Magazinë

Rrëfimi prekës i Jennifer Lawrence: Frika më pushtonte sa herë që fëmija mbyllte sytë

Published

on

Jennifer Lawrence ka përshkruar stresin dhe tendosjen që përjetoi pas lindjes së fëmijës së saj të dytë, duke vënë në dukje se lindja u shoqërua me një periudhë veçanërisht stresuese përshtatjeje, me të cilën ajo shpesh shqetësohej për shëndetin e foshnjës ndërsa ai flinte.

Prillin e kaluar, aktorja lindi fëmijën e saj të dytë me bashkëshortin e saj, Cooke Maroney. Në një intervistë me revistën The New Yorker, Lawrence rrëfeu se shpesh besonte se foshnja e saj ishte e vdekur kur ai flinte.

“Sa herë që flinte mendoja se kishte vdekur”, tha ajo, duke shtuar: “Mendova se po qante sepse nuk i pëlqente jeta e tij, unë apo familja e tij. Mendova se po bëja gjithçka gabim dhe se do t’i shkatërroja fëmijët e mi.”

Aktorja zbuloi se mori ilaçe, një trajtim i zhvilluar rishtazi për depresionin pas lindjes, të cilat e ndihmuan menjëherë dhe në mënyrë të konsiderueshme të përballonte simptomat e saj.

Ajo ndau një incident ku shpërtheu në lot kur iu bë një pyetje në ChatGPT në lidhje me ushqyerjen me gji.

” Ajo më tha: ‘Po bën gjënë më të mrekullueshme për fëmijën tënd. Je një nënë kaq e dashur’”, u përgjigj aplikacioni.

Lawrence dhe Maroney u martuan në tetor 2019 e kanë një fëmijë tjetër, Shai, tre vjeç. Pas lindjes së fëmijës së dytë, një burim i tha revistës PEOPLE në prill se aktorja po përpiqej të përshtatej me jetën e saj të përditshme si nënë e dy fëmijëve.

“ Jen po shkon mirë. Të rikthehesh te rritja e një të porsalinduri kur ke një fëmijë të vogël mund të jetë e lodhshme, por ajo është në humor të shkëlqyer. Ajo ka lindur për të qenë nënë. Është e qetë dhe i pranon të gjitha. Cook është baba i shkëlqyer. Së bashku arrijnë të balancojnë gjithçka ”, kishte thënë një person pranë mjedisit të saj. /A.Z/UBT News/

Magazinë

Stefano Gabbana largohet nga drejtimi i Dolce & Gabbana

Published

on

Stefano Gabbana ka lënë postin e kryetarit në shtëpinë e modës Dolce & Gabbana, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në strukturën drejtuese të kompanisë.

Vendimi është formalizuar në dhjetor, ndërsa që nga janari drejtimin e bordit e ka marrë Alfonso Dolce, aktualisht drejtues ekzekutiv dhe vëllai i Domenico Dolce.Ky zhvillim vjen në një moment sfidues për kompaninë, e cila po përballet me presion financiar dhe nevojë për riorganizim të brendshëm. Megjithatë, Gabbana mbetet pjesë e kompanisë dhe po shqyrton opsionet për pjesën e tij të pronësisë, që arrin rreth 40%, një faktor që mund të ndikojë në strukturën e ardhshme të aksionarëve.

Ndërkohë, kompania ka hyrë në negociata me bankat për ristrukturimin e borxhit, ku huadhënësit kërkojnë një injektim kapitali deri në 150 milionë euro, në kuadër të një plani që përfshin rreth 450 milionë euro detyrime.Për të përmirësuar likuiditetin, drejtuesit po shqyrtojnë shitjen e disa pasurive të paluajtshme dhe rishikimin e marrëveshjeve të licencimit, ndërsa në proces janë përfshirë edhe këshilltarë financiarë ndërkombëtarë.

Paralelisht, priten edhe emërime të reja në strukturën drejtuese, si pjesë e përpjekjeve për të stabilizuar dhe forcuar pozicionin e markës në tregun global të modës.

Continue Reading

Magazinë

Ndërron jetë Afrika Bambaataa, një nga themeluesit e hip-hopit, në moshën 68-vjeçare

Published

on

Afrika Bambaataa, një nga figurat themeluese të kulturës hip-hop, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, ka konfirmuar organizata Hip Hop Alliance.

Në një deklaratë, organizata e ka cilësuar Bambaataan si një nga emrat që ndihmuan në formësimin e një “lëvizjeje globale të bazuar në paqe, unitet, dashuri dhe argëtim”, duke vlerësuar rolin e tij në zhvillimin e hip-hopit si zhanër muzikor dhe fenomen kulturor.

I lindur si Lance Taylor në Bronx, ai u rrit gjatë periudhës së lëvizjes për të drejtat e komunitetit afro-amerikan. Në vitin 1973, ai bashkëthemeloi Universal Zulu Nation, një organizatë ndërkombëtare e vetëdijes hip-hop që synonte kanalizimin e rinisë drejt krijimtarisë dhe larg dhunës.

Në vitin 1982, kënga e tij “Planet Rock” i solli famë botërore dhe konsiderohet si një nga projektet që formësuan zhvillimin e hip-hopit në vitet ’80. Gjatë karrierës së tij, ai bashkëpunoi me emra të njohur si James Brown dhe John Lydon, si dhe mori pjesë në projekte me mesazh politik, përfshirë këngën kundër aparteidit “Sun City” në vitin 1985.Megjithatë, në vitet e mëvonshme, reputacioni i tij u shoqërua me akuza për abuzim seksual dhe trafikim të të miturve, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht. Në vitin 2016 ai u tërhoq nga drejtimi i Universal Zulu Nation, ndërsa në vitin 2025 humbi një proces civil pasi nuk u paraqit në gjykatë.

Hip Hop Alliance ka theksuar se këto akuza e kanë ndërlikuar trashëgiminë e tij artistike, e cila vazhdon të jetë temë diskutimi brenda komunitetit muzikor.

Continue Reading

Magazinë

Ralph Fiennes: “Do të doja të rikthehesha si Voldemort, por ajo kohë ka kaluar”

Published

on

Aktori britanik Ralph Fiennes ka deklaruar se do të kishte dëshirë të rikthehej në rolin e Voldemortit në universin e “Harry Potter”, por beson se kjo tashmë nuk do të ndodhë.

Fiennes, i cili luajti antagonistin kryesor në filmat e sagës nga viti 2005 deri më 2011, tha në një intervistë se më herët kishte shprehur gatishmërinë për ta ripërsëritur rolin, por që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë zhvillim dhe se “ajo anije tashmë ka ikur”.

Ndërkohë, një adaptim i ri televiziv i serisë së famshme është në prodhim nga HBO, por ende nuk është bërë e ditur se kush do ta interpretojë Voldemortin. Mes emrave të përfolur kanë qenë Tilda Swinton dhe Cillian Murphy, megjithatë vetë drejtuesit e projektit kanë mohuar spekulimet, duke theksuar se ende nuk ka një vendim përfundimtar. Edhe Murphy ka hedhur poshtë zërat për përfshirjen e tij në këtë rol.

Seria e re tashmë ka konfirmuar aktorët kryesorë: Dominic McLaughlin do të luajë Harry Potterin, Alastair Stout Ron Weasley-n dhe Arabella Stanton Hermione Granger-in, duke zëvendësuar treshen ikonike të filmave, Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint.

Projekti do të sjellë edhe rikthime të pjesshme, pasi Warwick Davis pritet të rikthehet në rolin e profesorit Filius Flitwick. Sezoni i parë do të bazohet në librin e parë të JK Rowling, “Harry Potter and the Philosopher’s Stone”.

Megjithatë, disa aktorë kanë raportuar për kritika dhe reagime negative lidhur me përfshirjen në serial, përfshirë edhe kërcënime ndaj aktorit Paapa Essiedu, i cili është përfolur për rolin e Severus Snape. Pavarësisht kësaj, ai ka theksuar se reagimet pozitive nga publiku kanë qenë të shumta dhe inkurajuese.

Seriali i parë i “Harry Potter” pritet të nisë transmetimin gjatë festave të fundvitit 2026 në HBO Max.

Continue Reading

Magazinë

114 vjet nga nisja e “Titanic”-ut drejt fatit tragjik

Published

on

Më 10 prill 1912, anija legjendare “RMS Titanic” u nis nga Southampton pak pas mesditës, duke shënuar fillimin e udhëtimit të saj të parë – një udhëtim që do të mbetej në histori si tragjik.

Në momentin e nisjes, në bord ndodheshin rreth 1 846 persona, një pjesë e konsiderueshme e kapacitetit maksimal prej 3 547 pasagjerësh dhe anëtarësh ekuipazhi.

Pak pas largimit nga porti, anija hasi një incident të vogël: zhvendosja e madhe e ujit që krijoi rrezikoi një përplasje me anijen “SS New York”, duke shkaktuar një vonesë të shkurtër në nisje.

Ndalesa e radhës ishte në Cherbourg, ku “Titanic”-u mbërriti rreth orës 18:30 për të marrë pasagjerë të tjerë. Transferimi u realizua përmes anijeve “SS Nomadic” dhe “SS Traffic”, të cilat transportuan 281 pasagjerë të rinj: 151 të klasit të parë, 28 të klasit të dytë dhe 102 të klasit të tretë.

Ndërkohë, 24 pasagjerë zbritën në këtë port, duke përfunduar aty udhëtimin e tyre.

Cherbourg shënoi gjithashtu hipjen e disa prej pasagjerëve më të pasur dhe më të njohur të anijes. Sipas “Titanic Belfast”, vetëm 21 prej pasagjerëve që hipën në këtë qytet ishin francezë, ndërsa të tjerët vinin nga SHBA, Anglia, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Greqia, Italia, Libani, Polonia, Rusia, Siria dhe Uruguaji.

Në bord ndodheshin edhe sasi të mëdha produktesh luksoze franceze, përfshirë shampanjë, verë dhe djathëra. Ngarkesa ushqimore përfshinte rreth 34 000 kilogramë mish, 15 000 shishe birrë, 10 000 shishe verë dhe 12 000 shishe ujë mineral.

Pas një qëndrimi disaorësh, “Titanic”-u u nis nga Cherbourg rreth orës 20:10 drejt Queenstown në Irlandë, ndalesa e fundit përpara udhëtimit transatlantik drejt Shteteve të Bashkuara – një udhëtim nga i cili nuk do të kthehej më kurrë.

Continue Reading

Të kërkuara