Botë

OKB refuzon rezolutën amerikane për Ukrainën, miraton atë të Evropës

Published

on

Organizata e Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë të hënën rezolutën amerikane për të zbutur qëndrimin e Asamblesë së Përgjithshme ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Presidenti amerikan Donald Trump po bën përpjekje të ndërmjetësojë paqen në Ukrainë, pas tre vjetësh luftë me forcat ruse. Votimi në OKB i jep Kievit dhe aleatëve evropianë një fitore diplomatike.

Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh votoi mbi projekt-rezolutat rivale, një nga Uashingtoni dhe një e shkruar nga Ukraina dhe shtetet evropiane për të shënuar përvjetorin e tretë të sulmit rus në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara u detyruan të abstenonin në votimin e rezolutës së tyre, pasi vendet evropiane ndryshuan me sukses versionin e Uashingtonit për ta formuluar në një mënyrë të tillë që pasqyronte mbështetjen e OKB-së për Kievin gjatë luftës, përfshirë sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Kjo luftë nuk ka patur asnjëherë të bëjë vetëm për Ukrainën. Ka të bëjë me të drejtën themelore të çdo vendi për të ekzistuar, për të zgjedhur rrugën e tij dhe për të jetuar i lirë nga agresioni”, tha në fjalimin e saj përpara votimit zëvendësministrja e jashtme e Ukrainës, Betsa Mariana.

Përballja në Kombet e Bashkuara ndodhi pasi Presidenti Trump nisi përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës, duke shkaktuar përçarje me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Kjo përpjekje gjithashtu ka ngritur shqetësimin mes aleatëve evropianë se ata dhe Kievi mund të përjashtohen nga bisedimet e paqes. Zyrtarët amerikanë dhe rusë u takuan të martën e kaluar.

Rezoluta e ndryshuar e hartuar nga Shtetet e Bashkuara mori 93 vota pro, ndërsa 73 shtete abstenuan dhe tetë votuan kundër. Rusia dështoi gjithashtu të ndryshou tekstin e rezolutës së Shteteve të Bashkuara.

Përpara votimit për tekstin e Shteteve të Bashkuara, Ambasadorja amerikane në OKB, Dorothy Shea tha se ndryshimet e propozuara evropiane dhe ruse ishin “një luftë fjalësh në vend të përpjekjes të arrihet fundi i luftës”.

Votimi në Këshillin e Sigurimit

Asambleja miratoi rezolutën e hartuar nga Ukraina dhe vendet evropiane me 93 vota pro, 65 abstenime dhe 18 vota kundër. Së bashku me Shtetet e Bashkuara, disa vende të tjera që votuan kundër ishin Rusia, Koreja e Veriut dhe Izraeli.

“Sot kolegët tanë amerikanë e kanë parë vetë se rruga drejt paqes në Ukrainë nuk do të jetë e lehtë dhe do të ketë shumë që do të përpiqen të sigurohen që paqja të mos arrihet për aq kohë sa të jetë e mundur. Megjithatë, kjo nuk duhet të na ndalojë”, i tha asamblesë ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia.

Teksti origjinal i propozimit amerikan ishte tre paragrafë, ku shprehej keqardhja për humbjen e jetëve gjatë “konfliktit Rusi-Ukrainë”, duke përsëritur se qëllimi kryesor i OKB-së është të ruajë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe të zgjidhë në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet si dhe duke kërkuar një fund të shpejtë të konfliktit dhe një paqe të qëndrueshme.

Por amendamentet evropiane shtuan referenca për agresionin në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës dhe nevojën për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në përputhje me Kartën themeluese të OKB-së dhe riafirmuan mbështetjen e OKB-së për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Bota do paqe. Ukraina do paqe”, tha ambasadori i Kanadasë në OKB, Bob Rae. “Pyetja është: çfarë lloj paqeje do të jetë ajo? A do të jetë një paqe e bazuar në drejtësi dhe në kartën e OKB-së dhe në parimet për të cilat ne qëndrojmë? Apo do të jetë një paqe që është rezultat i një detyrimi?”.

Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh do të votojë gjithashtu për të njëjtin tekst të Shteteve të Bashkuara të hënën në mbrëmje. Një rezolutë e këshillit ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga SHBA-të, Rusia, Kina, Britania ose Franca, për t’u miratuar.

Anëtarët evropianë të këshillit pritet të propozojnë një votim për të njëjtat amendamente në tekstin e Shteteve të Bashkuara që u paraqitën në Asamblenë e Përgjithshme. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura për të vënë veton ndaj çdo amendamenti të propozuar.

Lajmet

Spiropali në Memorialin e Holokaustit: Shqipëria nderohet si e drejtë mes kombeve për shpëtimin e hebrenjve

Published

on

Në ditën e dytë të qëndrimit të saj në Izrael, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi qendrën përkujtimore të Holokaustit “Yad Vashem”, ku është dokumentuar përndjekja dhe vrasja e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve.

Ministrja shtoi se akti njerëzor e kombëtar i shpëtimit të hebrenjve është pjesë e trashëgimisë sonë morale dhe historike.

Postimi i Spiropalit:

Jeruzalem – Kudo shkoj, Shqipëria dhe historia jonë më bëjnë të ndihem krenare.

Kështu ndodhi edhe në “Yad Vashem”, në qendrën përkujtimore të Holokaustit, ku është dokumentuar në imtësi e thellësi, një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë njerëzore.

Krenare që Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve, duke hapur dyert, shtëpitë dhe zemrat për ta, me një akt njerëzor e kombëtar që sot është pjesë e trashëgimisë sonë morale dhe historike./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Deputetët britanikë alarmojnë për lirinë e medias në Serbi

Published

on

Një grup deputetësh britanikë dhe personalitete të larta publike i kanë dërguar një letër Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku shprehin shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së medias në Serbi.

Ata kanë kërkuar që kjo çështje të ngrihet në nivelin më të lartë gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër.

Letra e nënshkruar nga deputetë të të gjitha partive politike dhe nga përfaqësues të Parlamentit britanik, përfshirë Tom Tugendhat, Fiona O’Brien të Reporterëve pa Kufij, dhe baroneshën Helena Kennedy, thekson se liria e shtypit në Serbi është në një pikë kthese të rrezikshme.

Në dokument, autorët denoncojnë shtypjen e mospajtimit politik, bastisjet policore ndaj organizatave joqeveritare dhe sulmet e koordinuara ndaj mediave të pavarura, në veçanti ndaj rrjetit United Media, që zotëron televizionet N1 dhe Nova, të vetmet transmetuese të mëdha jo nën kontrollin e qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq.

Deputeti Tugendhat përmend rastin e incizimit të publikuar nga rrjeti OCCRP, ku drejtues të lartë të Telekom Srbija dhe United Group flasin për strategji për dobësimin e mediave të pavarura.

“Gazetarët e këtyre mediave po përballen me ngacmime të vazhdueshme, sulme fizike dhe fushata shpifjesh”, theksohet në letër.

Sipas nënshkruesve, përpjekjet e qeverisë serbe për të kontrolluar narrativën mediatike dhe për të frenuar opozitën e qytetare janë një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.

“Pa gazetarë të lirë që mund t’u thonë të vërtetën autoriteteve, liritë civile në Serbi janë në rrezik të shkatërrohen”, thuhet në letrën e dërguar Cooperit.

Në fund, deputetët kërkojnë nga qeveria britanike që të përdorë ndikimin e saj diplomatik për të mbrojtur lirinë e medias në Serbi./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja dështon të arrijë marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën

Published

on

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira shtetërore të Rusisë, për ta ndihmuar Ukrainën, pasi Belgjika si vendi ku mbahet pjesa më e madhe e këtyre fondeve ngriti shqetësime ligjore dhe teknike.

Në një takim të mbajtur në Bruksel më 23 tetor, udhëheqësit kërkuan nga Komisioni Evropian ta vazhdojë punën për një plan për përdorimin e rreth 140 miliardë eurove nga rezervat e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, për ta mbështetur Kievin për nevojat e tij ushtarake dhe buxhetore, por disa diplomatë thanë se marrëveshja përfundimtare mbetet ende e paarritshme.

“Udhëheqësit evropianë u zotuan se nevojat financiare të Ukrainës do të mbulohen për dy vjetët e ardhshme”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas samitit.

“Rusia duhet ta marrë këtë mesazh. Ukraina do të ketë burimet financiare që i nevojiten për t’u mbrojtur nga agresioni rus”, shtoi ai.

Costa theksoi se është e mundur të zgjidhen çështjet teknike për të cilat nevojitet sqarim, për ta bërë të mundur përdorimin e aseteve të ngrira ruse, duke nënvizuar se kjo zgjidhje është e arritshme.

Bashkimi Evropian i ngriu rreth 200 miliardë euro nga asetet e Bankës Qendrore të Rusisë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

Deri më tani, BE-ja ka përdorur vetëm interesin e krijuar nga këto fonde për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen kundër Rusisë.

Moska paralajmëroi më 23 tetor se çdo veprim me asetet ruse pa pëlqimin e saj është i pavlefshëm nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe ajo kontraktuale, si dhe do të nxisë përgjigje të dhimbshme.

Blloku evropian e zhvilloi këtë skemë huaje pasi u përball me trysni për të siguruar ndihmë shtesë për Kievin, për shkak se mbështetja amerikane u ngadalësua pas kthimit të Donald Trumpit në pushtet./S.K/EO/

 

Continue Reading

Lajmet

Dita Botërore e Informimit për Zhvillim

Published

on

24 Tetori është Dita Botërore e Informacionit për Zhvillim, duke u konsideruar si një pjesë thelbësore e punës për zhvillimin e cila konsiston në mobilizimin e opinionit publik në mbështetje të objektivave dhe politikave të përcaktuara.

Në vitin 1972, Asambleja e Përgjithshme krijoi Ditën Botërore të Informacionit për Zhvillimin për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj problemeve të zhvillimit dhe nevojës për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar për zgjidhjen e tyre.

Asambleja vendosi që data e Ditës të përkojë me Ditën e Kombeve të Bashkuara, 24 tetor, e cila ishte edhe data e miratimit, në vitin 1970, të Strategjisë Ndërkombëtare të Zhvillimit për Dekadën e Dytë të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

Qeveritë e vendeve më të përparuara duhet të vazhdojnë dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të thelluar kuptimin publik të natyrës së ndërvarur të përpjekjeve për zhvillim dhe të nevojës për të ndihmuar vendet në zhvillim në përshpejtimin e progresit të tyre ekonomik dhe social.

Në mënyrë të ngjashme, qeveritë e vendeve në zhvillim duhet të vazhdojnë të ndërgjegjësojnë njerëzit në të gjitha nivelet për përfitimet dhe sakrificat e përfshira, dhe të marrin pjesë të plotë të tyre në arritjen e qëllimeve dhe objektivave të zhvillimit.

Mobilizimi i opinionit publik duhet të jetë kryesisht përgjegjësi e organeve kombëtare.

Qeveritë mund të marrin në konsideratë krijimin e organeve të reja kombëtare ose forcimin e atyre ekzistuese të krijuara për të mobilizuar opinionin publik, si një masë afatgjatë, për t’i dhënë një orientim zhvillimor në rritje kurrikulave arsimore.

Duke pasur parasysh se lidershipi mund të japë një kontribut të rëndësishëm në mobilizimin e opinionit publik, formulimi i synimeve konkrete nga autoritetet kompetente është i domosdoshëm.

Roli i organizatës së Kombeve të Bashkuara ka qenë të ndihmojë mediat e ndryshme kombëtare të informacionit, në veçanti duke ofruar informacion adekuat bazë nga i cili këto media mund të marrin substancë dhe frymëzim për punën e tyre.

Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit kanë potencialin për të ofruar zgjidhje të reja për sfidat e zhvillimit, veçanërisht në kontekstin e globalizimit./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara