Lajmet

Gjykata cakton një muaj paraburgim për policin e dyshuar për spiunazh

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për policin e ndaluar një ditë më parë, Bojan Jevtiq, nën dyshimet për kryerje të veprave penale si spiunazhi dhe armëmbajtja pa leje.

Gjykata vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda” është thënë në njoftimin e gjykatës.

Prokuroria ka thënë se Jevtiq ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu ka thënë para mediave se pas aksionit të kryer një ditë më parë në Komunën e Kamenicës, në shtëpinë e Jevtiqit dhe objekte tjera, janë gjetur prova materiale dhe personale, çka vërtetojnë se i dyshuari është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria më 17 korrik, është thënë se janë sekuestruar këto prova materiale: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër pa autorizin, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë [17.072 euro], 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.

Millosh Nikolliq, mbrojtësi i Jevtiqit, ka thënë pas përfundimit të seancës që ka kërkuar mbrojtje në liri të klientit të tij dhe ka ofruar garanci financiare.

Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës, dhe se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, ka thënë ai për mediat pas mbajtjes së seancës.

Më herët, pothuajse të gjithë personat e arrestuar për sulmin ndaj KFOR-it, në fund të majit të vitit 2023, janë liruar për t’u mbrojtur në liri, pas pranimit të fajësisë dhe pagesës financiare si garanci.

Lubisha Jevtiq, vëllai i policit të ndaluar, ka thënë të premten para gjykatës se ai është ndaluar “pa asnjë bazë ligjore”.

Është njeri i ndershëm dhe e ka kryer punën e tij me përkushtim. Është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët i ka mbajtur me atë pagë. Ka punuar në Policinë e Kosovës për 23 vjet pa asnjë njollë në karrierën e tij, pa asnjë shkelje. Besoj se ndaj tij nuk do të zhvillohet fare procedurë dhe se do të lirohet”, ka thënë ai pas seancës.

Pas aksionit të 17 korrikut, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se “po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë”.

Sipas tij, “ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë”.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare./REL

 

Lajmet

Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë

Published

on

By

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.

Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.

“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.

Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.

Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.

Continue Reading

Lajmet

UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës ‘Modernizmi në Kaçanik 1945–1990’

Published

on

By

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i kushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike.

Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne. Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve

Published

on

By

Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

Kosova, plotësisht e varur nga importi

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbishkrime nacionaliste serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Published

on

By

Mbishkrime me përmbajtje fyese dhe shoviniste në gjuhën serbe janë vendosur në objektin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Për këto veprime ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si ‘Nuk ka dorëzim’, ‘Kosova është Serbi’ dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD njofton se, pas identifikimit të këtij akti, janë informuar autoritetet gjermane.

“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, bën të ditur Ministria.

Gjithashtu, MPJD ka dënuar këtë akt vandalizmi dhe çdo përpjekje tjetër për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara