Lajmet

Omicron pritet të bëhet variant dominues në Evropë

Blloku evropian ka vaksina të mjaftueshme për ta luftuar pandeminë.

Published

on

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën paralajmëroi se varianti Omicron i koronavirusit mund të bëhet dominues në Evropë muajin e ardhshëm, por shtoi se blloku evropian ka vaksina të mjaftueshme për ta luftuar pandeminë.

“Nëse shikoni kohën që duhet që rastet e reja të dyfishohen në numër, duket se po dyfishohet çdo dy ose tri ditë. Dhe kjo është masive. Na është thënë që nga mesi i janarit duhet të presim që Omicron do të jetë varianti i ri dominues në Evropë”, tha von der Leyen në Parlamentin Evropian teksa tregoi të dhënat shkencore.

“Por, gjatë vitit të kaluar, ne kemi punuar shumë dhe kemi arritur një marrëveshje të madhe dhe kjo është arsyeja pse Evropa është në një pozicion më të mirë tani për të luftuar virusin”, tha ajo.

Von der Leyen tha se në BE, 66.6 për qind e popullsisë tashmë janë të vaksinuar me të dy dozat.

Evropa po përjeton një valë të re të pandemisë dhe disa shtete kanë rivendosur masa për frenimin e koronavirusit. Italia këtë javë mori vendim që të kërkojë teste negative nga të gjithë personat që vizitojnë Italinë. Një masë të ngjashme e ka prezantuar edhe Portugalia e cila do të kërkojë teste negative dhe certifikata të vaksinave, të gjithë personave që hyjnë në shtet, pavarësisht nga kombësia.

OBSh: Vaksinat mund të jenë më pak efektive kundër variantit Omicron

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se të dhënat e para tregojnë se vaksinat kundër koronavirusit mund të jenë më pak efektive kundër infeksionit dhe transmetimit të variantit Omicron, i cili gjithashtu mbart një rrezik më të lartë të riinfektimit.

OBSh-ja në përditësimin e saj javor epidemiologjik tha se nevojiteshin më shumë të dhëna për të kuptuar më mirë shkallën në të cilën Omicron mund të shmangë imunitetin e fituar nga vaksinat apo infeksionet e mëparshme me COVID-19.

“Si rezultat i kësaj, rreziku i përgjithshëm në lidhje me variantin e ri shqetësues, Omicron mbetet shumë i lartë”, tha OBSh-ja.

Varianti Omicron fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut muajin e kaluar dhe që atëherë është raportuar në 77 shtete të botës. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus një ditë më herët deklaroi se ky variant nuk duhet të cilësohet si më i “lehtë” se variantet paraprake, duke shtuar se ky variant mund të jetë përhapur në pothuajse gjithë botën.

“Omicroni po përhapet me një shpejtësi që nuk e kemi parë me asnjë variant paraprak. Edhe nëse Omicroni shkakton sëmundje më të lehtë, nëse rritet numri i rasteve do të mund të mbingarkojë sërish sistemet shëndetësore”, tha Tedros.

Ai shtoi se dozat përforcuese mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së COVID-19 për aq kohë sa njerëzit që kanë më së shumti nevojë për to kanë qasje në këto doza, deklaroi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Është pyetja e prioritizimit. Ka rëndësi se kush ka qasje në këto doza. Dhënia e dozave përforcuese te grupet e njerëzve që kanë rrezik të ulët nga sëmundja e rëndë apo vdekja, vë në rrezik jetën e njerëzve që janë në kategorinë e personave me rrezik të lartë e të cilët ende po presin që të marrin dozat e para, për shkak se ka mungesë të furnizimeve me vaksina”, tha kreu i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ndërkaq, kreu i aleancës së vaksinave Gavi, Seth Berkley tha se të dhënat e para sugjerojnë se shtetet e pasura kanë nisur që të mos dhurojnë vaksina për shtetet e tjera, nga frika e variantit Omicdron, duke paralajmëruar se po përsëritet padrejtësia për qasjen në vaksina.

“Me variantin Omicron me po shohim panik në shumë shtete që kanë përshpejtuar fushatën e vaksinimit, edhe sa i përket numrit të njerëzve që po vaksinohen, por edhe sa i përket kohës se kur po administrohen vaksinat”, tha ai për Associated Press.

Ai iu referua dozave shtesë që shtetet e pasura po administrojnë te personat, duke përfshirë edhe imunizimin e qytetarëve që nuk konsiderohen se janë në kategorinë me rrezik të lartë të infektimit./REL

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara