Lajmet
Pse ndodhin efektet anësore të vaksinës dhe kur duhet të shqetësoheni?
Published
5 years agoon
By
Betim GashiDridhjet, dhimbja e kokës dhe lodhja pas një doze janë krejtësisht normale. Por reagimet mund të ndryshojnë shumë, dhe ato nuk pasqyrojnë se si sistemi juaj imunitar do të përgjigjet ndaj infeksionit.
Efektet anësore mund të jenë një parandalues i fuqishëm që njerëzit të vaksinohen. Për të adresuar këtë çështje, disa vite më parë një grup shkencëtarësh – bënë një eksperiment për të parë këto reagime të pakëndshme. Studimi përfshiu më shumë se 300 veteranë mbi moshën 65-vjeçare të cilëve iu dha ose një dozë gripi me një injeksion. Efektet anësore u ndanë në dy grupe thotë Robert Jacobson, drejtor mjekësor në Klinikën Mayo.
“Rreth pesë përqind thanë se u sëmurën më shumë sesa kishin qenë ndonjëherë gjatë gjithë jetës së tyre”, sipas tij, dhe u ankuan për dhimbjet e kokës dhe ethet më të këqija gjatë gjithë jetës së tyre.
Studimet e fundit tregojnë se disa efekte anësore nga vaksinat COVID-19, nuk janë për shkak të vaksinimit, por lindin nga frika.
“Ne e kemi parë këtë edhe në ushtri, kur rekrutët e rinj, që mendojnë se mund të tolerojnë gjithçka, iu bie të fikët kur marrin injeksione, sepse trupi i tyre reagon shumë”, thotë Jacobson.
Në këtë rast studimet e vaksinës Pfizer/BioNTech, 23 përqind e njerëzve të moshës 16 deri në 55 vjeç që morën vaksinën u ankuan për lodhje pas dozës së dytë, dhe 24 përqind vunë re dhimbje koke.
Megjithatë, është e rëndësishme t’i vini këto efekte anësore në perspektivë, sepse janë reagime të lehta, të përkohshme dhe kalimtare që zhduken brenda disa ditësh.
Çfarë i shkakton reaksionet imune?
Reagimi i menjëhershëm fizik ndaj vaksinës COVID-19 shkaktohet nga sistemi imunitar i lindur. Kur një person merr një dozë të vaksinës, një tufë e qelizave të bardha të gjakut mbërrijnë në vendin e injektimit dhe fillojnë prodhimin e kimikateve të quajtura citokina. Kjo përgjigje shkakton një gamë të gjerë të simptomave, nga inflamacion dhe ënjtje në vendin e injektimit deri në ethe, lodhje dhe të dridhura.
Si rezultat, efektet anësore janë një reagim i natyrshëm ndaj vaksinimit. Nga rreth 3 milionë e 600 mijë njerëz të vaksinuar që morën pjesë në një sondazh në shkurt, afërsisht 70 përqind raportuan dhimbje në vendin e injeksionit, 33 përqind ndiheshin të lodhur, 29 përqind kishin dhimbje koke, 22 përqind kishin dhimbje muskulore dhe 11 përqind përjetuan të dridhura dhe ethe pas vaksinës së COVID-19. Simptomat ishin edhe më të theksuara pas dozës së dytë.
Pse ndryshojnë reagimet ndaj vaksinave dhe çfarë na tregojnë ato?
Pra jo të gjithë përjetojnë efekte anësore pas një vaksine. Disa ndihen mirë pas të dy dozave. Shkencëtarët nuk e dinë vërtet pse, thotë Sujan Shresta.
“Por nuk është për t’u habitur që secili person merr përgjigjen imune ndryshe”, deklaroi ajo.
Për shembull, gratë, zakonisht kanë reagime më të forta imune sesa burrat, të cilat mund të jenë pjesë e asaj që i bën ato më të prirura të vuajnë nga efektet anësore nga vaksinimi.
Edhe nëse nuk keni ndonjë reagim të pakëndshëm, vaksinat janë duke bërë punën e tyre, sepse puna e vërtetë e sistemit imunitar zhvillohet gjatë fazës së dytë. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit shpesh kanë reagime më rigoroze ndaj dozës së dytë. Megjithatë ende nuk dihet nëse dikush që nuk ka imunitet të lindur do të jetë më i prekshëm ndaj COVID ose më rezistent.
Gratë përjetojnë më shumë efekte anësore
Në një studim të shkurtit që shqyrtoi të dhënat nga 13.7 milionë marrësit e parë të vaksinave COVID-19, zbuluan se gati 80 përqind e njerëzve që raportuan reagime ishin femra, edhe pse vetëm 61.2 përqind e injeksioneve iu ishin dhënë grave. Njejtë CDC raportoi se 44 nga 47 kanë qenë femra që raportuan për reagimet e pakëndshme.
Shumica e njerëzve që kanë pasur mpiksje të gjakut me vaksinën J&J, dhe gjithashtu vaksinën AstraZeneca në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ishin femra.
Femrat gjithashtu duket se kanë një sistem imunitar më të fuqishëm në reagimet e tyre imunitare adaptive.
“Femrat kanë një përgjigje më të fortë të antitrupave sesa meshkujt, por është një shpatë me dy teha, sepse kjo është arsyeja pse gratë kanë më shumë sëmundje auto-imune sesa burrat”, thotë studimi.
Efektet anësore kundrejt ndodhive anësore
“Por efektet anësore dhe ndodhitë anësore – të cilat shpesh ngatërrohen – nuk janë të njëjtat”, thotë Wherry. “Efektet anësore janë mjaft të zakonshme – ndodhin ndoshta 50 deri në 70 përqind të kohës. Por ndodhitë anësore janë të rralla dhe të papritura, si çrregullimet e mpiksjes”.
Menjëherë pas injeksionit, rreth dy deri në pesë persona në milionë përjetojnë anafilaksi, një reaksion i rëndë alergjik që shkakton një rënie dramatike të presionit të gjakut dhe vështirësi në frymëmarrje. Por edhe kjo është lehtësisht e shërueshme me një EpiPen dhe antihistaminë, prandaj të gjithëve u kërkohet të rrinë rrotull për 15 minuta pas marrjes së vaksinës.
Mpiksjet e gjakut nga vaksinat Johnson&Johnson, që kanë ndodhur brenda gjashtë deri në 13 ditë nga marrja e dozës, mund të jenë të rrezikshme madje edhe për jetën. Por incidenca është mjaft e ulët; ka vetëm 23 raste të konfirmuara nga 8.4 milionë doza të vaksinës.
A po i vërejnë të gjitha efektet anësore?
Ekziston njëfarë shqetësimi se mund të ketë efekte të tjera të pafavorshme që kanë kaluar kryesisht të paraportuara.
Të tre vaksinat COVID-19 që janë autorizuar në Shtetet e Bashkuara janë testuar në dhjetëra mijëra njerëz, dhe prodhuesve iu kërkua të përcjellnin të paktën gjysmën e marrësve të vaksinave për dy muaj pasi që kishin marrë të dy dozat. Por tani që më shumë se 116 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht, mund të shfaqen efekte anësore të rralla që nuk shfaqen në prova më të vogla njerëzore – kjo është arsyeja pse sistemet e mbikëqyrjes janë të rëndësishme./UBTNews
(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim)
Rajoni
REL: Emri i shefit të ri të Zyrës ruse në Kosovë figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse
Published
13 hours agoon
March 23, 2026By
UBTNews
Radio Evropa e Lirë ka gjetur se emri i Ilia Uvarovit, shefit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, figuron në një databazë të publikuar nga organizata ukrainase Molfar, ku përfshihen persona që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse. REL-i nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin për rolin e saktë të tij.
Në një zyrë që prej vitesh operon pothuajse në heshtje në Prishtinë, Rusia emëroi shef të ri.
Në gusht të vitit 2025, përmes një njoftimi të shkurtër, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) bëri të ditur se përfaqësuesja e atëhershme speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kishte pritur shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Ilia Uvarov.
Takimi u përshkrua si “diskutim i përgjithshëm dhe konstruktiv”.
Përtej këtij njoftimi formal, Uvarov mbeti figurë pak e njohur për publikun në Kosovë.
Madje, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku janë të listuara misionet e huaja diplomatike në vend, ai ende nuk figuron si drejtues i kësaj zyre. Aty vazhdon të jetë i listuar paraardhësi i tij, Andrei Shugurov.
Ndërkohë, emri i Uvarovit, si i emëruar për Kosovën, përmendet në listën e përditësuar të misioneve të huaja në Serbi – një praktikë që lidhet me faktin se Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, ndërsa shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, shpesh i menaxhojnë marrëdhëniet diplomatike përmes Beogradit.
Ajo që e vendos emrin e Uvarovit në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga Molfar Intelligence Institute – një organizatë ukrainase që merret me analiza të burimeve të hapura dhe, në disa raste, edhe me dokumente të rrjedhura nga Rusia.
Në këtë databazë, Ilia (Ilya) Uvarov përshkruhet si “oficer i departamentit RT (Zbulim nga territori) të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)”.
Sipas organizatës, databaza është ndërtuar mbi materiale të siguruara nga një burim i brendshëm në një kompani teknologjike në Moskë dhe përmban emra diplomatësh dhe punonjësish të inteligjencës.
Një pjesë e të dhënave, sipas saj, është verifikuar përmes krahasimit me regjistra shtetërorë, por vetë organizata thekson se konfirmimi i plotë i roleve specifike mbetet i vështirë.
Instituti Molfar i tha REL-it se Departamenti RT “lidhet me operacione të inteligjencës që zhvillohen nga territori rus dhe që shpesh përdorin mbulesa diplomatike apo institucionale për të krijuar kontakte me zyrtarë të huaj, biznesmenë e të tjerë”.
REL-i nuk ka mundur të kontaktojë drejtpërdrejt me Ilia Uvarovin për të marrë një qëndrim lidhur me këto të dhëna.
Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresën e saj zyrtare të emailit, e as Ambasada ruse në Beograd.
Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka informacione që Uvarov mund të jetë i lidhur me inteligjencën ruse.
Kush është Uvarov?
Karriera diplomatike e Uvarovit, që besohet të ketë nisur qysh në vitin 2000, përfshin disa poste në vende të ndryshme.
Në dokumente zyrtare, ai shfaqet fillimisht në vitin 2011 si pjesë e stafit diplomatik rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, të dhënat më të dukshme për aktivitetin e tij lidhen me misionin diplomatik në Moldavi.
Atje, ai ka shërbyer si konsull në Ambasadën ruse në Moldavi.
Rol të rëndësishëm ka pasur edhe në strukturat e territorit të shkëputur moldavian – kryesisht rusishtfolës dhe prorus – të quajtur Transnitri, që Moldavia e konsideron pjesë të saj.
Në këtë territor ekziston Komisioni i Përbashkët i Kontrollit, i cili mbikëqyr zonën e sigurisë në Transnistri dhe përbëhet nga përfaqësues të Rusisë, Moldavisë dhe Transnistrisë.
Në vitin 2017, Uvarov u zgjodh bashkëkryesues i këtij komisioni si përfaqësues i Rusisë. Këtë post e mbajti deri në vitin 2019.
Komisioni është përgjegjës për monitorimin e zonës së sigurisë përgjatë lumit Dniestër (Nistru) që pas luftës së vitit 1992.
Sipas të dhënave që ka grumbulluar Shërbimi i Moldavisë i Radios Evropa e Lirë, në nëntor të vitit 2017, Uvarov mbështeti rihapjen e një ure mbi Dniestër, pavarësisht kundërshtimit të administratës separatiste të Transnistrisë.
Ura ishte rindërtuar me fonde të Bashkimit Evropian.
Sipas një ish-zyrtari të Qeverisë së Moldavisë, Uvarov është kthyer më vonë në Moskë pikërisht për faktin se ka mbështetur rihapjen e urës dhe mbajtjen e saj të hapur.
Përveç kësaj, sipas mediave në rajonin e Transnistrisë, Uvarov ka punuar më herët edhe në vende të tjera ish-sovjetike, si dhe në Shtetet e Bashkuara.
Çfarë ndodh kur një zyrtar i inteligjencës vepron nën mbulim diplomatik?
Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë thonë se përdorimi i mbulesës diplomatike për aktivitete të inteligjencës, është praktikë e njohur, por se në rastin e Rusisë ajo është “më e përhapur dhe më intensive”.
“Pothuajse nuk ka ambasadë në botë që të mos ketë një rol të caktuar të inteligjencës”, thotë Mark Galeotti, profesor britanik në University College London (UCL) dhe ekspert për krimin transnacional dhe çështjet e sigurisë ruse.
Ai thekson se, shpesh, është e vështirë të bëhet dallimi mes një diplomati dhe një oficeri të inteligjencës, por se karriera mund të japë indikacione.
“Nëse një diplomat ka një numër të madh postesh jashtë vendit, kjo ndonjëherë mund të japë indikacione për një rol në inteligjencë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Galeottit, një mision si ai në Kosovë “duket si një bazë e përsosur për oficerë të inteligjencës, që më pas mund të udhëtojnë nëpër rajon”.
Ai shton se rëndësia e këtij misioni lidhet me kontekstin më të gjerë gjeopolitik.
“Ka rëndësi se çfarë ndodh në Kosovë. Kosova ka marrëdhënie relativisht të mira me Perëndimin… nuk ka të bëjë aq shumë me vetë Kosovën. Ka të bëjë me përdorimin e Kosovës si bazë, për të parë se çfarë mund të zbulohet rreth asaj që NATO-ja dhe vendet e tjera perëndimore po bëjnë dhe po mendojnë”, thotë Galeotti.
Ai paralajmëron edhe për ndryshimet në mënyrën e operimit të shërbimeve ruse pas dëbimit të qindra diplomatëve nga Evropa, pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022.
“Ata po mbështeten gjithnjë e më shumë te ndërmjetësit… njerëz që rekrutohen për të kryer detyra të caktuara, shpesh pa e ditur për kë punojnë”, thotë ai.
Në të njëjtën linjë, eksperti britanik për Rusinë, Keir Giles, thotë se praktika e përdorimit të zyrtarëve të inteligjencës nën mbulim diplomatik, është e përhapur globalisht, por se Rusia dallohet për shkallën e saj.
“Shumë vende vendosin oficerë inteligjence nën mbulesë diplomatike… por në rastin e Rusisë, një përqindje e madhe e diplomatëve janë në fakt oficerë inteligjence”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se vendet përballen me një dilemë kur i identifikojnë këta persona: t’i dëbojnë apo t’i mbajnë nën vëzhgim.
Keir Giles.
“Ka rrethana të caktuara, në të cilat agjencitë vendase të kundërzbulimit do të jenë në dijeni të identitetit të një oficeri të inteligjencës nën mbulesë diplomatike, por do të vendosin të mos veprojnë kundër tij përtej vëzhgimit të aktiviteteve të tij”, thotë Giles.
Sipas tij, në raste si Kosova, ku kontrolli institucional mbi këtë mision diplomatik është i kufizuar, situata bëhet edhe më komplekse.
“Kur një vend nuk kontrollon kush hyn në territorin e tij… kjo paraqet një cenueshmëri potenciale”, thotë ai.
Ndërkohë, në anketat e vazhdueshme në Kosovë, për shumicën e popullatës, Rusia vazhdon të shihet si një faktor me rrezik për vendin.
Një raport i vitit 2024 i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), që analizon narrativin e politikës së jashtme ruse kundrejt Kosovës, thotë se Moska e sheh Kosovën njëkohësisht si simbol të ndërhyrjes perëndimore, si çështje sigurie për Serbinë dhe si precedent në të drejtën ndërkombëtare.
“Në thelb, pozicioni i Rusisë ndaj Kosovës pasqyron rivalitetin e saj gjeopolitik me Perëndimin, i cili nën udhëheqjen e presidentit [Vladimir] Putin është thelluar ndjeshëm, veçanërisht përmes përpjekjeve për të forcuar ndikimin në Ballkanin Perëndimor, duke qëndruar në solidaritet me Serbinë”, thuhej në atë raport.
Edhe raporti “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtar të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, vlerësoi se Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet ndarjen e entitetit serb, Republika Sërspka, nga Bosnja dhe Hercegovina”.
Çfarë bën Zyra ruse në Kosovë?
Në Kosovë, Uvarov drejton një mision që funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatike.
Zyra Ndërlidhëse e Rusisë është themeluar në vitin 2005, në kohën kur Kosova administrohej nga OKB-ja.
Ajo funksionon nën ombrellën e UNMIK-ut dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës.
Stafi i saj nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ.
Edhe ambientet e saj janë të paprekshme nga autoritetet lokale.
Kjo e bën këtë mision një nga më pak transparentët në Kosovë.
Për vite me radhë, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun. Informacionet e pakta që ekzistojnë, lidhen kryesisht me takime me misione ndërkombëtare.
Megjithatë, në vitin 2021, autoritetet e Kosovës shpallën “non grata” dhe dëbuan dy diplomatë rusë të lidhur me këtë zyrë, duke thënë se kishin “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.
Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Zyrës së Rusisë në Kosovë mbajnë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe.
Vetë Kisha Ortodokse Serbe thotë se përfaqësuesit e saj në Kosovë kanë kontakte të rregullta me misionet ndërkombëtare, si KFOR-i, OKB-ja, OSBE-ja, BE-ja dhe vendet e Quint-it, por se këto kontakte lidhen me çështje të sigurisë, jetës së përditshme dhe funksionimit të institucioneve kishtare, e jo me politikë.
Sa i përket Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Kisha tha për REL-in se, viteve të fundit, nuk ka pasur vizita formale, por vetëm vizita të herëpashershme të stafit të saj në objekte fetare, së bashku me familjarë, kryesisht për shërbesa dhe vizita fetare.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it as nëse ka komunikim me këtë zyrë dhe diplomatët e saj, as për mënyrën se si funksionon ky mision diplomatik.
Për rolin e saktë të kësaj zyre në Kosovë, nuk foli as UNMIK-u.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OKB-ja tha se “nuk komenton për përbërjen apo aktivitetet e misioneve diplomatike të shteteve anëtare”. /REL/
Lajmet
Në UBT nis workshop-i ndërkombëtar në fushën e arkitekturës
Published
14 hours agoon
March 23, 2026By
UBTNews
Në UBT ka nisur një workshop i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili po bashkon ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, në kuadër të një bashkëpunimi akademik.
Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, Dekani i Studimeve në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në TU Wien, Thomas Dillinger, si dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës në UBT, Binak Beqaj.
Në fjalimet e tyre u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në periudhën kur vendi po ndërtonte institucionet dhe një sistem modern arsimor.
Rektori Edmond Hajrizi ndau me të pranishmit një nga momentet më domethënëse të rrugëtimit të programit të arkitekturës në UBT: “Ishte një vendim shumë i rëndësishëm për mua që të kthehesha në Kosovë, në një kohë kur vendi po ndërtonte shoqërinë, shtetin, institucionet dhe sistemin e ri arsimor. Në këtë kontekst, e pashë si thelbësore të sillja përvojën time nga Vjena dhe të nisja një program të ri, fillimisht me vetëm shtatë studentë.
Sot, UBT ka mbi 1300 studentë. Me mbështetjen e Universitetit Teknik të Vjenës, hapja e programit të parë master në arkitekturë dhe planifikim hapësinor në vitet 2007–2008 ishte një hap i guximshëm, që ka lënë gjurmë të qëndrueshme”,tregoi rektori Hajrizi Kjo javë pune dhe workshop-i synojnë të forcojnë bashkëpunimin akademik, të nxisin shkëmbimin e përvojave profesionale dhe të avancojnë programet studimore në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Workshop-i ka mbledhur studentë, profesorë dhe ekspertë të fushës së arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, duke krijuar një platformë bashkëpunimi për trajtimin e sfidave urbane dhe zhvillimin e ideve inovative për qytetet.
Në kuadër të aktiviteteve, pjesëmarrësit janë duke punuar në analiza konkrete të hapësirave urbane të Peja, duke propozuar zgjidhje të qëndrueshme dhe moderne në përputhje me standardet evropiane të planifikimit urban. Ky bashkëpunim ndërkombëtar synon të forcojë shkëmbimin e njohurive dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve në Kosovë.
lajme
Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionëshe me Bankën Botërore
Published
15 hours agoon
March 23, 2026By
UBTNews
Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë zyrtarizuar sot dy marrëveshje të rëndësishme në vlerë totale prej 96 milionë eurosh, të cilat synojnë fuqizimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në vend.
Ky investim madhor ndahet në dy projekte kyçe: 49 milionë euro për zhvillimin e sektorit financiar dhe 47 milionë euro për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet një kredi prej 35 milionësh dhe një grant prej 12 milionë eurosh.
Projekti i parë do të fokusohet në funksionalizimin e Bankës Zhvillimore dhe modernizimin e sistemit të pagesave të shpejta, ndërsa projekti i dytë synon digjitalizimin e pikave kufitare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut kosovar sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Këto reforma strukturore pritet të përshpejtojnë integrimin ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për stabilitetin ekonomik.
“Këto marrëveshje përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ato përmirësojnë qasjen në financa për bizneset dhe rrisin efikasitetin e tregtisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë sonë”, theksoi Murati.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Bankës Botërore, znj. Xiaoqing Yu, riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni për Kosovën. Ajo u shpreh optimiste për zbatimin e shpejtë të këtyre nismave, duke vlerësuar bashkëpunimin efektiv me palën kosovare për realizimin e projekteve që prekin drejtpërdrejt rritjen ekonomike dhe lehtësimin e aktivitetit tregtar.
Lajmet
Aksion i Prokurorisë: Katër të arrestuar për patentë shoferë
Published
15 hours agoon
March 23, 2026By
UBTNews
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një aksioni të suksesshëm të Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka arrestuar sot katër persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale të ryshfetit dhe falsifikimit.
Nga operacioni, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është arrestuar një ekzaminere të patentë shoferëve në Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me inicialet V.L., si dhe tre persona të tjerë, I.M., A.B. dhe Z.B., drejtues të dy auto-shkollave në Prishtinë.
Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, të dyshuarit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet, të cilat rrodhën nga fondi i simuluar i Policisë së Kosovës.
Hetuesit kanë bastisur objektet e auto-shkollave “A” dhe “I”, ku kanë siguruar prova materiale relevante dhe kanë sekuestruar telefonat mobilë të të pandehurve kryesorë.
“Të pandehurit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet të përdorura nga fondi i Policisë së Kosovës, ndërsa në zbatim të Urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është realizuar kontrolli në dy auto shkollat e cekura më lartë ku janë siguruar provat e nevojshme materiale, ndërsa të pandehurve I.M dhe V.L, u janë sekuestruar telefonat e tyre mobil”, thuhet në njoftimin e Prokurisë.
Katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, i cili brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e masës së sigurisë në Gjykatë.
REL: Emri i shefit të ri të Zyrës ruse në Kosovë figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse
Në UBT nis workshop-i ndërkombëtar në fushën e arkitekturës
Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionëshe me Bankën Botërore
Profesori i UBT-së, Visar Sutaj, përfaqëson Kosovën në programin prestigjioz të Cern-it në Zvicër
Irani nis ekzekutimin e dënimeve ndaj protestuesve të janarit
Aksion i Prokurorisë: Katër të arrestuar për patentë shoferë
Talentet e Evropës në shenjestrën e Kosovës: Foda dhe Shala konfirmojnë kontaktet me tre yjet e rinj
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 23 mars, në vitet nëntëdhjetë
Trump e Starmer diskutuan në telefon për Ngushticën e Hormuzit
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
