Botë

Rindërtimi i vështirë i Notre-Dame de Paris

Published

on

Dy vjet pas zjarrit shkatërrimtar më 15 Prill 2019, përgatitjet për rindërtimin e katedrales vazhdojnë. Por planet ndeshin në kundërshtime.

Rrallë prerja e pemëve është organizuar në mënyrë kaq pompoze. Të rrethuar nga një numër i madh kamerash televizive ministri francez i Bujqësisë Julien Denormandie dhe ministrja e Kulturës Roselyne Bachelot ngulën pllaka të vogla me numra në disa lisa. Pastaj të dy mbajtën një fjalim në pyllin shtetëror Bercé, 200 kilometra në jugperëndim të Parisit. “Besoj se Notre-Dame, që është simbol i së kaluarës sonë, tregon se në ç’masë pyjet shkruajnë historinë e kohës”, u shpreh Denormandy solemnisht. Kolegia e tij ministre shtoi në mënyrë më konkrete: “Na duhen gjithë këto dru, sepse është marrë vendimi që katedralja të rindërtohet ashtu siç ka qenë më parë, domethënë përpara zjarrit që nga ndërtimet [e arkitektit Eugène] Viollet-le-Ducs, që nisën në 1843”.

Lisat janë pjesë e rreth 2000 drurëve, që janë prerë dhe që do të përdoren për rindërtimin e majave të kullave dhe të kulmit të Notre-Dame de Paris, të cilat janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë nga zjarri me 15 prill 2019. Këto plane rindërtimi janë pritur me pakënaqësi. Por jo për faktin se nuk ka siguri a do të arrihet të mbahet premtimi i presidentit Emmanuel Macron për rindërtimin e plotë të katedrales brenda pesë vitesh.

Rindërtimi “brenda pesë viteve”

Zjarri që ra dy vjet më parë tmerroi Francën dhe gjithë botën. Mijëra kureshtarë ishin grumbulluar atë mbrëmje rreth kësaj trashëgimie botërore të UNESCO-s, duke ndjekur me thirrje tmerri se si shëmbej maja e kambanares nga zjarri. Edhe pjesë të tëra të konstruksionit mesjetar të kulmit të çatisë u dogjën, qemerët e kalimeve kryesore anësore pësuan dëmtime. Ekipet televizive nga e gjithë bota ditë me rradhë zunë vend përreth katedrales, nga ku raportonin drejtpërdrejt, edhe kur Macron u zotua se do ta rindërtonte monumentin brenda pesë vitesh. Fillimisht ai u shpreh se dëshironte një rindërtim bashkëkohor të majave të kambanareve, por në fund iu nënshtrua ekspertëve, të cilët kërkonin një rindërtim sipas Viollet-le-Duc. Menjëherë pas zjarrit sipërmarrje të mëdha dhe donatorë të vegjël premtuan gati një miliard euro donacione për rindërtimin. Administratorët e katedrales kanë mbledhur tanimë 833 milion euro dhe kanë marrë të paktën premtime ligjërisht të detyrueshme për 98 për qind.

Pemët “gjithësesi do të priteshin”

Për rindërtimin e katedrales në formën e saj origjinale Francës i duhen tani lisa. Gjysma e tyre do të vijë nga pyje private dhe gjysma nga pyje publike. Pas prerjes ato duhen depozituar dymbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë muaj për të ulur lagështinë e drurit në rreth 30 përqind.

Bëhet fjalë për pemë shekullore, që gjithsesi do të kishin qenë në listën e lisave që do të priteshin, thotë Guillaume Larrière, zëdhënësi i ONF-së, qendra shtetërore franceze për administrimin e pyjeve. Franca ka një nga rregulloret më të rrepta në botë për menaxhimin e pyjeve: “Prandaj është e drejtë, që druri për Notre-Dame të sigurohet ekskluzivisht nga Franca – këtu e kemi saktësisht nën kontroll prerjen.”

Frankreich, Paris | Notre-Dame Kathedrale

Ambientalistët: Planet për rindërtimin janë “tërësisht të vjetëruara”

Por Jacky Bonnemains e kritikon këtë mënyrë. Ai është kryetari i shoqatës për mbrojtjen e mjedisit Robin des Bois. “Ne amputojmë pyjet tona, u rrëmbejmë atyre lisat, që janë të rëndësishëm për rigjenerimin e pyjeve. Ato janë habitate për një numër të madh insektesh dhe shpendësh”, thotë Bonnemains.

Këtë mendim e përkrahin së paku më shumë se 40.000 bashkatdhetarë të tij, të cilët kanë nënshkruar një peticion për të ndaluar prerjen e pemëve. Vendimin për rindërtimin e Notre-Dame ashtu siç ka qenë, ai e quan “tërësisht të vjetëruar”: “Kurrë nuk do të kisha menduar se qeveria do të zgjidhte këtë duo infernale drurin dhe plumbin, që mundësoi zjarrin dhe ndotjen me plumb”.

Ndotja e konsiderueshme me plumb në territorin e katedrales dhe në zonat përreth është konfirmuar edhe nga Instituti shtetëror për mjediset industriale dhe rreziqet e tyre. Kështu në 2019 Robin des Bois ngriti padi kundër personave të panjohur për rrezikimin e jetës së të tjerëve. Por çështja u ndërpre para disa muajve.

Bonnemains mendon se materiale të tjera ndërtimi do të ishin shumë më bashkëkohore dhe më të sigurta: “Katedralja Saint-Pierre-et-Saint-Paul në Nantë për shembull ka një çati prej betoni. Zjarri vitin e kaluar shkaktoi dëme relativisht të pakta atje”, shpjegon ai.

Plumbi dhe druri “kombinim ideal”

Betoni nuk është zgjidhje në rastin e Notre-Dame de Paris, kundërpërgjigjet një zëdhënës i autoritetit që administron monumentin, i cili nuk dëshiron të japë emrin. “Struktura e kulmit të katedrales ka nevojë për një peshë të caktuar, në mënyrë që ndërtesa të qëndrojë – kombinimi plumb dhe dru është ideal”, i thotë ai DW. “Zjarri është përhapur për shkak të gabimit njerëzor, ne thjesht kemi nevojë për më shumë njerëz për ta kontrolluar në vendet e duhura. Përveç kësaj do të vendosim dyer kundër zjarrit, për parandalimin e zjarreve në të ardhmen”, shpjegon ai.

Puna për sigurimin e katedrales nga shembja do të vazhdojë deri në korrik pastaj do të shpallen tenderë të shumtë publikë, në mënyrë që në fund të këtij apo fillimi të vitit të ardhshëm të mund të fillojë rindërtimi. “Në vitin 2024 Notre-Dame do të hapet për panaire siç është planifikuar”, tha zëdhënësi.

 Dyshimet për afatin e rindërtimit

Por zërat, që dyshojnë në afatin e vendosur nga presidenti, po shtohen. Ata vijnë madje nga vetë kantieri i ndërtimit. “Punimet për sigurimin nga shembja kanë zgjatur shumë dhe neve ndoshta do të na duhet të vazhdojmë disa punime pas vitit 2024, si për shembull qemerin mbështetës në pjesën e jashtme të ndërtesës”, i thotë DW Yann de Carné. Ai është president i shoqatës së industrisë GMH, e cila përfaqëson 80 përqind të kompanive, që kryejnë punë restauruese në monumentet publike. “Por panairet si dhe rihapja e disa pjesëve të katedrales për vizitorët, kjo duket mjaft realiste pas tre vjetësh”, është i mendimit ai.

Edhe Jacky Bonnemains beson se rindërtimi i katedrales do të marrë “edhe shumë vite të tjera”. “Kjo na jep kohë për të vepruar kundër mënyrës, se si i bëjnë ata gjërat”, thotë ambientalisti. Shoqata e tij dëshiron të rifillojë gjyqin për helmimin nga plumbi, në një përpjekje të re, këtë herë si bashkëpaditës.DW

Continue Reading

Lajmet

210 statuja të Mozartit vidhen nga një ekspozitë në Salzburg

Published

on

Një ekspozitë në Salzburg, kushtuar 270-vjetorit të lindjes së Wolfgang Amadeus Mozartit, ka përfunduar në qendër të vëmendjes pas një serie vjedhjesh të pazakonta.

Nga gjithsej 320 statuja të arta që paraqesin Mozartin së bashku me qenin e tij, Pimperl, janë zhdukur plot 210. Veprat janë krijuar nga artisti gjerman Ottmar Horl dhe ishin vendosur në kopshtin përpara shtëpisë së dikurshme të Mozartit, në hapësirat e banimit dhe në disa pavijone të ekspozitës.

Vjedhjet kanë nisur që në ditët e para të ekspozitës. Më shumë se 80 statuja janë zhdukur vetëm gjatë dy javëve të para, duke bërë që artisti të dyshojë se nuk bëhet fjalë thjesht për vizitorë që i kanë marrë si suvenire, por për një vjedhje të organizuar.

Edhe pse statujat janë të arta në pamje, vlera e tyre nuk është veçanërisht e lartë. Secila ishte planifikuar të shitej pas përfundimit të ekspozitës për rreth 100 euro. Organizatorët kishin përgatitur edhe disa statuja rezervë, por jo aq sa për të zëvendësuar numrin e madh të veprave të vjedhura.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 gusht, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme.

Kjo nuk është hera e parë që veprat e Ottmar Horl bëhen objekt vjedhjeje. Artisti ka treguar se më herët, në Bayreuth të Gjermanisë, iu vodh e gjithë një ekspozitë me figura të kompozitorit Richard Wagner.

Mozarti, një nga kompozitorët më të njohur në historinë e muzikës, lindi më 27 janar 1756 në Salzburg. Përmes këtyre statujave, Horl synoi të paraqiste një anë më njerëzore dhe më të afërt të tij, duke e shfaqur kompozitorin në shoqërinë e qenit të tij Pimperl./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Evropa përjeton një nga eklipset më spektakolare prej dekadash

Published

on

By

Miliona njerëz u bënë dëshmitarë të eklipsit më të rëndësishëm në Evropë prej dekadash të mërkurën, me Diellin që u zhduk prapa Hënës për disa çaste të shkurtra.

Vëzhguesit në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar panë Hënën të mbulonte më shumë se 90% të Diellit — mbulimi më i madh që nga viti 1999 — ndërsa pjesë të Grenlandës, Islandës dhe Spanjës panë një eklips të rrallë të plotë.

Posa drita nisi të zbehej, turma njerëzish në të gjithë kontinentin ndërprenë atë që po bënin për të kthyer sytë nga qielli e për të parë zhvillimin e këtij spektakli. Disa brohoritën kur u zhdukën rrezet e fundit të Diellit, e të tjerë vështronin në heshtje.

Ata që ndodheshin në shtegun e eklipsit të plotë — zonat ku Hëna e bllokoi tërësisht Diellin — përjetuan errësirë për më pak se dy minuta, përpara se drita të niste të rikthehej.

Eklipsi i plotë nisi në majën e Siberisë në Rusi, me shtegun e ngushtë të mbulimit të plotë që gjarpëronte mes Islandës dhe Grenlandës, përpara se të drejtohej përmes Atlantikut drejt Spanjës veriore.

Vendi i fundit në tokë që pa eklipsin e plotë ishin ishujt e Majorkës dhe Menorkës, përpara se hija të zhdukej në Detin Mesdhe gjatë perëndimit të Diellit.

Spanja ishte një nga vendet më të mira për të parë eklipsin e plotë, me miliona turistë që zbarkuan në vend ditët e fundit për të parë ngjarjen.

Eklipsi i fundit i plotë në Spanjë kishte ndodhur më shumë se një shekull më parë, por vendi pritet të përjetojë një tjetër në gusht të vitit të ardhshëm. Mbulimi i plotë për atë eklips pritet të zgjasë më shumë se gjashtë minuta në disa vende, gjë që ka bërë që ai të pagëzohet si “eklipsi i shekullit”.

Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhet kohë për të përjetuar një tjetër eklips si ky. Një eklips pjesor vitin e ardhshëm do të ketë një mbulim rreth 45% në disa rajone, por eklipsi i ardhshëm i plotë diellor në UK nuk do të ndodhë deri në shtator të vitit 2090. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Shpëtohet e gjallë 32-vjeçarja pas 36 orësh nën rrënoja nga tërmeti në Kolumbi

Published

on

By

Një 32-vjeçare është shpëtuar e gjallë pasi mbeti e bllokuar për 36 orë nën rrënoja, si pasojë e tërmetit të fuqishëm prej 7.4 ballësh që goditi Kolumbinë perëndimore.

Daniela Largo u nxor nga gërmadhat e një ndërtese të shembur në qytetin Pereira, pas një operacioni kompleks që zgjati 10 orë. Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës arritën te ajo përmes një tuneli të hapur poshtë katër pllakave të rënda të betonit. Vendndodhja e saj u lokalizua falë një kamere të vogël, pasi një banor vendas dëgjoi thirrjet për ndihmë. Përmes një tuneli të parë të hapur nga lart ekipet i siguruan oksigjen, ndërsa përmes tunelit të dytë nga poshtë realizuan nxjerrjen e saj.

Shpëtimin e saj e ka përshëndetur edhe presidenti kolumbian, Abelardo de la Espriella, i cili e cilësoi ngjarjen si një “lajm që na mbush me shpresë”. Pas shpëtimit, Largo u shpreh e lehtësuar duke thënë se në shtëpi po e pret djali i saj 12-vjeçar.

Sipas të dhënave zyrtare, tërmeti tragjik ka lënë të paktën 188 të vdekur dhe qindra të tjerë të zhdukur. Bilancin më të rëndë e shënojnë qytetet Cali me 95 viktimë dhe Pereira me 79 të vdekur. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në terren për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Trump konfirmon ndërrimin e fshehtë të avionit në Turqi pas kërcënimit nga SHBA-ja

Published

on

By

Sipas një raportimi nga BBC, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se ka ndërruar avionin në fshehtësi gjatë largimit nga samiti i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, për shkak të një kërcënimi të mundshëm.

“Unë veproj sipas udhëzimeve të Shërbimit Sekret dhe ushtrisë. Ata donin që unë të udhëtoja me një fluturim tjetër, me një avion tjetër,” u tha Trump gazetarëve. “Më duhet thjesht të bëj atë që thonë ata.”

Ky zbulim vjen pas raportimeve se Trump hipi në avionin “Air Force One” më 8 korrik para kamerave televizive, përpara se të fshihej në një kamion furnizimi ushqimi për t’u transportuar drejt një avioni ushtarak.

Ndërrimi i minutës së fundit ka ngritur pyetje nëse personat e mbetur në avionin mashtrues ishin në rrezik, por Trump deklaroi të martën se avioni në të cilin hipi mund të kishte qenë në “rrezik më të madh… sepse ai do të ishte avioni, mendoj unë, që ata do të kishin më shumë gjasa të godisnin.”Zyrtarët i deklaruan partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se SHBA-ja kishte detektuar një kërcënim të besueshëm iranian për të goditur avionin me raketa. Ndërkaq, The New York Times raportoi se inteligjenca amerikane kishte informacione për një person pranë samitit të NATO-s, i cili ishte parë me një rakete që lëshohet nga krahu.

Gazetarët dhe disa anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë që ndodheshin në bord nuk e dinin se presidenti amerikan ishte larguar fshehurazi si pjesë e një manovre të ndërlikuar mashtruese në përgjigje të kërcënimit të mundshëm iranian. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara