndihmojë vërtet mendjen tonë që të mendojë pozitivisht.

Ndërkohë ushqimet e pashëndetshme, ku kryesisht futen ato të gatshme, duket se janë të shijshme për momentin, por në një periudhë afatgjatë mund të ndikojë negativisht në ekuilibrin tonë psikofizik. Duke iu referuar disa studimeve, ne kemi zgjedhur 10 ushqime që falë përbërjes së tyre, promovojnë një humor të mirë.

  1. Banania

E pasur me vitamina B, kripëra minerale (sidomos kalium), probiotikë dhe triptofan, banania na jep shumë energji dhe ndihmon në lehtësimin e stresit, duke nxitur një ndjenjë të përgjithshme të mirëqenies.

  1. Çokollata e zezë

Ajo përmban prebiotikë, antioksidantë dhe triptofan, duke stimuluar çlirimin e hormoneve të lidhura me emocionet (endorfina, feniletilamina, serotonina), duke kryer në mënyrë efektive një funksion anti-depresiv, siç theksohet edhe në një studim të vitit 2019 nga Kolegji Universitar në Londë.

  1. Thjerrëzat

Përveç acidit folik dhe magnezit, thjerrëzat përmbajnë tirozinë (një aminoacid që stimulon dopaminën) dhe acidin gama-aminobutirik (që redukton ankthin). Kjo është arsyeja pse një studim i botuar në vitin 2017 në “Science of Food and Agriculture”, thekson se thjerrëzat nxisin humorin e mirë tek njerëzit.

  1. Boronica

E pasur me antioksidantë dhe vitamina, boronica e ndihmon trurin të aktivizojë hormonet që frenojnë stresin. Jo vetëm kaq. Siç e thekson një hulumtim i botuar në “Journal of Agricultural and Food Chemistry”, ky fryt stimulon aftësitë njohëse, duke përmirësuar ndjeshëm kujtesën.

  1. Arrat

Arrat sigurojnë mirëqenien tonë psikologjike falë pranisë së neuroprotektorëve (vitaminës E, folateve, magnezit, melatoninës dhe Omega 3),të cilat e përmirësojnë performancën intelektuale, dhe sipas një studimi të botuar në vitin 2012 e reduktojnë tensionin emocional.

  1. Patatja e ëmbël

Sikurse dëshmohet nga një studim i “Center of Science in the Public Interest” në SHBA, patatja e ëmbël është një karbohidrate komplekse që garanton mirëqenie fizike dhe mendore duke nxitur një rritje të niveleve të dehidroepiandrosteronit dhe serotoninës, hormonet e humorit të mirë.

  1. Domatja

Një burim i vitaminave, fosforit dhe kaliumit, domatet janë gjithashtu shumë të pasura me likopen, një substancë që e mbron trurin duke nxitur ndjenjat e mirëqenies, aq sa përbën një anti-depresant të vërtetë, siç tregohet edhe nga një studim i publikuar në vitin 2013 në “Journal of Affective Disorders”.

  1. Spinaqi

Siç nënvizohet nga një hulumtim i botuar në vitin 2018 në “Journal of Clinical Medicine”, spinaqi është i pasur me lëndë ushqyese, dhe mbi të gjitha përmban vitaminë C dhe magnez, substanca shumë të çmuara për prodhimin e serotoninës dhe dopaminës, hormonet përgjegjëse për humorin e mirë tek njeriu.

  1. Veza

Është shumë ushqyese, por edhe shumë e pasur me vitamina të grupit B. Ajo përmban gjithashtu Omega 3, vitaminë D, zink dhe triptofan, substanca që garantojnë mirëqenien e organizmit duke nxitur mendimet pozitive, siç dëshmohet nga një studim i Institutit Leiden për Trurin dhe Njohjen në Holandë.

  1. Kosi

Kosi është i pasur me kalcium (që e ndihmon shumë funksionimin e sistemit nervor) dhe probiotikë (të cilët stimulojnë prodhimin e hormoneve “pozitive”):Për këtë arsye, shpjegon një hulumtim i vitit 2015 i botuar në “Food Research International” (që rekomandon kosin me vanilje), konsumimi i tij e përmirëson ndjeshëm gjendjen shpirtërore. / bota.al

Continue Reading

Kulturë

Mbrëmje klasike në Prishtinë: Filharmonia e Kosovës ngjitet në skenë më 17 prill

Published

on

Filharmonia e Kosovës do të rikthehet para publikut më 17 prill 2026 me një koncert të radhës, duke sjellë një program të larmishëm me vepra nga kompozitorë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në këtë mbrëmje muzikore do të interpretohen vepra nga Baki Jashari, Francis Poulenc dhe Ludwig van Beethoven, duke ofruar një përvojë artistike që ndërthur traditën dhe klasikën botërore me krijimtarinë vendore.

Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.

Continue Reading

Kulturë

Koncert solemn në Prishtinë për Shën Nënë Terezën dhe Kardinalin Ernest Simoni

Published

on

Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt një koncert solemn, i organizuar në nder të Shën Nënë Terezës, me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të saj, si dhe për të shënuar 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Kardinalit shqiptar Ernest Simoni.

Ky aktivitet u organizua nga Fondacioni “Kardinal Domenico Bartolucci”, në bashkëpunim me Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë, nën patronatin e Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Koncerti u hap nga Kori i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, së bashku me sopranon Arta Jashari, të cilët interpretuan veprën “Rri me ne” të kompozitorit Marco Frisina, nën dirigjimin e motrës Lidvina Marku dhe me shoqërim në organo nga Emanuel Mates.

Në vijim, performoi Kori i Fondacionit “Bartolucci”, nën drejtimin e dirigjentit Adriano Caroletti dhe organistit Josep Solé Coll, duke sjellë një program të pasur me vepra me tematikë pashkore, që u prit me emocione të veçanta nga publiku.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, Kardinali Ernest Simoni, Ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, si dhe përfaqësues institucionalë, diplomatë, artistë dhe besimtarë të shumtë.

Continue Reading

Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Terminal” për herë të parë në Çeki

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës ka prezantuar për herë të parë në Republikën e Çekisë shfaqjen “Terminal”, në qytetin e Trutnovit, duke zgjuar interes të veçantë te publiku vendas.

“Terminal”, me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Roland Petite, solli një rrëfim bashkëkohor, i cili u komunikua fuqishëm me audiencën përmes lëvizjes dhe interpretimit artistik.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Republikën Çeke, Albesjana Iberhysaj Kapitaj, e shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Ilir Tepelena, së bashku me diplomatë dhe dashamirë të artit, të cilët e përjetuan nga afër këtë ngjarje kulturore.

Kjo paraqitje shënon një hap të rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të artit kosovar dhe dëshmon rolin e fuqishëm të diplomacisë kulturore në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe popujve.

Continue Reading

Kulturë

“Nderi” prezantohet në Prishtinë pas rrugëtimit në festivale ndërkombëtare

Published

on

Pas një rrugëtimi të suksesshëm në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe një prezantimi të mëhershëm në Podgoricë, filmi artistik me metrazh të gjatë “Nderi” u shfaq edhe për publikun në Prishtinë në mbrëmjen e së enjtes. Kjo premierë përkoi simbolikisht me shënimin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, vend nga i cili vjen edhe produksioni i filmit.

Me regji të Nikola Vukčević, “Nderi” është rezultat i një pune disavjeçare, që i ka marrë regjisorit rreth tetë vite për ta sjellë në ekran. Filmi ndërton boshtin e tij narrativ mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke trajtuar tema të thella si morali, nderi dhe sakrifica.

Ngjarja bazohet në një histori të vërtetë nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimi ndjek fatin e një fëmije ortodoks që, duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehim te një familje muslimane shqiptare. Pikërisht në këtë raport zhvillohet drama e filmit, duke vënë në pah besën shqiptare dhe vendosmërinë për të mbrojtur jetën e tjetrit, edhe përballë rrezikut ekstrem.

Në rolet kryesore paraqiten aktorët Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski, Elez Adžović dhe emra të tjerë të njohur të skenës.

“Nderi” është propozuar nga Qendra e Filmit të Malit të Zi për çmimin Oscar, megjithatë nuk arriti të përfshihet në listën e ngushtë. Pavarësisht kësaj, filmi ka shënuar suksese të rëndësishme ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmime dhe duke u shfaqur në festivale prestigjioze, përfshirë edhe ato të kategorisë A, si në Kajro, Goa dhe Palm Springs.

 

Continue Reading

Të kërkuara