Lajmet nga UBT

Të rinjtë dhe shikueshmëria e besueshmëria e televizioneve në Kosovë

Published

on

Nga prof.dr Ferid Selimi – Informimi nga mediat elektronike, e sidomos nga ato pamore është i një rëndësie të veçantë, meqë është informim që pos fjalëve jep zë dhe pamje. Kur bashkohen fjalët, zëri dhe pamja, informimi është më i kapshëm për audiencën. Por, për të parë se sa përcillen programet informative të televizioneve në Kosovë nga të rinjtë e moshës nga 19-28 vjet, është bërë një anketë me 208 respondentë të këtyre moshave të të dy gjinive të përkatësisë shqiptare nga gjashtë rajonet në Kosovë. Televizioni që pretendohej të jetë një nga mediumet prej nga merren informacione më të freskëta dhe prej nga publiku kosovar informohet më shpejt e më drejt, duket ta ketë humbur primatin që kishte. Mediat e tjera online kanë nis ngadalë të zënë vendin e tij. Kjo shihet në këtë punim, që ka dalë si rezultat i një ankete të zhvilluar me 208 respondentë nga gjashtë qendrat e Republikës së Kosovës: Prishtinë, Gjilan, Prizren, Ferizaj, Pejë, e Mitrovicë. Këta respondentë për kah profesioni janë heterogjen. Ka prej tyre që janë studentë dhe ka prej tyre që nuk janë studentë. Prandaj edhe interesimi dhe pikëpamjet e tyre për programet informative të televizioneve që transmetojnë program në Kosovë dallojnë nga njëri-tjetri. Në këtë punim është trajtuar përcjellja e programeve informative nga të rinjtë e moshës 19-28 për një arsye të thjeshtë: Për të parë se sa prej tyre informohen dhe sa prej tyre përcjellin këto programe televizive. Gjithnjë duke pasur parasysh që teknologjia ka përparuar, dhe kur thuaja secili i ri ka një celular të mençur në xhep dhe ka mundësinë e informimit nëpërmjet rrjeteve sociale e të shënimeve të tjera që i nxjerrin nga interneti, duke shfrytëzuar celularin. Nga ky studim dalin të dhëna të reja e të larmishme, sepse nëpërmjet anketave me respondentë të këtyre moshave, në pyetjet se a kanë televizorë, sa televizorë kanë në shtëpi a banesë a janë televizorët e lidhur nëpërmjet kabllorit, IPTV-së, me antenë satelitore apo me mundësi të përcjelljes nëpërmjet tokësorit, a janë analogë apo digjitalë, sa kohë kalojnë duke shikuar televizor, etj.. janë dhënë përgjigje interesante dhe të larmishme. Në pyetësor, respondentët kanë pasur mundësi të përgjigjen në 25 pyetje, përfshirë edhe pyetjet që kishin të bënin me moshën, gjininë, rajonin ku jetojnë, posedim të numrit të televizorëve, kohën e kaluar në përcjellje të emisioneve televizive dhe mënyrës së qasjes ose të marrjes së transmetimeve. Pjesa tjetër e anketës ka të bëjë me përzgjedhjen dhe përcjelljen e programeve informative nga ta. Nga 208 respondentë, 64% të tyre ishin meshkuj; 36% femra; 19% ishin të moshës 19 vjeçare; 14.9% 20 vjet; 11% 22 vjeçare, 10% 21 vjeçare; 8.4% 23; dhe 7% 24 vjet; përqindja tjetër i takon moshës nga 25-28. Kjo nënkupton jo vetëm një diversitet të gjinisë, por edhe të moshës, që më pas përgjigjet dalin edhe më të ndryshme. Kjo është pritur, sepse si gjinia, ashtu edhe mosha dhe vendi prej nga vijnë të rinjtë tregojnë një ndryshueshmëri të mendimeve dhe të gjykimeve rreth programit informativ të televizionit. Kur merret parasysh origjina e të rinjve, e që sipas anketës 46% ishin nga rajoni i Prishtinës; 13.7% nga Gjilani, po aq nga Ferizaj, dhe 26% nga rajonet e tjera, përgjigjet janë shumë interesante. Vlen për t’u përmendur që 61.5% e respondentëve kanë nga një televizor në shtëpi, ndërsa 29.8% dy televizorë; e 8.7% kishin më tepër televizorë. Kjo lë të kuptohet, që një pjesë e tyre prej rreth 37% kanë mundësinë e përzgjedhjes së kanalit televiziv, kundrejt 61% që janë të detyruar të shikojnë çfarë shikojnë edhe anëtarët e tjerë të familjes. Pjesa dërrmuese e tyre (85.3%) kanë mundësinë e përcjelljes së programeve televizive nëpërmjet rrjetit digjital. 75.1% ishin të lidhur me TV kabllor Ndërsa me televizorë analog ishin 11.3%; digjital, kundrejt 15.6% të lidhur nëpërmjet IPTV satelitor e 9.3% me lidhje të rrjetit tokësor.

Të rinjtë dhe shikueshmëria e programit informativ

Bazuar në anketën (Kosumi.B. 2016:303) e bërë për shikueshmërinë e programit informativ të televizioneve në Kosovë dhe mbi bazën e të dhënave të gjetura për përcjelljen e këtij programi, të rinjtë e moshës nga 19-28 vjeçare, nga përgjigjet e dhëna del se të rinjtë e kësaj moshe nuk janë edhe aq të interesuar për përcjelljen e programeve informative të televizioneve. Nga 208 respondentë nga gjashtë qendrat kryesore të Republikës së Kosovës, pjesa dërrmuese e tyre kalojnë më pak se një orë kohë para ekraneve televizive. Kjo tregon interesimin e tyre jo aq të madh për ndjekjen e programit informativ në televizione. Të rinjtë e moshës 19-28, sipas të dhënave të kësaj ankete shumë pak kalojnë kohë para ekraneve televizive. Madje, edhe pse 99.5% kanë deklaruar që kanë aparate televizive në shtëpi, jo të gjithë të rinjtë e të gjitha këtyre qendrave kalojnë kohë të njëjtë në shikueshmëri të programeve televizive, dhe jo të gjithë i shikojnë të gjitha programet informative. Edhe pse pjesa dërrmuese e respondentëve ishin studentë, që në përqindje janë 73.4%, të dhënat nga anketa dëshmojnë që, ata as kanë shijen e njëjtë të programeve, as ngjasojnë në kohën e kaluar para televizionit, as në përzgjedhjen e programit që e shikojnë, e as në besueshmërinë e lajmeve që dëgjojnë nga televizioni. Kjo nënkupton që në Kosovë, edhe në këtë aspekt ka diversitet shijesh dhe gjykimesh. Të dhënat, sipas kësaj ankete pasqyrojnë kohën e kaluar para ekraneve televizive të të rinjve kosovarë. Nga 208 respondentë sa iu kanë përgjigjur kësaj ankete, 31.6% shikojnë më pak se një orë televizion; 18.9% e respondentëve kalojnë një orë para ekranit televiziv, pjesa tjetër e respondentëve kalojnë dy deri në tri orë. Gjysma e tyre para ekranit qëndrojnë vetëm kur kanë kohë të lirë, që nënkupton kur nuk kanë me çka të merren. Ndërsa 43% e respondentëve TV shikojnë në orët e mbrëmjes. Kjo e dhënë e fundit pasqyron gjendjen e dhe interesimin e tyre. Në të vërtetë, kjo e dhënë bën të qartë se televizorit i drejtohen kur nuk kanë ndonjë obligim tjetër ose kur ulen a shtrihen të pushojnë në mbrëmje. Kur e kemi parasysh që “informacioni është ajo pjesë e komunikimit që na mban në dijeni të ngjarjeve, çështjeve dhe personazheve që ndryshojnë në botën e jashtme” arsyeja e mos përcjelljes së programeve televizive nuk qëndron te fakti që nuk televizionet nuk ofrojnë program interesant ose që nuk ka përzgjedhje të kanaleve televizive, porse angazhimi ditor nuk i lejon që ata të ulen e të shikojnë më tepër televizion.

Përzgjedhja e kanaleve televizive

Për të plotësuar këtë konstatim na ndihmon e dhëna që në Kosovë program televiziv prodhojnë, përkatësisht transmetojnë një numër i madh televizionesh kombëtare, private e komerciale. Prej tyre tri janë televizione kombëtare, edhe atë: Radiotelevizioni i Kosovës, Kohavizion dhe Radiotelevizioni 21, dhe një numër i madh televizionesh të tjerë që janë private a komercial, dhe televizione që me seli janë në qendra të ndryshme të Shqipërisë a të vendeve të rajonit e Evropës, por që publiku kosovar ka mundësinë e përcjellës së programeve të këtyre televizioneve nëpërmjet IPTV-së, e kabllorit. Në këtë larushi televizionesh, TV Klan të Shqipërisë e shikojnë 31% e respondentëve të moshës së re; Klan Kosovën 25%, RTV21 15%; KTV-në 13%, e RTK-në e shikojnë vetëm 8% e respondentëve. (Russ-Mohl. 2010:90) Që nënkupton: publiku i moshës së re janë më të interesuar për programet e televizioneve private e komerciale se sa të atyre kombëtare. Mirëpo kur bëhet fjalë për përcjelljen e lajmeve në televizionet kombëtare, pas KTV-së, e cila është e para me 59.6%, RTK del e dyta me 44.3% (këtu respondentët kanë pasur mundësinë e përzgjedhjes së më tepër se një kanali televiziv). Duke pasur për bazë këtë përqindje të respondentëve, paraqitet një jo përputhshmëri e përqindjes së përcjellësve të RTK-së, sepse përderisa RTK-në e shikojnë vetëm 8.3%, lajmet e këtij televizioni i përcjellin 44.3% e tyre. E fundit për nga përcjellja e lajmeve mbetet RTV21 me një përqindje prej 24.6%. nga këto të dhëna mund të konstatohet që pavarësisht që dy televizionet e tjera kombëtare (KTV e RTV21) përpiqen që shikuesit t’i informojnë sa më saktë, sa më drejt, e sa më objektiv, RTK është burimi kryesor prej nga shikuesit e moshës së re duan të sigurojnë informacionet ditore.

Përcjellja e emisioneve informative

Në programin informativ të televizioneve kombëtare dhe atyre private e komerciale që shikohen në Republikën e Kosovës bëjnë pjesë: Lajmet, Debatet, Intervistat, Dokumentarët, Kronikat, Reportazhet, Emisionet zbavitëse, Filmat, dhe Sporti. (Selimi. 2016) Secili prej këtyre emisioneve kanë kohën e caktuar dhe shikuesit e tyre. Në përgjithësi, ndër më të shikuarat nga këto emisione janë filmat me filmat 52.4%, të pasuara nga lajmet me 37%, që pasohen nga debatet me 35%. Ndërsa, emisionet zbavitëse përcillen nga 29.6% e repondentëve. Intervistat përcillen nga 21.8%; e respondentëve. Dokumentarët nuk janë shumë keq me shikueshmëri kur krahasohen me intervistat, ato kanë fare pak dallim në mes veti, sepse këto emisione përcillen nga 21.4% respondentë. Sportin përcillet nga 17%; Reportazhet me 7.3%; e Kronikat me 6.8%; në opsionin sa përcillen  emisionet tjera, del që 14.6% e respondentëve të jenë përcaktuar për emisione të tjera. Debatet politike përcillen nga më shumë respondentë se sa ato ekonomike e kulturore. Intervistat me politikanë përcillen më tepër se intervistat me artistë, këngëtarë, e sportistë.  Reportazhet rregullisht i përcjellin vetëm 13.7%, ndërsa 19.1% prej tyre nuk i përcjellin fare. 52% e repondentëve përcjellin reportazhe nga vendi e rajoni e Bota, ndërsa vetëm vendore janë përcaktuar 28.9%. Kjo nënkupton që pjesa dërrmuese e respondentëve (sipas shifrave 52%) përcjellin të gjitha llojet e reportazheve ngado që vijnë ato. Sa i përket programit sportiv, sipas të dhënave të grumbulluara nga anketa del që KTV të jetë televizioni kombëtar që i lë hapësirë më të madhe sportit, edhe atë, sipas 193 respondentëve ose 49.7% e tyre thonë që KTV prin për nga hapësira e dhënë sportit. E dyta radhitet RTK me 35.2%, ndërsa RTV21 22.3%. a është e mjaftueshme kjo hapësirë që i jepet programit sportiv, 52.8% e respondentëve mendojnë që kjo hapësirë është e mjaftueshme, kundrejt 47.2% që mendojnë se kjo hapësirë nuk mjafton.

Cilësia e objektiviteti i lajmeve

Publiku kërkon cilësi para shumësisë së lajmeve. Sipas kësaj, konstatohet që kriteri mbi të cilin mbështeten respondentët për përzgjedhjen e përcjelljes së lajmeve në një televizion të caktuar është kriteri i cilësisë. Të dhënat e mësipërme qartësuan që RTK printe nga televizionet e tjera prej nga të rinjtë e moshës së re duan të merrnin informacionet ditore. Prandaj, cilësia e lajmeve është ajo që prin me 46.8% si arsye e ndjekjes së atyre lajmeve në atë televizion. Më pas ndiqet nga kurioziteti i të dëgjuarit të lajmeve të reja, e që arrin shifrën prej 40.9%. Sipas kësaj të dhëne kuptohet që një numër jo i vogël i ndjekësve të lajmeve për objektiv të vetin nuk e kanë cilësinë as objektivitetin e lajmeve, por kuriozitetin. Ata janë kurioz të shohin dhe të dëgjojnë se çfarë në të vërtetë televizioni i caktuar paraqet në edicionin e lajmeve. Objektiviteti është i treti me 21%, edhe pse për nga rëndësia do të ishte ngjitas me cilësinë, dhe e fundit shumësia e lajmeve me 15.1%. nga këto të dhëna paraqitet një jo përputhshmëri e shijeve në mes të cilësisë, objektiviteti dhe kuriozitetit. Përderisa cilësia radhitet si e para, objektiviteti radhitet i treti. Që nënkupton se edhe pse cilësia e lajmeve sipas tyre është në nivel, megjithatë para objektivitetit të lajmeve, shikuesit parapëlqejnë kuriozitetin. Kur lajmet janë cilësore, atëherë ka objektivitet, sepse cilësia e lajmeve nuk vlerësohet vetëm nga qartësia e pamjeve televizive dhe nga të lexuarit e rrjedhshëm të informatave nga moderatori, por nga objektiviteti i tyre. (Bergstrom. 2008) Porse, nuk duhet anashkaluar edhe kurioziteti si diçka që shikuesi e ndien të nevojshme për ta përcjellë. Megjithatë, këto janë përgjigjet e këtyre respondentëve dhe mbi bazën e këtyre përgjigjeve kanë dalë edhe rezultatet. Përgjigjet e respondentëve tregojnë po ashtu që lajmet e mbrëmjes janë lajmet më të ndjekura dhe prijnë me 72.7%, të pasuara nga Lajmet qendrore me 32.1%. Ndërsa lajmet e mëngjesit mbeten me 7%; të pasuara nga Lajmet e mesditës si më së paku të përcjella me 5.9%. nga kjo e dhënë kuptohet që në mbrëmje publiku është më i relaksuar dhe ka kohë më tepër për të përcjellë televizion. Prandaj zgjedhin këtë kohë për të dëgjuar përmbledhjen e informacioneve të ditës.

Besueshmëria e lajmeve

Pavarësisht që publiku i moshës së re përcjellin lajmet në televizionet kombëtare, prej nga rezulton që më së shumti i përcjellin lajmet në RTK, besueshmëria variron. 51,7% e respondentëve vetëm pjesërisht u besojnë lajmeve që dëgjojnë në TV, kundrejt 37.3% e të tjerëve që u besojnë plotësisht lajmeve. Pjesa e përqindjes që mbetet u besojnë pak ose aspak. Kur bëhet fjalë për objektivitetin e lajmeve, 65.1% e respondentëve thonë që lajmet e mbrëmjes janë më objektive, se të gjitha edicionet e tjera ditore. Ndërsa për 35.4% lajmet qendrore janë më të besueshme. Respondentët pretendojnë që gjatë përcjelljes së lajmeve marrin informacione që nuk i kanë pasur, marrin njohuri të reja, dhe ka nga ta që përcjellja e lajmeve është një kohë e humbur. Kështu,  60.7% thonë që përfitojnë informacione që s’i kanë pasur. 25.4 përfitojnë njohuri të reja, dhe 13.9% e shohin si kohë të humbur përcjelljen e lajmeve.

Duke pasur për bazë që Informimi i publikut zë vend të veçantë në shoqëri, përcjellja e programeve informative të televizioneve në Kosovë nga të rinjtë e moshës nga 19-28 vjet, ka rëndësi të madhe, sepse të rinjtë e kësaj moshe arrijnë të informohen me kohë dhe në kohë për ngjarjet që ndodhin rreth tyre.  Nga të dhënat e kësaj ankete me të rinjtë e kësaj moshe bazuar në përgjigjet e tyre mund të konkludohet që: 1. Pjesa dërrmuese e tyre nuk qëndrojnë gjatë para ekraneve televizive. 2. Interesimi dhe pikëpamjet e tyre për programet informative të televizioneve që transmetojnë program në Kosovë dallojnë nga njëri-tjetri. 3. Ka një ndryshueshmëri të mendimeve dhe të gjykimeve rreth programit informativ të televizionit. 4. Pjesa dërrmuese e tyre nuk e kanë luksin e përzgjedhjes së kanalit televiziv, sepse kanë vetëm një aparat televiziv në shtëpi. 5. Në përgjithësi, ndër më të shikuarat nga emisionet informative janë filmat. 6. Lajmet e mbrëmjes është edicioni i lajmeve më i ndjekur kundrejt edicioneve të tjera të lajmeve ditore. 7. Asnjëri nga televizionet kombëtare  nuk i jep hapësirë të mjaftueshme sportit.

Continue Reading

Lajmet

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

Aktualitet

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Aktualitet

Diplomacia në epokën e inteligjencës artificiale: Rektori Hajrizi folës në Akademinë Diplomatike për Diplomatë të Rinj

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte folës në edicionin e 12-të të Akademisë Diplomatike për Diplomatë të Rinj, ku në fokus ishte potenciali transformues i inteligjencës artificiale në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe praktikën diplomatike.

Gjatë diskutimit, Rektori Hajrizi trajtoi mundësitë dhe sfidat që sjellin teknologjitë e reja për diplomacinë bashkëkohore, duke vënë në pah ndikimin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e praktikave diplomatike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Diskutimi theksoi rëndësinë e inovacionit, përshtatshmërisë dhe qasjeve të përgjegjshme ndaj teknologjive të reja, në një kohë kur inteligjenca artificiale po krijon perspektiva të reja për të ardhmen e diplomacisë.

Pjesëmarrja në këtë akademi pasqyroi rëndësinë e ndërveprimit ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe diplomacisë, si dhe të dialogut mbi mënyrat se si inovacioni mund të kontribuojë në zhvillimin e praktikave diplomatike në të ardhmen.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

UBT kontribuon në vizionin e Kosovës 2050 për qytete të mençura, planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të institucionit, mori pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050”, që po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e arkitektëve, urbanistëve dhe ekspertëve nga Kosova dhe bota.

I organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e GIZ-it, simpoziumi përbën një platformë të rëndësishme për diskutimin e së ardhmes së planifikimit hapësinor në Kosovë, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e qyteteve e vendbanimeve më funksionale, më të gjelbra dhe më të qëndrueshme.

Me mbi 20 vjet përvojë në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin, UBT ka ndërtuar kapacitete të rëndësishme akademike dhe profesionale në arkitekturë, planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke e vënë dijen dhe ekspertizën në shërbim të zhvillimit të Kosovës. Në këtë kuadër, UBT ka themeluar Institutin për Planifikim, pjesë përbërëse të institucionit, i cili angazhohet në hulumtim shkencor, inovacion dhe zhvillim në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban, me synimin që njohuritë akademike dhe zgjidhjet inovative të shndërrohen në kontribut konkret për qytetet, komunat dhe institucionet e vendit.

Një rol të veçantë në këtë drejtim e ka Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, një nga qendrat kryesore të arsimit dhe ekspertizës profesionale në këtë fushë në Kosovë. Përmes programeve akademike, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, UBT kontribuon në përgatitjen e profesionistëve dhe zhvillimin e praktikave bashkëkohore të planifikimit urban. Programi i tij në planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, i pari i këtij lloji në Kosovë sipas të dhënave institucionale, përfaqëson një nga përpjekjet e rëndësishme për avancimin e kësaj fushe në vend.

Në nivel ndërkombëtar, UBT është anëtare institucionale e Association of European Schools of Planning (AESOP), International Society of City and Regional Planners (ISOCARP) dhe European Association for Architectural Education (EAAE), duke marrë pjesë aktive në rrjetet akademike dhe profesionale të këtyre organizatave. Përmes këtij angazhimi, si dhe prezantimit të modelit dhe përvojave të tij në konferenca, simpoziume dhe forume ndërkombëtare, UBT kontribuon në shkëmbimin e dijes, zhvillimin e ideve inovative dhe ndërlidhjen e ekspertizës vendore me praktikat ndërkombëtare në arkitekturë dhe planifikim urban.

Kjo ekspertizë plotësohet nga fushat e mjedisit dhe infrastrukturës së qëndrueshme, ndërtimit, bujqësisë, energjisë dhe teknologjisë, duke krijuar një bazë të gjerë ndërdisiplinore për përgatitjen e kuadrove të së ardhmes, zhvillimin e hulumtimeve dhe hartimin e zgjidhjeve inovative për banimin, infrastrukturën dhe mjediset urbane. Përmes bashkëpunimit me institucione publike, komuna, universitete dhe partnerë profesionalë në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar, UBT synon të mbështesë një qasje më sistemore, të integruar dhe të bazuar në ekspertizë për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit. Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës.

Në përputhje me vizionin strategjik UBT 5S, institucioni vazhdon të promovojë një model zhvillimi ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia lidhen me nevojat reale të shoqërisë.

Pjesëmarrja në Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050” riafirmon përkushtimin e UBT-së për të qenë partner aktiv i institucioneve të Kosovës, duke kontribuar me ekspertizë profesionale, hulumtime dhe ide inovative në planifikimin e së ardhmes së vendit.

Për UBT-në, qytetet e së ardhmes duhet të ndërtohen mbi parimet e planifikimit të mirëfilltë, qëndrueshmërisë mjedisore, zgjerimit të hapësirave të gjelbra, infrastrukturës cilësore dhe inovacionit, me synimin që Kosova të zhvillojë vendbanime më të mençura, më gjithëpërfshirëse dhe më të mira për të jetuar, sot, dhe për gjeneratat e ardhshme.

Continue Reading

Të kërkuara