Lajmet

Nostalgjia: Pse të menduarit për të kaluarën mund të jetë diçka e mirë për ne?

Nostalgjia vjen nga fjala greke nostos, rikthim në shtëpi, algos dhimbje.

Published

on

Nga Andrea Brandt

Kohët e fundit dola për darkë me një grup miqsh të vjetër, me të cilët nuk kisha kontakte prej kohësh. Pas bisedave të zakonshme mbi atë që kishim humbur gjatë viteve që kaluan, u zhytëm shpejt në një mbrëmje “nostalgjike”.

Ndamë kujtime të bukura, dhe atë natë u ktheva në shtëpi duke u ndjerë ngrohtë, e lumtur dhe e dashur. Sipas shkencës, unë kam përjetuar saktësisht atë që na bën nostalgjia, dhe pse është e mirë për ne. Të nostalgjizosh do të thotë të kënaqesh me nostalgjinë “një ndjenjë kënaqësie dhe po ashtu një ndjenjë trishtimi e lehtë, kur mendon për gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën”.

Një studim i vitit 2011, i botuar në “Journal of Personality and Social Psychology”, zbuloi se pjesëmarrësit që u nxitën të ndiheshin nostalgjikë duke dëgjuar një këngë hit të preferuar nga e kaluara e tyre, “kishin më shumë gjasa sesa një grup kontrolli, të thoshin se diheshin ‘mirë’ dhe se ‘jeta ia vlen të jetohet”.

Studimi i botuar në revistën “Emotion”, zbuloi se ditët më të ftohta shkaktojnë më shumë nostalgji sesa ato më të ngrohta, dhe “pjesëmarrësit që kujtuan një ngjarje nostalgjike (në krahasim me atë të zakonshme autobiografike), e perceptuan si më të lartë temperaturën e ambientit”.

Me fjalë të tjera, kujtimet e ngrohta mund t’ju bëjnë të ndiheni më ngrohtë. Fillimisht e kategorizuar si sëmundje, nostalgjia vjen nga fjala greke nostos, rikthim në shtëpi, algos dhimbje. E krijuar nga një mjek zviceran në vitin 1688, termi u përdor për të përshkruar një “pacient që vuante shumë nga malli”.

Sot kur e përdorim këtë term, nënkuptojmë zakonisht një “emocion të hidhur, por kryesisht pozitiv”. Një emocion që “lind nga kujtimet e dashura, të përziera me dëshirën” . Nostalgjia na bën të ndihemi më pozitivisht për veten dhe të ardhmen. Ajo na bën ta shohim jetën si kuptimplotë. Nostalgjia forcon edhe lidhjet tona shoqërore.

Nostalgjia, që mund të rrisë mirëqenien tonë psikologjike, është e ndryshme nga procesi i thjeshtë i të kujtuarit, gjë që ndonjëherë mund të na bëjë të ndihemi të trishtuar. Të menduarit për të kaluarën, mund të shkaktojë ndonjëherë dhe ndjenja të tjera keqardhjeje. “Nostalgjia, një dëshirë sentimentale për të kaluarën, është një përvojë emocionale e zakonshme, universale dhe shumë sociale”- shkruajnë Tejlor Fiorito dhe Klej Rutlexh në studimin e tyre “A është nostalgjia një përvojë e orientuar nga e kaluara apo e ardhmja?”, botuar në “Frontiers in Psychology” në vitin 2020.

“Kur njerëzit sjellin në mendje kujtime që i bëjnë nostalgjikë, ata po rishikojnë ngjarje personale kuptimplota të jetës të përbashkëta me të dashurit e tyre. Nostalgjia përfshin reflektimin mbi përvojat e kaluara. Por ajo motivon edhe gjendjet afektive, sjelljet dhe qëllimet që përmirësojnë jetën e njerëzve në të ardhmen”- theksojnë ata.

Kur mendojmë për ngjarje domethënëse të jetës, të cilat shkaktojnë reagimin tonë nostalgjik, kjo na ndihmon ta kuptojmë jetën tonë. Ne formojmë një narrativë se kush jemi, kush kemi qenë, kush do të dëshironim të bëheshim dhe ku kemi qenë, ku jemi tani dhe ku do të dëshironim të shkonim.

Historia që i tregojmë vetes për veten tonë, është jetike për mirëqenien tonë psikologjike.

Po si t’i tregoni vetes një histori më pozitive? Ndërtoni një “bankë mendore” plot me kujtime pozitive. Në një intervistë të vitit 2013 për New York Times, dr.Sedikides e quan atë “depo nostalgjie”. Kur zhyteni në “depon tuaj nostalgjike”, mos e krahasoni me asgjë tjetër kujtimin që po sillni ndërmend. Përpiquni vetëm të përqendroheni dhe ta shijoni atë.

Vazhdoni ta mbushni depon tuaj nostalgjike gjatë gjithë jetës tuaj. “Unë nuk humbas asnjëherë rastin për të ndërtuar kujtime nostalgjike”-tha dr.Sedikides për NYT. Pra është normale të flasësh me mall për gjërat që sapo kanë ndodhur dje. Në fakt, është mirë diçka e mirë për ju. / Psychology Today – Bota.al

Lajmet

Shiten të gjitha biletat për ndeshjen e 31 marsit

Published

on

By

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar përmes faqes zyrtare se janë shitur tashmë të gjitha biletat për ndeshjen e radhës që do të luhet më 31 mars.

Megjithëse kundërshtari dhe rëndësia e vërtetë e këtij takimi do të përcaktohen vetëm pas sfidës së kësaj të enjteje kundër Sllovakisë, tifozët kanë treguar një interesim të jashtëzakonshëm duke zbrazur sportelet virtuale.

Biletat u shitën me çmime që varionin nga 10 deri në 30 euro, ndërsa për zonën VIP çmimi i një bilete arriti në 100 euro.

Ky entuziazëm i madh lidhet drejtpërdrejt me rrugëtimin e Kosovës drejt ëndrrës botërore.

Nëse ekipi ynë arrin të shënojë fitore në Bratislavë ndaj Sllovakisë, atëherë data 31 mars do të shënojë finalen e madhe të plejofit për kualifikim në Botëror, ku kundërshtar i mundshëm do të jetë Turqia ose Rumania.

Në rast të një rezultati negativ të enjten, kjo ndeshje do të marrë karakter miqësor, por kjo nuk i ka ndaluar aspak mbështetësit besnikë që të sigurojnë praninë e tyre në shkallët e stadiumit për të përkrahur përfaqësuesen në çdo skenar.

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 nis kualifikimet për Euro 2027 me barazim ndaj Armenisë

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës U19 ka ndarë pikët me Armeninë në ndeshjen hapëse të Grupit 2 (Liga B), të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2027.

Ndeshja e zhvilluar në Turqi përfundoi me rezultatin 1-1.

Të përzgjedhurit e Albert Bunjakut kaluan të parët në avantazh në minutën e 19-të përmes Lorik Mehmetit, por pavarësisht dominimit në pjesën e parë, nuk arritën ta gjenin golin e dytë për të siguruar fitoren.

 

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Presidentja i kërkon sqarim Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit.

Osmani, të cilës i mbaron mandati më 4 prill, nuk i ka emëruar ende anëtarët e rinj të KQZ-së, pavarësisht se afati ligjor po kalon, paralajmërojnë ekspertët.

Kabineti i Osmanit i tha Radios Evropa e Lirë të martën se ajo do t’i emërojë ata “sapo të marrë përgjigje” nga Kushtetuesja.

“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.

Kabineti nuk deshi të tregojë se cilat parti kanë bërë më shumë propozime seç lejohet.

Si emërohen anëtarët e KQZ-së?

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, pra kryetari dhe 10 anëtarë të tjerë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

Derisa kabineti i presidentes nuk tregoi se kush sa kandidatë ia ka propozuar asaj, raportohet se partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, i ka propozuar tre.

Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha për REL-in se i ka propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se e ka propozuar një kandidat.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partia e Kurtit nuk mund t’i propozojë më shumë se dy kandidatë.

“Tash, sa i përket përbërjes së KQZ-së, modeli që aplikon Kosova është strikt, e jo proporcional, që nënkupton se grupet parlamentare me të drejtë përfaqësimi propozojnë nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve. Edhe në situata kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël, nuk kalohet në ndarje proporcionale, sepse formula mbetet e njëjtë dhe duhet të zbatohet në mënyrë konsistente”, shkroi Cakolli në Facebook ditë më parë.

Sipas tij, bazuar në përbërjen e tanishme të Kuvendit të Kosovës, “ndarja është e qartë: LVV duhet t’i ketë dy anëtarë, PDK-ja gjithashtu dy, ndërsa LDK dhe AAK nga një anëtar”.

Ai përmendi edhe rastet e mëparshme kur Gjykata Kushtetuese ka sqaruar këtë çështje, duke thënë se në secilën prej dy rasteve për situata shumë të ngjashme, ajo ka konfirmuar zbatimin e modelit të rreptë të përfaqësimit në përbërjen e KQZ-së.

“Madje, rasti i vitit 2021 është veçanërisht ilustrues, kur LVV kishte mbi 50% të votave, por kishte të drejtë propozimi vetëm për dy anëtarë”, shtoi ai.

Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.

Në fillim të muajit, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i kishte bërë thirrje presidentes të përshpejtojë me emërimin e anëtarëve të rinj brenda afatit ligjor. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Gllogjani nderon dëshmorët në 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”

Published

on

By

Me rastin e 24 marsit, qytetarë të shumtë vizituan varrezat e dëshmorëve në Gllogjan për të nderuar 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, duke kujtuar betejën e vitit 1998 mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, raporton Ekonomia Online.

Në këtë përvjetor, u lartësua sakrifica e dëshmorëve Him Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht gjatë rrethimit të fshatit.

Qytetari Ragip Gegaj theksoi rëndësinë e këtij vendi duke u shprehur se “kombi nuk ka nevojë me shku në Qabe, sepse Qaben e kanë në Dukagjin e në Drenicë”, duke shtuar se vizita te varret e dëshmorëve është detyrim për të mos harruar ditët më të vështira të Kosovës.

Ndjenja e krenarisë u reflektua edhe nga vizitorë të tjerë, si Gani Çeku nga Irzniqi, i cili u shpreh se homazhet në Prekaz e Gllogjan janë një privilegj për çdo qytetar.

“Këtu ne jemi të privilegjuar sa herë që vijmë këtu dhe bëjmë vizita, homazhe. Vendi i shenjtë, jo vetëm për mua, po për krejt popullin e Kosovës. Prekazi edhe Gllogjani. Unë jam shumë, shumë krenar që vizitoj këto varreza të dëshmorëve”, tha ai.

Ndërsa Shefqet Demhasaj nga Carrabregu nënvizoi se “tërë Kosova ia ka borxh Dukagjinit” për rezistencën e madhe që mundësoi lirinë e popullit.

Pjesë e këtij përvjetori ishin edhe brezat e rinj, si nxënësja Sumeja Lajçi e cila recitoi vargje për dëshmorët, duke dëshmuar se kujtimi për betejën e 24 marsit 1998 mbetet i gjallë dhe i shenjtë për të gjithë shqiptarët. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara