Lajmet

Në luftën e Putinit kundër Ukrainës, Perëndimi po i fiton betejat ekonomike

Perëndimi vazhdon që të domonojë në fushëbetejën ekonomike.

Published

on

Nga Sebastian Mallaby

“The Washington Post”

Ndërsa po vazhdon lufta në Ukrainë, Perëndimi vazhdon që të domonojë në fushëbetejën ekonomike. Sanksionet e tij po ndëshkojnë rëndë ekonominë ruse. Përpjekjet e ushtrisë për një kundërsulm duket se kanë gjasa të dështojnë. Dhe rezultati është një goditje psikologjike për Kinën, sistemi shtetëror-kapitalist i së cilës dukej tashmë i brishtë.

Së pari marrim sanksionet. Duke ngrirë pjesën më të madhe të rezervave valutore të Rusisë, Perëndimi e çaktivizoi mjetin kryesor të Moskës për mbrojtjen e monedhës së saj. Në 2 javët e para të luftës, rubla e humbi gati gjysmën e vlerës së saj kundrejt dollarit.

Rritja e çmimeve të importit, blerjet në panik e sipër nga qytetarët rusët, dhe mungesat e shkaktuara nga sanksionet e tjera, e rritën inflacionin deri në 2 për qind në javë. Nëse do të ruhet kjo normë, inflacioni vjetor i Rusisë do të arrinte në nivelin katastrofik prej 175 për qind.

Udhëheqësit e Rusisë janë përpjekur që ta mbështesin rublën, por kjo gjë ka sjellë vështirësi të reja. Banka Qendrore e ka dyfishuar normën bazë të interesit, duke ndëshkuar bizneset dhe familjet, duke i nxitur kështu ekspertët të parashikojnë një recesion ekonomik të thellë.

Autoritetet kanë goditur fort kontrollin e kapitalit, duke i penguar rusët e zakonshëm që të shkëmbejnë rublat me dollarë, dhe duke u kufizuar aftësinë për të nxjerrë dollarë nga llogaritë e tyre bankare. Rusët me më shumë mundësi po largohen nga vendi.

Rreth 70.000 punonjës të teknologjisë thuhet se janë larguar tashmë. Sanksionet kanë goditur edhe investitorët e huaj. Rusia i ka ndaluar jo-rezidentët që të shesin aksionet që kanë në Moskë. Sanksionet kanë penguar ndërkohë edhe pagesat e interesit për zotëruesit e huaj të obligacioneve.

Të tmerruar nga shkatërrimi i qyteteve në Ukrainë, rreth 500 biznese perëndimore që operonin në Rusi janë tërhequr tashmë, madje shumë prej tyre pa një plan të qartë se si mund t’i shesin asetet që kanë në këtë vend dhe se si do mund të rikuperojnë kapitalin.

Gjiganti britanik i naftës “British Petroleum” pritet të pësojë një dëm prej 11 miliardë dollarësh nga largimi i saj nga Rusia. Besimi i biznesit të huaj nuk ka gjasa të rikuperohet për sa kohë që në Kremlin të jetë Vladimir Putin. Lëvizja e fundit e Rusisë ishte kushti që eksportet e saj të gazit natyror të paguhen në rubla.

Ideja e Moskës është të detyrojë Gjermaninë dhe importuesit e tjerë të energjisë që të blejnë gaz dhe naftë në monedhën ruse, duke e rritur kësisoj vlerën e saj. Por qeveria gjermane duket e gatshme që të mos e pranojë bllofin e Putinit.

Në vend se të pranojë të paguajë në rubla, ajo ka ndërmarrë hapin e parë zyrtar drejt racionimit të gazit. Në vend se ta privojë veten nga të ardhurat që i duhen dëshpërimisht, Rusia mund të tërhiqet nga kjo lëvizje. Sido që të shkojnë gjërat, kërcënimi i Rusisë e ka përforcuar më tej vendosmërinë e Gjermanisë për t’u larguar nga eksportet ruse.

Dhe çfarë do të thotë e gjitha kjo për Kinën, aleaten më të rëndësishme të Putinit? Ekonomia kineze është shumë më e madhe dhe më e sofistikuar se ajo e Rusisë. Por duket sërish e cënueshme. Së pari, stoku i aseteve në valutë të huaj i Pekinit prej 3 trilion dollarësh, duket më pak i fuqishëm se dikur.

Nëse ka qenë e mundur ngrirja e rezervave valutore të Rusisë, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ato të Kinës. Po kështu, nëse Rusia nuk mund t`i përdorë dot si mjet presioni eksportet e saj energjetike, ngjan e pamundur që Kina të jetë në gjendje t’i kundërvihet sanksioneve, duke kërcënuar se do të reduktojë eksportet e produkteve elektronikë.

Është e vërtetë që Kina furnizon rreth 80 për qind të tregut amerikan për inputet industriale të njohura si “minerale të rralla”. Por Shtetet e Bashkuara po mbrojnë veten duke i grumbulluar dhe ricikluar ato. Për më tepër, ekonomia e Kinës duket shumë e ndjeshme për arsye të tjera.

Ashtu si Putin pushtoi Ukrainën i shtyrë nga një ndjenjë e gabuar e krenarisë kombëtare, edhe udhëheqësit e Kinës kanë refuzuar të blejnë vaksinat e huaja shumë më efektive kundër Covid-19. Edhe pse vaksinat vendase nuk funksionojnë, ata e kanë izoluar vendin e tyre nga pjesa tjetër e botës, duke vendosur karantina drakoniane për vizitorët.

Por me shfaqjen e variantit veçanërisht infektiv BA.2 omicron, nuk mjafton as kjo. Kina është detyruar të mbyllë qendrat ekonomike si Shenzhen dhe Shangai, duke penguar perspektivën e saj të rritjes ekonomike. Ndërkohë, me luhatje paraqitet edhe sektori financiar i Kinës. Zhvilluesit e pronave të paluajtshme po falimentojnë, dhe po braktisen nga investitorët e tjerë. Gati 2/5 e kredive bankare janë të lidhura me pronat e paluajtshme, ndaj kjo krizë pritet të infektojë gjithë sistemin bankar.

Ekonomia e Kinës është e varur nga borxhet, ndaj nëse bankat do të kërkojnë kreditë e tyre, kriza do të jetë shumë e fortë. Qeveria e Kinës i ka ndërlikuar problemet e saj duke e goditur ekonominë e saj dixhitale mbresëlënëse. Ajo i ka gjobitur kompanitë kryesor të teknologjisë, ka bllokuar angazhimin e tyre në bursa, dhe i ka shtyrë të mërgojnë jashtë vendit themeluesit e tyre.

Verën e vitit që shkoi, me një të rënë të lapsit, ajo zhduku pjesën më të madhe të industrisë fitimprurëse të mësimdhënies prej 100 miliardë dollarësh. Duke pasur parasysh se popullsia e Kinës po plaket dhe fuqia e saj punëtore po zvogëlohet, qeveria ka nevojë për plotësimin e produktivitetit nga kompanitë e teknologjisë.

Është kjo arsyeja pse zyrtari më i lartë ekonomik i Pekinit, është sjellë mirë kohët e fundit me këtë sektor. Por jo të gjithë presin që gjërat të përmirësohen. Qeveritë autoritare e kanë të vështirë të tolerojnë inovacionet përçarëse. Perëndimi ka përjetuar disa vite rraskapitëse.

Populistët e kanë rritur shumë ndikimin e tyre, janë shkatërruar aleancat tradicionale, dhe çdo gjë nga inflacioni deri tek tërheqja kaotike e SHBA-së nga Afganistanit, dukej se sinjalizonte paaftësinë dhe brishtësinë. Por kriza e Ukrainës e ka ndryshuar situatën. Sigurisht, konflikti është larg përfundimit. Por tani për tani, Perëndimi ka një vetëbesim të madh të panjohur më parë./bota.al

Shënim: Sebastian Mallaby, bashkëpunëtor në Institutin Paul A.Volcker për ekonominë ndërkombëtare.

Vendi

Vrasje në Strellc të Deçanit: Policia arreston një person dhe sekuestron një armë zjarri

Published

on

By

Një person ka humbur jetën sot në bjeshkën e Strellcit në Komunën e Deçanit, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:43 në oborrin e një stani, ndërsa hetimet e para dëshmojnë se dyshohet për një vrasje nga pakujdesia mes personave me lidhje familjare.

Në vendin e ngjarjes, organet e rendit kanë sekuestruar një armë zjarri dhe kanë arrestuar personin e dyshuar.

Njësitet kompetente po vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Goditja e përvitshme nga moti i ligë: Si po rrezikohet bujqësia dhe siguria ushqimore në Kosovë

Published

on

By

Stuhitë e fuqishme, breshëri dhe erërat e forta që përfshinë vendin ditëve të fundit kanë lënë pas pasoja të rënda në parcelat bujqësore dhe pronat private në disa rajone të Kosovës. Komunat si Suhareka, Istogu, Lipjani, Skenderaj, Vitia dhe Rahoveci janë përballur me goditjet më të mëdha, ku sipërfaqe të tëra të tokave të punuara janë dëmtuar pothuajse tërësisht.

Kjo situatë e përsëritur natyrore nuk përfaqëson vetëm një goditje të drejtpërdrejtë financiare për familjet e bujqve, por ngre një alarm serioz edhe për stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë kosovare.

Përballë kësaj gjendjeje ku komisionet komunale të vlerësimit të dëmeve shpesh përballen me buxhete të pamjaftueshme për dëmshpërblim, ekspertët bëjnë thirrje për një ndryshim rrënjësor të qasjes institucionale.

 

Pasojat e drejtpërdrejta në treg dhe rreziku nga importi i huaj

Ndikimi i këtyre goditjeve klimatike shtrihet shumë më larg se vetëm në arat e dëmtuara. Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, bën të ditur se vala e fundit e motit të ligë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme duke goditur më së shumti pemishtet, vreshtat, perimet në fushë të hapur, misrin si dhe kulturat foragjere, ku në mjaft zona prodhimi është humbur pothuajse tërësisht.

“Kjo nënkupton më pak produkte vendore në treg, çmime potencialisht më të larta për konsumatorët dhe presion shtesë mbi fermerët, të cilët e kanë më të vështirë të konkurrojnë me produktet e importit,” paralajmëron Rusinovci.

Ai nënvizon se përveç humbjes drastike të sasisë, është dëmtuar rëndë edhe cilësia e produkteve, gjë që ua ul automatikisht vlerën në treg dhe e rrit varësinë e vendit nga ushqimi i huaj.

Sipas tij, nëse këto ngjarje natyrore përsëriten çdo vit pa masa mbrojtëse, “rreziku për tkurrjen e prodhimit vendor bëhet real.”

Në planin afatgjatë, kjo pasiguri e vazhdueshme ul gatishmërinë e fermerëve për të investuar, ngadalëson zhvillimin e të gjithë sektorit dhe dobëson seriozisht sigurinë ushqimore të Kosovës.

 

Nga masat parandaluese te sigurimet: Çfarë duhet të bëjë shteti

Për t’i bërë ballë kësaj sfide komplekse, profesori Rusinovci thekson se Kosova duhet të kalojë nga reagimet momentale te një strategji kombëtare me investime afatgjata për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Meqenëse efektiviteti i sistemeve raketore kundër breshërit mbetet i diskutueshëm në komunitetin shkencor, ai insiston se fokusi i shtetit duhet të zhvendoset te mbrojtja direkte në terren.

“Në vend që të fokusohemi vetëm te sistemi raketor, Kosova duhet të ndërtojë një sistem të integruar të menaxhimit të rrezikut në bujqësi,” shprehet ai, duke propozuar subvencionimin e rrjetave mbrojtëse për pemishte e vreshta, ndërtimin e serrave moderne, investimet në sisteme adekuate të ujitjes e kullimit, si dhe forcimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm meteorologjik.

Krahas infrastrukturës, ai e sheh si domosdoshmëri jetike mbështetjen e fermerëve përmes sigurimeve bujqësore, të cilat parandalojnë falimentimin financiar pas një sezoni të humbur.

Duke marrë parasysh se numri i bujqëve të siguruar në Kosovë mbetet ende shumë i ulët, kërkohet që shteti të subvencionojë një pjesë më të madhe të primieve dhe të bashkëpunojë me kompanitë e sigurimeve për krijimin e pakove më të përballueshme.

“Mesazhi kryesor është se fatkeqësitë natyrore nuk mund të shmangen, por dëmet e tyre mund të zvogëlohen ndjeshëm përmes politikave të mirëplanifikuara, investimeve në masa parandaluese dhe mbështetjes së vazhdueshme për fermerët. Në këtë mënyrë mbrohet jo vetëm prodhuesi, por edhe siguria ushqimore dhe ekonomia e Kosovës,” përmbyll Rusinovci. /E.A/

Foto; Prof- Imer Rusinovci

 

 

Continue Reading

Vendi

Teatri Kombëtar i Kosovës i jep lamtumirën Beqir Beqirit, njeriut që i shërbeu institucionit për mbi katër dekada

Published

on

Në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës u mbajt dje mbledhja komemorative në nderim të Beqir Beqirit, i cili për më shumë se katër dekada ia kushtoi punën dhe përkushtimin e tij këtij institucioni.

Në ceremoni morën pjesë presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, familjarë, miq, kolegë dhe punëtorë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të cilët kujtuan me respekt jetën dhe kontributin e tij.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit vlerësoi se Beqir Beqiri ishte një nga ata njerëz që, edhe pse larg skenës, me punën e palodhur, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, dha një kontribut të çmuar në funksionimin dhe zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Sipas Ministrisë, kujtimi për Beqir Beqirin do të mbetet pjesë e historisë së institucionit dhe e të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të punojnë me të./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mbretëria e Bashkuar shpreh shqetësim pas lirimit nga detyra të prokurorëve serbë

Published

on

Mbretëria e Bashkuar ka reaguar pas dekretit të presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, përmes së cilit u liruan nga detyra të shtatë prokurorët serbë, të cilët patën dhënë dorëheqje në fund të 2022-s.

Vendimi i Haxhiut është marrë një ditë pasi Këshilli Prokurorial e ka refuzuar kërkesën e tyre për t’i tërhequr dorëheqjet e gati katër vjetëve më parë.

Në reagim, Mbretëria e Bashkuar ka thënë se janë të shqetësuar me këtë zhvillim dhe ka bërë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë.

“Ne e kemi mirëpritur reagimin e vazhdueshëm të organeve përkatëse profesionale, të cilat e kanë njohur rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjitha komuniteteve në Kosovë ndaj sistemit të drejtësisë. Prandaj, jemi të shqetësuar për zhvillimet e kësaj jave. Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, me qëllim forcimin e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në reagim.

Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të pranuar dorëheqjen e personelit serbë si dhe për dekretimin e këtij vendimi nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Këto vendime BE-ja i ka quajtur në shpërputhje me ligjin.

Kthimin në vendin e punës kanë kërkuar edhe gjyqtarët të cilët dhanë dorëheqje në po atë kohë, mirëpo Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka marrë vendim për ta.

Dorëheqjet në fund të 2022-s ndodhën pas shkarkimit të komandantit të policisë në veri, i cili pati refuzuar të zbatojë vendimin e qeverisë me të cilin u ndalua qarkullimi i automjeteve me targa ilegale serbe. Atëkohë, dorëheqje patën dhënë edhe kryetarët e 4 komunave të veriut dhe pjesëtarët e administratës. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara