Lajmet

Miliona euro s’u paguhen kompanive publike në pandemi

Published

on

Mbi dy milionë euro është borxhi që qytetarët kanë ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, vetëm gjatë kohës së pandemisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Sokol Xhafa, tha se borxhi ndaj shërbimeve të ujit është shumë i lartë.

“Fatkeqësisht borxhi ndaj shërbimeve të ujit është shumë i lartë. Ndoshta edhe aspekti human dhe ne si kompani kemi qenë më të butë ndaj konsumatorëve sepse uji është diçka e pazëvendësueshme dhe për këtë shkak kemi qenë tepër tolerant, dhe borxhi i akumuluar ndër vite që nga paslufta e deri tani kalon mbi 45 milionë euro i akumuluar i gjithë konsumatorëve në nivel ndërmarrje, ndërsa borxhi vetëm gjatë pandemisë kalon mbi dy milionë euro. Vitin që shkoj gjatë muajit mars dhe prill kur ishte dhe momenti fillestar edhe i izolimeve pastaj gjithçka në izolim dhe në sektorë tjerë e ra konsumi por edhe inkasimi. Këtë vit qëndrojmë më mirë sa i përket inkasimeve”, tha Xhafa.

Xhafa u ankua se nuk kanë përkrahje aq sa duhet nga komunat. Tutje ai theksoi se problem për këtë kompani shpesh sjell ndërhyrja e KEDS-it e cila u pengon në kryerjen e punës.

“Ka raste të tilla sepse jo gjithmonë jemi ne që të varet gjithçka nga ne, por duhej të ishte kështu dhe në shumë raste qytetarët ndërhyjnë vetë sidomos gjatë fundjavave por mundohemi që edhe ne t’u përgjigjemi në kohë reale përmes qendrës së thirrjeve, por normalisht jemi sensitiv nga ndërhyrjet që bëjnë dhe probleme i madh është edhe ndërhyrja e KEDS-it, por as komunat nuk po na përkrahin aq sa duhet”, theksoi tutje ai.

Mirëkuptimi i kësaj kompanie ka qenë shumë i madh ndaj qytetarëve, duke mos aplikuar shkyçje tek ta dhe lehtësira në pagesa, duke bërë që të ulin përqindjen në 10% pjesëmarrje më pak. Pjesa e shkyçjes është aplikuar vetëm tek ata qytetarë që kanë keqpërdorur ujin.

“Absolutisht ne i mirëkuptojmë, për shkak të borxhit që janë akumuluar ne nuk kemi aplikuar asnjë shkyçje, i kemi pezulluar të gjitha si pasojë e mos pagesave dhe për lehtësira të konsumatorëve të borxhit që kanë qenë në 30%, ne e kemi ulë për 10% pjesëmarrje fillestare dhe për 36 muaj mund të bëhet riprogramimi në këste, por edhe për bizneset që kemi ulur edhe tek ata përqindjen. Sigurisht që duhet të mbajmë një likuiditet financiar të ndërmarrjes sepse duhet të vazhdojmë t’i furnizojmë me ujë dhe t’i ripërtërijmë asetet tona dhe të bëjmë investime”, deklaroi ai.

“Pjesën e shkyçjes nuk e kemi aplikuar asnjë, përveç rasteve kur kanë qenë të kyçur ilegalisht, dhe kanë shpërdoruar ujin, por sa i përket borxheve kemi qenë shumë tolerant, në përmbarime i kemi dërguar dhe po vazhdojmë ti dërgojmë pasi nuk shohim masë tjetër që të mbajmë stabilitetin e ndërmarrjes dhe vazhdueshmërinë e furnizimit me ujë”, u shpreh tutje Xhafa.

Jo vetëm kompania e ujësjellësit kanë të evidentuar një borxh të madh nga mos pagesa e qytetarëve, pasi edhe kompania tjetër siç është ajo e “Pastrimit” numëron borxh të madh që nga paslufta.

Arbnore Ademi, zëdhënëse në këtë kompani tha që vështirësi në borxhe kanë edhe para kohës së pandemisë, jo vetëm në këtë periudhë. Sipas saj, problem të madh gjatë pandemisë kanë pasur me bizneset dhe kufizimi i punë së tyre që ka bërë që të mos mund të kryejnë pagesat. 

Që nga koha e pasluftës e deri në këtë periudhë të pandemisë, kësaj kompanie i kanë borxh afro 20 milionë euro.

“Vështirësi me borxhe kemi edhe para pandemisë , sepse fatkeqësisht është një kategori e qytetarëve që nuk i kryejnë obligimet  e tyre, ndaj kompanisë së Pastrimit duke mos anashkaluar edhe klientët besnikë që i kemi dhe janë të rregullt me pagesa. Me fillimin e pandemisë, dhe vendimin që duhet të pezullohen pagesat kemi respektuar ato vendime dhe me lehtësimin e masave kemi nisur faturimin e klientëve, ku ka klientë që kanë kryer obligimet. Inkasimi ka vazhduar por problemin më të madh e kemi pasur me bizneset sepse kanë qenë më të kufizuar në ushtrimin e veprimtarisë së tyre”, tha ajo.

“Po gjithsesi që kemi një shifër sepse nxjerrim raporte, është diku afro 20 milionë euro që nga paslufta e deri më tani që klientët kanë borxh ndaj kompanisë tonë”, theksi tutje ajo.

Ajo tha që falja e borxheve mund të bëhet vetëm me ndonjë vendim të Qeverisë siç ka qenë vite më parë, mirëpo ajo u bën thirrje qytetarëve që të paguajnë faturat.

“Falja e borxheve mund të bëhet vetëm me ndonjë vendim të Qeverisë siç ka qenë vite më herët, ndërsa tani nuk ka pasur ndonjë falje sepse jemi ndërmarrje publike me vet financim që nënkupton që të hyrat financiare me mjetet që i inkasojmë nga klientët dhe nëse nuk inkasojmë kjo na vështirëson punën financiare në terren. Andaj bëj thirrje që të paguhet faktuar sepse nuk ka një kosto të lartë”, përfundoi ajo.

Lajmet

MINTI -Kontrollon çmimet e karburanteve në Kosovë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) po i ndjek me kujdes çmimet e karburanteve në të gjithë vendin në Kosovë.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po bën kontrolle të vazhdueshme në terren për të siguruar që çmimet të jenë të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është e përkushtuar, me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg,” thuhet në komunikatë.

Kosova importon karburante, prandaj çmimet ndërkombëtare ndikojnë drejtpërdrejt tek çmimet lokale. Ministria paralajmëron se çdo ndryshim i papritur dhe i pabazuar mund të çojë në masa shtesë, duke përfshirë rregullimin e çmimeve dhe kontrolle të shtuar nga Dogana, Inspektorati dhe Administrata Tatimore.

Qytetarët mund të raportojnë çdo problem në numrin pa pagesë 0800 11000 ose përmes e-mailit [email protected].

Rritja e çmimeve të naftës vjen kryesisht si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, ku ndodhet shumica e prodhimit global të naftës. Sulmet ndaj rafinerive dhe infrastruktures energjetike, si dhe pasiguria për trafikun e naftës në Ngushticën e Hormuzit, kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit. Kjo ka çuar që vendet importuese, përfshirë Kosovën, të përballen me çmime më të larta të derivateve të naftës.

Continue Reading

Lajmet

Rreth një mijë kosovarë në Lindjen e Mesme, MPJD: Të gjithë në gjendje të mirë

Published

on

By

Në vendet e Lindjes së Mesme aktualisht ndodhen 963 shtetas të Kosovës dhe, sipas të dhënave zyrtare, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se informacionet janë siguruar përmes misioneve diplomatike dhe se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët për të përcjellë situatën dhe për të ofruar mbështetje sipas nevojës.

Sipas shifrave të fundit, në Izraeli ndodhen 21 kosovarë, në Arabia Saudite 331, në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë, në Katari 75, në Kuvajti rreth 60, në Bahreini 4 dhe në Omani 2.

Ministria bëri të ditur se po punon me autoritetet përkatëse për të siguruar opsione të mundshme evakuimi nëse situata e kërkon. Aktualisht, kufiri tokësor mes Emirateve dhe Omanit mbetet i hapur, ndërsa ekzistojnë edhe disa linja fluturimi nga Rijadi dhe Xheda.

Megjithatë, autoritetet vendore në rajon rekomandojnë që të shmangen udhëtimet deri në stabilizimin e plotë të situatës së sigurisë. MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të mbajnë kontakte të rregullta me përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Lidhja Kosovë–Shqipëri është e natyrshme dhe e pathyeshme

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në takim me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, kanë biseduar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Osmani ka theksuar se lidhja mes Kosova dhe Shqipëria është e natyrshme, strategjike dhe e pathyeshme, duke e cilësuar bashkëpunimin mes dy shteteve si themelor për të ardhmen e përbashkët.

Sipas saj, uniteti përbën forcë, ndërsa koordinimi i vazhdueshëm është garanci për përballimin e sfidave. Ajo ka nënvizuar se vizioni i përbashkët i dy vendeve mbetet paqja, stabiliteti dhe orientimi euroatlantik.

“Uniteti ynë është forcë, koordinimi ynë është garanci, ndërsa vizioni ynë është paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike”, shkruan Osmani.

Në mesazhin e saj, presidentja ka theksuar se në kohë sfidash globale, qëndrimi i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë është element kyç për sigurinë dhe forcën e të dy shteteve.

Continue Reading

Lajmet

Kurti dhe Peleshi bisedojnë për forcimin e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Takimi u mbajt në përvjetorin e Kuvendi i Lezhës, ngjarje historike që simbolizon bashkimin e princërve shqiptarë në vitin 1444.

Në këtë frymë, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e unitetit politik dhe institucional ndërmjet Kosova dhe Shqipëria.

“U vlerësua se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të një populli, ndajnë aspirata të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të institucioneve demokratike dhe integrim euroatlantik”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Zyrës se Kryeministrit, gjatë takimit është diskutuar për rritjen e koordinimit në arenën ndërkombëtare, si dhe për hapa konkretë në avancimin e proceseve integruese drejt Bashkimi Evropian.

Të dy palët kanë vlerësuar se bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të intensifikohet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të demokracisë.

Kurti ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria e mbështesin njëra-tjetrën në proceset shtetformuese dhe integruese, duke i konsideruar sukseset si të përbashkëta. Ai ka nënvizuar se perspektiva evropiane e qytetarëve të të dy vendeve mbetet objektiv i përbashkët.

Në fund të takimit, është ritheksuar se partneriteti strategjik ndërmjet dy shteteve shqiptare përbën një element të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.

 

Continue Reading

Të kërkuara