Lajmet

Paradoksi i ‘Epokës Merkel’ në Ballkanin Perendimor

Falë ushtrimit të “pushtetit të butë”, Merkel ka arritur të udhëheq BE-në në kohë të vështira.

Published

on

Shkruan: Ditmir Bushati

Për pak ditë, gjermanët do t’i drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar përbërjen e re të Bundestagut. Për herë të parë që nga viti 1949, Kancelarja nuk kërkon të rizgjedhet. Ajo do të tërhiqet pas 16 vitesh dhe deri tani ky është i vetmi lajm i sigurtë. Gjithçka tjetër mbetet enigmë, pasi aritmetika elektorale bazuar në vrojtimet e opinionit publik është e larmishme dhe nuk përjashton asnjë koalicion të mundshëm për drejtimin e vendit. Interesant është fakti se rreth 50% e gjermanëve kanë votuar paraprakisht përmes postës. E lartë është fasha e të pavendosurve. Ndërsa pritet që shumica prej tre milion votuesve për herë të parë të anojë drejt të Gjelbërve.

Vështruar në këtë kontekst, është e vështirë të parashikosh nëse zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të sigurojnë vazhdimësi apo ndryshim me “epokën Merkel”. Cilido qoftë rezultati, në planin ndërkombëtar, qeveria e ardhshme duhet të trajtojë sfidën urgjente të margjinalizimit gjeopolitik me të cilën përballet BE-ja, në kushtet e një bote gjithnjë e më zeropolare.

Duhet theksuar se Merkel krijoi një mbështetje mbresëlënëse publike në Gjermani dhe një reputacion të padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare, përfshirë rajonin tonë. Stili i politikës dhe vendimet e saj kanë reflektuar ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në shoqërinë dhe politikën gjermane, si dhe një dëshirë dërrmuese për të ruajtur status quo, për aq kohë sa është e mundur, e duke shmangur ndryshimet drastike.

Falë ushtrimit të “pushtetit të butë”, Merkel ka arritur të udhëheq BE-në në kohë të vështira, duke përballuar krizën financiare që thelloi hendekun zhvillimor mes veriut dhe jugut të Europës; krizën e refugjatëve dhe përplasjet për nivelin e sundimit të së drejtës brenda BE-së, që thelloi ndarjen botëkuptimore mes perëndimit dhe lindjes së Europës; kërcënimet e sigurisë në lindje të Europës si pasojë e veprimeve të Rusisë dhe ato në jugun e kontinentit për shkak të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm; BREXIT; plasaritjet transatlantike, të cilat dolën më në pah me administratën e Presidentit Trump, dhe pandeminë.

Në disa raste, në funksion të ruajtjes së kohezionit brenda BE-së, Merkel-it i është dashur të tolerojë rrëshqitjen demokratike të evidentuar në disa vende anëtare të BE-së, apo dallgët nacionaliste të cilat kanë dëmtuar korpusin e vlerave dhe lirive mbi të cilat qëndron në këmbë ngrehina e BE-së. Situata brenda BE-së është projektuar në një mënyrë a tjetër edhe në Ballkanin Perëndimor, i cili mund të konsiderohet si oborri i saj.

Në këtë kontekst, largimi nga skena politike i Angela Merkel-it shoqërohet natyrshëm me pasiguri jo vetëm për Gjermaninë dhe Europën, por edhe për të ardhmen europiane të rajonit tonë. Nuk ka dyshim se Kancelarja Merkel, në nivel europian, është udhëheqësja më e interesuar dhe me nivelin e kuptimit më të plotë për Ballkanin Perëndimor. Vizitat e saj të herëpashershme në rajon, mesazhet e saj edhe në vizitën e lamtumirës në Beograd e Tiranë, nismat e prezantuara e të mbështetura prej saj për rajonin konfirmojnë rëndësinë që Gjermania i kushton anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndonëse duhet pranuar se rajoni nuk bën pjesë në listën e përparësive kryesore të Gjermanisë.

Në vitin 2005, pak para së të zgjidhej Kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel, do të deklaronte në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung se “me politikën e tanishme të zgjerimit, BE ka prekur limitin e aftësisë së saj për të integruar anëtarë të rinj”, duke kërkuar një fazë konsolidimi për BE-në para se kjo e fundit të mendonte për anëtarë të rinj.

Kjo klimë u reflektua në Strategjinë e Zgjerimit të nëntorit 2006, ku Komisioni Europian për herë të parë prezantoi benchmarks (kushte) si një instrument për të përmirësuar e monitoruar cilësinë e reformave gjatë procesit të anëtarësimit. Pjesë integrale e kësaj strategjie ishte dhe raporti i posaçëm mbi aftësinë e BE-së për të pranuar anëtar të rinj, ku theksohej se zgjerimi nuk duhet të pengojë aftësinë e BE-së për të thelluar procesin e integrimit dhe rritur efikasitetin e institucioneve të saj. 

Për herë të parë në kornizën negociuese të vitit 2005 për Kroacinë dhe Turqinë u prezantua një kapitull i veçantë, kapitulli 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore, që së bashku me kapitullin 24 – drejtësia, liria dhe siguria, mbulojnë një gamë të gjerë të çështjeve që lidhen me sundimin e së drejtës, kryesisht me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë mënyrë, prezantimi i benchmarks dhe i kapitullit 23 rezultoi efektiv për Kroacinë, duke u bërë vendi i parë që u përball me qasjen e re dhe arriti me sukses t’i përmbyll negociatat dhe procesin e  anëtarësimit në BE.

Rëndësia e kapitujve 23 dhe 24 u përforcua nga Komisioni Europian, në Strategjinë e Zgjerimit të vitit 2011, ku u propozua një qasje e re përsa i përket prioritizimit të reformave në fushën e sundimit të së drejtës. Çështjet e sundimit të së drejtës u konsideruan si prioritare, e për rrjedhojë u vendos që kapitujt 23 dhe 24 të hapen të parët dhe të mbyllen të fundit, duke e shoqëruar të gjithë procesin e anëtarësimit.

Mali i Zi ishte i pari shtet që filloi bisedimet bazuar në këtë qasje të re.  Tek rasti i Serbisë, për shkak të insistimit të Gjermanisë, BE-ja përfshiu në kornizën negociuese elementë që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Për pasojë, bisedimet filluan me kapitullin 35, duke i dhënë një rëndësi të madhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që do të pasohej me njohjen e ndërsjellë. Në rastin e Shqipërisë, reforma në drejtësi do të kthehej në parakusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Në mënyrë të pashprehur BE-ja me insistimin e disa vendeve anëtare të mbështetura nga Gjermania “themeloi” një praktikë të pashkruar sipas së cilës nuk mund të hapen më shumë se dy kapituj përgjatë një presidence gjashtë mujore. Franca, nga ana tjetër, për arsye kryesisht të brendshme, kërkoi reformimin e mëtejshëm të procesit të zgjerimit, duke e bërë procesin e anëtarësimit në BE edhe më kushtëzues, jo automatik, e thuajse të ndryshëm për nga etapat dhe kërkesat me atë që kaluan vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Kësisoj, i gjithë procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të rajonit ngeci. Më flagrant është rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithëse i kanë përmbushur standardet për të filluar bisedimet për anëtarësim që prej qershorit të 2018-ës, ende nuk i kanë nisur ato. Kosova edhe pse ka vite që i ka përmbushur reformat që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave vijon të jetë e izoluar. Një situatë e tillë me të drejtë shton pikëpyetjet për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe nxit instinktet e së shkuarës, duke e mbajtur peng të ardhmen e rajonit.

Për të mos e lënë rajonin nën efektet e depresionit që mund të sillte mungesa e konkretizimit të procesit të zgjerimit, Kancelarja Gjermane shpalli në vitin 2014 “Procesin e Berlinit”, si një mundësi riangazhimi e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur vetë BE-ja ishte më shumë e fokusuar në adresimin e krizave të brendshme dhe ku konteksti gjeopolitik me krizën në Ukrainë kishte evoluar ndjeshëm.

Asokohe mbizotëronte frika se Procesi i Berlinit mund të shërbente si zëvendësues i procesit të anëtarësimit në BE. Gjermania nga njëra anë dhe vendet e rajonit nga ana tjetër këmbëngulnin që për rajonin nuk ka alternativë tjetër përveçse anëtarësimit në BE. Duhet pranuar se Procesi i Berlinit ndryshoi disi rutinën e formatit të zgjerimit dhe vendosi theksin tek bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës me nënshkrimin e deklaratës për adresimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe çështjeve të përfundimit të shtetësisë; me krijimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor bazuar mbi modelin franko-gjerman; Sekretariatit të Dhomave të Tregtisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor; dhe Zonës Ekonomike Rajonale, duke nxitur kështu marrëdhëniet ndërmjet agjentëve të ndryshëm shoqëror.

Në të njëjtën kohë, Procesi i Berlinit miratoi edhe agjendën e ndërlidhjes rajonale mes vetë vendeve të rajonit dhe me ato BE-së, me qëllim zbutjen e hendekut zhvillimor mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Përmes këtij procesi, Ballkani Perëndimor u vendos në hartën europiane të transportit dhe energjisë, ndonësë ende pa projekte të prekshme për qytetarët e rajonit dhe pa ndërlidhje me fqinjët pjesë e BE-së.

Po kështu, në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian të 2018-ës, e cila u mbështet nga drejtuesit e vendeve Anëtare të BE-së dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofias, u përvijuan 6 nisma të tilla si: transporti, ndërlidhja energjetike, agjenda digjitale, zhvillimi ekonomik e shoqëror, sundimi i së drejtës e siguria, dhe migracioni, më qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial.

Mirëpo shtatë vjet pas prezantimit të kësaj nisme mund të thuhet se ajo është larg pritshmërive fillestare, ashtu sikundër procesi i anëtarësimit në BE. Së pari, procesi nuk ka arritur të zbusë mosmarrëveshjet dypalëshe apo çështjet e përfundimit të shtetësisë, të cilat pengojnë potencialin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim më të thelluar, çka do të përkthehej në më shumë mirëqënie dhe rritje ekonomike. Në të kundërt, në rajon u shfaqën prirje e tentativa për t’iu kthyer ideve të vjetra që i jepnin përparësi territoreve përkundrejt njerëzve, revizionimit të historisë, mohimit të gjenocidit dhe krimeve barbare të luftës, njehsimit të fesë me kombin si instrument përçarës e sundues përkundrejt fqinjëve. Në zmbrapsjen e këtyre tentativave, roli i Kancerales dhe Gjermanisë është i pazëvendësueshëm.

Së dyti, procesi nuk ka arritur të mobilizojë burimet e domosdoshme financiare për të adresuar hendekun ekzistues ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së që kanë impakt të drejtpërdrejtë në ndërlidhjen rajonale. Për shembull, për ciklin buxhetor 2021-2027, i cili reflektohet në Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, vendet Anëtare të BE-së që rrethojnë rajonin tonë përfitojnë 11 herë më shumë fonde për frymë sesa vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo rrit pesimizmin tek qytetarët e rajonit, dhe shpie në humbjen e besimit për ndërtimin e një perspektive zhvillimore. Le ta themi troç, qytetarët nuk mund të ushqehen me kapituj, procedura burokratike të panumërta apo konferenca ndërqeveritare. Ato kanë nevojë të përqafojnë konkretisht zhvillimin e të bëhen kësisoj aktorë të transformimit rrënjësor të shoqërive tona.

Së treti, procesi nuk ka ofruar instrumente që përmirësojnë sistemin e qeverisjes, bazuar në sundimin e së drejtës, e as pronësinë ndaj reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e qartë se shoqëritë tona mbeten në thelb shoqëri me institucione të brishta, jo funksionale dhe ku beteja kryesore nuk është aq shumë me influencën e aktorëve të tretë sesa me metastazat e krimit të organizuar e korrupsionit që gërryejnë themelet e shoqërisë dhe rregullat e bashkëjetesës demokratike.

Së katërti, megjithëse një platformë ndërqeveritare, Procesit të Berlinit i mungojnë institucionet dhe një buxhet i mirëpërcaktuar në funksion të përmbushjes së angazhimeve çka do të zvogëlonte varësinë e disa prej vendeve të rajonit ndaj aktorëve të tretë, të cilët synojnë status quo-n.

Së pesti, “menuja” e procesit ka humbur disi fokusin fillestar të tij, duke mos arritur të adresojë tre sfida themelore më të cilat përballën vendet e rajonit: (i) demokracia; (ii) zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik; (iii) kërcënimi demografik.

Ky është paradoksi i “epokës Merkel” në rajon. Prezencë dhe kuptueshmëri të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër europian, por rezultate të pamjaftueshme, pasi integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte një hap drejt arritjes së finalitetit të BE–së, duke nënkuptuar konsolidimin e projektit të integrimit europian, në një hapësirë konkrete politike me një kufi të përcaktuar në rang kontinental.

Sipas vrojtimit të fundit të Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), shumica e qytetarëve europian besojnë tek Gjermania dhe kërkojnë një rol më të madh të saj në BE. Vrojtimet e kryera në vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmojnë gjithashtu besimin e qytetarëve tek Gjermania dhe pritshmëritë për një angazhim më të madh të saj.

Tema e angazhimit më të madh të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare është një temë gjithnjë e pranishme në qendrat kërkimore dhe institucionet vendimmarrëse. Në vitet 2012-2013 në Gjermani u zbatua një projekt nga Instituti gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë, me pjesëmarrjen e një rrjeti të gjerë ekspertësh, në lidhje me elementët strategjik të politikës së jashtme gjermane. Analiza strategjike tregonte se “fuqia gjermane imponon një ripërcaktim të pozitës gjermane në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe se “Gjermania, fuqinë dhe begatinë që disponon ia detyron mbi të gjitha ekspansionit global ekonomik, ndaj duhet të veprojë në mënyrë aktive në nivel global”.

Kësaj teze i mëshon edhe një prej ministrave të jashtëm më energjik Joschka Fischer, i cili interesat politike dhe ekonomike të Gjermanisë i konsideron të ndërlidhura me një BE të fortë dhe të suksesshme. Sipas tij, Gjermania duhet t’i tejkalojë traumat e së kaluarës dhe fuqinë e saj ta vërë në funksion të krijimit të Europës së fuqishme nën udhëheqjen e saj.

Ndaj, dilema që kërkon përgjigje pas largimit të Angela Merkel-it nga skena politike është nëse për të përmbushur plotësisht rolin e udhëheqësit të Europës, konsolidimin e projektit të integrimit europian dhe fuqizimin e lidhjes transatlantike, Berlinit do t’i duhet të rishikojë ato parime të Merkelizmit që i bënë europianët dhe popujt e rajonit tonë të vendosin me të drejtë shpresat e tyre tek Gjermania.

(Ditmir Bushari ishte Ministër i Jashtëm i Shqipërisë)

Continue Reading

Vendi

Qeveria formon grup punues për strategji shtetërore për Apelin ndaj katërshes së UÇK-së

Published

on

By

Qeveria ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se  aktgjykimi i shkallës së parë është i padrejtë, juridikisht dhe moralisht, prandaj edhe theksoi se Qeveria po punon që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit.

Ka shtuar se grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

Sipas tij, do të  ketë përfaqësim institucional e parlamentar në këtë grup.

“Për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, si dhe një organizim që i tejkalon dallimet partiake. Për këtë arsye, po e themelojmë grupin punues, të kryesuar nga Konjufca, me përfaqësim institucional e parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike e institucionale në funksion të procedurave të Apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, ka thënë ai.

Kurti e ka paralajmëruar formimin e grupit punues në fillim të mbledhjes së Qeverisë të mërkurën. Ai e quajti atë “vendim të rëndësishëm”.

Continue Reading

Lajmet

Sulm masiv mbi Kievin: Zelensky akuzon Rusinë për shkelje të armëpushimit

Published

on

By

Një objekt kyç i energjisë që furnizon Kievin me ngrohje dhe energji elektrike, si dhe një ndërtesë banimi, janë goditur gjatë një sulmi me raketa balistike ruse. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili theksoi se goditja ndodhi pa asnjë paralajmërim të hershëm nga partnerët ndërkombëtarë.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se nga goditja e bllokut të banimit të martën vonë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur 21 të tjerë. Ai konfirmoi se janë goditur disa objekte energjetike në kryeqytet, ndërsa në orët e para të së mërkurës bëri të ditur se sulmet masive kanë ndërprerë rrymën në disa pjesë të Kievit. Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore pas shpalljes së alarmit të kuq.

Sulmet e reja vijnë vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes Rusisë dhe Ukrainës ishte rënë dakord për një armëpushim energjetik. Lidhur me këtë, Zelensky reagoi ashpër duke u shprehur: “Ukraina mbështeti një armëpushim energjetik. Rusia po synon edhe një central tjetër elektrik dhe jetët e njerëzve tanë. Kjo është plotësisht e padrejtë: kur ata po shkatërrojnë infrastrukturën tonë energjetike, dhe Ukraina nuk po merr as paralajmërime të hershme për lansimin e raketave balistike”.

Presidenti ukrainas shtoi se është me rëndësi që bota të mos heshtë dhe që Shtetet e Bashkuara të shohin qartë se çfarë po ndodh dhe kush është përgjegjës për vazhdimin e luftës. Kjo është nata e dytë rresht që Kievi përballet me sulme të tilla, ndërsa Zelensky po përgatitet të takohet në London me kryeministrin britanik Andy Burnham për të diskutuar përshpejtimin e furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pas sulmeve të së hënës mbrëma, lindi spekulimi se SHBA-ja kishte ndërprerë qasjen e Ukrainës në inteligjencën kyçe për përgjimin e kërcënimeve. Megjithatë, Trump e mohoi këtë duke deklaruar: “Ne po i ndihmojmë ata dhe po ndajmë inteligjencë. Ne duam që lufta të përfundojë.” I pyetur për sulmet ruse mbi energjetikën, Trump përmendi se edhe Ukraina kishte goditur disa objekte një ditë më parë, ndërsa shmangu të konfirmonte nëse Rusia e kishte shkelur armëpushimin, duke shtuar se të dyja palët duan që lufta të përfundojë, por “nuk dinë se si të arrijnë atje”. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Dhomat e Specializuara refuzojnë ftesën e Avokatit të Popullit të Kosovës për tryezë diskutimi

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do ta pranojnë ftesën e Avokatit të Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, për të marrë pjesë në një tryezë diskutimi. Në këtë ngjarje ishte paraparë të trajtoheshin gjetjet dhe rekomandimet ex officio të këtij institucioni lidhur me Gjykatën Speciale dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një komunikate zyrtare, Dhomat e Specializuara sqaruan se e konsiderojnë të papërshtatshme pjesëmarrjen në këtë tryezë, duke u thirrur në bazën kushtetuese të funksionimit të tyre.

Në njoftim rikujtohet se neni 162, paragrafi 11, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës ia njeh pa asnjë paqartësi Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera, përgjegjësinë ekskluzive për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e të drejtave e lirive themelore të personave që ndërveprojnë me këtë institucion.

Për këtë arsye, Dhomat e Specializuara nërmjetësuan se institucionet vendore nuk kanë juridiksion apo përgjegjësi mbikëqyrëse mbi punën dhe procedurat e Gjykatës Speciale. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Sot bëhet ndërrimi i komandës së KFOR-it në Kosovë

Published

on

By

Sot në Prishtinë do të mbahet ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës së Misionit të KFOR-it në Kosovë, e cila është caktuar të nisë në orën 11:00.

Gjatë kësaj ceremonie, gjeneralmajori Özkan Ulutaş do t’ia dorëzojë zyrtarisht detyrën gjeneralmajorit Roberto Vergori, i cili do të marrë në dorë drejtimin e mëtejshëm të misionit paqeruajtës të NATO-s në vend.

Ngjarja do të zhvillohet në Shtabin e Misionit të KFOR-it, në Kampin Film City në Prishtinë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara