Lajmet
Qeveria e Kosovës nis ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës
Published
10 months agoon
By
UBTnewsProcesi i ndërtimit të dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër – përmes së cilave Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se synon ta lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare – do të fillojë në pasditen e 1 korrikut, ka bërë të ditur Qeveria në detyrë.
Gurthemelet e dy urave të reja, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, do të vendosen të martën, në orën 17:00.
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq; nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri; ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave; Elbert Krasniqi; si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Qeveria në detyrë e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha më herët se projekti për ndërtimin e urave është iniciuar me kërkesë të dy komunave, si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.
Memorandumi i mirëkuptimit, thuhet në deklaratë, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë dhe zbatojë këto projekte infrastrukturore – që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër – me qëllim të lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.
Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar:
“Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër“.
Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.
Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.
Një këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Dushan Millunoviq, beson se këto ura janë të panevojshme.
Ndërtimi i këtyre urave “do të ndikojë negativisht në situatën e përgjithshme”, ka thënë Millunoviq.
“Nëse do t’i kishim zgjidhur të gjitha problemet e qytetit, siç janë rrugët, kanalizimet, infrastruktura… Nëse do të ishte koha për të ndërtuar ura, do ta kuptoja. Por, për fat të keq, situata në terren nuk është e tillë”, është shprehur ai për Radion Evropa e Lirë.
Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, ka thënë se mbështet çdo ndërtim urash, pasi ato janë simbol i lidhjes mes njerëzve, kulturave dhe dallimeve, por ka shtuar se për momentin, ka çështje më me prioritet për t’u trajtuar.
Qyteti i Mitrovicës u nda në periudhën e pasluftës, ndërsa në vitin 2013 u nda edhe zyrtarisht në dy komuna: Mitrovica e Jugut e banuar me shumicë shqiptare, dhe Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe.
Në mes të qershorit të 2025-tës u formua edhe një bord i përbashkët i këtyre dy komunave, bazuar në Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim “përafrimin e qytetarëve”.
Verën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndërmori një nismë për të hapur urën kryesore mbi Ibër për trafik – gjë që u kundërshtua nga popullsia lokale serbe dhe bashkësia ndërkombëtare.
Misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR – ushtarët e të cilit janë të stacionuar në urën kryesore mbi lumin Ibër – kishte thënë atëkohë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret brenda kornizës së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ambasadori i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ka rrezik real nga hapja e urës në Mitrovicë, i cili mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë edhe ushtarët amerikanë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më pas se Qeveria e tij do t’i vazhdonte konsultimet dhe koordinimin në lidhje me hapjen e urës, duke theksuar se kjo çështje nuk është e drejtuar kundër askujt.
Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
I ashtuquajturi rivitalizim i urës u planifikua me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe funksionalizimin e urës.
Më pas, në vitin 2016, u miratua një plan i ri zbatimi, që synonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e ndryshme të konstatimeve të mëparshme.
Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të bëhej në janar të vitit 2017.
Punimet rreth rivitalizimit të urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018 dhe ura, në të cilën u investuan 1.5 milion euro, nuk u hap kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë./REL
lajme
Peter Magyar fiton zgjedhjet në Hungari, fundi i një epoke 16-vjeçare të Viktor Orbán
Published
2 hours agoon
April 13, 2026By
UBTNews
Fitorja historike e liderit opozitar Peter Magyar në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Hungari po shihet si një pikë kthese për vendin, me pritje për rindërtimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropina dhe një qasje më të kujdesshme ndaj Rusisë.
Udhëheqësi i partisë Tisza, Magyar, ka arritur të fitojë shumicën e votave, duke mposhtur kryeministrin aktual Viktor Orbán, i cili e ka uruar për fitoren pas publikimit të rezultateve.
Orbán, që udhëhoqi Hungarinë për 16 vjet dhe kërkonte mandatin e gjashtë radhazi në zgjedhjet e 12 prillit, e pranoi humbjen në një prononcim për media, duke e cilësuar rezultatin si “të qartë” dhe “të dhimbshëm” për partinë e tij. Ai u zotua se do të vazhdojë t’i shërbejë vendit nga opozita.
Nga ana tjetër, Magyar falënderoi qytetarët hungarezë për besimin e dhënë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë rezultat si një moment të ri për të ardhmen e vendit.
Analistët vlerësojnë se kjo fitore mund të shënojë ndryshime të rëndësishme në politikën e jashtme të Hungarisë, sidomos në raport me Bashkimin Evropian dhe qëndrimin ndaj Rusisë.
Lajmet
Muriqi në kulmin e karrierës – rekord, gola dhe dominim në La Liga
Published
2 hours agoon
April 13, 2026By
UBTNews
Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij, duke shkëlqyer në La Liga me fanellën e Mallorca.
Në ndeshjen e fundit ndaj Rayo Vallecano, Muriqi realizoi dy gola, duke qenë vendimtar për ekipin e tij. Me këtë performancë, ai është renditur si golashënuesi i dytë më i mirë në kampionat, menjëherë pas Kylian Mbappé.
Forma e tij këtë sezon është mbresëlënëse, me gjithsej 21 gola të shënuar dhe një asist, duke e bërë një nga sulmuesit më të rrezikshëm në elitën e futbollit spanjoll.
Përveç këtij suksesi sezonal, Muriqi ka hyrë edhe në historinë e klubit, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Mallorcan me 55 gola, duke lënë pas edhe emra të mëdhenj si Samuel Eto’o.
Pas këtij momenti historik, Muriqi reagoi përmes një postimi emocional.
“Çdo gol është pjesë e detyrimit tim ndaj kësaj fanele; të bësh histori është diçka e veçantë, por ka ende shumë për të arritur — të tejkalosh një emër të madh si Samuel Eto’o është nder, por rekordet nuk arrihen kurrë vetëm, prandaj falënderoj bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë ata që besojnë në mua. Faleminderit familjes sime, bashkëlojtarëve, stafit, të gjithë punëtorëve të klubit dhe gjithë ishullit; pa ju do të ishte e pamundur!!!”
Ky sezon po e konfirmon edhe një herë Vedat Muriqi si lider të padiskutueshëm te Mallorca, ndërsa pritjet mbeten të mëdha për arritjet e tij të radhës deri në fund të sezonit.
Lajmet
Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT: Arsimimi i gjeneratës së re të Inxhinierëve për tregun global
Published
5 hours agoon
April 13, 2026By
UBTNews
Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT përfaqëson sot arsimin më të lartë dhe më të rëndësishme për ndërtimtari në Kosovë, duke shërbyer si një urë lidhëse mes pasionit për projektim dhe kërkesave dinamike të tregut të punës.
Programi studimor Bachelor i Shkencës në Ndërtim dhe Infrastrukturë është i ndërtuar mbi një vizion të qartë: formësimin e inxhinierëve që posedojnë jo vetëm njohuri teorike, por edhe shkathtësi praktike për të lënë gjurmë në zhvillimin urban dhe infrastrukturor.
Studentët që diplomohen nga ky fakultet njihen si profesionistë tejet të kërkuar, të cilët falë kompetencave të fituara, integrohen me sukses të plotë brenda dhe jashtë kufijve të vendit, duke konkurruar me dinjitet në tregun evropian dhe atë botëror.
Qëllimi kryesor i këtij programi është edukimi i ekspertëve që zotërojnë një bazë shkencore efikase në të gjitha punimet ndërtimore, përfshirë ato rrugore dhe hidroteknike.
Gjatë rrugëtimit të tyre akademik, studentët pajisen me aftësi krijuese për zgjidhjen e problemeve komplekse, duke zhvilluar një mendim kritik që është i domosdoshëm për menaxhimin e sfidave të profesionit.
Programi vë një theks të veçantë në punën në grup dhe ndërgjegjësimin për edukim të përhershëm, pasi inxhinieria është një fushë që evoluon vazhdimisht bashkë me teknologjinë.
Studentët trajnohen për të aplikuar njohuritë e tyre në situata reale të praktikës ndërtimore, duke u bërë kompetentë në projektimin, organizimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha llojeve të objekteve.
Përveç përgatitjes teknike, një rëndësi jetike i kushtohet etikës profesionale dhe përgjegjësisë shoqërore. Inxhinieri i diplomuar në UBT kupton ndikimin e thellë që infrastruktura ka në mjedis dhe në jetën e qytetarëve, duke zbatuar gjithmonë ligjet, standardet dhe normat më të larta të sigurisë.
Pas përfundimit të studimeve, i diplomuari është i aftë të njohë ndërveprimin midis projektimit, ndërtimit dhe kërkesave të klientëve, duke përdorur teknologji të avancuara si dizajni me ndihmën e kompjuterit (CAD) dhe metodologjitë moderne të hulumtimit.
Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.
Me një përgatitje të tillë multidisiplinare, studentët e UBT-së nuk janë thjesht punëtorë të kualifikuar, por vizionarë të aftë për të marrë pjesë në planifikimin dhe zbatimin e projekteve në shkallë të gjerë, duke kontribuar në mënyrë aktive në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë dhe duke mbetur gjithmonë të përkushtuar ndaj përsosmërisë profesionale gjatë gjithë jetës.
Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.
Botë
SHBA nis bllokadë ndaj porteve iraniane, rriten tensionet me Iranin dhe përplasje verbale Trump–Papa Leo XI
Published
8 hours agoon
April 13, 2026By
UBTNews
Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se duke filluar nga e hëna do të vendosë një bllokadë ndaj të gjitha porteve dhe zonave bregdetare të Iranit. Ky vendim shënon një zbutje të qëndrimit të mëhershëm të presidentit Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar bllokim të plotë të Ngushticës së Hormuzit, ndërkohë që raportet fillestare tregonin se anijet kishin ndalur qarkullimin në këtë rrugë të rëndësishme detare.
Ky zhvillim vjen pasi bisedimet e gjata për arritjen e një armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit, të zhvilluara në Pakistan, përfunduan pa ndonjë marrëveshje, duke shtuar rrezikun për përshkallëzim të situatës. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se do të reagojnë ndaj kësaj mase.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se bllokada do të hyjë në fuqi të hënën në orën 10:00 sipas kohës lindore të SHBA-së, përkatësisht në orën 17:30 në Iran. Sipas njoftimit, masa do të zbatohet ndaj të gjitha anijeve, pavarësisht shtetësisë së tyre, që hyjnë ose dalin nga portet iraniane në Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit. Megjithatë, anijet që lëvizin mes porteve jo-iraniane do të lejohen të kalojnë përmes ngushticës, çka paraqet një tërheqje nga paralajmërimet e mëparshme për bllokim total.
Vetë Trump e konfirmoi më vonë orarin e nisjes së bllokadës përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social.
Sipas një raporti të hershëm nga Lloyd’s List Intelligence, njoftimi për bllokadën ndikoi menjëherë në ndalimin e trafikut të kufizuar detar që ishte rikthyer pas armëpushimit. Të dhënat nga gjurmuesit detarë tregojnë se më shumë se 40 anije tregtare kishin kaluar që nga fillimi i armëpushimit, krahasuar me rreth 100 deri në 135 kalime në ditë para shpërthimit të konfliktit.
Ndërkohë, gjatë së dielës, Trump ashpërsoi retorikën edhe ndaj Papa Leo XIV, duke e kritikuar publikisht në Truth Social dhe duke e cilësuar atë si “të dobët në politikën e jashtme”. Ky reagim erdhi pasi Papa kishte dënuar luftën dhe kishte bërë thirrje për ndërprerje të saj dhe nisje të negociatave për paqe.
Në një tjetër deklaratë, presidenti amerikan e përshkroi Papën si “të tmerrshëm” dhe “të dobët ndaj krimit”, në një sulm të pazakontë ndaj liderit të Kishës Katolike, i cili përfaqëson rreth 1.4 miliardë besimtarë në mbarë botën.
Papa Leo XIV, me origjinë nga Çikago dhe Papa i parë amerikan, njihet për një qasje të kujdesshme në deklarata, por së fundmi ka qenë kritik i hapur i luftës në Iran. Ai e ka dënuar ashpër konfliktin, duke e cilësuar si “çmenduri lufte” dhe ka bërë apel për paqe. Gjithashtu, vitin e kaluar ai kishte vënë në pikëpyetje nëse politikat e ashpra të administratës Trump për imigracionin përputhen me mësimet pro-jetë të Kishës Katolike.
Peter Magyar fiton zgjedhjet në Hungari, fundi i një epoke 16-vjeçare të Viktor Orbán
Muriqi në kulmin e karrierës – rekord, gola dhe dominim në La Liga
Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT: Arsimimi i gjeneratës së re të Inxhinierëve për tregun global
SHBA nis bllokadë ndaj porteve iraniane, rriten tensionet me Iranin dhe përplasje verbale Trump–Papa Leo XI
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 13 prill, në vitet nëntëdhjetë
REL: SHBA-ja dhe Irani s’arrijnë marrëveshje gjatë bisedimeve në Pakistan
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 12 prill, në vitet nëntëdhjetë
UBT: Shkencë dhe teknologji për një jetë më të mirë
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 11 prill, në vitet nëntëdhjetë
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet2 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
-
Aktualitet2 months agoZPS: 437 incidente të ndalimit
